Berisha me gazetarët/  Shqipëria rrezikon e para për rikthimin e vizave. Çfarë di për përgjimet e SHISH-it

0
147

Gëzim Saliu

 “Pas dorëheqjes sime nga posti i kryetarit, familjarët e mi e kanë rrugën e hapur për të bërë karrierë në PD, ka marrë fund barriera Sali Berisha”

sali berisha bashkebisedim me gazetaret Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha përmes një bashkëbisedimi që zhvilloi dje me gazetarët deklaroi se Shqipëria është e para ndër vendet e rajonit që rrezikon rikthimin e regjimit të vizave pas rritjes së numrit të azilkërkuesve. Sipas deputetit demokrat, duhen marrë masa drastike për të bërë të mundur shmangien e këtij vendimi. Ndërkaq, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të heqin dorë nga kërkesat për azil, në mënyrë që të mos dënojnë të gjithë shqiptarët. “Shqipëria do jetë vendi i parë. Sot Shqipëria zë vendin e dytë me mbi 8000 azilkërkues. Me këto ritme do të tejkalojë çdo vend tjetër të rajonit. Ky është një shqetësim shumë i madh dhe mekanizmi i rivendosjes së vizave është real nëse nuk merren masa drastike për të ndryshuar situatën çka nuk po ndodh. U bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, dëmi që i bëni vendit dhe shoqërisë me nxitjen e vendimit për rivendosjen e vizave është një krimi vërtetë ndaj shoqërisë dhe vendit ndaj duhet të hiqni dorë nga kërkesa për azil politik. Dënon shqiptarët në mënyrën më të pamerituar”, – deklaroi Berisha.

 

Zhvillimet politike

Në takimin me gazetarët të zhvilluar në zyrën e tij në katin e 14 të pallatit që ndodhet përballë TVSH-së, ish-kreu i qeverisë komentoi fillimisht tryezën e dy ditëve më parë për reformën në drejtësi, ku e cilësoi si skandaloze fjalën e kryeministrit Rama. “Reforma në drejtësi duhet të jetë e bazuar në parime të shëndosha evropiane, që ta bëjë drejtësinë më transparente, më të përgjegjshme, por fjala e kryeministrit dje ishte skandaloze, fjala e një të sëmuri psikik sikur vinte direkt nga spitali psikiatrik. Në fjalorin e tij të papërmbajtur dominonte fjala kancer, në fjalorin e tij cilësoi shumicën e gjykatësve dhe prokurorive si ripërdhunues dhe vrasës duke mos ditur që këta kanë familje kur kthehen në shtëpi, kanë fëmijë që do ju bëjnë pyetje pse ky njeri të quan rivrasës dhe ripërdhunues. Tolerimi i një gjuhe të tillë staliniste nga kryetari i ekzekutivit është një ofendim i madh për vlerat evropiane dhe përpjekjet për këto vlera”, – tha Berisha, duke shtuar se në grupin parlamentar të PS-së ka vrasës dhe përdhunues, duke marrë shkas nga akuzat e bëra nga kreu i qeverisë për vendimet e gjyqtarëve. Më tej, ish-kryeministri i bëri apel ndërkombëtarëve të mbajnë qëndrim të prerë ndaj Ramës, ndërsa socialistëve iu këshilloi ta dërgojnë në spital. “Drejtësia e Edi Ramës është një skëterrë për çdo qytetar. Ndërkombëtarët duhet të mbajnë qëndrim të prerë ndaj këtij njeriu të rrezikshëm për kushtetutën, liritë dhe vlerat. Socialistëve iu këshilloj, dërgoheni të mjekohet”, – u shpreh Berisha.

