Standard.al

Festohet Kurban Bajramin / Mijëra besimtar në shesh, Rama premton Xhaminë e re: Punimet nisin në nëntor

besimtar-euml-t-mysliman-euml-mbushin-sheshin-e-tiran-euml-s-hd

Florenc Drizari

Ish-kryeministri, Sali Berisha: Rama mashtroi miliona besimtaret musliman shqiptar kur deklaroi se ka zgjidhur problemin e ndertimit te Xhamisë

Në ditën e kremtimit të festës së Kurban Bajranit, Kryeministri Edi Rama, premtoi nisjen e ndërtimit të Xhamisë së Namazgjasë në muajin nëntor. Këtë deklaratë Rama e bëri në rrjetin social “Facebook”, pas vizitës që pati bashkë me bashkëshorten e tij, Linda Rama, në Komunitetin Mysliman për festën e Kurban Bajramit.

Ndërtimi i Xhamisë së madhe është një lajm i shumë pritur nga besimtarët mysliman, ndërsa prej disa viteve krerët e politikës shqiptare kanë premtuar ndërtimin e saj, por pa mundësuar të realizojnë premtimet e tyre. Më herët për ndërtimin e Xhamisë ka pasur edhe përplasje politike mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, lidhur me projektin dhe vendin e ndërtimit. Kryeministri Rama ka theksuar se Xhamia e Namazgjasë do të ndërtohet pa objekte të tjera rreth saj, ndryshe nga sa parashikonte projekti i mëparshëm. Por ky qëndrim ka ndeshur në replikat e disa prej përfaqsuesve të opoztës, të cilët i quajnë mashtrime premtimet e tij.

Berisha

Pas dhënies së lajmit se ndërtimi i Xhamisë së Namazgjasë do të fillojë brenda muajit nëntor, ish-kryeministri Sali Berisha e quajti mashtrimin e radhës të kreut të ekzekutivit që i bën komunitetit mysliman në Shqipëri që prej 11 vitesh.

Në një shkrim të postuar në rrjetin social “Facebook”, Berisha ka shkruar se gjatë vizitës që Rama pati në Komunitetin Musliman, mashtroi miliona besimtaret musliman shqiptar kur deklaroi se ka zgjidhur problemin e ndertimit te Xhamisë. Berisha thotë se ka qenë vetë Rama që bllokoi një vit më parë projektin, duke prishur marrëveshjen midis Komunitetit Musliman dhe pronareve “bujare e fisnik qe i dhuronin 5 mije m2 truall ne kembim te nje leje ndertimi te nje objekti qe pershtatej plotesisht me Xhamine”.

Duke renditur disa nga arsyet se përse ndërtimi i Xhamisë së re u shty për kaq vite, Berisha shkruan: Ndërtimin e Xhamisë së madhe të Tiranës Rama e bllokoi duke mos dhënë leje për 11 vite sa që kryetar bashkië. Me largimin e tij, Bashkia e Tiranës, Komuniteti Musliman, pronarët e Tiranës të një siperfaqe të madhë trualli tek Namasgjaja, arritën marrëveshjen dhe u inagurua fillimi i punimeve të Xhamise së madhë. Rama tallet dhe me cinizëm mashtron Komunitetin Musliman kur thotë se e ka zgjidhur problemin e ndërtimit të Xhamisë së madhe që ai vetë e prishi, sepse në të vërtetë nuk ka zgjidhur asgjë. Ai zotohet se me shtetëzim do iu marrë tokën pronarëve.

Ky është vetëm bllofi i tij i radhës”,-thotë Berisha. Sipas tij, kjo vjen sepse pronaret e truallit te dhuruar kanë fituar gjyqin me Ramën. “ Xhamia, nuk është thertore as dhe tregtore apo urë, por institucion i shenjtë kulti që mund të ndërtohet vetëm mbi truall hallall dhe jo kurrë mbi truall të shtetëzuar forcërisht nga shteti. Tani pritet vetëm kur të nxjerrë mashtrimin e ri për Xhaminë dhe ajo të mos ndërtohet për sa kohe ai të jetë në pushtet. “RAMA IK” është zgjidhja e vetme e shpejtë për Xhaminë e madhë të Tiranës!”,-shkruan Berisha në profilin e tij në rrjetin social.

