Udhëzimi/ Ndryshojnë pagesat për aftësinë e kufizuar

0
135

Masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar bëhet 9900 lekë në muaj për personat e përcaktuar. Të njëjtën masë përfiton edhe kujdestari i personit me aftësi të kufizuar

pension i invaliditetit Tri udhëzimet e Ministrisë së Mirëqenies Sociale kanë ndryshuar përfitimet për aftësinë e kufizuar, paraplegjikë e tetraplegjikë dhe të verbrit. “Masa e përfitimit për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë bëhet 9900. Masa e përfitimit për kujdestarinë e invalidit paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të përcaktuar në pikën 4 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 31, datë 20.1.2001, bëhet 10 400 lekë në muaj. Efektet financiare, për zbatimin e këtij udhëzimi, fillojnë nga 1 shtator i vitit 2014 dhe përballohen me fondet e akorduara për vitin 2014, për Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë”, – thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale.

 

Aftësia e kufizuar

Masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar, e përcaktuar në pikën 8, të vendimit të Këshillit të Ministrave, nr. 618,datë 7.9.2006, bëhet 9900 lekë në muaj për personat e përcaktuar. Të njëjtën masë përfiton edhe kujdestari i personit me aftësi ët kufizuar. Masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar, të përcaktuar në pikën 8 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 618, datë 7.9.2006, bëhet 9900 lekë në muaj për personat e përcaktuar dhe 10 400 lekë në muaj për kujdestarin. Efektet financiare, për zbatimin e këtij udhëzimi, fillojnë nga 1 shtatori i vitit 2014 dhe përballohen me fondet e akorduara për vitin 2014, për Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

 

Verbëria

Masa e përfitimit për shkak të verbërisë, të përcaktuar në pikën 4, të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 277, datë 18.6.1997, bëhet 11.250 lekë në muaj. Të njëjtën masë përfiton edhe kujdestari i të verbrit. Efektet financiare, për zbatimin e këtij udhëzimi, fillojnë nga 1 shtatori i vitit 2014 dhe përballohen me fondet e akorduara për vitin 2014, për Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

 

Dokumentet
Përfituesi për pension të invaliditetit duhet të paraqesë dhe dokumentet e mëposhtme:

  1. Dokumentet që vërtetojnë gjendjen shëndetësore:
    – Fletë-drejtimi për në KMCAP, lëshuar nga institucione shëndetësore me shtretër, (Spital), shoqëruar me fletë-dalje nga spitali, ekzaminime e dokumente të tjera plotësuese, të kërkuara kur del për herë të parë në KMCAP;
    – Fletë-drejtimi nga KML për ato gjendje shëndetësore, që nuk janë objekt trajtimi në spital, sipas përcaktimit në Rregullore;
    – Epikrizë përcjellëse, lëshuar nga mjekë specialistë, apo konsulta e shoqëruar me ekzaminimet e nevojshme. Kur del për rikontroll duhet shoqëruar me ekzaminimet përkatëse zyrtare;
    – Kartela personale dhe libri i shëndetit për të vërtetuar ecurinë e sëmundjes, ndjekjen dhe trajtimin mjekësor me ilaçe;
    – Fletë-drejtimi për KMCAP, që vërteton rëndimin e gjendjes shëndetësore, e vlefshme për KMCAP, para afatit të rikontrollit;
    – Raport mjekësor lëshuar nga Komisioni Mjekësor, që përcakton gjendjen shëndetësore dhe aftësinë për punë (para fillimit të punësimit ose të përfshirjes në çdo skemë sigurimi);
    – Raport mjekësor i lirimit nga ushtria, lëshuar nga KMU pranë SQU, për ushtarët që bëhen invalidë gjatë shërbimit ushtarak;
    – Vërtetim për pagesën e paaftësisë për punë, shkaktuar nga një sëmundje e përgjithshme (për punëmarrësin).

 

 Tregu/ Bien çmimet e apartamenteve, ardhja e studentëve rrit qiratë

Rritet çmimi i qirave në Shqipëri ndërkohë që çmimi i shitjes së banesave ka pësuar rënie. Në bazë të raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë, indeksi i çmimit të banesave u ul me rreth 1% në terma vjetorë, ndërkohë që ai i qerasë është rritur me 11%. Për sa i përket ecurisë së shitjeve të pronave, 67% e të intervistuarve raportuan mungesën e shitjes së ndonjë banese, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky raport ishte 51%. Në rastin e pronave tregtare, gjendja shfaqet më e përkeqësuar, pasi shumica dërrmuese e të intervistuarve (92%) kanë raportuar mungesë shitjesh në këtë tremujor. Rënien e blerjes së pasurive të paluajtshme e konfirmon edhe ulja e nivelit të kredive me 9.6%. Por për agjentët imobiliarë, çmimet e shitjes së banesave nuk kanë ndryshuar. Pavarësisht rënies së ndjeshme të shitjeve të apartamenteve ndërtuesit nuk pranojnë që të ulin çmimet pasi kostot e ndërtimit kanë qenë të larta. Qytetarët nga ana tjetër deklarojnë se nuk kanë para për të blerë një shtëpi dhe detyrohen të jetojnë me qira. Në lidhje me pritshmëritë për të ardhmen, për tremujorin e tretë të vitit, situata e përgjithshme në tregun e pasurive të paluajtshme në të gjithë vendin pritet më pozitive por përsëri agjentët mbeten skeptikë. Aktualisht në Shqipëri rreth 12 mijë apartamente janë të pashitura.

 

 Sëmundje/ Masat për Ebolën, MSH: Deri tani asnjë rast në Shqipëri

Autoritet shëndetësore shqiptare bëjnë të ditur se janë shtuar masat për të parandaluar virusin e Ebolës në vendin tonë. Duke konfirmuar se aktualisht nuk ka asnjë rast të tillë, ata këshillojnë se personat që dyshojnë për simptoma të Ebolës t’i drejtohen mjekut. Zv.ministri i Shëndetësisë, Klodjan Rrjepaj, bëri të ditur se janë shtuar masat në pikat kufitare, veçanërisht me Maqedoninë, ku dhe është paraqitur një rast i dyshuar. “Është lehtësisht e parandalueshme me masa të thjeshta dhe ne këtë jemi duke bërë. Kemi një vëmendje të shtuar ndaj të gjitha procedurave që duhet të respektohen brenda për brenda sistemit tonë shëndetësor. Dëshiroj të informoj të gjithë shtetasit shqiptar, që nëse ka familjar që ka udhëtuar jashtë dhe ka probleme të karakterit jo specifik, të ngjashme me virozat e stinës, me temperaturë, të vjella, probleme të rrugëve respiratore, menjëherë të kërkoj ndihmë pranë mjekut. Vëmendja jonë është fokusuar në pikat kufitare dhe risjelljen në vëmendje dhe shtrëngimin e masave higjieno-sanitare brenda institucioneve spitalore, të cilat manipulojnë më shumë me pacientët”, – tha Klodjan Rrjepaj, zv.ministër i Shëndetësisë.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency