Debati për ndërtimet pa leje/ Rama: Lokal bastesh me lapidar brenda. Basha: Ka 12 vjet që ekzistojnë

0
125

Gëzim Saliu

 Kryeministri: Legalizim shtëpive të njerëzve, jo mejhaneve të “të fortëve” nëpër rrugë

rama-basha Prishja e ndërtimeve pa leje në Tiranë vazhdon të sjellë replika të forta mes Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit, Lulzim Basha. Përmes publikimeve të shpeshta në rrjetin social, kreu i qeverisë shpërndan foto të aksioneve të INUK-ut për prishjen e ndërtimeve pa leje në Tiranë. Kështu, në postimin e djeshëm, Rama paraqiti shembjen e një lokali dykatësh pa leje, i cili kishte përfshirë brenda edhe lapidarin. “Dy kate pa leje lokal qoftesh e bastesh mbi shesh e trotuar dhe me gjithë lapidar brenda mu në mes të Tiranës!”, – shkruante Rama. Ndaj kësaj deklarate, ashtu si edhe më parë, nuk ka munguar reagimi i kryebashkiakut Basha, i cili theksoi se lokali, për të cilin foli kreu i qeverisë, qëndron aty prej 12 vitesh. Sipas tij, Kryeministri po bën prishje selektive, duke mbështetur, theksoi ai, klientelën që po ndërton pa leje nga Veriu në Jug. “Ky dykatëshi që “zbuloi” sot ish-kryetari 11-vjeçar i Bashkisë ka 12 vjet që qëndron aty. I lejoi 11 vjet të mbijnë në rrugë e trotuare përkundrejt tarifës korruptive… sot krekoset si gjeli majë plehut se po i prish… pa krijuar asnjë vend të ri pune, asnjë shpresë për të ardhmen. Vetëm mjerim, shkatërrim dhe propagandë bajate. Ndërkohë, klientela e tij ndërton pa leje nga Velipoja në Ksamil”, – u shpreh Basha. Ndërkaq, lapidari i gjetur dje në aksionin e INUK-ut ndodhej në rrugën me të njëjtën emër “Mine Peza” përballë komisariatit numër 3.

 

Ndërtimet pa leje

Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ka nisur ditë më parë aksionin në kryeqytet për prishjen e rreth 700 objekteve të ndërtuara pa leje në rrugët e Tiranës, ku ka paralajmëruar se aksioni do të vijojë deri në çlirimin e plotë të hapësirave publike në të gjitha rrugët e kryeqytetit. Lidhur me këtë aksion, Kryeministri Rama, duke u marrë me procesin e legalizimit, tha se do të përfshihen në të të gjitha shtëpitë e njerëzve, dhe jo ato që ai i cilësoi si mejhanet e “të fortëve” nëpër rrugë. “Jam në proces legalizimi, thonë shpesh këta, por legalizohen shtëpitë e njerëzve, jo mejhanet e “të fortëve” nëpër rrugë”, – shkruante kreu i qeverisë. Ndërkaq në takimin e zhvilluar me punonjësit e ALUIZNI-t pak ditë më parë, kreu i qeverisë theksoi se nuk do të ketë proces legalizimi për ata që kanë zënë trotuaret dhe zaptuesit e territorit për qëllime përfitimi. Nga ana tjetër ai premtoi legalizim falas për banesat e përdorura për strehim, por theksoi se nuk do të legalizohet asnjë ndërtesë e ngritur për qëllime fitimi buzë rrugës apo në ambiente të tjera publike. Me ligjin e ri të miratuar nga mazhoranca pranverën e shkuar për legalizimet, përjashtohen nga procesi edhe ata persona që kanë ndërtuar pas vitit 2009. Përjashtimi, sipas ligjvënësve, vjen për shkak se në këtë vit u bënë edhe ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, ku ndërtimet pa leje u cilësuan si vepër penale. Nga ana e saj, opozita e ka cilësuar si mashtrim premtimin e qeverisë për legalizime falas, pasi, sipas saj, në të vërtetë qytetarët po paguajnë edhe më shumë sesa kanë paguar më parë për të përfituar tapinë e banesës. Po ashtu, PD ka akuzuar qeverinë edhe për aksionin e prishjeve të ndërtimeve pa leje, duke e cilësuar si selektiv.

 

 Reagimi/ PD: Qeveria po i trajton studentët si emigrantë të paligjshëm

Partia Demokratike akuzon qeverinë se po i trajton studentët si emigrantë të paligjshëm. Në një deklaratë publike nga selia blu, deputeti i kësaj partie, Luçiano Boçi, u shpreh se qeveria po i sorollat studentët nëpër dyer dhe nuk u jep sqarim. “Qeveria po trajton mijëra të rinj studentë, si emigrantë të paligjshëm, duke i sorollatur nëpër dyer ku nuk marrim sqarim për të ardhmen e tyre. Mijëra studentë të universiteteve private dhe familjet e tyre po përjetojnë sot ditë ankthi, pasi falë qeverisë, nuk kanë asgjë të sigurtë për të nesërmen e tyre akademike. Në mijëra raste, qeveria po fshin me një të rënë të lapsit deri në 3 vite investime të studentëve, kursime gjaku dhe djerse të familjeve të tyre. Dhe kjo sepse, me një pashpirtësi të pashoqe, qeveria i shumëzoi ata me zero pas mbylljes së universiteteve private. 3 vite mund, para, dhe studime, shkrumbohen e bëhen hi, sepse Edi Rama ka gatuar çorbën e tij klienteliste të arsimit”, – u shpreh Boçi. Më tej, deputeti demokrat theksoi se mijëra studentë të tjerë nuk po regjistrohen dot në universitetet publike, sepse sipas tij dyert e tyre janë të mbyllura nga kuotat qeveritare të Edi Ramës. “Ne i bëjmë thirrje sot Edi Ramës dhe qeverisë së tij, të ndalin diskriminimin e të rinjve, trajtimin e tyre si emigrantë të paligjshëm e të sigurojë mundësitë për secilin që të ndjekë universitetin sipas krediteve që ka përfituar gjatë viteve të studimit. Partia Demokratike i kërkon Edi Ramës të heqë dorë nga lojërat e tij të pista me të ardhmen e mijëra të rinjve dhe me investimin e gjakut e djersës së familjeve të tyre. Edi Rama dhe qeveria e tij e kanë për detyrë të sigurojnë vazhdimin e studimeve për çdo student që hodhën në rrugë, sipas krediteve që ka deri më tani”, – përfundoi deklaratën deputeti i PD-së Luçiano Boçi.

 

 Energjia/ Berisha: Rama rrit çmimin me 20%, kur premtoi uljen e tij në të njëjtën shifër

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, reagoi dje lidhur me propozimin e Bankës Botërore për rritjen me 20% të çmimit të energjisë. Sipas deputetit demokrat, Kryeministri, ndryshe nga premtimi i tij para zgjedhjeve, po rrit çmimin e energjisë. “Shqiptarët sot paguajnë energjinë me çmim më të lartë se të gjithë të tjerët në rajon. Fundi i këtij viti ishte i parashikuar të niste ulja e çmimit të energjisë, pasi Edi Rama premtoi se do të hiqte TVSH-në për energjinë, pra do te ulte me 20% çmimin e saj, por mashtroi. Ai po rrit me 20% çmimin e saj dhe ka rikthyer për 180 mijë familje shqiptare faturën aforfe, duke i detyruar këto familje të blejnë energjinë me çmim tri herë më të lartë sesa Kryeministri dhe ministrat e tij. Rama po rrit çmimin e energjisë për të mbuluar me paratë tuaja humbjen dhe vjedhjen prej 3.2 miliard dollarë qe ai i shkaktoi vendit me marrëveshjen me CEZ-in si dhe vjedhjet e administratës së tij të pagesave të energjisë nga qytetarët”, – tha Berisha. Më tej, ish-kreu i qeverisë pohoi se rritja e çmimit të energjisë është një barrë tjetër e rëndë mbi supet e qytetarëve shqiptarë, të cilët sipas tij nuk duhet kurrë ta pranojnë. “Protesta dhe vetëm protesta, “Rama ik” është shpëtimi nga kalvari i taksave, varfërisë, papunësisë dhe mjerimit që sjell rritja e tyre!”, – bëri thirrje ai.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency