Operacioni ndërshtetëror/ “Laguna e Vilunit” shkatërron bandën e drogës, 7 persona të arrestuar, 804 kg marijuanë e sekuestruar

0
138

Personat që ranë në pranga, dyshohet të jenë pjesë e organizatës kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, të cilët transportonin drogë me skaf nga Shqipëria drejt Italisë

Policia, Delta Force 1 Një bashkëpunim mes policisë shqiptare, italiane dhe asaj të Malit të Zi u finalizua me arrestimin e 7 shqiptarëve dhe sekuestrimin e 804 kg marijuanë. Personat që ranë në pranga, dyshohen të jenë pjesë e organizatës kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike. Të ndaluarit po transportonin drogë me skaf nga Shqipëria drejt Italisë dhe ndjekja e tyre, u bë nga zona e Ranës së Hedhun në Velipojë. Policia ka bllokuar gjithashtu dhe 12 mijë euro, 4 makina, dhe 16 celularë.

 

Operacioni dyditor

Sipas burimeve nga Policia e Shtetit mësohet se Drejtoria për Narkotikët dhe Trafiqet, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shtetit në bashkëpunim me autoritetet policore të Italisë dhe Malit te Zi pas një hetimi me metoda speciale për një periudhë kohore 1 vjeçare, është realizuar me sukses operacioni policor i koduar “Laguna e Vilunit”. Në këtë operacion krahas Sektorit për Narkotikët, në Drejtorinë për Narkotikët dhe Trafiqet, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit morën pjesë dhe punonjësit e policisë së Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacinale, efektivë të policisë së drejtorive të qarqeve Tiranë, Shkodër, Lezhë, Vlorë, Fier, Durrës, si edhe FNSH e Tiranës dhe Shkodrës, Policia Kufitare e Shkodrës, Durrësit, Vlorës dhe Guardia di Financa. Në kuadër të këtij operacioni policor, në datat 30. 09. 2014 dhe 01. 10. 2014 është bërë i mundur sekuestrimi i një sasie lëndë narkotike rreth 804 kilogramë e dyshuar si marijuanë. Konkretisht më datë 30. 09. 2014 rreth orës 21.00 në vazhdimësi të veprimeve procedurale nën drejtimin e specialistëve të Sektorit për Narkotikët në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në vendin e quajtur Rëna e Hedhun midis lagunës së Vilunit dhe Shëngjinit është konstatuar një skaf i cili pas ndjekjes që i kishte bërë Guardia di Financa së bashku me Policinë Kufitare të Shëngjinit ka filluar të hedhë nga skafi në det disa çanta të zeza nga të cilat 8 (tetë) prej tyre arritën të kapeshin nga policia kufitare, ku brenda këtyre çantave kishte bimë të dyshuara narkotike të llojit cannabis sativa të mbështjella me natriban të cilat pas peshimit rezultuan të ishin 210 (dyqind e dhjetë) kg me gjithë ambalazh. Në lidhje me këtë situatë janë kryer të gjitha veprimet procedurale dhe materialet i janë përcjellë Prokurorisë së Krimeve të Rënda me qëllim bashkëlidhjen këtij procedimi. Sakaq nga Policia e Shtetit mësohet se në vazhdim të operacionit policor “Laguna e Vilunit” me datë 01.10.2014 rreth orës 12:00 në vendin e quajtur Grykëderdhja e Bunës në Velipojë në një distancë prej rreth 4 (katër) miljesh detare nga ana e Policisë Kufitare të Shëngjinit janë konstatuar dhe sekuestruar në det të hapur një numër prej 15 (pesëmbëdhjetë) çantash të zeza ku brenda tyre kishte bimë të dyshuara narkotike të llojit kanabis sativa të mbështjella me natriban të cilat pas peshimit rezultuan të ishin 594 kg me gjithë ambalazh.

 

Arrestimet dhe bllokimet

Nga veprimet procedurale dhe hetimore të kryera në vazhdimësi si dhe në kushtet e flagrancës të kryerjes së kësaj vepre penale në bazë të provave të arsyeshme në lidhje me autorësinë e kësaj vepre penale është bërë i mundur identifikimi gjetja, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorëve të mundshëm të kësaj vepre penale e konkretisht të shtetasve Mikel Hoxha vjeç 38, banues në Vlorë, i dënuar më parë. Ky shtetas dyshohet të jetë dhe kreu i kësaj organizate kriminale. Është arrestuar, Leonidha Dhimojani vjeç 48, banues në Vlorë. Ky shtetas ishte skafisti i cili do të bënte transportimin e lëndës narkotike nga Shqipëria në Itali. Pjesë e të arrestuarve janë dhe Ervis Sulo vjeç 29, banues në Vlorë; Indrit Rraja vjeç 34, banues në Nikel-Fushë Krujë; Mirjan Vitaj, vjeç 26, banues në Rrijoll Velipojë; Kristian C. vjeç 18, banues në Rrijoll Velipojë; Alfred Syli vjeç 22, banues në Rrijoll Velipojë, i dënuar më parë. Nga ana e policisë, mësohet se po vazhdon puna në lidhje me identifikimin gjetjen dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale në kuadër të këtij operacioni. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: Sasia prej 804 kg lëndë e dyshuar narkotike e llojit cannabis sattiva; 370 fishekë model 56; Shuma prej 12 mijë euro, 14 mijë e pesëqind lekë; 3 automjete të modeleve të ndryshme, një fugon mallrash, si dhe 16 telefona celularë. Materialet i kalojnë në ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë, për veprat penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim”, “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” si dhe “Mosbindje të urdhrit të punonjësit të policisë”. Mbas vlerësimit të provave, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë për të shtatë shtetasit e mësipërm, ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg”. Lidhur me këtë operacion në orët e para të mëngjesit të djeshëm Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi, së bashku me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Renda Haki Çako, kanë zhvilluar një takim me drejtuesin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Beci. Qëllimi i takimit ishte nxjerrja e konkluzioneve te operacionit ndërkombëtar antidrogë të koduar “Laguna e Vilunit”.

 

 Të arrestuarit

  1. Mikel Hoxha, vjeç 38, banues në Vlorë, i dënuar më parë. Ky shtetas ishte dhe kreu i kësaj organizate kriminale.
  2. Leonidha Dhimojani, vjeç 48, banues në Vlorë. Ky shtetas ishte skafisti i cili do të bënte transportimin e lëndës narkotike nga Shqipëria në Itali.
  3. Ervis Sulo, vjeç 29, banues në Vlorë.
  4. Indrit Rraja, vjeç 34, banues në Nikel-Fushë Krujë.
  5. Mirjan Vitaj, vjeç 26, banues në Rrijoll Velipojë.
  6. Kristian C., vjeç 18, banues në Rrijoll Velipojë.
  7. Alfred Syli, vjeç 22, banues në Rrijoll Velipojë, i dënuar më parë.

 

Sekuestrimet

  • 804 kg lëndë e dyshuar narkotike e llojit cannabis sattiva.
  • 370 fishekë model 56.
  • 12 mije euro, dhe 14 mijë e pesëqind lekë.
  • 3 automjete të modeleve të ndryshme.
  • 1 furgon mallrash.
  • 16 telefona celularë.

 

 Nën procedim 6 persona/ Pranga 41-vjeçarit, kaloi në doganë 80 mijë euro të padeklaruara

Një 41-vjeçar është vënë në pranga në një nga pikat kufitare të qarkut të Korçës, nën akuzën e pastrimit të parave. Shtetasi me iniciale A. Ç., banues në Buçimas të Pogradecit, është kapur ndërsa kishte hyrë në pikën kufitare të Maqedonisë, me 80 mijë euro, të cilat nuk ishin deklaruar te autoritetet kufitare shqiptare. Në ngarkim të tij nisën hetimet nga Prokuroria e Korçës për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mos deklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”. Nga verifikimet e kryera kanë rezultuar transaksione dhe llogari të tjera bankare në vlera të konsiderueshme, të cilat dyshohen se janë vënë nga ndonjë aktivitet kriminal. Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të burimit të prejardhjes së parave. Ndërkohë, nën hetim janë dhe pesë persona të tjerë të cilët kaluan mallra kontrabandë në pikën kufitare me Maqedoninë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency