Vrasja e Dritan Lamaj / Zbulimi i identitetit të dëshmitarit të mbrojtur, SHKB nis hetimet

0
169

fatmir vladi

Emri i Fatmir Vladit u bë publik në media nga i pandehuri Arben Frroku, dëshmitarit iu vendos eksploziv në makinë

Tiranë

Kush e shiti dëshmitarin e mbrojtur Fatmir Vladi te i pandehuri Arben Frroku? Këtë mister pritet ta zgjidhë shumë shpejt SHKB dhe Prokuroria e Tiranës, të cilat kanë nisur hetimin për nxjerrjen e të dhënave të këtij dëshmitari. Shumë shpejt pritet të zbardhet emri i personit që dekonspiroi identitetin e dëshmitarit të mbrojtur nga policia, Fatmir Vladi, i cili deri disa ditë më parë njihej me emrin A.Ndoka. Emri i tij i vërtetë u bë publik pak ditë më parë në media, përgjatë një interviste televizive nga i pandehuri Arben Frroku, të cilin Vladi e ka identifikuar si autorin e vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj. Për këtë arsye, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka nisur menjëherë hetimet për nxjerrjen e të dhënave të dëshmitarit të mbrojtur në procesin gjyqësor të vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj. E paralajmëruar pak ditë më parë edhe nga ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, por edhe nga burime pranë këtij institucioni bëhet me dije se ka pasur një mbledhje të drejtorisë së SHKB-së, e cila ka nisur hetimin mbi publikimin e të dhënave por edhe verifikimin e të gjithë efektivëve të cilët kanë pasur dijeni mbi identitetin e Vladit. Gjithashtu, krahas hetimit nga ana e SHKB-së, edhe prokuroria e Tiranës ka nisur hetime mbi zbardhjen e identitetit të dëshmitarit të mbrojtur. Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se edhe prej tyre kanë nisur hetimet për nxjerrjen dhe publikimin e sekretit hetimor me emrin e Fatmir Vladit, i cili sipas prokurorisë është i mbrojtur me ligj. Hetimi po shtrihet nga grupi i sigurisë, banesa sekrete ku mbahej Vladi dhe deri tek drejtuesit e policisë që kishin në dorë dosjen e tij. Një operacion shumë delikat që synon të gjejë tradhëtarin në radhët e policisë dhe ta vendosë para përgjegjësisë ligjore, që në këtë rast parashikohet shumë e rreptë. Hetim special mësohet se ka nisur dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila e kishte në dorë dëshmitarin për të zbardhur vrasjen e Dritan Lamajt, pasi personi në fjalë ishte i vetmi njeri që pretendohet se ka parë vrasësin teksa qëllonte njeriun e shtetit. Burime nga Prokuroria thanë se po hetohet paralelisht me SHKB që të gjenden fajtorët që me dekonspirimin e emrit të tij i rrezikuan jetën dhe cënuan dosjen e një prej vrasjeve më të bujshme vitet e fundit. Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë është organi kompetent për mbrojtjen e Fatmir Vladit. Kjo drejtori është strukturë e posaçme në drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit dhe miratohet nga ministri i Brendshëm. Opozita dhe kreu i saj e kanë akuzuar ministrin dhe kreun e qeverisë për shitjen e identitetit të dëshmitarit të mbrojtur. “Edi Rama dhe Ministri i tij i Brendshëm janë personat që kanë urdhëruar nxjerrjen në rrugë të zbuluar dhe pa mbrojtje të dëshmitarit të drejtësisë” – tha shefi i opozitës, Lulzim Basha. Për këtë akuzë ka reaguar edhe kreu i Ministrisë së Brendshme, i cili deklaroi në seancën parlamentare të ditës së enjte se “do të zbardhet plotësisht dhe nga një hetim që ka nisur tashmë e që unë pres të nxjerrë çdo detaj për të çuar para drejtësisë”. Ndërkohë që, pak kohë më parë, në automjetin e Vladit policia gjeti një sasi eksplozivi, e cila për fat nuk shpërtheu por që mund t’i rrezikonte jetën dëshmitarit, dëshmia e të cilit konsiderohet nga Prokuroria e Krimeve të rënda kyçe për zbardhjen e vrasjes së Lamajt. Javën e ardhshme pritet që organi i akuzës të paraqesë marrëveshjen e kërkuar nga avokatët dhe gjykata mes Vladit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, dhe më pas të procedohet me dëshminë e tij ballafaquese me të pandehurin Frroku. Një seancë më parë, Vladi mësohet të ketë pritur katër orë në një sallë të gjykatës, në pritje për të dëshmuar, por që ballafaqimi dështoi për shkak të pretendimeve procedurale të ngritura nga avokatët e biznesmenit Frroku. Fatmir Vladi mësohet të jetë personi që ka dëshmuar se ka njohur Frrokun si një nga 3 personat që morën pjesë në ekzekutimin e Lamajt.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency