Standard.al

Arsyet përse ka ndryshuar kreditimi në Shqipëri

kreditimi në ShqipëriShqipëria, ashtu si vende të tjera që ndryshuan regjimet e tyre nga ekonomi të qendërzuara në ekonomi tregu, u përball me një sërë ndryshimesh dhe sfidash ekonomike, politike dhe sociale pas viteve ‘90. Midis të tjerash, një nga tiparet dalluese të vendeve në tranzicion është ndërmjetësimi i ulët financiar dhe përdorimi i pakët i shërbimeve bankare. Gjithashtu, sistemi financiar në pjesën më të madhe të tij përbëhet nga bankat, ndërsa institucionet e tjera financiare luajnë një rol të papërfillshëm. Në vitet e para të tranzicionit, bankat që operonin në atë kohë në Shqipëri, mbanin nivele të larta të cash-it dhe filluan ta shihnin investimin afatshkurtër në letra me vlerë të qeverisë, si formën më të mirë dhe më të sigurt të investimit. Mosdhënia e kredive ishte pasojë e pasigurive në zbatimin e kontratave, mungesës së informacionit rreth huamarrësve potencialë, por edhe e një situate të vështirë makroekonomike që mbizotëronte në ato vite. Megjithatë, në gjysmën e parë të viteve 2000, situata filloi të përmirësohet dhe gradualisht këta aktorë të tregut bankar, i këmbyen investimet e tyre pa risk (që konfirmonin qëndrimin e tyre risk-kundërshtues), me një kreditim masiv. Me investimet e reja të bankave të huaja dhe privatizimin e bankave shtetërore, niveli i konkurrencës u rrit dhe bankat filluan të “luftonin” për të rritur pjesën e tregut në kredi dhe depozita. Për pasojë, konkurrenca në tregun e kredisë u shfaq kryesisht në zhvendosjen e investimeve nga letrat me vlerë të qeverisë drejt huave për klientët e tyre, pra duke rritur kështu me ritme shumë të shpejta portofolin e kredive. E gjithë kjo “lakmi” për të fituar pjesë tregu, u shoqërua me nënvlerësim të riskut të kreditimit, duke lehtësuar standardet e huadhënies dhe duke mbivlerësuar kapacitetet paguese të klientëve të tyre.

 

Zhvillimi

Më pas, edhe sistemi bankar shqiptar u vendos nën presionet e krizës globale dhe ritmi i kreditimit ndryshoi, duke i bërë bankat më konservatore në miratimin e kredive dhe huamarrësit më të pasigurt për aftësitë e veta paguese. Ky studim synon të analizojë sjelljen e kreditimit kryesisht që nga viti 2004, dhe përpiqet të identifikojë dy sjellje të ndryshme, para dhe pas krizës. Ai rendit disa arsye të mundshme që qëndrojnë pas këtyre sjelljeve dhe më pas ofron një analizë për periudhën e rritjes së shpejtë të kredisë në vitet 2004-2008, si dhe për ngadalësimin e kreditimit në vitet që pasuan krizën financiare globale. Pas këtyre analizave, punimi arrin të identifikojë një nivel ekuilibër të raportit kredi/PBB që do të përbënte edhe një potencial të mundshëm ku duhet të jetë kreditimi i ekonomisë shqiptare. Për vendet në zhvillim, vlerësimi i një niveli ekuilibër është i vështirë, pasi rritja e kreditimit dhe shmangia nga ekuilibri i tij afatgjatë mund të jetë pjesë e procesit konvergjues. Për më tepër, sjellja e kreditimit ka ndryshuar që pas fillimit të krizës financiare globale, dhe frenimi në rritjen e tij mund të jetë shkaktuar si nga ngadalësimi në rritjen ekonomike (pasojë e krizës), por edhe nga arritja e potencialit të mundshëm (pikës ekuilibër të kreditimit). Ky studim, synon t’iu japë përgjigje pikërisht këtyre pyetjeve. Nëpërmjet identifikimit të një benchmark-u natyral që ofrohet nga një panel vendesh, do të vlerësohet niveli ekuilibër afatgjatë i kreditimit për Shqipërinë. Por vlen të përmendet se, megjithëse kjo metodë shërben për identifikimin e një niveli normal kreditimi, nuk tregon sa shpejt një vend mund të lëvizë drejt atij niveli.

 

Arsyet dhe rreziqet që shoqëruan rritjen e kreditimit

Thellimi i ndërmjetësimit financiar: Zhvillimet e sistemit financiar në përgjithësi dhe të atij bankar në veçanti (ku përmenden privatizimi i bankës më të madhe në vend, hyrja e bankave të huaja, apo edhe krijimi i bankave të reja, të cilat filluan të “luftojnë” për pjesë tregu) do të shkaktonin rritjen e ndërmjetësimit financiar dhe zbutjen e kushteve të kreditimit. Bankat e zgjeruan gamën e produkteve të kredisë që ofronin, duke iu dhënë klientëve mundësinë e zgjedhjes midis llojeve të ndryshme të huasë, me kushte dhe kërkesa të ndryshme.