 

SHISH dhe PD-ja

Në diskutimin e tij me gazetarët, Berisha komentoi edhe çështjen e përgjimeve, duke folur për rastin e Kryeministrit Rama apo edhe ish-ministrave të qeverisë së tij, Sipas deputetit të PD-së Rama ka rënë vetë në kurthin e përgjimeve pasi komunikonte me trafikantë. “Këta flasin me trafikantë, vrasës dhe delinkuentë dhe SHISH i ka në regjistrim vrasësit dhe i bie politikani në kurth. Kjo nuk është përgjim, kjo është tjetër është rënie në kurth vetë. Nuk ka pasur raste të më thonë se Edi Rama është përgjuar por, jam i sigurt që ka rënë në kurth. Në një rast tjetër di që ka bërë biseda me bandat, është biseda 7 kilometra, ka mani që flet gjatë ai. Kjo dosje ekziston nëse nuk e ka zhdukur Dhori Sallaku. Po luftojnë për të pastruar dosje të tyre”, – deklaroi Berisha. Ndërsa lidhur me ish-kabinetin e tij qeveritar, Berisha pohoi: “Ministrave u kam thënë do firmos çdo kërkesë që më bëhet nga SHISH për përgjimin tuaj, por e pranoj që nuk më ka ardhur asnjë kërkesë për përgjimin e tyre, se ndryshe do ta firmosja”. Po ashtu, lideri historik i PD-së komentoi edhe përfshirjen e familjarëve të tij në përbërjen e këshillit Kombëtar të kësaj force politike, duke theksuar se deri tani nuk i kishte lejuar familjarët të bënin karrierë brenda PD-së, por se pas dorëheqjes së tij nga posti i kryetarit, ata janë të lirë të garojnë e ngjisin shkallët si çdo anëtar. “Përbërja e Këshillit Kombëtar është ndër më përfaqësueset, janë veprimtarë të shquar të PD me karrierë. Këshill Kombëtar me spektër më të gjerë se ky, PD nuk ka pasur ndonjëherë. Unë e kuptoj që prania e tyre, (familjarëve) është e vonuar sepse i kam penguar unë, por ata kanë kontribuar që në ditën e themelimit të PD. Ka qenë qëndrim i imi që ata të vazhdojnë kontributin, më kanë ndihmuar në fushatë por kështu e kam gjykuar. Tani e kanë rrugën të hapur ku të duan të konkurrojnë në forumet e PD. Ka marrë fund barriera që ata kishin nga Sali Berisha”, – përfundoi deklaratën e tij Berisha.

 

 Shqetësimet në shpinë/ Rama anulon vizitën në Burrel: Faleminderit kush shqetësohet, lash pas stërvitjen 30-minutëshe

Kryeministri Edi Rama anuloi dje vizitën në Burrel e Bulqizë për shkak të dhimbjeve të shpinës që i bënë të pamundur udhëtimin. Edhe në tryezën e dy ditëve më parë për drejtësinë, kreu i qeverisë vihej re qartë gjatë lëvizjeve të shpeshta në karrige se kishte probleme, sa i përket shpinës. Lidhur me këtë lajm, reagoi dje edhe vetë Kryeministri, i cili pasi falënderoi ata që u shqetësuan për të bëri të ditur se kjo dhimbje jo serioze i vjen për shkak të mungesës së stërvitjes së përditshme. “Shumë faleminderit kujt shqetësohet për shendetin tim po 1.S’kam asgjë serioze 2.Kam neglizhuar këto javë nje gjë shumë serioze: 30 minutat e stërvitjes”.

 

Kreu i PD-së/ Basha: Shqiptarët më të varfër se një vit më parë, vajmedeti lufton qytetarët dhe bizneset

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, deklaroi dje se shqiptarët janë sot më të varfër se një vit më parë. Sipas tij, papunësia dhe pamundësia ekonomike po godasin mijëra familje, ndërsa numri i shqiptarëve azilkërkues dhe vetëvrasjet janë dyfishuar. Në postimin në rrjetin social “Facebook”, Basha shkruante: “Vendi ka mbetur pa qeveri të vërtetë dhe se vajmedeti cicëron i gëzuar për falimentimin e biznesit të vogël familjar”. Në fund të komentit të tij, kreu i PD-së thekson se kryeministri në vend që të luftojë varfërinë ka zgjedhur të luftojë shqiptarët, pronat dhe bizneset e tyre.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency