Komisioni i Medias/ Mazhoranca i hap rrugë zëvendësimit të Bushatit, mes 8 kandidatëve, dy në votim të enjten

0
122

Gëzim Saliu

Anëtarët e majtë, letër opozitës: Të zgjedhim bashkë kreun e AMA-s, nuk ndryshojmë ligjin

komisioni i medias korrik 2014 lsa sakte Komisioni parlamentar i Medias i hapi rrugë zëvendësimit të Endira Bushatit në detyrën e kryetares së Autoritetit të Mediave Audiovizive, duke kërkuar nga ana tjetër që opozita të bëhet pjesë e procesit. Në mbledhjen e ditës së djeshme të komisionit, anëtarët e majtë përmes një letre drejtuar opozitës, kërkuan që kjo e fundit të braktisë bojkotin dhe të bashkohet me mazhorancën për përzgjedhjen e anëtarit të 7-të të autoritetit të medias. “Ju bëjmë sërish thirrje sot (dje), si shumë e shumë herë të tjera më parë, që të riktheheni në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, që të zgjedhim së bashku anëtarin e shtatë, i cili do të jetë njëkohësisht edhe kryetari i ri i AMA. Në mënyrë që së bashku të mundësojmë rikthimin në normalitet të plotë të punës dhe veprimtarisë së këtij institucioni, i cili ka përpara tij shumë detyrime ligjore e publike për të përmbushur, por edhe mjaft sfida për të përballuar në fushën e reformave të reja që duhet të ndërmerren në fushën e transmetimeve audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, – theksohej në letrën drejtuar demokratëve.

 

Kandidatët dhe votimi

Para disa muajsh, në prani dhe të opozitës, Komisioni i Medias nisi procedurat për zgjidhjen e ngërçit institucional në AMA dhe zhvilloi dëgjesa me 8 kandidatët që synojnë të jenë në krye të AMA-s. Ndërkaq, opozita ka bojkotuar Kuvendin e në të njëjtën kohë i ka cilësuar zëvendësimet e mazhorancës si tentativë për kapjen e institucioneve të pavarura. Por sipas anëtarëve të mazhorancës, zgjidhja e ngërçit të AMA, nuk ka lidhje me ndryshimin e ligjit për këtë institucion. “Ne përfaqësuesit e mazhorancës në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, shfrytëzojmë edhe këtë rast që tju sigurojmë se vendosmëria jonë për të përmbushur detyrimin ligjor dhe politik në zgjidhjen përfundimtare të ngërçit në AMA dhe rikthimin e drejtimit të këtij institucioni në normalitet, në asnjë rast nuk do të çojnë në ndryshimin e ligjit për AMA apo në cenimin në thelb të së drejtë tuaj ligjore si opozitë. Ju garantojmë se produkti fundor final i gjithë këtij procesi,- sipas përcaktimit ligjor,- nuk do të preket dhe nuk do të shtrembërohet, për asnjë lloj arsyeje”, – thuhet në letër. Më tej 18 deputetët e mazhorancës, firmosës të letrës, theksuan se AMA duhet të zgjidhë një sërë emergjencash për opinionin publik shqiptar, jo vetëm në fushën e piraterisë por edhe në fushën e së drejtës për informim, e cila sipas tyre është cenuar rëndë kohët e fundit. “Nga ana tjetër, është një emergjencë për nevojat e opinionit publik shqiptar, edhe fillimi sa më parë i punës nga ana e AMA për realizimin e procesit të dixhitalizimit, për kalimin e transmetimeve nga analoge në ato numerike, proces ky që duhet të përfundojë brenda 17 qershorit 2015, sipas afatit të përcaktuar nga ITU”, – theksohej në letrën drejtuar opozitës. Në dëgjesat e kandidatëve për kryetarë të AMA-s, kandidati Sokol Hasani nuk u paraqit e nisur nga kjo komisioni do të duhet të zgjedhë mes 7 emrave, dy kandidatët që do i dërgojë për votim këtë enjte në Kuvend. Kandidatët për kryetar të AMA-s janë: juristët Gentian Sala dhe Bers Hodo, gazetarët Anila Basha dhe Zylyftar Bregu si edhe ekonomistët Raif Gorana, Gentian Skënderaj e En Muçi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency