Qëndrimet e PS dhe PD/ “Territori” mban “peng” zgjedhjet e 2015-ës, çfarë do vendosë Kushtetuesja?

0
140

Erneta Shevroja

 Cilat do të jenë lëvizjet e palëve pas vendimit të Kushtetueses, si do veprojë PD-ja nëse ankimimi rrëzohet dhe mazhoranca nëse ai aprovohet

ne gjykaten kushtetueseNdërsa në korridoret e selisë së purpurt kanë nisur diskutimet për emrat kandidatë që do të garojnë për Bashkinë e Tiranës, situata aktuale politike ngre shumë pikëpyetje rreth vetë procesit të zgjedhjeve vendore të ardhshme, në 2015. Partia Demokratike depozitoi në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë –dokument ku arsyetonte se ligji për hartën e re territoriale duhet të shfuqizohet pasi nuk është hartuar konform kuadrit ligjor. Në këtë kontekst, do të jetë Gjykata Kushtetuese që do të caktojë nëse harta me 61 njësi vendore do të vihet në zbatim ose jo. Nëse Kushtetuesja hedh poshtë hartën e ndarjes së territorit, cili do të jetë reagimi i mazhorancës që e votoi në parlament? Në të kundërt, çfarë mund të presim nga opozita, në rast se gjykata nuk pranon ankimin e saj? Për këtë variant të fundit, krahas deklaratave për protesta, PD-ja ka bërë të ditur edhe kartën e referendumeve lokale, gjë që sipas saj do të bëjë të mundur marrjen e mendimit të qytetarëve, ashtu siç e parashtron Kushtetuta, për ndryshimin e kufijve. Ndërkaq mazhoranca do të duhet të bëjë mirë llogaritë nëse Kushtetuesja vendos pro ankimimit të PD-së, pasi harta e re do të shfuqizohet, gjë që do të detyrojë në një kohë të dytë për rinisjen e procesit, duke marrë parasysh faktin se na ndajnë vetëm 8 muaj nga zgjedhjet e ardhshme lokale.

 

Argumentet ligjore të PD-së

Neni 45 i ligjit nr. 8577/2000 parashikon se Gjykata Kushtetuese, kryesisht ose me kërkesë të palës, kur vlerëson se zbatimi i ligjit ose i aktit mund të sjellë pasoja që prekin interesa shtetërorë, shoqërorë ose të individëve sipas rastit, me vendim të Mbledhjes së Gjyqtarëve ose në seancën plenare, urdhëron pezullimin e ligjit ose të aktit. Pezullimi vazhdon derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi. Në jurisprudencën kushtetuese janë të konsoliduara kriteret nga të cilat duhet të niset Gjykata Kushtetuese në marrjen e masës së pezullimit të aktit, të cilat përmbushen plotësisht në rastin konkret. Konkretisht:

  1. Akti mund të sjellë pasoja që prekin interesa shtetërore, shoqërorë ose të individëve. Gjatë vitit të ardhshëm Shqipëria do të zhvillojë zgjedhjet e reja për organet qeverisëse të njësive të qeverisjes vendore. Zbatimi i ligjit edhe gjatë periudhës që çështja shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, do të krijonte rrezikun që organet zgjedhore të përgatisnin zhvillimin e zgjedhjeve vetëm për 61 njësi vendore. Një vendim eventual i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit nr. 115/2014 do t’i gjente organet zgjedhore të papërgatitura për të siguruar një proces zgjedhor normal në njësitë e tjera vendore që nuk ekzistojnë më sipas ligjit të ri. Ky fakt, do të rrezikonte seriozisht zhvillimin e zgjedhjeve lokale, duke cënuar rëndë iteresat shtetërore dhe shoqërore.
  2. Akti ka dyshime të arsyeshme se bie ndesh me Kushtetutën, për shkak se është në kundërshtim me nenet 4, 13, 83/3 dhe 108 të Kushtetutës.

3.Dëmi që mund t’i shkaktohet interesave shtetërore, është i rëndë dhe i pamundur për t’u riparuar. Konkretisht, mos zhvillimi i zgjedhjeve të rregullta dhe në përputhje me standardet, si pasojë e mungesës së kohës së mjaftueshme për përgatitjen e tyre, sjell deformim të vullnetit të zgjedhësve dhe cënim të të drejtës së tyre kushtetuese.

 

61 bashkitë, zgjedhjet vendore

Që kur mazhoranca e sotme fitoi zgjedhet e përgjithshme të 23 qershorit dhe shpalli si një projekt të saj hartimin e një harte të re Administrativo-Territoriale, pozita dhe opozita nisën përplasjet. Mazhoranca nisi diskutimet për hartimin e hartës së territorit, e ndërsa opozita u ndje e padëgjuar dhe e përjashtuar nga procesi për të propozuar versionin e saj. Partia Demokratike pretendon se harta e re e ndarjes administrative favorizon koalicionin e majtë, PS-LSI në zgjedhjet e ardhshme lokale. Diskutimet në komisionin e ngritur posaçësht për ndarjen e territorit u bojkotuan nga deputetët e opozitës, dhe e vetmja parti opozitare që ndryshoi marzh ishte PDIU-ja e Idrizit. Ndërsa PBDNJ-a e Vangjel Dules ishte e vetmja votë kundër dhe hapi i parë i distancimit nga koalicioni qeverisës. Një hyrje dhe një dalje tek të majtët. Mes këtyre ndasive, Kuvendi miratoi hartën e re Administrativo-Territoriale me 61 njësi bashkiake. Ndërkaq, demokratët kanë bërë të qartë përmes përfaqësueves të lartë të tyre se me këtë hartë territoriale nuk do të ketë zgjedhje. A do t’i qëndrojnë partitë opozitare kësaj deklarate?

 

Reagimet

Edhe Presidenti Nishani shprehu qëndrimin e tij kundërshtues ndaj hartës së re, duke e cilësuar atë si antikushtetuese. Kreu i shtetit ka kërkuar që kryerja e reformës administrative-territoriale të bëhej në përputhje të plotë me interesat kombëtare dhe ato të qytetarëve. Ndërsa mazhoranca shprehu keqardhje për këtë qëndrim, hodhi poshtë dekretin e Presidentit, ku ndërkohë ka nisur përgatitjet për ndryshimet në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”. Nga ana tjetër, kreu i demokratëve Lulzim Basha ka theksuar se opozita kurrë nuk do ta pranojë hartën e re. “Harta është e papranueshme dhe nuk do ta pranojmë kurrë”, tha ai, fill pasi Kuvendi miratoi ndarjen e re të territorit, deklaratë së cilës demokratët treguan që i qëndrojnë besnik me vendimin për të depozituar në gjykatë me synim për ta shfuqëzuar hartën.

 

Çfarë pritet

Gjykata Kushtetuese është shkalla pasardhëse që do të përcaktojë qëndrimet e ardhshme të mazhorancës e demokratëve për zgjedhjet vendore të 2015-ës. Nga deklarimet e fundit të të djathtëve, duket se shpresat që Gjykata Kushtetuese të kthejë mbrapsht reformën administrative janë të mëdha, por në rast të një vendimi të kundërt, PD-ja ende nuk ka bërë të qartë se cili do jetë hapi i saj i radhës. Tashmë pritet që  Kushtetuesja të dalë në konkluzione, duke vendosur “fatin” e zgjedhjeve lokale. Deri në atë vendim ka ende kohë e ndërsa palëve politike nuk u mbetet gjë tjetër, veçse të mendojnë strategjitë e kundërpërgjigjes…

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency