Para zbatimit të territoriales e zgjedhjeve vendore/ Qeveria, audit financiar për çdo bashki e komunë: Zbardhim inventarin dhe borxhet

0
138

harta me 61 bashki

Gëzim Saliu

Të ardhurat e njësive vendore në sitë, Çuçi: Për herë të parë edhe kufijtë e bashkive do të përcaktohen me ligj

Para zbatimit të reformës territoriale dhe zhvillimit të zgjedhjeve vendore të 2015-ës, qeveria ka vendosur të kalojë në sitë të gjitha të ardhurat e bashkive dhe komunave të vendit. Përmes një auditi financiar, i cili do të udhëhiqet nga ministri i shtetit për Çështjet Vendore, Bledar Çuçi, ekzekutivi do të synojë të zbardhë çdo qindarkë të shpenzuar nga njësitë vendore përpara se ato t’i nënshtrohen bashkimit mes tyre në kuadër të hartës së re territoriale. Në një prononcim për “Ora News”, ministri tha se ky audit vjen për shkak të realitetit ku ndodhen njësitë vendore, pasi sipas tij 70% e njësive aktuale vendore nuk e dinë sa vlejnë. “Ne do të bëjmë fillimisht një vlerësim financiar të të gjitha komunave dhe bashkive ekzistuese, që pastaj të bëjmë një bashkim financiar-administrativ të komunave dhe bashkive, në mënyrë që të krijojmë një bashki të re sipas ligjit. Si shumë gjëra në Shqipëri që janë braktisur, sipas një sondazhi që kemi bërë, rreth 70% e komunave nuk kanë vlerësim financiar dhe nuk kanë bërë as audite financiare në fund të çdo viti, – siç janë të detyruar me ligj, – bashkimi që do të sillet është një bashkim financiar dhe administrativ. Pra secila do të ketë inventarët, borxhet, përkatësitë në kompani të ndryshme, e kështu me radhë”, – tha Çuçi.

Kufijtë e bashkive

Ndërkohë, ministri për Pushtetin Vendor bëri të ditur dje se krahas auditimit financiar të njësive vendore, do të përcaktohen edhe kufijtë e bashkive do të përcaktohen me ligj. “Në 23 vjet nuk ka një përcaktim të qartë me koordinata gjeografike të njësive vendore. Nuk ka pasur dhe nuk ka sot Shqipëria. Ka një hartë që deri diku ka një ndarje imagjinare, të papërcaktuar me koordinata fikse gjeografike. Këtë proces do ta vazhdojmë në mënyrë që ta mbarojmë përpara zgjedhjeve të ardhshme vendore”, – u shpreh ai. Ndërkaq lidhur me kundërshtitë e opozitës për ndarjen e re administrative-territoriale, ministri tha se në qendër të saj, ndryshe nga c’pretendojnë demokratët, nuk janë qëllimet politike. “Kjo reformë nuk bëhet për qëllime politike, nuk duhet të bëhet për qëllime politike”, – tha ai. Ndërkaq vetëm dy ditë më parë, Partia Demokratike dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese ankimimin për hartën e re territoriale duke kërkuar shfuqizimin e ligjit që ndan Shqipërinë në 61 bashki. Sipas PD-së, ndarja e re administrative-territoriale është antikushtetuese dhe ka si synim të saj parësor fitimin e zgjedhjeve të ardhshme lokale nga mazhoranca e majtë. Në këtë kontekst, demokratët kanë bërë të ditur se me këtë hartë territoriale nuk mund të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme lokale. Nga ana tjetër, pas ndarjes së re të vendit, qeveria ka përgatitur edhe draftin e decentralizimit, mbi bazën e projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”. Sipas draftit, projektligji i ri do të garantojë vijueshmërinë e ofrimit të shërbimeve për qytetarët në të njëjtën komunë sikurse ndodh aktualisht.

 

 

Dy kryebashkiakët

Basha-Ahmeti: Thellojmë bashkëpunimin mes Tiranës e Prishtinës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, priti dje në një takim kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ku diskutuan për thellimin e bashkëpunimit mes Tiranës e Prishtinës, duke theksuar domosdoshmërinë e hartimit të një platforme e cila të ketë në fokus lehtësimin e procedurave dhe nxitjen e bashkëpunimit mes biznesit të vogël dhe të mesëm në dy kryeqytetet. “Zhvillimi ekonomik dhe punësimi është prioritet i Bashkisë së Tiranës dhe në këtë kuadër është e angazhuar të ndërmarrë masat dhe hapat e nevojshëm që do t’i shërbejnë këtij objektivi. Bllokimi i investimeve, kryesisht atyre strategjike, ka penguar hapjen e mijëra vendeve të reja pune”, – tha Basha. Më tej, Kryebashkiaku i Tiranës dhe kryetari i komunës së Prishtinës shprehën shqetësimin se situata politike në Shqipëri dhe Kosovë ka ndikuar negativisht në cilësinë e jetës së banorëve dhe ofrimin e shërbimeve ndaj tyre. Basha dhe Ahmeti ranë dakord të ngrenë një grup të përbashkët pune, për të nxitur bashkëpunimin e biznesit mes dy kryeqyteteve. Një tjetër projekt i diskutuar mes zotit Basha dhe Ahmeti është dhe ai për bashkëpunimin mes kryeqyteteve të rajonit, për krijimin e procedurave të njëjta, në mënyrë që përmes teknologjisë së informacionit, qytetarët të kenë akses në shërbimet që ofrohen dhe përmirësim të cilësisë së tyre. Ndërkohë Kuvendi mbarëkombëtar i të zgjedhurve vendorë ka qenë një tjetër çështje e diskutuar në takimin mes Bashës dhe Ahmetit, ku të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se ky kuvend është një mundësi e mirë për të mësuar më shumë nga përvojat e njëri-tjetrit dhe për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve të përbashkëta apo të përveçme me të cilat ballafaqohen qytetet dhe qytetarët.

 

 

Takimi

Dule shpreh shqetësim tek kongresmenët amerikanë për reformën territoriale

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, zhvilloi dje një takim me kongresmenët amerikanë Gus M. Bilirakis dhe Gregory W. Meeks në kuadrin e vizitës së tyre në Shqipëri. Në këtë takim, ai u shprehu kongresmenëve amerikane vlerësimin për nivelin e larte strategjik të marrëdhënieve midis dy vendeve, mbështetjes sistematike dhe të gjithanshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendin tonë dhe në mënyre të veçante për fokusin e tyre sistematik në respektimin e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve. Më tej, Dule u prezantoi kongresmenëve, qëndrimet e PBDNJ për situatën politike në vend, domosdoshmërinë e reformave integruese si edhe nevojën e gjithëpërfshirjes në to. Në mënyre të veçante, ai paraqiti situatën aktuale në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe atyre të minoriteteve në veçanti. Ndërmjet çështjeve të tjera Dule prezantoi dhe shqetësimin e PBDNJ, për ndarjen e re administrative dhe pasojave të shkeljes së të drejtave të pjesëtareve të minoritetit etnik grek në Himarë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency