Ja çfarë mendoja duke lexuar progres-raportin për mediat masive

0
172

Artan FUGA

Artan_Fuga            Si çdo qytetar i ndershëm proeuropianist e lexova me kërshëri dhe me respekt raportin e progresit të Shqipërisë për këtë periudhë. Falënderimet më të sinqerta për monitorimin e shoqërisë shqiptare, sepse është një kontribut i pallogaritshëm për të cilin kemi nevojë shumë. Pavarësisht se palët politike e interpretojnë sipas këndvështrimit të tyre dhe në fakt ne përfundojmë me aq tekste progres-raporti sa edhe parti politike ka në Shqipëri. Gjithsesi fajet nuk na i ka njeri veç vetes.

Por, më shumë u përqendrova te pjesa për mediat. Mendoja se do të gjeja fotografimin e gjendjes aktuale që të pasuroja paksa edhe leksionet e mia me studentët, me shembuj, prirje dhe tendenca. Por, në fakt ishin gjëra që dihen prej kohësh. Duket prirjet janë instaluar edhe e kaluara vazhdon të mbetet aktualitet. Lum si ne!!!

Ndërkaq prisja edhe fakte të thelluara që ne si shqiptarë nuk i gjejmë dot. Ekspertët europianë shpresoja se do të kishin kapur fakte të thelluara që do të na ndriçonin, sepse ka gjëra që gazetarët, studiuesit dhe ekspertët shqiptarë i dinë, i dinë edhe punonjësit e medias, por nuk i thonë dot. Ruhen…Por edhe në atë pjesë të raportit që lexova nuk kishte fakte të mëdha. Konstatime të përgjithshme. Nuk vihej gishti se kush është përgjegjës për çfarë. Nuk thuhej se çfarë duhet bërë konkretisht. Të gjitha mediat kategorizohen njësoj, “media”, pa analiza konkrete.

Pastaj më lindi mendimi, se përse mos deklarohen ekspertët që kanë punuar pjesë të ndryshme të raportit, përse mos ketë referenca? Sigurisht, unë jam asgjë për të dhënë sugjerime, por ja që kjo pyetje më lindi. Përse mos e them sinqerisht??? Unë të mirën dua. Edhe po pata ndonjë paqartësi sqarohem si qytetar.

Përse nuk ka autorësi as kjo pjesë? Transparenca e ekspertizës, është pjesë e deontologjisë të agjencive të ekspertizës. Pjesë e besueshmërisë të konstatimeve. Mendova se nuk i japim emrat sepse mundet që personat ekspertë pastaj mund të kenë presione!!! E drejtë. Por, nëse këta janë ekspertë europianë, të huaj, ata nuk kanë përse të kenë ndrojtje meqë nuk ka pushtet shqiptar që u bën dot presion atyre. Atëherë, mendova, duhet të kenë qenë ekspertë shqiptarë!!! Por, nëse ekspertët shqiptarë i ndruhen presionit, ndonëse punojnë nën siglën dhe autoritetin e madh të delegacionit europian në Tiranë, çfarë duhet menduar atëherë për presionet që pësojnë gazetarët e shkretë shqiptarë kur guxojnë të thonë diçka tej kufirit të lejuar, ndërkohë që janë të mbrojtur vetëm nga Zoti, zanat e Mujit dhe të Halilit dhe ëngjëjt?

Po u referohem pikave në progres-raport sipas pyetjeve dhe mendimeve që ato më nxitën në tru.

 

  1. Përse analizën mbi gjendjen dhe situatën e mediave masive e kanë vendosur te pjesa e titulluar “liria e shprehjes”?

Sigurisht, do të thotë dikush, ka lidhje midis mediave masive dhe lirisë së shprehjes, edhe unë jam shumë dakord, me gjithtë as media masive nuk njehsohet te liria e shprehjes dhe as liria e shprehjes nuk ka të bëjë vetëm me mediat.

Pse mos e them lirshëm mendimin për lirinë e shprehjes të mendimit?

Media sigurisht që realizon një zonë të gjerë të hapësirës publike, por media është edhe një industri, pra funksionon si një sipërmarrje, dhe si e tillë ngërthen shumë problematika që nuk kanë të bëjnë fare me lirinë e shprehjes drejtpërdrejt. Duke e futur median te rubrika liria e shprehjes, këto probleme të administrimit të mediave lihen mënjanë. Pyes për çfarë është fjala? Për lirinë e shprehjes të komuniteteve, të qytetarëve, të gazetarëve, të politikanëve? Sepse këto janë gjëra krejt të ndryshme në Shqipëri. Nuk kam shpjegim. Pastaj edhe liria e shprehjes nuk është thjesht në media. Po në qendrat e punës? Po në administratën e shtetit? Po midis grupeve të deputetëve? Po liria e shprehjes të kulturës të disa minoriteteve?

