VIZITA NË SERBI/ Pritet 22 tetori, Zbardhen detaje nga takimi i Ramës-Vuçiç

0
124

Florenc Drizari

 “Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pritet që më 22 tetor të zhvillojë një takim zyrtar në Serbi. Ky do të jetë takimi i parë që një zyrtar i lartë i Shqipërisë do të bëjë në Serbi, qysh nga viti 1948”.

Rama_Vucic Rreth tri javë para vizitës së Kryeministrit Edi Rama në Serbi, prestigjiozja amerikane “The Washington Post” zbardh disa nga detajet e takimit. “Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pritet që më 22 tetor të zhvillojë një takim zyrtarë në Serbi. Ky do të jetë takimi i parë që një zyrtar i lartë i Shqipërisë do të bëjë në Serbi, qysh nga viti 1948. Ndonëse një takim i përfolur shumë herë ky i Kryeministrit Rama, pritet që një nga temat e diskutimit të jetë dhe kërkesa që do i bëhet Beogradit zyrtar për të njohur Kosovën, citon prestigjiozja “The Washington Post”.

Në këtë artikull theksohet se ministri i Jashtëm, Bushati, ka konfirmuar se Kryeministri Edi Rama ka në plan që të vizitojë Beogradin pas tri javësh, ku tema që do të diskutohet gjatë këtij takimi do të jetë kryesisht për shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës në jug të Serbisë.

“Rreth 90 për qind e 35.000 banorëve që jetojnë në Preshevë, janë shqiptarë. Lideri i fundit i Shqipërisë, që ka vizituar Beogradin, ka qenë diktatori komunist Enver Hoxha, i cili ishte takuar me liderin e Jugosllavisë në atë kohë, Josip Broz Tito në vitin 1948. Një vit më pas këtij takimi, marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve, janë prishur”, – shkruan e përditshmja.

Më herët, Kryeministri Edi Rama gjatë një vizite zyrtare që zhvilloi në Kinë, mësohet të ketë pasur një takim edhe me homologun e tij serb, Vuçiç. Edhe pse nuk pati deklarata përkatëse nga të dyja palët, disa media kosovare paralajmëruan këtë takim para se të zhvillohej, duke vënë theksin diskutimi i çështjeve që pritet të jenë në fokus të bisedimeve në Serbi në mesin e muajit tetor.

Lajmin për vizitën e tij në Serbi e ka konfirmuar edhe Kryeministri Rama pak javë më parë në një intervistë televizive, ndërkohë që kjo axhendë u vlerësua edhe nga përfaqësues të BE-së, duke vënë theksin tek zhvillimi i një dialogu të qëndrueshëm mes vendeve të rajonit. Edhe pse për këtë vizitë nuk ka një axhendë zyrtare nga qeveria, detaje të tjera të takimit pritet të publikohen në ditët në vijim, ndërsa në media aludohet se kreu i qeverisë shqiptare do të kërkojë në Serbi njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo njohje është kërkuar edhe nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian dhe jo vetëm, por pala serbe duket se mbetet e palëkundur në qëndrimet e saj për mosnjohjen e Kosovës si shtet të pavarur.

 

 “Elbasan Arena”/ Rama inspekton stadiumin e ri: Gati për në 11 tetor

Kryeministri Edi Rama inspektoi sërish punimet në stadiumin e ri “Elbasan Arena”. Mësohet se Kryeministri është shprehur se stadiumi do të jetë gati për ndeshjen e 11 tetorit. Sipas Ramës, stadiumi i Elbasanit do të jetë i pari stadium në Shqipëri që plotëson gjithë standardet e UEFA-s. “Synimi ynë, të mos të jetë vetëm një stadium futbolli, të jetë edhe stadium olimpik. Pas ndeshjes, do të shtrojmë pistën e parë, të standardeve ndërkombëtare. Elbasani të mikpresë aktivitete rajonale të atletikës”, – ka deklaruar Rama. Më herët ai ka inspektuar punimet bashkë me përfaqësuesit e pushtetit vendor në Elbasan, duke u siguruar se mbarëvajtja e punimeve do të jetë gati për ndeshjen e çeljes së stadiumit ku Shqipëria do të luajë me Danimarkën për eliminatoret e Evropianit 2016. Gjatë ditës së djeshme, Rama në ishte edhe në qytetin e Gramshit, ku inspektoi projektet në kuadër të programit të “Rilindjes së qyteteve”. Rama tha se me ndarjen e re territoriale, Gramshi nuk është më bashkia e mbyllur në një unazë të vogël por një bashki me shumë potenciale në bujqësi, në zhvillimin e turizmit dhe së shpejti, do të fillojnë punimet për rrugën e re që lidh Gramshin me Elbasanin. Gjithashtu ai premtoi se do të nisin punimet edhe për rrugën që lidh Gramshin me Korçën.

 

“Fullani”, Nishani: Nuk isha i informuar për arrestimin

 Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, gjatë një interviste televizive zbardhi disa nga detajet e takimit të tryezës për drejtësinë që pritet të mbahet ditën e hënë mes krerëve të institucioneve shqiptare. Ky takim do të bashkëdrejtohet nga kreu i shtetit dhe ministri i Drejtësisë, ndërsa pritet edhe pjesëmarrja e opozitës pas deklaratave të djeshme të deputetit të PD-së, Eduard Halimi. Ndërkaq, sipas Presidentit Nishani, reforma në drejtësi nuk duhet të vishet me arnime, por ajo duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe ti qëndrojë kohës. “Reforma është një proces i shtrirë në platformë. Secila nga institucionet do të paraqesë pikëpamjet e tij”, – deklaroi Nishani për “UTV News”. Sipas tij, qeveria duhet të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Më herët mes institucionit të Kryeministrisë dhe Presidencës ka pasur përplasje deklaratash në distancë nga krerët e këtyre institucioneve. Kreu i shtetit nga ana e tij i ka kthyer disa projektligje në Kuvend mazhorancës, duke kërkuar rishqyrtimin e tyre, për shkak se ato i ka cilësuar si në shkepje të ligjeve dhe Kushtetutës, ndërsa nga ana e ekzekutivit, Presidentit nuk i janë miratuar dekretet për anëtar në Gjykatën e Lartë. I pyetur një ditë më parë për çështjen “Fullani”, kreu i shtetit tha se duhet të pritet vendimi i gjykatës.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency