Euro 2016/ Danimarka, e frikshme nga krahët, De Biazi hedh idetë e para mbi 11-shen

0
126

Formacioni duket se nuk do të ketë ndryshim shumë nga ai i pari, ku kryesisht do të tentohet të ndërtohet një mbrojtje shkatërruese nga krahët, ku është dhe rreziku më i madh

de biasi Kuqezinjtë kanë mbaruar edhe përgatitjet për ndeshjen ndaj Danimarkës, ndeshje ndaj rivalit direkt dhe që për momentin qëndron me golavarazh në vendin e parë. Një skuadër, e cila mund të na hapë probleme në çdo pjesë të lojës, pasi ka lojtarë që luajnë në skuadra të mëdha. Diferenca midis skuadrave është e madhe, por kuqezinjtë e treguan ndaj portugezëve që nuk u intereson se cili emër luan në fushë. Në kampin kuqezi, Odise Roshi dhe Shkëlzen Gashi janë mungesat e vetme nga lista e shpallur nga trajneri italian, për arsye dëmtimi. 25 futbollistë kuqezi zhvilluan paraditen e kësaj të mërkure seancën e radhës stërvitore nën urdhrat e Xhani de Biazit, që i kushtoi vëmendje të veçantë anës taktike, duke dhënë shenjat e para për formacionin që do të hedhë në fushë ndaj Danimarkës. Odise Roshi dhe Shkëlzen Gashi ishin mungesat e vetme nga lista e shpallur nga trajneri italian për arsye dëmtimi. Futbollisti i Bazelit nuk ishte grumbulluar për sfidën e fundjavës së kaluar në kampionatit zviceran dhe, sipas burimeve pranë kombëtares, ka humbur dy takimet e radhës me Danimarkën dhe Serbinë, ndërsa për Roshin ekzistojnë shpresat që të vihet nën urdhrat e De Biazit gjatë ditëve të ardhshme. Etrit Berisha mbetet i padiskutueshëm në portë, ndërsa mbrojtja do të jetë ajo e sfidës me Portugalinë. Cana – Mavraj në qendër, Hysaj në të djathtë dhe Agolli në krahun e majtë. Në mesfushë do të rreshtohen 5 futbollistë, Abrashi, Kukeli dhe Xhaka në qendër, ndërsa krahët pritet të mbulohen nga Andi Lila dhe Valdet Rama. Për sa i përket sulmit trajneri do të zgjedhë një mes Balës, Cikalleshit dhe Kapllanit. Ky rreshtim i De Biazit synon të neutralizojë depërtimet e danezëve nga krahët, nga ku mund të vijë rreziku më i madh për formacionin kuqezi. Gjithsesi, deri pak orë para ndeshjes tekniku italian mund të bëjë ndonjë ndryshim, në varësi të formës që do të shfaqin lojtarët gjatë seancave stërvitore. Lorik Cana ishte i vetmi futbollist që u stërvit fillimisht i diferencuar, për shkak të mbingarkesës fizike, gjithsesi mbrojtësi i Lacios nuk e vë në dyshim aktivizimin me danezët, ndaj të cilëve De Biazi pritet të bëjë pak ndryshime në rreshtim, të kushtëzuara këto nga mungesat dhe nga rikthimi në skuadër i Valdet Ramës apo i Alban Mehës. Ndeshja do të zhvillohet të shtunën në datë 11 tetor në orën 20:45.

 

Norvegjia mposht të vegjlit e Shqipërisë

Të vegjlit e Mustedanagiçit janë mundur nga skuadra Norvegji U17, duke e nisur me humbje kështu fazën e kualifikueseve të Evropianit të vitit 2015. Kuqezinjtë e vegjël u gjunjëzuan në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës para norvegjezëve, që fituan me rezultatin e pastër 3-0. Nordikët mbizotëruan që në fillim të sfidës, por pas minutës së 15-të formacioni i Xhemal Mustedanagiçit nisi të reagonte, por vetëm kaq, pasi në të 24-ën Helmerson godet saktë brenda zonës, duke i dhënë avantazhin Norvegjisë. Gjatë pjesës së parë Shqipëria nuk arriti në asnjë moment të shfaqej rrezikshëm në portën mike. Vetëm tre minuta nga starti i fraksionit të dytë pas një kombinimi perfekt në zonën e kuqezinjve, Seter e mposht për herë të dytë portierin Muça. Takimi mbyllet në të 58 me golin e Ajer, që u dha fund shpresave të Shqipërisë për të marrë rezultat pozitiv. Në takimin tjetër të Grupit 9, Austria fitoi 2-0 me San Marinon në sfidën që u zhvillua në Pogradec. Në takimin e dytë 17-vjeçarët e Shqipërisë do të luajnë ndaj Austrisë, ku kërkohet medoemos rezultati pozitiv për të shpresuar te kualifikimi. Sipas formatit të ri, në Elite Round kualifikohen 2 të parat e çdo grupi si dhe 5 të tretat më të mira. Pas ndeshjes tekniku malazez u shpreh se nuk është surprizë mundja e skuadrës tonë pasi norvegjezët kanë me të vërtetë një ekip të mirë dhe që tashmë duhet të shikohet për të marrë pikë në ndeshjet e tjera.

 

Olsen: Kjo Shqipëri, më e mira në historinë e saj

Danimarka duket e mobilizuar para Shqipërisë. Një skuadër, e cila, edhe pse më e fortë, është bërë gati edhe për të papriturën, pasi një atmosferë të tillë pret në “Elbasan Arena”. Një ndeshje e vështirë ndaj një ekipi si kuqezinjtë për Olsenin dhe që, sipas tij, skuadra i duhet të punoj shumë për të dalë e fituar nga ky takim. “Shqipëria të luajë në shtëpi ka fituar besim të madh, pas fitores ndaj Portugalisë. Është në temperamentin e tyre të mos mbrohen në shtëpi dhe ndoshta ky është ekipi më i mirë që e ka pasur Shqipëria ndonjëherë. Nuk pres të jetë një ndeshje të cilën do ta dominojmë për 90 minuta”, – ka deklaruar Olsen. Një muaj më parë Morten Olsen ishte i bindur se skuadra e tij do të fitojë mes zhurmës në Elbasan të një tifozerie që çmend të gjithë kundërshtarët. Edhe pse në ndeshjen e fundit në Shqipëri ka barazuar 1-1 dhe ka dalë jashtë Botërorit ai nuk ndryshon mendje. “Shqipëria është një skuadër me një tifozeri të zjarrtë. Jemi shumë të lumtur dhe entuziastë për mënyrën se si shkoi ndeshja e Portugalisë, sepse ata janë kundërshtarët tanë direkt. Gjithsesi, duhet të tregohemi të kujdesshëm sepse zakonisht në ndeshjet e para Portugalia bën hapa falsë por më pas fillon ngjitjen. Shqipëria është një vend me njerëz të apasionuar që u zien gjaku. Do të luajmë në një stadium të ri që besoj se do të mbushet plot dhe e dimë shumë mirë se sa zhurmë mund të bëjnë. Ne nuk duhet të trembemi por të frymëzohemi për të dhënë maksimumin. Të gjithë kanë një ide të qartë se si do të luajnë futboll. Ka qenë më e lehtë për të gjetur një recetë të suksesshme për të mundur ekipe të tilla, por tani të gjithë kanë filluar të mendojnë edhe për fazën mbrojtëse prandaj besoj se është shumë e vështirë që të arrish rezultate pozitive”, – ka thënë tekniku i të kuqebluve Morten Olsen.

 

 Nojer: Kujdes nga Levandovski

Gardiani i Gjermanisë, Manuel Nojer, është shprehur se është i vetëdijshëm për rrezikun që do të paraqesë Robert Levandovski në ndeshjen kualifikuese të Euro 2016. Gjermania dhe Polonia luajnë të shtunën në Varshavë, në kuadër të grupit D, ndërsa Nojer paralajmëron për rrezikun nga bashkëlojtari i tij te Bajerni i Mynihut. “Levandovski është një nga sulmuesit më të mirë në botë. Duhet të jemi të kujdesshëm. Është me rëndësi që të bazohemi në tri pikët e fituara në ndeshjen ndaj Skocisë, mirëpo do të jetë një sfidë e vështirë në Varshavë”, – ka thënë portieri më i mirë i Botërorit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency