Standard.al

Zbardhet raporti i KE/ Dialogu, kyç për negociatat. Urgjente reforma në gjyqësor, ligji i KLD-së i pakonsultuar

Gëzim Saliu

RAPORTI-I-KE-se Raporti i KE-së: Qeveria të krijojë kushtet që procesi i integrimit të jetë gjithëpërfshirës, bojkoti i Parlamentit nuk është zgjidhje

 Raporti i progresit i përvitshëm i Komisionit Evropian për strategjinë e zgjerimit në kapitullin për Shqipërinë thekson domosdoshmërinë e rikthimit të dialogut politik mes palëve, si një faktor kyç për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE. Edhe pse zyrtarisht raporti i KE-së do të publikohet sot, janë zbardhur disa detaje nga pikëpamjet kryesore të Brukselit për vendin, ku përfshihet reforma administrative, çështjet e gjyqësorit, korrupsioni, lufta kundër krimit të organizuar, administrata publike si edhe të drejtat e njeriut. Por kërkesa e ripërsëritur e BE-së ndaj klasës politike shqiptare për dialog me qëllim kryerjen e reformave konsensuale, duket se do të përbëjë në vetvete një kusht shtesë, krahas atyre të pestëve të bërë publik tashmë. “Hapja e negociatave mund të arrihet vetëm përmes një procesi gjithëpërfshirës, të qëndrueshëm dhe një dialogu politik konstruktiv midis mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri”, – theksojnë burimet nga Brukseli. Ndërkaq, BalkanInsight, duke cituar dje një zyrtar të lartë të Bashkimit Evropian, shkruante se progresi në Ballkanin Perëndimor është i ngadaltë. “Ballkani Perëndimor ka shumë për të bërë. Disa vende kanë bërë më shumë progres. Në Shqipëri të rindërtohet kulturë e re bashkëpunimi, duhet bashkëpunim mes opozitës e shumicës, por asnjë nga vendet s’ka bërë mjaftueshëm progres”, – citohet zyrtari i BE-së.

 

Piketat e raportit

Në raportin e KE-së, në pjesën e jetës politike në vend, theksohet se qeveria në Shqipëri duhet të krijojë platformën e duhur në mënyrë, që procesi i integrimit të jetë gjithëpërfshirës, duke siguruar kontributin e opozitës dhe shoqërisë civile. Nga ana tjetër sipas Komisionit Evropian, bojkoti i Parlamentit nuk është zgjidhje. Po ashtu pjesë e raportit pritet të jetë edhe reforma administrative e cilësuar si jetike për vendin, por e miratuar pa opozitën dhe e cilësuar antikushtetuese nga presidenti i Republikës. “Transparenca e procedurave ligjore u përmirësua. Sidoqoftë, një klimë e tensionuar politike cenoi punën parlamentare, duke shkaktuar mungesa të opozitës dhe bojkotin e saj që prej korrikut nga puna parlamentare. Reforma në administratën publike ka ecur përpara, kryesisht me hyrjen në fuqi të Ligjit mbi Shërbimin Civil, miratimin e akteve nënligjore dhe të hapave të marrë për përmirësimin e procedurave të rekrutimit. Duhet të ndiqet zbatimi, me qëllim që të forcohet depolitizimi, llogaridhënia dhe standardet profesionale të administratës publike”, – thuhet në raport sipas “TCH”. Ndërkaq, sa i përket sistemit të drejtësisë, raporti vlerëson bashkëpunimi me Komisionin e Venecias për reformën e gjyqësorit. “U ndërmorën hapa për të përmirësuar llogaridhënien dhe transparencën e gjyqësorit, përfshirë një numër masash disiplinore. Gjykatat Administrative nisën të funksionojnë”. Por në këtë pjesë, progres-raporti nënvizon se ndryshimet në ligjin për KLD-në u kryen pa konsultimin e të gjithë aktorëve të interesuar dhe se mbeten shumë të meta. Ndërkaq, Brukseli bën të ditur dakordësinë mes palëve për domosdososhmërinë e një reforme në sistemin e drejtësisë. “Përpjekje thelbësore nevojiten për të siguruar pavarësinë, efikasitetin dhe llogaridhënien e gjyqësorit, përfshirë përmes ndryshimeve kushtetuese. Shqipëria duhet të ndjekë në mënyrë të vrullshme këtë proces, në bashkëpunim me të gjitha palët e interesuara, duke përfshirë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me Komisionin e Venecias. Një nismë e vendosur nevojitet për të përforcuar sistemin disiplinor për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët, si dhe për të përmirësuar, mê tej, rendimentin e gjyqeve”, – theksohet në raport. Po ashtu KE vlerëson pozitivisht luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri, me theks aksionin e policisë në Lazarat si edhe hapat që janë ndërmarrë për të siguruar vijueshmërinë e operacioneve të Bankës Qendrore në Shqipëri. Komisioni njeh gjithashtu përparim në prioritetin kyç të luftës ndaj korrupsionit, me vullnetin politik të treguar nga qeveria për të vepruar me vendosmëri në parandalimin e këtij fenomeni. “Shqipëria duhet të marrë masa për forcimin e kuadrit ligjor dhe të miratojë strategjinë dhe planet e veprimit kundër korrupsionit 2014-2020. Bashkëpunimi ndërinstitucional duhet rritur dhe pengesat ekzistuese ndaj hetimit të frytshëm proaktiv duhet të mënjanohen”, – pohohet në raport.

 

5 kushtet e KE-së për hapjen e negociatave

  1. Reforma e administratës publike me qëllim rritjen profesionalizmi dhe depolitizimin e administratës publike
  2. Masa për të përforcuar pavarësinë, efiçencën dhe përgjegjshmërinë e institucioneve gjyqësore( reforma në drejtësi)
  3. Thellim i përpjekjeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar
  4. Përmirësimi i të drejtave të njeriut, duke përfshirë të politikat antidiskriminim ndaj romëve
  5. Implementimi i të drejtave pronësore

 

 Diskutimi në Komisionin e Ligjeve/ Mazhoranca do të ngrejë nënkomision për administratën publike

Mazhoranca e majtë pritet të ngrejë një nënkomision të posaçëm për administratën publike. Iniciativën e paralajmëroi dje në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, kryetari Fatmir Xhafaj. Vendimi për të ngritur nën komisionin vjen në kohën kur e gjithë administrata publike po kalohet në filtër, dhe kur socialistët kanë ngritur një grup të posaçëm pune për administratën. Ndërkaq administrata është edhe një nga 5 prioritetet kyçe të Shqipërisë për anëtarësim në BE. Nënkomisioni, pritet të ketë në përbërje 7 anëtarë, 4 nga shumica dhe 3 nga opozita, dhe kryetari do të jetë po nga radhët e mazhorancës. Aktualisht, në Kuvend ka edhe 3 nënkomisone, ai për pushtetin vendor, për gjyqësorin dhe për të drejtat e njeriut.

 

 

 

Comments are closed.