Liria e hapësirës publike të shprehjes është shumë më e gjerë sesa ajo e medias. Kush e pengon lirinë e shprehjes në media në krahasim me dhjetë vjet më parë, ose me gjashtë muaj më parë? Do të doja të dija evolucionin.

 

  1. Mungesa e marrëveshjes midis aktorëve politikë për të mbushur vendet bosh në AMA?

E saktë. Këtë e dinë gjithë shqiptarët. Kush nuk e konstaton në Shqipëri!!! Është e vërtetë që nuk ka një bashkëpunim nga ana e partive politike në Kuvend? Po pse të ketë? Partitë politike janë për të kundërshtuar njëra-tjetrën? Pse nuk ngrihet një problem tjetër: A ka ndonjë vend perëndimor në EU që ta ketë të organizuar AMA-n në këtë mënyrë si ne? Po e gjetët na i thoni. Përse nuk na thonë troç se ju AMA-n si krejt shtetin e keni të politizuar sepse AMA është organizëm shtetëror, përse bordi drejtues i saj duhet zgjedhur nga pozita dhe opozita, pra përse duhet të politizohet, dypolitizohet?

Dypolitizimi nuk është paanësi, është dyanësi. Dyanësitë nuk bëjnë paanësi.

Pse plotësimi i vendeve vakante qenka problemi kryesor i AMA-s? Përse nuk e shtrojnë pyetjen në rrafshin strukturor duke u interesuar për statusin dhe funksionet, asnjanësinë e AMA-s, që nuk bën kuorumin e vendimmarrjes, me anëtarë jashtë mandati, ku edhe zgjedhjet e anëtarëve të rinj bëhen me shkelje procedurale? Përse analizojnë thjesht sjelljen aktoriale të partive politike kur dihet se ato rivalitete krijojnë?

 

  1. Nuk janë vërejtur raste kur politikanë hedhin në gjyq për shpifje gazetarë?

Nuk e di nëse kjo është një gjë e mirë apo e keqe?

Unë mendoj se është më shumë negative sesa pozitive. Kjo do ta bënte gazetarinë të përgjegjshme për atë çka raporton në publik. Kjo do ta bënte serioze sepse gjykatat do të përcaktonin edhe vlefshmërinë juridike të politikanëve në atë që ata bëjnë ose nuk bëjnë. Çfarë të keqeje ka që çështjet të shkojnë në gjykatë? Ligji mbi të gjitha. Se edhe kështu shij edhe mos korr, është bërë media e mbushur me shpifje, sharje, kritika të drejta, por askush nuk i beson më asgjëje sepse të gjithë thonë: E mo shpifje!!! Gjykata do ta ndante shapin nga sheqeri, se gjykata duhet të veprojë me ligj. Gjykata duhet parë…Gjithçka ndyhet, imazhi i politikanëve ka rënë për tokë, fyerje në Kuvend, në konferenca shtypi, në media, opinioni publik është fëlliqur.

 

  1. Të përmirësohet pavarësia editoriale e mediave audiovizive publike?

E thënë me diplomaci a thua se mos mërzitet drejtori i Përgjithshëm i Radiotelevizionit!!!

Ku ka qenë ndonjëherë televizioni publik i pavarur? Ku ka këtu ndonjë fakt të ri që të ketë lidhje me progresin? A mund të ketë pavarësi editoriale nëse radiotelevizioni publik nuk riorganizohet fund e krye duke krijuar ato marrëdhënie që nevojiten midis konceptimit, prodhimit dhe shpërndarjes të emisioneve televizive? Ku janë lajmet nga vendi? Sa është roli i qytetarëve dhe i organizatave shoqërore në televizionin publik.   Në Shqipëri edhe më i vogli që ka ndërgjegje fillestare edhe më plaku që ende nuk është kapur nga amnezia e dinë që televizioni publik jo vetëm nuk ka pavarësi editoriale, por i gjithi ka vuajtur dhe vuan nga politizimi. Problemi nuk është te gazetarët, por te organizimi dhe kibernetika e drejtimit të tij, te statusi dhe rregullorja e tij, që gjithçka mund të jetë por jo e një medie publike.

