Standard.al

Kontributet, ja sa do të paguajnë individët për sigurimet vullnetare

pensioniSigurim vullnetar për vitin korent mund të paguajnë të gjithë shtetasit shqiptarë që: kanë mbushur moshën 18 vjeç, deri në arritjen e moshës për pension, nuk mund të sigurohen në sistemin e sigurimit të detyrueshëm, nuk mund të sigurohen në sistemin e të vetëpunësuarve në bujqësi, nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar. Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurimin vullnetar nga personi i interesuar, është e barabartë me masën që paguhet për degën e pensioneve, sipas pagës për efekt kontributesh të miratuar në periudhën kur bëhet pagesa.

 

Pagesa e kontributeve

Pagesa aktuale për një muaj sigurim vullnetar është 4 110 lekë, që i korrespondon pages minimale mujore: 19 026 lekë x 21.6%. Për pagesat paradhënie, aplikohen zbritje në varësi të kohës kur kryhet pagesa. Kështu, nëse do të parapaguani për vitin në vijim në fillim të periudhave, do të ketë zbritje:

– 6% mbi shumën për një pagesë vjetore (me kusht që pagesat të realizohen brenda muajit Janar)

– 3% mbi shumën për një pagesë 6-mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 6-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar)

– 1.5% mbi shumën për një pagesë 3-mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar). Por pagesat e vitit korent mund të bëhen edhe me shumëfishin e kuotës minimale mujore, 4 110 lekë, deri në pesëfishin e saj.

 

Për vitet e kaluara

Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurim vullnetar nga personi i interesuar për mbulimin e periudhave të kaluara përcaktohet nga koha kur bëhet pagesa (aplikohet masa që është në fuqi në momentin e kryerjes së pagesës, masë e cila miratohet me VKM, për degën e pensioneve). Pagesa aktuale për të mbuluar periudha të kaluara, bëhet vetëm në kuotën minimale dhe është 4 110 lekë për një muaj sigurim vullnetar. Kjo kuotë i korrespondon pagës minimale mujore: 19 026 x 21.6%. Në këto pagesa nuk aplikohen zbritje.

 

Për të ardhura shtesë

Personat e vetëpunësuar – sigurohen me pagë minimale mujore 19 026 lekë ose shumëfishi i asaj mbi të cilin do të paguajnë kontributet dhe kjo pagë shumëzohet me 21.6%, pra është sigurim me kuotë fikse 4 110 lekë ose shumëfishi i kësaj kuote. Të punësuarit – sigurohen me pagë minimale mujore 19 026 lekë ose shumëfishi i asaj mbi të cilin do të paguajnë kontributet dhe kjo pagë shumëzohet me 21.6%, pra sigurim me kuotë fikse 4 110 lekë ose shumëfishi i kësaj kuote. Punëdhënësit – sigurohen me pagë minimale mujore 19 026 lekë ose shumëfishi i asaj mbi të cilin do të paguajnë kontributet dhe kjo pagë shumëzohet me 21.6%, d.m.th. sigurim me kuotë fikse 4 110 lekë ose shumëfishi i kësaj kuote.

 

Si paguhet sigurimi vullnetar:

Personi i interesuar, paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendit ku ai banon dhe merr kontakt me inspektorin e sigurimit vullnetar. Personi i interesuar duhet të ketë me vete dokumentet e mëposhtme:

– Fotokopje të librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit

– Fotokopje të librezës së kontributeve, në rast se e disponon

– Fotokopje të letërnjoftimit elektronik.

Nëse personi i interesuar bie dakord për t’u siguruar vullnetarisht, do të marrë dokumentin tip “Urdhër veprimi”, i cili plotësohet nga inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore. Duke disponuar këtë “Urdhër veprim” personi i interesuar paraqitet në bankë për të bërë pagesën. Me kryerjen e pagesës ai pajiset nga banka me “Mandat arkëtimi”. Pas marrjes së mandat arkëtimit, personi i interesuar rikthehet tek inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore, me të cilin lidh marrëveshjen e sigurimit vullnetar, që nënshkruhet nga personi i interesuar dhe inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (mandat arkëtimi në asnjë rast nuk i dorëzohet punonjësit të sigurimeve shoqërore. Ai është personal dhe mbahet nga vetë personi i interesuar).Pas nënshkrimit të marrëveshjes, inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore është i detyruar të bëjë pasqyrimin në librezë të kontributeve të personit të interesuar, ose të hapë librezë të re në qoftë se nuk ka. Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore janë pagesa të detyrueshme, për të gjithë personat ekonomikisht aktivë, ku përfshihen edhe të vetëpunësuarit. Duke paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore ju jeni i siguruar për të përfituar nga Ligji i sigurimeve shoqërore dhe nga Ligji i sigurimeve shëndetësore.

 

 Autoriteti i Konkurrencës, kontroll për çmimet e cigareve

Autoriteti i Konkurrencës ka nisur monitorimin e tregut të duhanit, pas sinjaleve për rritje të çmimeve gjatë ditëve të fundit. Javën e kaluar qeveria shpalli vendimin për të vazhduar rritjen e akcizës edhe vitin e ardhshëm. Por, vetëm pak ditë pas kësaj deklarate, në tregun me pakicë u vërejt rritje e çmimit të paketave për disa marka me 20 lekë, po aq sa ç’është pritshmëria për rritjen e akcizës. Edhe në fillim të këtij viti Autoriteti i Konkurrencës zhvilloi një hetim ndaj kompanive të tregimit me shumicë të duhanit, por nuk gjeti fakte për marrëveshje të ndaluar apo sjellje të bashkërenduar. Në fillim të vitit të ardhshëm, kur pritet të hyjë në fuqi rritja e akcizës së cigareve me 20 lekë për paketë, çmimi nga 70 lekë paketa do të bëhet 90 lekë. Akciza e cigareve në vendin tonë është rritur gradualisht. Kështu nga 40 lekë/ paketa u kalua në 50 lekë/ paketa në vitin 2006 dhe nga 50 lekë/ paketa u kalua në 70 lekë paketa në vitin 2010. Sipas direktivës së BE-së, niveli minimal i akcizës së cigareve duhet të jetë 57% e çmimit të shitjes me pakicë, ndërkohë që nivelin aktual të akcizës, Shqipëria e ka 34% të çmimit të shitjes me pakicë. Nga krahasimi me vendet e rajonit, rezulton se Shqipëria ka nivelin e akcizës të krahasueshëm me vendet e rajonit. Kështu, Kosova e takson cigaren me 70 lekë/paketa, Mali i Zi e takson duhanin me 49 lekë/paketa; Maqedonia me 76 lekë/paketa, ndërsa Serbia me 92 lekë/paketa. Rritja e akcizës mbi cigaret është një nga politikat e përdorura për frenimin dhe uljen e konsumit të cigareve nga popullata, duke rritur çmimin e shitjes së tyre. Efekti pozitiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit nga rritja e akcizës për vitin 2014 parashikohet të jetë rreth 3.3 miliardë lekë dhe 1,7 miliardë lekë në tre vitet në vijim nga rritja me 10 lekë/paketa. Si bazë për llogaritjen e efekteve, është marrë konsumi vjetor prej 3600 tonë cigare.

 

 

Comments are closed.