Më herët, Kryeministri Edi Rama, me rastin e festës së Kurban Bajramit kreu vizita edhe në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve. Teksa ka takuar Kryegjyshin Botëror, Edmond Brahimaj, duke e uruar për këtë ditë të bekuar, Rama pa nga afër godinën e re të Kryegjyshatës, e cila pritet të vijoi nga ndërtimi.

 

 

Presidenti Nishani uron besimtarët për kurban bajramin

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, uroi dje të gjthë besimtarët mysliman me rastin e festës së Kurban Bajramit. “Këtë Kurban Bajram e festojmë fill pas vizitës historike të kreut të botës së besimit tjetër, besimit katolik, gjatë së cilës Ati i Shenjtë dhe bota mbarë vunë theksin mbi një nga vlerat tona kombëtare më të çmuara, tolerancën fetare, respektin reciprok për besimin e tjetrit, paqen mes njerëzve me besim të ndryshëm. Që secili të mbrothësohet, që vendi të begatohet, që paqja të mos rrezikohet, ta festojmë edhe këtë Kurban Bajram si e kemi festuar gjithmonë, duke lënë mënjanë mëritë, duke iu larguar sherreve, duke u afruar, duke u respektuar, duke u vëllazëruar, duke u ndihmuar. Gëzuar personalisht dhe institucionalisht prej meje në këtë ditë të Jashtëzakonshme!  Gëzuar t’i themi gjithashtu njëri-tjetrit në këtë ditë feste për të gjithë!”- thuhet në urimin e Presidenti Nishani.

 

Uron Kurban Bajramin nga qyteti i Kavajës

Kreu i PD-së, Lulzim Basha: Do të dimë të ndalim prap të keqen

Në ditën e festës së Kurban Bajramit, kryetari i Partisë Demokratike uroi besmitarët muslimanë nga qyteti i Kavajës. Ky Kurban Bajram tha Basha, e gjen Shqipërinë me themele të tronditura të ekonomisë, me mijëra familje që vuajnë nën peshën në rritje të varfërisë. Kreu i PD-së, uroi që festa e Kurban Bajramit të jetë një ditë reflektimi për t’iu larguar rrugës së urrejtjes dhe të konfliktit.

“Shpreh bindjen se e keqja i ka këmbët e shkurtra dhe kohën e shkurtër, se me ndihmën e Zotit të madh, me ndihmën e qytetarëve shqiptarë, që duan përparimin, që nuk duan konfliktin, nuk duan përplasjen, nuk duan shkatërrimin, do të dimë ta arkivojmë edhe atë pjesë të kaluarës që sot na rikthehet me petkun e rremë të së ardhmes. Ajo nuk është e ardhmja, ajo nuk është as e sotmja. Ajo është e djeshmja. E djeshmja e ka vendin në arkiva, e djeshmja e ka vendin në gropën e zezë të historisë.

Me kavajasit, këtë popull të qytetëruar të traditës, të virtyteve më të mira të shqiptarit, që i priu qytetarisë shqiptare në rrugën e çlirimit prej zgjedhës më të mynxyrshme  që kishim njohur, me rininë kavajase, me shqiptarët e lirë të djathtë e të majtë, anembanë Shqipërisë, do të dimë ta ndalim prapë të keqen, do të dimë të përqafojmë të ardhmen”,-deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Vizita e tij në Kavajë vjen edhe pas “incidenteve” të krijuara për prishjen e monumentit të demokracisë nga ana e INUK-ut. Për këtë ngjarje pati reagime nga qyetarët e Kavajës si dhe nga deputetët e opozitës, të cilët akuzuan Kryeministrin Rama se po tenton të heqë simbolet e shembjes së komunizmit.

 

 

Comments are closed.