Krimi ordiner/ Plagosen dy pleq në Durrës e Lezhë, një i ri përfundon në spitalin e Vlorës

0
120

Policia ka mundur të identifikojë e të ndalojë autorët, por ende është larg mundësisë së parandalimit të krimeve të tilla

Plagosje me thike Krimi i rrugës, për motive të dobëta, i pranishëm këto ditët e fundit, nuk kursen as pleqtë e moshave 85-vjeçare. Një i tillë ka mbetur i plagosur në Durrës, ndërsa një tjetër, 62 vjeç, është sulmuar e plagosur me thikë në Lezhë. Ndërkohë, në Vlorë, ka qenë një i ri, 22-vjeçar, i cili është bërë pre e sulmit me thikë nga një bashkëmoshatar i tij. Plagoset për motive të dobëta 85-vjeçari. Policia ka mundur të identifikojë e të ndalojë autorët, por ende është larg mundësisë së parandalimit të krimeve të tilla.

 

Plagoset 85-vjeçari për motive banale

Një person është plagosur në Durrës dhe ndodhet në gjendje të rëndë. Pas kësaj ngjarje, nga ana e policisë lokale u bë arrestimi në flagrancë i 45-vjeçarit, Fiqiri Gjergji, banues në Durrës.

Burime të policisë së Durrësit, bënë të ditur se 45-vjeçari pas një konflikti për motive të dobëta në lagjen nr. 3 të Durrësit ka goditur me thikë 85-vjeçarin S. B., banues në Durrës, duke i shkaktuar dëmtime në kraharor. I dëmtuari ndodhet i shtruar në Spitalin e Durrësit në gjendje të rëndë shëndetësore. Gjatë kontrollit të ushtruar nga ana e uniformave blu në banesën e Fiqiri Gjergjit u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një thikë që është përdorur në ngjarje dhe një sëpatë. Në ngarkim të 45-vjeçarit materialet i kaluan Prokurorisë së Durrësit për ndjekje të mëtejshme, lidhur me veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.

 

Për borxhin e pakthyer, plagoset 62-vjeçari

Një tjetër plagosje me thikë ka ndodhur në qytetin e Lezhës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 të mbrëmjes së enjte pranë stadiumit të qytetit. Sipas burimeve të policisë lokale, i plagosur ka mbetur 62-vjeçari Gjeto Toma. Të njëjta burime saktësuan se ky i fundit është goditur me thikë në pjesën e barkut nga 47-vjeçari nga Velipoja, Pjerin Luca. Shkak për plagosjen është bërë një konflikt për borxhin që i Toma i kishte 47-vjeçarit Luca. I plagosuri është dërguar në spitalin rajonal të Lezhës në gjendje të rëndë. Nga ana e policisë lokale, mësohet se vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ndërsa për ndjekje të mëtejshme materialet i kaluan Prokurorisë së Lezhës për veprën penale “plagosja e rëndë me dashje”.

 

Sherr për lojën e letrave, plagoset 22-vjeçari

Një i ri ka mbetur i plagosur rëndë në qytetin e Vlorës. Sipas burimeve të policisë lokale, mësohet se ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në afërsi të shkollës “Ali Demi”, ku mësohet se është plagosur me thikë 22-vjeçari N. A., banues në Vlorë. Pas njoftimit në vendin e ngjarjes mbërriti grupi hetimor, ku dhe u identifikua dhe arrestua autori i dyshuar i ngjarjes, Adrian Revsaj, 20 vjeç, me banim në Vlorë. I dëmtuari u dërgua në spitalin e Vlorës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një grindje të çastit për motive të dobëta dhe konkretisht pas një zënke për një lojë me letra.

 

 Atentati ndaj biznesmenit në Vlorë/ Një muaj pas atentatit me eksploziv ndaj Isuf Brahimajt, asnjë i dyshuar

Më se një muaj nga atentati me eksploziv ndaj 41-vjeçarit Isuf Brahimaj në qytetin e Vlorës, policia ende nuk ka identifikuar asnjë person si autor të dyshuar të kësaj ngjarjeje. Që pas ngjarjes së mëngjesit të 28 gushtit e deri tani, janë marrë në pyetje më shumë se 30 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen ose si të dyshuar, por pas disa orësh janë lënë përsëri të lirë. I vetmi zhvillim i ri nga gjithë kjo histori, është përmirësimi i gjendjes shëndetësore të pasagjeres, 19 -vjeçares Ornela Gjini, e cila tashmë ka dalë nga rreziku por vijon të jetë nën mbikëqyrjen e mjekëve. Ashtu edhe si në rastet e kaluara të shpërthimeve me eksploziv, të mbetura pa autor, si vrasja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, apo atentati ndaj kryekomunarit Fredo Berberi, kjo çështje gjyqësore rrezikon të ketë të njëjtin përfundim. Kjo, për faktin se edhe në këtë rast, eksplozivi ka lenë fare pak prova, duke e bërë thuajse të pamundur identifikimin e autorit nga policia. Qyteti i Vlorës radhitet në një nga qytetet me numrin më të madh të shpërthimeve me eksploziv në Shqipëri dhe pjesa më e madhe e atentateve janë kryer në zona të populluara.

 

 Durrës/ Dy gra kërkojnë urdhër mbrojtjeje, dhunohen fizikisht nga burrat e tyre

Burime të drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësit bënë të ditur se në datën 2 tetor u plotësua kërkesëpadia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes për dy shtetase. Sipas të njëjtave burime, mësohet se urdhri i parë u lëshua për një 47-vjeçare, banuese në rrethin Durrës, pasi bashkëshorti i saj me inicialet N. D., 49 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Ndërsa urdhri i dytë u lëshua për një shtetase 38-vjeçare, banuese në rrethin Durrës, sepse bashkëshorti i saj shtetasi I. S., 41 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Polica bënë të ditur gjithashtu, se materialet iu kaluan Gjykatës Rrethit Gjyqësor Durrës.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency