Standard.al

Me kreun e BDI-së/ Nishani, Ahmetit: Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, vendimtar për stabilitetin në Maqedoni

Gëzim Saliu

Kreu i BDI-së: Tirana zyrtare ka luajtur rolin e nënës, kur zihemi si fëmijë na tërheq veshin

nishani me ali ahmetin Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, deklaroi dje në takimin me kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, se faktori shqiptar në Maqedoni luan një kyç në shtetformimin dhe zhvillimin e mëtejshëm e të gjithanshëm të vendit. Në bashkëbisedimin me kryetarin e BDI-së në Presidencë, Nishani theksoi se zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit mbetet vendimtar për stabilitetin, bashkëjetesën ndëretnike dhe avancimin e Maqedonisë në proceset demokratizuese dhe integruese. Në këtë kontekst, kreu i shtetit siguroi për mbështetjen e plotë të Shqipërisë në përpjekjet e faktorit politik dhe institucional në Maqedoni për avancimin dhe respektimin e plotë të të drejtave të shqiptarëve atje. Po ashtu, gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në Maqedoni, proceset e integrimit në BE dhe anëtarësimit në NATO, si dhe mbi ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe, duke u përqendruar veçanërisht në bashkëpunimin ekonomik. Nga ana e tij Ahmeti nënvizoi rëndësinë që kanë projektet e përbashkëta ekonomike, dhe informoi mbi ecurinë e ndërtimit të korridorit VIII dhe projektet e tjera të përbashkëta në energji e turizëm.

 

Ahmeti

Ndërkaq, në takimin që zhvilloi kreu i BDI-së me Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, ky i fundit tha se qeveria shqiptare do të japë kontributin e saj në lidhje me zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë, në kuadër të integrimit të saj në strukturat e Bashkimit Evropian. “Për ne është e rëndësishme është të vlerësohet marrëveshjet e BDI për zgjidhjen e emrit të Maqedonisë, si pjesë për integrimin e saj në BE. Shpresojmë që këto përpjeke të ketë rezultatet të mira”, – u shpreh Meta. Ndërsa kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, deklaroi se në takim kërkoi që Shqipëria të nënshkruajë më tepër marrëveshje për arsimin dhe të zbatojë marrëveshjet e nënshkruara tashmë me Maqedoninë. “Kam kërkuar që të zbatohen marrëveshjet që janë nënshkruar mes Maqedonisë dhe Shqipërisë. Marrëveshje të reja të nënshkruhen sidomos në fushën e arsimit. Bashkëpunim më i afërt mes institucioneve arsimore, se kemi nevojë për ti lartësuar këto marrëdhënie. Nëse ka ndonjë vend në rajon ku Maqedonia nuk ka çështje madhore të kontestueshme është Shqipëria. Shqipëria është e interesuar që Maqedonia të jetë në stabilitet të plotë. Shqiptarët në Maqedoni janë në pritje se kur do ndodh anëtarësimi në NATO”, – u shpreh Ahmeti. I pyetur nga gazetarët nëse e konsideron të mjaftueshëm rolin e Tiranës zyrtare në mbështetje të shqiptarëve në Maqedoni, Ahmeti u shpreh: “Tirana ka luajtur rolin e nënës dhe nëna nuk do të keqën e fëmijëve të saj. Edhe prindërit grinden ndonjëherë me fëmijët, dhe kur e shohin që grindavec janë fëmijët i qortojnë. Asnjëherë nuk jemi hidhëruar kur na kanë kritikuar”.

 

 Kreu i PD-së/ Basha: Ekonomia do stimuj, dhe jo terror e propagandë

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, shprehu dje shqetësim për rritjen e varfërisë dhe papunësisë në vend, ndërsa akuzoi kryeministrin Rama për arrogancë dhe paaftësi. Në një reagim në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “FB”, Basha theksoi se ekonomia kërkon investime, stimuj dhe vizion jo shkatërrime, terror dhe propagandë. “Papunësia, varfëria dhe recesioni po prekin çdo ditë qytetarët. Rinia endet e pashpresë për një vend pune. Familjarët dhe pensionistët nuk kanë të ardhura të shtyjnë muajin. Qeveria shquhet vetëm për arrogancë dhe paaftësi. Kemi kryeministrin me antibiznes në të gjithë rajonin. Në vend që të merret me ekonominë, punësimin, varfërinë në rritje, bredh si Robert Çamçakëzi kantiereve të qeverisë së kaluar duke lëpirë atë çka pështyu deri para një viti. Nuk mashtrohen më njerëzit me bojëra dhe bahçe. Ul taksat, hiq TVSH e energjisë, largo zuzarët nga qafa e punëdhënësve! Ekonomia kërkon investime, stimuj dhe vizion jo shkatërrime, terror dhe propagandë!”, – shkruante Basha.

 

 Përfshirja në PD/ Malltezi: Jam kontribuues që në `90-ën pa asnjë post, do vazhdoj kështu

Pas reagimeve të shumta pas deklaratës së ish-kreut të qeverisë, Berisha, se tashmë që ai ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të PD-së familjarët e tij e kanë të lirë rrugën e karrierës në PD, foli dje edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, anëtari i ri i zgjedhur i Këshillit Kombëtar. Duke bërë të ditur se kontributin e tij për themelimin e të parës parti opozitare e dha që në dhjetorin e largët të vitit 1990, Malltezi theksoi se këtë gjë do ta vijojë ta bëjë edhe sot. “Unë jam një nga studentët e dhjetorit së bashku me time shoqe (Argita Berisha). Kemi qenë firmëtarët e krijimit të Partisë Demokratike, kemi shumë kujtime, shumë miq, asnjëherë nuk kemi qenë pjesë jashtë PD”, – u shpreh ai në një intervistë për “News 24”. Ndërkaq, Malltezi bëri të ditur se nuk ka pretendime për poste. “Për momentin nuk më ka shkruar në mendje se cila do të ishte ambicia ime pasi fare mirë siç kam dhënë kontribut mbi 23 vite në PD pa pasur asnjë post do vijoj ta bëj”, – deklaroi ai. Lidhur me debatin për përgjimet e deputetëve, Malltezi pohoi: “Së pari çdo vend përgjon për të siguruar shtetin ligjor, kemi vënë re që janë përgjuar edhe aleatët, së dyti në rast se përgjimet janë të ligjshme janë pjesë e procedurave të ligjshme dhe nuk kam asnjë argument, në rast se politikanët kanë rënë pjesë e komunikimeve me botën e krimit, kjo tregon nivelin e politikanëve që kemi në drejtim”.

 

 

Comments are closed.