Ndryshohet ligji i minierave/ Kushtet e reja, Rama: I japim fund barbarisë, industria kthehet në binarë

0
99

Gëzim Saliu

 Ligji votohet me vetëm 72 vota, Kryeministri: Koncesionarët janë vendosur në pozita detyruese

seanca parlamentare 9 tetor parlament po opoziten gjitheperfshireseParlamenti votoi dje ndryshimet në ligjin për sektorin e minierave, ku parashikohet të luftohet informaliteti në këtë treg, të vihen në zbatim rregulla të reja për shfrytëzimin e tyre si edhe të ketë më shumë përgjegjësi për kompanitë e nxjerrjes së mineralit. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10304, datë 15.7.2010, “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, u votua me 72 vota pro në seancën e Kuvendit me vetëm votat e mazhorancës në kushtet e vijimësisë së bojkotit nga ana e opozitës. Sipas qeverisë, ndryshimet në ligj erdhën pas një viti monitorimesh, ku u vunë re se shumë probleme ligjore kishin ndikuar në një aktivitet minimal në një sektor që e dallon vendin për pasuritë minerare. Problematikat kryesore kishin të bënin me mungesën e kontrolleve në miniera, me pronarët e tokës në zonat minerare, garancitë financiare për programin e investimit, rentën minerare, nënkontraktimin, sigurisë së pakët të kushteve të punës si edhe shkallë e ulët e përpunimit minerar.

 

Rama

Lidhur me ligjin e ri, Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në Kuvend theksoi dje se përmes ndryshimeve të bëra nga qeveria do të bëhet e mundur ndarja përfundimtare nga ajo që ai e cilësoi si barbaria e shfrytëzimit të kësaj pasurie kombëtare. “Epoka që nis me miratimin këtij projekti, i cili ka në themelin e vet në radhë të parë detyrimin për siguri, pastaj domosdoshmërinë për inovacion dhe si rezultat edhe garancinë për progres. Unë dua që të falënderoj para Kuvendit ministrin e Energjisë dhe Industrisë, të gjithë ekipin e tij për vendosmërinë, me të cilën kanë çuar para një proces të vështirë, duke futur duart në një zgavër gjarpërinjsh. Mjafton rezultati i revokimit të lejeve minerare për 160 subjekte si provë e vendosmërisë dhe vështirësisë së këtij procesi”, – u shpreh Rama. Më tej, kreu i qeverisë theksoi se pasuritë minerare do t’i kthehen popullit, duke bërë të ditur nga ana tjetër se tashmë koncesionarët janë vendosur në pozita detyruese. “Së pari vendosjen e një sërë koncesionarësh në pozitën detyruese që shteti e kishte lëshuar, duke u hapur udhë abuzimeve dhe duke lejuar të krijohej një hendek mes përfitimeve të ditës, kushteve të sigurisë dhe të ardhurat e publikun nga shfrytëzimi i kësaj pasurie. Vendosja e koncesionarit kryesor në pozitën detyruese për të nisur investimet e fazës së dytë të parashikuar në marrëveshje ka sjellë hapjen e një procesi që do aktivizojë 45 milionë ton krom dhe do zgjasë jetën e minierës për 20 vjet. Investim që shkon 13,5 milionë dollarë”, – tha Rama, duke theksuar se ndryshimet ligjore të propozuara nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë kanë të bëjnë me shtimin e kushteve dhe detyrimeve për koncesionarët e lejeve minerare. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se sektori i minerareve do të njohë një kapitull të ri zhvillimi. “Pavarësisht se nuk është pjesë e këtij projekti, por është pjesë e programit të gjithë ristrukturimit të shtetit dhe sektorit privat, se hapja e shkollës së parë profesionale për të siguruar dhe kualifikuar krahun e punës, duke hapur një kapitull të ri nga skllavërimi tek kushtet e reja, është vetëm fillimi”, – shtoi kreu i qeverisë. Ndërsa ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, gjatë prezantimit të projektligjit të ri në Kuvend, pohoi se ky ligj i ri do t’i japë fund mbivendosjes së lejeve minerare. Ai u shpreh se prioritet për qeverinë mbetet siguria në punë, duke theksuar nga ana tjetër se janë ushtruar kontrolle në të gjithë vendin për të verifikuar kushtet e punës.

 

Votimet në Kuvend

Me 72 vota pro – u miratua Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10304, datë 15.7.2010, “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”

Me 74 vota pro – u miratua projektligji “Për ratifikimin e memorandumit të mirëkuptimit për kuadrin institucional të iniciativës për gatishmërinë dhe parandalimin e katastrofave për Evropën Juglindore”

Me 75 vota – u miratua projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar”

Me 75 vota – u miratua projektvendimi “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency