Standard.al

Mbyllen hetimet / Abuzimi me 16 leje ndërtimi, 7 zyrtarë të komunës Rrashbull në gjyq

web-gjykata e dr1

Sonila Mesareja

Në burg edhe kryekomunari Gashi, akuza për dhënie leje dnërtimi në brezin e rërës në zonë  e Shkëmbit të Kavajës

Shtatë zyrtarë të komunës të Rrashbullit në Durrës, mes të cilëve edhe vetë kryekomunari, janë dërguar për gjykim për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” në dhënien e lejeve të ndërtimit në brezin e rërës në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Sipas Prokurorisë së Durrësit, 4 prej këtyre zyrtarëve, përfshirë edhe kryetarin e Komunës, janë hetuar në masë sigurie “arrest me burg”, të caktuar nga gjykata në korrik të këtij viti. Sipas hetimit të akuzës së qytetit bregdetar, rezulton se zyrtarët e komunës, përkatësisht Hysen Gashi, Viktor Ndreka, Vasil Gjoni, Sabri troci, Erifili Theollari, Nevjana Isufi dhe Fatjon Aliaj, të gjithë anëtarë të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Komunës, kanë dhënë leje në të paktën 16 praktika në mënyrë abuzive, duke shpërdoruar detyrën me veprime konkrete dhe me pasoja të rënda për territorin dhe mjedisin. Në përfundim të hetimeve, prokuroria ka krijuar bindjen e arsyeshme se zyrtarët e komunës Rrashbull kanë konsumuar elementët e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës. Shtetasit për të cilët është kërkuar gjykimi, janë:

Hetimi

Nga hetimi ka rezultuar se më datë 22.09.2013 është konstatuar se në vendin e quajtur pranë “Shkëmbit të Kavajës” në një objekt 10 kate, po ndërtohej një kat shtesë. Në funksion të këtij njoftimi është këqyrur vendi i ngjarjes dhe ka rezultuar se objekti ishte 10 kate dhe mbi katin e 10 të ndërtesës, në të gjithë hapësirën gjendej një armaturë me skela dhe dërrasa me qëllim ngritjen e katit të 11-të. Gjithashtu, mbi katin e 10 të ndërtesës është gjendur dhe një vinç i cili përdorej për ngritjen e materialeve të ndërtimit. Sipas të dhënave të Komunës Rashbull, rezultoi se ndërtimi kishte filluar në bazën e vendimit nr. 1 datë 21.03.2011, të KRRT pranë Komunës Rashbull- Durrës, për objektin “Godinë 8 kat (kati përdhe lokal + 7 kate banim) + Garazh” në një truall me sipërfaqe 600 m2 me koeficient shfrytëzimi 68.8% në favor të subjektit ndërtues “E…..” sh. p. k. Sipas dokumentacionit të administruar rezulton se pa mbaruar akoma ndërtimi i dhënë për lejen e parë dhe pa u marrë në dorëzim objekti, subjekti ka kërkuar pranë KRRT-së së Komunës ri-kondicionim të sheshit dhe të lejes së ndërtimit duke shtuar sipërfaqen e sheshit dhe të volumit të ndërtimit. KRRT e Komunës në me vendimin nr. 2, datë 28.09.2011 ka lejuar  “Ri-kondicionim i lejes dhe sheshit të ndërtimit për godinë 8 kat + 1 kat Garazh + shtesë anësore 8 kat + bodrum” në favor të subjektit ndërtues “E……” sh. p. k, duke shtuar sipërfaqen  e sheshit  të ndërtimit nga 600 m2 në 800 m2 dhe sipërfaqen e ndërtimit në 621 m2, më koeficient shfrytëzimi të gjithë sipërfaqes së dytë 62 %. Pra konstatohet se subjekti nuk ka respektuar lejen e dhënë duke shtuar sipërfaqe ndërtimore si në lartësi dhe në hapësirë, shkelje të legalizuara nga KRRT e Komunës Rashbull. Sipas tabelës fotografike të vendit të ngjarjes është konstatuar se ndërtimi si ai me leje dhe shtesa për të cilën është dhënë leje rreth 6 muaj më vonë, po kryhej në brezin e rërës. Konstatohet se nga përfaqësues të strukturave të Urbanistikës dhe të KRRT, kishte shkelje ligjore si në aspektin ligjor të së drejtës për të dhënë leje ndërtimi dhe në aspektin e pranimit dhe më pas administrimit të dokumentacionit, si dhe mbikëqyrjes së fazave të ndërtimit.