 

Procesi konvergjues

Zgjerimi i kreditimit, duke nisur nga nivele pothuajse të papërfillshme, ishte një proces normal dhe i pritshëm, në kushtet kur Shqipëria kaloi nga një vend me ekonomi të centralizuar drejt asaj të tregut. Kjo rritje ishte e pritshme edhe në kuadrin e synimeve për t’u integruar dhe konvergjuar me vendet e zhvilluara. Efekti pasuror: Rritja e shpejtë e çmimeve të pasurive të paluajtshme u rriti klientëve të bankave besimin se një investim në pasuri të paluajtshme (megjithëse i financuar me kredi), ishte një investim i mirë dhe fitimprurës. Kjo gjë çoi në rritjen e kërkesës për kredi hipotekore dhe të volumit të saj, në portofolin e kredive të bankave. Sipas Raportit Vjetor të Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë (2007), “…blerja e një shtëpie nga shumë individë, në kushtet e mungesës së një tregu kapitalesh, shikohet si një mundësi e mirë investimi”.

 

Kursi i këmbimit

Qëndrueshmëria e kursit të këmbimit, iu krijoi huamarrësve iluzionin e sigurisë dhe iu dha mundësinë të merrnin kredi në valuta të huaja (sidomos në euro), duke mos u rrezikuar në atë periudhë, nga ndryshimet në kursin e këmbimit. Huamarrësit ishin të prirë të merrnin kredi në valuta të huaja (sidomos në euro), kryesisht për arsyen se normat e interesit të këtij lloji kredie ishin më të ulëta. Gjithashtu, për huamarrësit individualë qëllimi i marrjes së kredisë në valutë ishte kryesisht për blerje banesash (çmimet e banesave shprehen në valuta të huaja) dhe për bizneset, për tregti me vende të tjera (transaksionet e të cilave realizoheshin në valuta të huaja). Efektet negative të kësaj huamarrje (në rastet kur huamarrësit ishin të pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit) u konkretizuan pas vitit 2008, kur aftësia paguese e tyre u ul si pasojë e forcimit të monedhës në të cilën kanë marrë huanë.

 

Punësimi dhe të ardhurat

Rritja e punësimit dhe pritshmëritë për të ardhura më të larta, bënë që huamarrësit (sidomos ata individë), të marrin më shumë hua, me shpresën se do i shlyenin në të ardhmen, kur situata e tyre financiare të ishte edhe më e mirë.

 

Agregati M3

Rritja e parasë së gjerë (rritja e agregatit M3) me mesatarisht rreth 12% në terma vjetorë në vitet 2003-2008, ndikoi pozitivisht në aftësitë e bankave për të kredituar klientët e tyre.

 

Normat e interest

Megjithë koston e shtrenjtë të huamarrjes, kërkesa për kredi ka qenë e lartë, duke mos u ndikuar negativisht nga normat e interesit. Për më tepër, diferenca e ndjeshme midis normave të interesit të huave në lekë dhe valutë, rriti nivelin e kredive të dhëna në këtë të fundit.

 

Rritja e depozitave

Ritmi i lartë i rritjes së depozitave, pra e burimeve të financimit të bankave, solli edhe rritjen e mundësive për t’i investuar këto fonde në alternativa më fitimprurëse investimi – si për shembull kredia Rritja e spread-eve: Diferencat më të mëdha midis normave të kredive dhe depozitave, shërbyen si nxitje për bankat që të jepnin më shumë kredi, në kohën kur kërkesa për të ishte e lartë dhe ndjeshmëria ndaj normave të larta të interesit ishte e ulët.

 

Efekti crowding in/out

Një tjetër faktor që ka ndikuar pozitivisht në rritjen e kreditimit të sektorit privat ishte edhe konsolidimi fiskal. Rënia në raportin e borxhit të qeverisë ndaj PBB-së, u shoqërua me uljen e peshës së investimit në letra me vlerë të qeverisë nga ana e bankave, duke i zhvendosur fondet në drejtim të huadhënies ndaj sektorit privat (biznese dhe individë). Ndërsa pesha e investimeve në bono thesari në fundin e vitit 2004, përbënte rreth 45% të totalit të aktiveve të sektorit bankar shqiptar, por pjesa e kredive në atë total ishte vetëm 16%. Pas asaj periudhe, peshat e këtyre investimeve këmbyen pozicionet dhe në fund të vitit 2008, pesha e kredive ndaj portofolit total të aktiveve arriti në 47%, ndërsa investimet në bono thesari u ulën pothuajse në 13%. Marrë nga studimi i Bankës së Shqipërisë “Sjellja e kreditimit në Shqipëri: një shenjë Konvergjence apo devijim nga tendenca e vet afatgjatë?”

Comments are closed.