Digjet fondi 2.5 mln euro/ BE: Shqipëria me risk të lartë për biznesin e vogël e të mesëm

0

Ervin Kaduku

Loading...

 –  BE jep “mandatën”: Fondi për sipërmarrjen e vogël dhe të mesme nuk mund të jepet, për shkak të riskut të lartë të ndërmarrjeve në Shqipëri

fason Bashkimi Evropian ka konkluduar së fundi se fondi prej 2.5 milionë eurosh për Shqipërinë nuk është dhënë, për shkak të cilësisë së pamjaftueshme të aplikimeve dhe riskut të lartë potencial të tyre.

Ky është një ndër konkluzionet e Komisionit Evropian në fushën e sipërmarrjes dhe parimeve të politikës industriale të ligjit për biznesin e vogël. Sipas raportit të progresit. duhet të forcohet bashkëpunimi mes QKR-së dhe Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit pa dhënë shkaqe se përse duhet të rritet bashkëpunimi. Progres ka pasur nga inspektorati qendror që ka vendosur portalin e inspektimeve elektronike dhe ka pajisur inspektorët me pajisje inspektimi të lëvizshme. Gjithsesi, sistemi i inspektimeve duhet të forcohet. Gjithashtu, Komisioni Evropian tërheq vëmendjen se strategjia për zhvillimin industrial, sipërmarrjen, zhvillimin e biznesit dhe investimet ende nuk është zbatuar.

Lidhur me instrumentet e politikës industriale, financimit dhe mbështetjes së biznesit të vogël dhe të mesëm (SME) një linjë krediti prej 15 milionë euro nga qeveria italiane për vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjithsesi, aksesi i SME-ve në kreditim mbetet një problem. Fondi prej 2.5 milionë euro për Shqipërinë nuk është shfrytëzuar, për shkak të cilësisë së pamjaftueshme të aplikimeve dhe riskut të lartë potencial të tyre.

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve vazhdon te mbështes nxitjen e biznesit dhe koordinimin e pjesëmarrjes në rrjetin evropian të sipërmarrjes por kapacitetet e agjencisë kanë nevojë të forcohen.

Lidhur me politikat sektoriale, qeveria ka lançuar reformën në fushën e turizmit, energjinë dhe bujqësinë. Legjislacioni rregullator për pronësinë shtetërore të tokës dhe orientimin drejt turizmit është adoptuar në Korrik. “Ligji i ri për turizmin dhe draft strategjia e zhvillimit të turizmit ende nuk është zbatuar”, – përfundon raporti i Komisionit Evropian.

 

Ndërkohë, rritet varfëria

Rreth 11.7% e familjeve shqiptare jetojnë me ndihmë ekonomike dhe qarku më i varur nga ndihma e shtetit është ai i Kukësit. Sipas të dhënave më të fundit zyrtare nga INSTAT-i, pothuajse gjysma e familjeve të këtij qarku kanë si burim të të ardhurave ndihmën ekonomike. Pas Kukësit, qarku i dytë me përqindjen më të lartë të familjeve në ndihmë ekonomike është Dibra, me 35.2%, çka konfirmon se zona verilindore vuan më shumë papunësinë dhe varësinë nga ndihma publike. Vijojnë dy qarqet e tjera të veriut, ai i Shkodrës me 20.5% dhe i Lezhës me 17.8%. Përgjithësisht, përqendrimi ndihmës ekonomike përputhet me nivelin e papunësisë së qarkut. Në qarkun e Kukësit, 51.3% e individëve mbi 15 vjeç janë të papunë, kundrejt një mesatareje kombëtare në nivelin 29.3%. Qarku i dytë me nivelin më të lartë të papunësisë është Lezha, me 48.2%.

Nga ana tjetër, dy qarqet me nivelin më të ulët të papunësisë janë Berati me 20.7% dhe Fieri me 23.9%, ndërsa qarqet me shkallën më të ulët të familjeve që deklarojnë si burim të të ardhurave ndihmën ekonomike janë Durrësi, me 4.9% dhe Vlora me 5.2%. Të dhënat e detajuara të treguesve socialë dhe ekonomikë sipas qarqeve që ofron INSTAT mbështeten në Censusin e vitit 2011 dhe janë një bazë shumë e rëndësishme për të orientuar politikat e punësimit dhe zbutjes së varfërisë.

Një tjetër tregues shumë i rëndësishëm është varësia ndaj remitancave, burim që në vitet e fundit po pakësohet ndjeshëm, për shkak të krizës, por edhe të procesit normal të tkurrjes së tyre me kalimin e viteve. Mbështetur në të dhënat e INSTAT-it, dy qarqet me varësinë më të lartë ndaj remitancave janë Elbasani, ku 13% e familjeve i kanë si burim kryesor të të ardhurave dhe Fieri, me 12.1% të familjeve. Dy qarqet ku familjet mbështeten më pak te remitancat janë Kukësi, me 4% dhe Gjirokastra, me 5.2%.

 

 Miratohet kredia 5.9 mln euro për bujqësinë

Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi të hënën ndryshimet në marrëveshjen e financimit të programit “Malet drejt tregut”.

Ndryshimi i marrëveshjes së financimit të programit “Malet drejt tregut”, ndërmjet Shqipërisë dhe Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin e Agrikulturës, synon miratimin e rishpërndarjes së fondeve dhe shtyrjen e afatit të përfundimit të programit dhe datës së mbylljes së huasë.

Programi “Malet drejt tregut” financohet nga Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin e Agrikulturës (IFAD) me një shumë kredie prej 5.86 milionë SDR-sh dhe një grant 260 000 SDR-sh, nga qeveria shqiptare me një shumë prej 2 milionë dollarësh dhe përfituesit me një shumë 6 milionë dollarë. Agjencia zbatuese e programit është Agjencia e Zhvillimit të Zonave Malore (MADA).

Sipas zëvendësministrit të Bujqësisë, Alban Zuzi, objektivi i programit është rritja e të ardhurave të ekonomive shtëpiake të varfra duke përmirësuar mundësitë e banorëve të këtyre zonave për të marrë pjesë e punësuar në rrjetet rurale konkurruese dhe tregtare të furnizimit nëpërmjet aksesit në tregje, ekspertizës teknike e financës, si rezultat edhe reduktimi i varfërisë në zonat rurale.

Sipas p/ligjit, fondet për punimet civile do të rriten 360,309 SDR. Fondet e reja do të përdoren për tri skema të reja infrastrukturore. Këto janë investime të qëndrueshme me një impakt afatgjatë në komunitet, prandaj për to ka pasur një numër të madh kërkesash nga komuniteti. Projektligji parashikon edhe rritjen me 6,928 SDR të kategorisë trajnime dhe seminare. Rritja e kategorive të punimeve civile dhe granteve për fermerët e bën të domosdoshme rritjen e këtij zëri, për shkak se njëri prej objektivave të programit është promovimi në panaire lokale dhe kombëtare i produkteve të prodhuara nga fermerët përfitues. Po ashtu p/ligji parashikon edhe zvogëlim me 90,432 SDR të kategorisë grante për kualifikime profesionale.

 

 Çmimi “Nobel” për ekonominë shkon në Francë

Profesori francez i ekonomiksit, Jean Tirole, ka fituar çmimin “Nobel” në ekonomi për punën e tij mbi fuqinë e tregut dhe rregullimin dhe firmat e fuqishme. Staffan Normark, Sekretari i Përhershëm i Akademisë së Mbretërisë së Suedisë, njoftoi se profesori francez ka fituar çmimin “Nobël”. “Jean Tirole është një ekonomistët më influencues në kohërat tona”, – sqaroi Akademia, duke thënë se profesori i Tuluzës ka qartësuar se si t’i kuptojmë industritë e rregulluara me numër të vogël dhe të fuqishëm firmash. Profesori Tirole ka deklaruar se ndjehet i nderuar për çmimin e marrë.

Më tej Akademia Mbretërisë së Suedisë sqaroi se “nga mesi i viteve `80 Jean Tirole ka kryer kërkime për dështimet e tregjeve. Analizat e tij për firmat me fuqi tregu kanë shtruar pyetjen se çfarë duhet të bëjnë qeveritë/agjencitë e konkurrencës me kontrollin e bashkimeve të firmave ose kartelet dhe se di duhet të rregullohen monopolet” .

Para prof. Tirole studiues të shumtë ishin marrë me analizën e parimeve të përgjithshme të industrisë. Sipas Tiroles caktimi i çmimeve(në ekonomitë e rregulluara si p.sh. energjia elektrike) mund t’i drejtojë firmat me pozicion dominant drejt motiveve të forta për të ulur kostot, një e mirë për gjithë shoqërinë por mund t’i lejojë ata të kenë fitime të tepruara-një e keqe kjo për shoqërinë. Bashkëpunimi në vendosjen e çmimeve me tregun mund të shkaktojë kosto por bashkëpunimi për patentat mund të krijojnë përfitime për të gjithë. Bashkimi i një firme me furnitorin e saj mund të inkurajojë inovacionin por gjithashtu mund të shtrembërojë konkurrencën.

Rregullimi më i mirë i politikës së konkurrencës mund të adaptohet në mënyrë të kujdesshme në çdo industri sipas kushteve specifike. Në një numër artikujsh dhe librash Jean tirole ka paraqitur frymën e përgjithshme se si dizajnohen këto politika dhe se si zbatohen në një numër industrish si telekomunikacioni dhe bankat. Duke lexuar këto publikime qeveritë mund të inkurajojnë firmat e mëdha të bëhen më produktive dhe në të njëjtën kohë të parandalojnë dëmet për konkurrencën dhe konsumatorët.

 

 Rritet shumë në botë numri i super të pasurve

Një publikim i fundit i Forumit të Tregtisë Botërore thotë se është rritur shumë numri i super të pasurve që fitojnë 35-40 milionë dollarë në vit. Diferenca mes 90 për qind të popullsisë që fiton shumë pak dhe 1 për qind të të pasurve është rritur që nga viti 1980. Por kjo nuk është asgjë përpara diferencave të mëdha mes super të pasurve që zënë 0.1 për qind të popullsisë dhe pjesës tjetër.

Të ardhurat mesatare të “top” 1-përqindshit janë rritur më shumë se 175 për qind ndërkohë që gjatë të njëjtës periudhë 1-përqindshi i 1-përqindshit të të pasurve, domethënë super të pasurit, janë rritur rreth 5 herë.

Loading...