Shkeljet

Në funksion të hetimit i është kërkuar Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit nëse zona në fjalë ka një studim urbanistik të miratuar nga KRRTSH. Në përgjigjen e saj nr. 158/2 date 07.02.2014 është konfirmuar se zona në fjalë ka qenë objekt studimi sipas vendimit nr. 9 date 07.05.2005 i KRRTRSH “Për miratimin e masterplanit të unifikuar te zonës turistike Shkëmbi i Kavajës – Mali i Robit Kavaje. Vendimi i mësipërm është revokuar me vendimin nr. 5 datë 05.12.2005 i KRRTRSH “Për revokimin e disa vendimeve te KRRTRSH. Për më tepër thuhet në këtë shkresë se në këtë zonë në zbatim të akteve të mësipërme KRRTSH me vendimin Nr. 16 datë 07.05.2005, për shkak se disa vendime të KRRT së Komunës Rashbull, nuk ishin marrë në përputhje me aktet e mësipërme ka revokuar disa vendime për leje sheshi dhe leje ndërtimi, si më poshtë: -Vendimi nr. 4 datë 25.11.2004 i KRRT së Komunës Rashbull për miratimin e lejes së ndërtimit për objektin “Godinë biznesi katër kat + papafingo + garazh”, për subjektin ndërtues “P…..”. -Vendimi nr. 3 datë 06.10.2004 i KRRT së Komunës Rashbull për miratimin e lejes së ndërtimit për objektin “Godinë banimi 6 kat + papafingo + garazh”, për subjektin ndërtues “E……”. -Vendimi nr. 4 datë 25.11.2004 i KRRT së Komunës Rashbull për miratimin e lejes së ndërtimit për objektin “Godinë banimi 6 kat + papafingo + garazh”, për subjektin ndërtues “E……”. -Vendimi nr. 3 datë 06.10.2004 i KRRT së Komunës Rashbull për miratimin e lejes së ndërtimit për objektin “Banesë 3 kat + papafingo+3 kat nëntokë”, për subjektin ndërtues “En……..”.

Vendimi i KRRTSH-së

Në zbatim të Vendimit të KRRTSH nr. 4, datë 01.06.2006 është miratuar detyra e projektimit të Zonës për Zhvillimin e Turizimit Rrashbull – Golem – Karpen. Detyra e projektimit kishte si objektiv që të parashtrojë problematikat dhe të dhënat e nevojshme për të realizuar studimin e integruar të zonës me një vizion të qartë për një zhvillim të qëndrueshëm turistik dhe urban për të përballuar zhvillimin e zonës pa kompromentuar resurset dhe avantazhet e saj.  Në përfundim të studimit është miratuar detyra e projektimit me vendimin nr. 2 date 21.11.2006 i KRRTRSH “Për miratimin e detyrës se projektimit për studimin e integruar te zonës turistike Rrashbull – Golem- Karpen”.  Në piken ”2” te këtij vendimi “ është vendosur “Te mos parashikohen ndërtime ne zonën ne anën perëndimore te rrugës nacionale Durrës – Kavaje ne Zonën e Shkëmbit te Kavajës” dhe në piken “5” është vendosur që; Objektet ne proces ndërtimi të trajtohen sipas kritereve te përcaktuara ne Lidhjen nr 1 pjesë e këtij vendimi. Ne lidhjen nr.1 piken ”3” te saj është përcaktuar “Te pezullohet dhënia e lejeve te reja te ndërtimit deri ne miratimin e Studimit te ri urbanistik te zonës turistike Rrashbull – Golem – Karpen”.

Zbulimi

Ne vazhdim të hetimeve është sekuestruar procesverbali i mbledhjes së KRRT së Komunës Rashbull. Nga këqyrja e këtij dokumenti është konstatuar se KRRT- ja, e kësaj Komune kishte dhënë dhe leje të tjera në kundërshtim me kriteret ligjore të përshkruara më sipër ku nga ana jonë është proceduar me sekuestrimin e 15 praktikave, për ndërtime në zonën “Shkëmbi Kavajës” Durrës, në anën perëndimore të rrugës nacionale Durrës – Kavajë në Zonën e Shkëmbit të Kavajës. Ndërkohë që zona turistike pranë Shkëmbit të Kavajës, ka një studim urbanistik të kësaj zone të miratuar me vendimin nr. 30 date 17.04.1996 “Për studimin urbanistik pjesor te zonës se Shkëmbit të Kavajës” KRRTRSH. Studimi është konceptuar mbi bazën e parcelave me sipërfaqe 600 m2 (30x20m) për ndërtimin e vilave të pushimit duke ruajtur një brez rëre me gjerësi 30 m. Rregullorja e zbatimit të studimit, si pjesë e tij përcakton kondicionet urbanistike për këtë zonë. Koeficienti i shfrytëzimit të territorit është parashikuar në masën 45 %, si dhe ne piken 4-tër të këtij vendimi është parashikuar te ruhen lartësitë e ndërtesave jo me shumë se 2-3 kate. Kryetari i Komunës, megjithëse nuk kishte të drejtë të jepte leje ndërtimi në pjesën poshtë rrugës, ka kryer dhe shkelje të tjera në aspektin e krijimit të strukturës së këshillit teknik dhe KRRT. Bazuar në nenin 17 të Ligjit nr. 8405 datë 17.09.1998 “Për urbanistikën” të ndryshuar, është parashikuar numri i anëtarëve dhe pozicionet e tyre. Në kundërshtim me aktet e mësipërme ka vepruar kryetari i komunës i cili me urdhrin nr. 4 datë 12.04.2010 ka emëruar anëtarët e KRRT, të cilët përbëhen nga 10 veta. Me urdhrin nr. 30, datë 13.12.2010, janë bërë ndryshime të dy anëtarëve duke vendosur shtetasit Vasil Gjoni dhe Sabri Troci, të cilët ishin të punësuar pranë zyrës së urbanistikës së komunës. Me urdhrin nr. 10, datë 03.03.2011 rezulton të jetë emëruar jurist pranë sektorit të urbanistikës ligjore. Në procesverbalin e mbledhjes së KRRT kanë nënshkruar Hysen Gashi, Viktor Ndreka, Indrit Hamiti, Erifili Theollari, Sabri Troci, Nevjana Isufi, Vasil Gjoni dhe Fatjon Aliaj. Nga këto akte rezulton që dy anëtar Indrit Hamiti dhe Nevjana Isufi, janë emëruar si specialist të jashtëm (arkitekt) nga kryetari i Komunës, ndërsa anëtarët e tjerë janë punonjës të komunës pranë urbanistikës, në cilësinë e specialistëve. Konstatohet se në mbledhje kanë marrë pjesë 8 anëtar, për të cilët nuk ka urdhër për emërimin e tyre për vitin 2011. Edhe nëse do t’i referoheshim urdhrit të vitit 2010, rezulton se disa prej tyre nuk kanë urdhër për emërimin e tyre në KRRT (Fatjon Aliaj) apo urdhër për largimin e disa të tjerëve (K Çepele, R. Tusha dhe N. Xhelili), si dhe nuk ka një strukturë të këshillit teknik për të bërë filtrimin e kërkesave përpara se dosja të kalonte në KRRT, si më pas relatimin në KRRT.

Të pandehurit

  1. Hysen Gashi, Kryetar i Komunës Rrashbull (kryetar i KRRT) – arrest me burg
  2. Viktor Ndreka, Drejtues i Njësisë së Urbanistikës – arrest me burg
  3. Vasil Gjoni, anëtar i KRRT, Komuna Rrashbull – arrest me burg
  4. Sabri Troci, anëtar i KRRT, Komuna Rrashbull – arrest me burg
  5. Erifili Theollari, anëtar i KRRT, Komuna Rrashbull – detyrim paraqitje
  6. Nevjana Isufi, anëtar i KRRT, Komuna Rrashbull – detyrim paraqitje
  7. Fatjon Aliaj, anëtar i KRRT, Komuna Rrashbull – detyrim paraqitje

 

Comments are closed.