Radiotelevizioni është fund e krye shtetëror, pra partiak, kjo është e vërteta. Nëse nuk e beson njeri ka studime dhe monitorime për këtë. Kush ka guxuar ndonjëherë njeri të kritikojë qeverinë dhe partinë në pushtet në radiotelevizionin publik? Nuk po rinovohet Këshilli Drejtues? Sigurisht, por duhet të pyesim se përse? Sepse ai ndërtohet me kritere politike dhe sipas përfaqësimit të interesave politike. Sa herë që ka ngrirje mes marrëdhënieve politike aq herë e pësojnë edhe institucionet. E vërteta është se faktikisht anëtarët e këshillit drejtues përfaqësojnë partitë politike dhe jo qytetarët, as opinionin shoqëror, as shoqërinë civile. Qytetarët paguajnë taksën për radiotelevizionin e tyre dhe marrin pas kurrizit propagandë partiake që bëhet me lekët e tyre.

 

  1. Dy raste dhune ndaj gazetarëve?

Sa do të dëshiroja që emrat e këtyre dy gazetarëve të ishin përmendur!!! Dhunë, jo shakà, ndaj gazetarëve. Ku ka gjë më të keqe? Sa do të doja të dija se çfarë pasojash patën dhunuesit? A pati ndonjë sensibilizim nga faktori ndërkombëtar për këto raste??? Nuk di!!! Por dhuna nuk besoj se ka qenë në dy raste. Ndofta dhuna si goditje fizike, ashtu po, e besoj, por dhuna është koncept shumë i gjerë.

Ku guxon gazetari shqiptar i pambrojtur sikurse është të denoncojë raste flagrante? Dhunohet në çast? Kush e mbron? Prandaj i vijnë të frikur rrotull poçes me mjaltë.

Çfarë dhune psikologjike pësojnë ata? Gazetari është i rrezikuar dhe i kërcënuar, prandaj vetëcensurohet. Të thuash dy raste dhune, me thënë të drejtën më duket një konstatim neglizhues dhe i dhimbshëm. Por, thuhet se dy raste janë raportuar qysh nga tetori 2013!!! Raportimi dhe fakti real, a janë e njejta gjë? Kush i ka raportuar ato dy raste?

 

  1. Ka mungesë transparence në financimet e medias?

E themi edhe ne shqiptarët, por në formë thashethemi.

Kush ka ushtruar kontroll financiar? Ka raporte financiare nga organet tatimore? Nga prokuroria? Nga AMA?

Të gjithë kështu thonë se media ka mungesë transparence financiare. Por, media është një sipërmarrje si të gjitha të tjerat, apo jo? Ky konstatim hedh një dyshim të rëndë që kalon me një fjali telegrafike.

Por po pati mungesë transparence, kush duhet ta bëjë këtë transparencë? Vetë media me gazetarët e vetë? Drejtësia? Tatimet? Atëherë paska informalitet pikërisht te instrumenti që duhet ta bëjë shoqërinë të ndërgjegjshme se informaliteti është një ekonomi që e shkatërron demokracinë. Atëherë media si sipërmarrje me dyshime informaliteti, është instrument në mbrojtje të demokracisë, apo rrezik për demokracinë? Si kalohet kështu kjo çështje me një fjali. Nuk e kuptova. Përse mos e them???

 

  1. Media vazhdon të jetë një mjet për të promovuar interesa politike dhe financiare?

As nuk diskutohet!!!

Por çfarë të keqe ka po të ishte kështu?

Media është zëri i aktorëve kryesorë politikë dhe ekonomikë. Dihet varësia mes komunikimit mediatik dhe interesave private politike dhe ekonomike. Çfarë ka këtu për të konstatuar në këtë mënyrë. Si është e mundur që futet e gjithë media dhe të gjitha agjencitë mediatike në një thes? E gjithë media njësoj? Edhe një kanal privat televiziv i madh dhe influent edhe një gazetë-fletushkë që mezi del? Njësoj janë këto? Pse nuk thuhet se për cilat media masive kryesore bëhet fjalë, për cilët gazetarë, për cilët emisione, interesat politike të kujt? Sepse mua më duket se e keqja nuk është se mediat promovojnë interesa politiko-ekonomike, sa kohë që financohen nga biznese, por se ato janë të shkëputura nga publiku dhe interesat e publikut. Ka monitorime të fundit për këtë??? Si është e mundur që nuk ka një qendër monitorimi!!! Sa mirë do të ishte ta financonte delegacioni i BE-së në Tiranë?

——

Rri edhe mendoj për pjesën e progres-raportit për lirinë e shprehjes, pra për median masive…

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency