Standard.al

Ligji për Avokatin e Popullit/ Mazhoranca kundër qeverisë për votimet e kandidatëve. Shkenca e të drejtave të njeriut?! Batutat tek “Ligjet”

Gëzim Saliu

Ligjet per avokatin e popullit komisioni i ligjeve Diskutimet në Komision / Xhafaj, Totozanit: Je personi publik që shikoj më shumë në televizor, merre edhe raportin. Ne zhbunkerizuam KLD-në, jo më raportet tuaja

 Ndryshimet në ligjin për Avokatin e Popullit kanë sjellë kundërshti mes mazhorancës së majtë dhe qeverisë. Gjatë diskutimit në Komisionin e Ligjeve, deputetët e shumicës rrëzuan dje propozimin e Ministrisë së Drejtësisë për të dërguar për votim në Kuvend të gjithë kandidatët e mundshëm për këtë detyrë. Kështu, përfaqësuesja e Ministrisë, Edlira Jorgaqi, në bazë edhe të ligjit të propozuar tha se do të ishte mirë që gara të ishte e hapur, duke ndjekur frymën e nenit në tërësi, por për kreun e Komisionit të Ligjeve votimi i të gjitha kandidatëve në Kuvend është i pamundur. “Po si t’i çojmë, të çojmë 15 kandidatura në Kuvend, po si mund të votojë Kuvendi 15 kandidatë?”, – theksoi Xhafaj. Në të njëjtën linjë me të, deputetja Vasilika Hysi, e cila ishte edhe relatore e ligjit, duke iu drejtuar përfaqësues së Ministrisë së Drejtësisë në Komision, tha: “Pajtohem me ju që të përforcojmë, që të votohen kandidatët dhe të shkojnë në votim dy kandidatë, dhe kur ka me vota të barabarta të shkojnë në votim edhe kandidatë i tretë apo i katërt që ka vota të barabarta, por 20 kandidatë për të shkuar në votim. Nuk kam parë ndonjë zgjedhje tjetër të drejtuesit të një institucioni që të gjithë kandidatët të shkojnë në seancë plenare”.

 

Rekomandimi

Ndërkaq, në fjalën e tij para Komisionit, Avokati i Popullit ka këmbëngulur disa herë se administrata nuk u përgjigjet kërkesave të AP-së. “Ky institucion, që të ketë sukses, duhet të ketë përballë interlokutorë të kulturuar, të cilët të kuptojnë vlerën e rekomandimit. Në rastet kur nuk ka të tillë persona, pra kur u vjen rekomandimi i Avokatit të Popullit dhe e hedhin në koshin e plehrave, atyre nuk u ndodh asnjë gjë. Tani problemi është këtu, se edhe kërkesa për shkarkim ne kemi bërë, dy-tri të tilla kur unë kam filluar mandatin, asnjëherë nuk janë zbatuar”. Nisur nga kjo, Komisioni i Ligjeve pranoi që rekomandimi t’i jepej Avokatit të Popullit, por Totozani theksoi se edhe vetët deputetët duhet të diskutojnë për raportet e AP-së e jo vetëm t’i shpërndajnë ato. “Pyetja që bëhet, a po i diskutoni ju bashkë me deputetët këto raporte, a janë nxjerrë gjë konkluzione dhe u janë dhënë ministrive apo dikastere përkatëse udhëzime mbi rekomandimet që bën avokati i popullit. Për fat të keq, përgjigjja ime është që nuk janë diskutuar asnjëherë raportet e posaçme”, – tha ai. Ndërkaq, lidhur me kërkesën e Totozanit që deputetët që të jenë më të shkathët në miratimin e raporteve që më pas i duhen bërë publike qytetarëve, të paktën për një muaj, Xhafaj kërkoi të dinte se cili ishte problemi në këtë mes. Në përgjigje të tij, Avokati i Popullit tha se e ndalonte ligji e ndërsa kreu i Komisionit të Ligjeve theksoi se Xhafaj tha se këto raporte mund të publikohen që ditën e parë dhe se nuk i pengon askush. “Po mirë mo e heqim nga ligji ne. Je personi publik që shikoj më shumë në televizor, po s’e nxore edhe raportin që ka për mua, se ky është funksioni jot avokati i popullit, shtoje edhe këtë në televizor, ca i ndryshon këtij Kuvendi. Ne zhbunkerizuam KLD-në, jo më raportet tuaja”, – theksoi kreu i Komisionit të Ligjeve.

 

Propozimi i Ministrisë

Ndërkaq, propozimi i qeverisë për të bërë pjesë të ligjit për Avokatin e Popullit edhe nxitjen e kërkimit shkencor për mbrojtjen e të drejtave të njeriut nxiti batuta mes deputetëve të mazhorancës dhe përfaqësueses së Ministrisë. Duke lexuar këtë pjesë, kreu i Komisionit Xhafaj deklaroi se nuk kuptonte asgjë nga ajo që ministria kishte dashur të theksonte përmes kësaj pike. “Ca është kjo avokati i popullit në mbrojtje të të drejtave të njeriut si edhe të interesave të ligjeve nxit kërkimin shkencor në këtë drejtim”, – pyeti me habi Xhafaj. E ndërsa këtë pyetje Avokati i Popullit e shoqëroi me të qeshura, përfaqësuesja e Ministrisë, Edlira Jorgaqi, tha se shkenca e të drejtave të njeriut duhet thelluar edhe më tej se i shërben vendit. Ndaj kësaj përgjigjeje nuk mungoi as reagimi i deputetit të LSI-së, Vasili, i cili e konsideroi si qesharak këtë propozim të Ministrisë.

 

Batutat për propozimin e shkencës së të drejtave të njeriut

Xhafaj: Ç’është kjo? Ministria: Ka nevojë vendi. Vasili: Do na bëni qesharak në botë.

  1. Xhafaj: Ca është kjo Avokati i Popullit në mbrojtje të të drejtave të njeriut si edhe të interesave të ligjeve nxit kërkimin shkencor në këtë drejtim.

Totozani (qesh): Kjo është një histori tjetër pastaj…

Përfaqësuesja e Ministrisë: Është një histori shumë e bukur.

Xhafaj: Të lutem na e sqaro, se edhe mund të na relaksojë qeveria me këtë rast.

Përfaqësuesja e Ministrisë: Po kalojmë një periudhë tepër intensive dhe orientimi i administratës drejt kërkimit shkencor nga ana e qeverisë është një arritje maksimale.

Xhafaj: Absolutisht po, por kjo shkenca e të drejtave të njeriut…

Përfaqësuesja e Ministrisë: Po, shkenca e të drejtave të njeriut duhet thelluar edhe më tej z. Kryetar, sepse ky vend ka nevojë për këtë gjë.

Petrit Vasili: Për hir të kaluarës sime, jam marrë shumë me kërkim shkencor të thelluar, po në dynja, njeri që është burokrat, i cili parashikohet që bën edhe punë shkencore, më falni po, po e thatë në Perëndim këtë gjë, do ketë një gajasje që nuk do ngelet njeri pa qeshur.

 

 Pas tryezës dhe pritjes së udhërrëfyesit/ Mazhoranca, gati për ngritjen e Komisionit parlamentar për reformën në drejtësi, fton opozitën

Kryetari i Komisionit hetimor për shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së, zëvendëskryetarit Elvis Çefa dhe anëtarit Lulzim Lelçaj, Armando Subashi, vlerësoi dje frymën e përcjellë nga tryeza për reformën në drejtësi, duke theksuar njëkohësisht thirrjen për bashkëpunim me opozitën. Në këtë kontekst, ai bëri të ditur se demokratët janë të mirëpritur në komisionin hetimor që Subashi drejton si edhe në komisionin e pritshëm për reformën në drejtësi. Me këtë deklaratë të fundit, deputeti socialist bëri të ditur se mazhoranca e majtë është në prag të ngritjes së një komisioni parlamentar të posaçëm për këtë reformë të rëndësishme. “Besoj dhe shpresoj që në frymën edhe të mbledhjes së djeshme, të asaj konference që u zhvillua dje, ndoshta ky do të ishte një moment i përshtatshëm, një pikë kthese për opozitën dhe kolegët tanë që veç pjesëmarrjes në komisionin e pritshëm në reformën për drejtësi le ta fillojmë me këtë komision pjesëmarrjen e tyre dhe të bëjmë të mundur bashkërisht nxjerrjen e një rezultati sa më objektiv”, – tha ai. Ndërkaq, në diskutimet e mbledhjes së djeshme të komisionit hetimor, u ra dakord që të mërkurën e javës së ardhshme nënkryetari i KLD-së, Elvis Çefa, dhe anëtari Lulzim Lelçaj të jenë në komision, për të renditur arsyet se pse kërkesa për shkarkim, sipas tyre, është antikushtetuese. “Të mërkurën e javës që vjen ne do të thërrasim të dy anëtarët, pra zotin Çefa dhe zotin Lelçaj, për t’i dëgjuar në këtë komision, për të përmbushur edhe detyrimin kushtetues dhe ligjor”, – u shpreh Subashi. Po ashtu, komisioni i kërkoi KLD-së të plotësojë edhe procesverbalet e dy mbledhjeve, atë të datës 28 dhe 30 maj 2014, kur Këshilli i Lartë i Drejtësisë u mblodh për të shqyrtuar kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj 4 gjyqtarëve.

 

 

 

Comments are closed.