Pse janë në ulje investimet e huaja direkte?

0
221

invest_729880652

Ervin Kaduku

 –   Tendenca rezulton në rënie në 6-mujorin e parë të vitit 2014, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, përkatësisht me 13.5% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar

 

Gjatë vitit 2013, Investimet e Huaja Direkte në Ballkanin Perëndimor ishin më të pakta se viti paraardhës. Kjo u shoqërua edhe me ulje të vendeve të punës (32%), projekteve (17%) dhe kapitalit të investuar. Sipas të dhënave të monitoruara nga “fDi Markets”, gjatë 2013-s krahasuar me një vit më parë, destinacionet më “top” për tërheqjen e tyre vazhdojnë të mbeten Serbia, Kroacia dhe Bosnjë–Hercegovina. Metjithatë, Shqipëria, sipas të njëjtit burim, regjistroi në këtë periudhë ndryshimin më të madh të IHD-ve dhe rritje të ndjeshme të projekteve të reja ndërtimore, me 63%.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për vitin 2013, Investimet e Huaja Direkte u llogaritën në total në 923 milionë euro, një rekord historik, me një zgjerim prej 24% në raport me një vit më parë. Investimi më i madh u përfaqësua nga blerja e katër HEC-eve që bëri Kurum.

Veçse tendenca rezultoi në rënie në 6-mujorin e parë të vitit 2014, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, përkatësisht me 13.5% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pjesa më e madhe e këtyre investimeve erdhën nga kapitali në rritje i kompanive ekzistuese në vend dhe më pak nga hyrjet e reja. Peshën kryesore e mbajti sektori i hidrokarbureve.

 

Politikat

Në vite, qeveritë shqiptare janë përpjekur fort që të tërheqin investime. Vendi ka 11 zona ekonomike, të lira, të shpallura me ligj. Megjithatë, vetëm tani, parashikohet të dilet me një zonë “pilot”, atë të Spitallës, e cila është me interes për shkak edhe të afërsisë me Portin e Durrësit.

Sektori që po tërheq më shumë vëmendje është ai i energjisë së rinovueshme, për shkak edhe të burimeve të pasura që kemi për prodhimin me anë të ujit apo erës. Shumë investitorë turq dhe kinezë kanë shprehur interes në këtë sektor. Ndërsa sektori i manifakturës gjithnjë ka patur investime të ndjeshme për shkak të kostos së ulët të krahut të punës, në krahasim edhe me vendet e rajonit, por edhe sepse kemi një popullsi të re që mëson shumë shpejt.

Vetëm se investitorët marrin në konsideratë edhe stabilitetin politik në Shqipëri që ka qenë gjithnjë problematik për të huajt.

Maqedonia ka shifra më të larta investimesh se Shqipëria. Ajo ka politika dhe incentiva shumë agresive krahasuar me të gjithë rajonin. Për të arritur fqinjët, po zynohet mbështetja me fonde nga buxheti. Kështu, për herë të parë, Agjencia e Nxitjes së Investimeve të Huaja ka ezauruar të gjithë Fondin e Konkurrueshmërisë dhe atë të Inovacionit, që në total kapin një vlerë prej 250,000 eurosh. Ky është një injektim shumë i rëndësishëm për kompanitë e vogla dhe të mesme e që në total janë 40 ato që kanë përfituar.

Nga ana tjetër, qeveria ka rritur edhe masën e mbështetjes me këto fonde nga 50% në 70% dhe parashikohet që në vitin e ardhshëm ky nivel të rritet edhe më shumë, po kështu edhe vlera.

Së fundmi, me vendim qeverie, u miratua edhe fondi për mbështetjen e grave sipërmarrëse dhe për start-up, që do të jenë shumë të prekshme për përfituesit.

 

Investitorët

Ndonëse shteti grek prej disa vitesh po vuan një krizë të thellë ekonomike dhe borxhesh, ai kryeson në Shqipëri përsa i përket stokut të investimeve të huaja direkte për vitin 2013. Të dhënat janë bërë publike nga statistikat e Bankës së Shqipërisë, e cila ka publikuar tabelën që paraqet stokun vjetor të investimeve të huaja direkte në Shqipëri sipas shteteve dhe aktivitetit ekonomik. Shteti grek mban kryesimin, me një stok të investimeve të huaja prej 1.07 miliardë eurosh në fund të vitit 2013, me një rritje prej 40% në raport me një vit më parë. Investimet kryesore të këtij shteti janë në fushën e telekomunikacioneve.

Në vend të dytë është Kanadaja, me një stok prej 797 milionë euro dhe rritje prej 13% me bazë vjetore, me investime kryesore në fushën e industrisë nxjerrëse (naftës). E treta është Austria, me 378 milionë euro, por me rënie prej 2.2%, në krahasim me një vit më parë, me investime kryesisht në shërbime financiare dhe energji. E katërta është Holanda, me një stok investimesh të huaja prej 350 milionë euro, rritje 17% me bazë vjetore, kryesisht në energji. Më pas renditet Turqia, me 279.3 milionë euro (rritje 19% me bazë vjetore) dhe Gjermania, me stok 107 milionë euro (16% zgjerim në raport me një vit më parë).

 

 

 

Bujqësi, hapet konkursi për dhënie tokash me qira

Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Adminstrimit të Ujërave, ka çelur proçedurat konkurruese për dhënien me qira të sipërfaqes së tokës prej 91.8 hektarë tokë, Komuna Libofsh, Fshati Hadaj, Zona Kadastrale 2443, me nr parcelash 38, 39, 40, 41, 42, 43, 45, 46, 47, Qarku Fier.

Burime nga dikasteri i Bujqësisë bëjnë të ditur se ky proçes ka nisur në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e kritereve, rregullave dhe procedurave të dhënies me qira të tokës bujqësore në pronësi të shtetit”. Ndërsa subjektet e interesuar mund të kërkojnë informacion për proçedurën konkurruese, pranë Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave. Ekspertët sqarojnë se, te interesuarit duhet të paraqesin një ofertë, ku të angazhohen se pranojnë kushtet e përcaktuara në proçedurë konkurruese dhe detyrimet që rrjedhin nga fitimi i proçedurës konkurruese.

Shpenzimet e kryera për të marrë pjesë në proçedurën konkuruese nuk rimbursohen nga Autoriteti Qiradhënës. Ofertat duhet të shoqërohen nga dokumenta ligjorë dhe administrativë origjinalë ose kopje të noterizuar, si provë e kërkesave kualifikuese të përcaktuara dhe të dorëzohen në Ministrinë e Bujqësisë.

Vlera fillestare e qirasë së tokës bujqësore në pronësi të shtetit për hapjen e procedurës konkurruese është 1,318,720 (njëmilion e treqindetetëmbëdhjetëmijë e shtatëqindenjëzet) lek/vit (14,365 lekë/ha/vit). Ofertat me vlerë më të ulët se kjo vlerë fillestare do të skualifikohen.Sigurimi i ofertës, që është në shumën prej 109,893 lekë, të dorëzohet së bashku me ofertën. Asnjë ofertues nuk do të përjashtohet nga pjesmarrja në procedurën e konkurrimit në bazë të shtetësisë. Ministria njofton se, afati i fundit për dorëzimin e ofertave është data 29.10.2014.

 

 

Nis abuzimi me çmimin e duhanit

Dy ditë pasi Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj bëri me dije se Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për rritjen e akcizës së cigareve me 20 lekë, reagimi në treg ka qenë i menjëhershëm.

Edhe pse ligji duhet të hyjë në fuqi më 1 Janar të 2015, nga një vëzhgim i bërë nëpër dyqanet ku tregtohen cigare, rezulton se në pjesë të konsiderueshme të tyre, çmimi i paketave është rritur mesatarisht me 20 lekë. Ky është një abuzim i hapur që bëhet nga shitësit me shumicë dhe pakicë të cigarave, pasi paketat vijojnë të mbajnë pullën e vjetër të akcizës, çka do të thotë se deri në vendosjen e pullës së re me rritjen përkatëse, çmimi në treg nuk duhet të ndryshojë. Ky abuzim rrit fitimet për tregtarët dhe dëmton pa të drejtë qytetarët që konsumojnë duhanin. Ndërsa strukturat shtetërore që janë përgjegjëse për kontrollin e tregut, sikurse janë inspektorët tatimorë, nuk e bejnë detyrën e tyre dhe lejojnë abuzime të tilla në kurriz të konsumatorit, edhe pse të ardhurat nuk shkojnë në buxhet. Përfaqësuesit e qeverisë e kanë justrifikuar ndryshimin e akcizës së cigareve me objektivin e uljes së konsumit.

Por ndërkohë një nga qëllimet kryesore është rritja e të ardhurave në arkën e buxhetit shtetit, pasi për vitin 2014 parashikohet të mblidhen rreth 3.3 miliardë lekë dhe 1,7 miliardë lekë në tre vitet në vijim, nga rritja me 10 lekë për paketë , këto para mbeten jashtë saj. Si bazë për llogaritjen e efekteve, është marrë konsumi vjetor prej 3 600 ton cigare.

 

 

Evropianët, edhe më të pasur

Pasuria e familjeve në Evropë vitin e kaluar ka tejkaluar nivelet e para krizës financiare të vitit 2007, treguan të dhënat nga hulumtimi të cilin e sjell banka zvicerane “Julius Baer”.

Hulumtimi nuk është fokusuar konkretisht në asetet e pasurive reale financiare.

Në 2013, situata e përgjithshme e ekonomive familjare arriti një nivel rekord prej 56 mijë miliardë eurosh (trilionë), duke regjistruar një rritje prej 1.7 për qind në krahasim me anketën e mëparshme të vitit 2012 me titull “Wealth Report Europe”.  Para krizës financiare në vitin 2007, kjo shifër ishte 54.5 trilionë euro. Zhvillimi i pasurisë së vendeve të ndryshon në mënyrë të konsiderueshme nga kriza në vitin 2007, thonë autorët e studimit. Në të njëjtën kohë, pasuria neto e familjeve në Evropë, megjithatë nga viti 2007 deri tani është rritur me 68 për qind në Zvicër, dhe 18 për qind në Gjermani. Por ka disa vende ku ka shënuar rënie. Për shembull, në Spanjë ulja është 28 për qind dhe 23 për qind në Greqi. Sipas raportit, është interesante se 10 për qind e familjeve më të pasura evropiane zotërojnë më shumë se gjysmën e pasurisë së kontinentit të vjetër.

Më shumë se dy të tretat e pasurisë neto e Evropës është shpërndarë vetëm në katër vende: Gjermani 13 trilionë euro, Britani të Madhe 9.6 trilionë, Francë 9.5 trilionë dhe Itali, 8.3 trilionë euro.

Asetet për kokë banori të popullsisë në Evropë mesatarisht sillen prej 167.100 €. E para është Luksemburg me 432.000 euro për frymë, e dyta vjen Zvicra me 394.900 euro, Belgjika me 241,000 euro. Sllovakia dhe Greqia figurojnë në fund të listës me 58.000 apo 33.300 euro për banor. Autorët e studimit parashikojnë se pasuria e familjeve evropiane do të rritet vetëm 40 për qind deri 2019, dhe do të arrijë 79 trilionë euro.

 

 

Nju Jork, pagesë për qeset plastike?

Bota konsumon qindra miliarda qese plastike çdo vit. Aktivistët e mjedisit thonë se ato janë të vështira për t’u ricikluar, përbëjnë shpërdorim dhe dëmtojnë biosferën. Ata duan të ndalohet përdorimi i qeseve plastike ose – siç veprohet në shumë komunitete – të paguhet për to një tarifë. Por industria e qeseve plastike e mbron përdorimin e tyre, duke thënë se njerëzit i ripërdorin ato, ndërsa disa zyrtarë argumentojnë se riciklimi është një çështje përgjegjësie personale dhe nuk duhet të rregullohet me ligj.

Zyrtarë të qytetit të Nju Jorkut thonë se njujorkezët përdorin 5,2 miliardë qese plastike në vit. Ato jepen falas në pothuajse çdo supermarket, farmaci apo dyqane të tjera. Shumë njerëz i preferojnë.

“Kështu amballazhohen gjërat ditët e sotme.”

Por ajo që ndodh me ato qese pasi përdoren është një problem i madh mjedisor, thotë Lilly Belanger e organizatës No Impact Project.

“Ato gjenden në plazhe. Janë pjesë e vorbullave që ngrihen nga stuhitë. Gjenden mbi pemë. Gëlltiten nga gjallesat detare. Dhe kur kjo ndodh, duhet të kujtojmë që ne i hamë gjallesat detare. Ajo që është e keqe për planetin është pothuajse gjithmonë diçka e keqe për ne.”

Qeset plastiket bëhen me anë të produkteve të naftës dhe gazit natyror dhe nuk dekompozohen. Lilly Berenger thotë se ato janë të vështira për t’u ricikluar. Për këtë arsye, bashkia e Nju Jorkut City shpenzon rreth 10 milionë dollarë në vit për të transportuar rreth 100 mijë tonë qese plastike që depozitohen jashtë shtetit të Nju Jorkut.

Avokatja Jennie Romer e organizatës Plastic Bag Laws ndihmon në krijimin e legjislacionit vendor dhe shtetëror për t’i ndaluar qeset plastike ose për vënien e një tarife për përdorimin e tyre. Ajo thotë se gati 150 qytete amerikane e kanë bërë këtë, me rezultate pozitive.

“Në Uashington, një pagesë prej 5 për qind për çdo qese një-përdorimshe çoi në një ulje prej 60 për qind të përdorimit të tyre, ndërsa në Los Anxhelos, në Kaliforni, ndalimi i qeseve plastike dhe një pagesë prej 10 centë për qese letre çuan në një ulje prej 95 për qind të përdorimit të përgjithshëm të tyre.”

Në Nju Jork, aktivistë të mjedisit dhe disa anëtarë të këshillit bashkiak propozojnë një ligj për një pagesë prej 10 centësh për çdo qese plastike. Kjo është diçka e tepruar nga ana e qeverisë, thotë Mark Daniels i Aleancës Progresive të Qeseve, një grup që merret me tregtinë në këtë industri. Ai foli me anë të Skype-it.

“Është gjithashtu përgjegjësia jote personale. Nëse je në një dyqan, dhe ble një pako çamçakëzash dhe një Cola, nuk të duhet patjetër një qese plastike. Mund ta refuzosh.”

Jennie Romer thotë se zakonisht njerëzit nuk refuzojnë diçka që i shërben dhe është falas.

“Por me një pagesë prej 10 për qind për çdo qese, ka më shumë gjasa që konsumatorët të mendohen nëse kanë vërtetë nevojë për të apo jo. Dhe kjo është ajo që janë duke bërë këto ligje.”

Mark Daniels thotë se shumica e njerëzve i ripërdorin qeset plastike në shtëpi dhe kufizimi i përdorimit të tyre do t’u kushtonte njerëzve vende e pune në sektorin e prodhimit të qeseve plastike dhe në qendrat e riciklimit.

Grupet mjedisore po punojnë me ngut të propozojnë referendume për tarifa mbi qeset plastike në sa më shumë vende dhe para ligjvënësve bashkiak dhe shtetëror, ndërkohë që qeveria federale raporton një rritje dramatike të numrit të qeseve plastike që amerikanët përdorin çdo vit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency