Kërkesa për shkarkim/  Kreu i Shoqatës së Prokurorëve përplas Llallën dhe Hajdarin

0
125

Sonila Mesareja

 prokuroria e pergjithshmeNjë grup prokurorësh kërkuan shkarkimin e Hajdarit nga kreu i shoqatës, debat i ashpër mes tij dhe sekretares së përgjithshme. Ndërhyn kryeprokurori, fyhet nga vartësi. Flitet për përplasje fizike mes tyre, Prokuroria e Përgjithshme mohon dhunë të ushtruar nga Llalla ndaj Hajdarit

 A pati një përplasje fizike mes kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe kreut të Shoqatës së Prokurorëve Shkëlqim Hajdari në mbledhjen e djeshme ku ishin të pranishëm rreth 222 prokurorë? Kjo nuk konfirmohet zyrtarisht ndërsa nga burime brenda sallës thuhet se po. Përplasja ka ardhur në momentin kur u shtrua për diskutim kërkesa e disa prej anëtarëve të shoqatës për të futur në rend dite edhe shkarkimin e Hajdarit nga posti i kreut të shoqatës, ndërsa vetë ky i fundit ka debatuar duke u shprehur se duhen të paktën 30 ditë për të depozituar kërkesën dhe më pas të merret në shqyrtim. Mësohet se prokurorët kanë shfrytëzuar numrin e madh të kolegëve të të ndërmarrë një iniciativë të tillë, pra shkarkimin e kolegut Hajdari nga funksioni si kreu i shoqatës. Por, kjo kërkesë e parashtruar me shkrim nga grupi i prokurorëve u fut në rend dite nga sekretarja e përgjithshme, duke detyruar Hajdarin të nisë një debat me të, në të cilin ka ndërhyrë edhe kryeprokurori Llalla, i cili ka kërkuar që kreu i shoqatës të largohet nga salla për ta vijuar jashtë debatin. Kjo mësohet të ketë sjellë fyerje të ndërsjella deri në përplasje fizike mes të dyve. Nga burime brenda sallës bëhet me dije se Llalla ka qëlluar Hajdarin me grusht dhe mbledhja është ndërprerë, ndërkohë që ky fakt kundërshtohet nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila deklaroi zyrtarisht se kryeprokurori nuk ishte pjesë e debatit.

 

Përplasja

Gjithë debati nisi në mbledhjen ku një prej prokurorëve do të votohej për t’u zgjedhur si përfaqësues i Prokurorisë në bordin e Shkollës së Magjistraturës. Pas zgjedhjes së prokurorit Dritan Rreshka në bordin e Magjistraturës, i cili doli fitues përballë konkurrentes Rovena Gashi, një grup prokurorësh paraqitën një peticion për shkarkimin e kryetarit të Shoqatës së Prokurorëve, Shkëlqim Hajdari. I menjëhershëm ka qenë reagimi i z. Hajdari, i cili replikoi me sekretaren e përgjithshme të shoqatës, Ida Ahmetlliu, nga e cila pretendoi që kërkesa të mos përshihet në votim, pasi duhej bërë 30 ditë para mbledhjes. Mësohet se prokurori Shkëlqim Hajdari ka fyer prokuroren Ahmetllia, ka ndërhyrë kryeprokurori Adriatik Llalla. Ky i fundit, ka kërkuar që të ndalen debatet dhe prokurorët të lirojnë sallën. Në këtë moment mësohet se Shkëlqim Hajdari iu drejtua me fjalë fyese kryeprokurorit Llalla, i cili është afruar dhe e ka goditur vartësin e tij me grushte. Pas këtij incidenti, konferenca është ndërpre duke shtyrë edhe shqyrtimin e peticionit për shkarkimin e Hajdarit nga detyra e kryetarit të Shoqatës së Prokurorëve të gjithë Shqipërisë.

 

Reagimi

Prokuroria e Përgjithshme reagoi menjëherë pas publikimit të incidentit mes prokurorëve. Në njoftimin për shtyp thuhet se debatet mes anëtarëve të shoqatës kanë qenë me tone të larta dhe në afërsi të Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, i cili nuk është përfshirë në përplasje fizike, por ka urdhëruar largimin e tyre nga salla e mbledhjes. Në njoftimin e organit qendror të akuzës nuk përmendet emri i Kryetarit të Shoqatës së Prokurorëve, Shkëlqim Hajdari po konfirmohet se mes hetuesve ka pasur një përplasje fizike. Në njoftimin e saj, Prokuroria e Përgjithshme sqaron se “gjatë momentit të votimit, dy prej anëtarëve të Kryesisë së Shoqatës së Prokurorëve, e cila është një organizëm jofitimprurës jashtë institucionit zyrtar, kanë debatuar në afërsi të Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla. Duke qenë se tonet e debatit ndërmjet anëtarëve të Kryesisë së Shoqatës kanë qenë të larta, Prokurori i Përgjithshëm ka kërkuar nga dy diskutantët që të largohen nga salla për të qetësuar situatën e debatit dhe gjithçka vijoi në normalitet. Prokuroria e Përgjithshme duhet të sqarojë median dhe opinionin publik se Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, nuk ka qenë i përfshirë në diskutime dhe në incident”.

 

Votimi

Pas ndryshimeve që iu bënë ligjit “Për shkollën e Magjistraturës”, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në muajin shtator të këtij viti, në mbledhjen e përgjithshme të Prokurorëve të Shqipërisë u zgjodh anëtari i ri Bordit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës. Në votim morën pjesë 222 prokurorë nga e gjithë Shqipëria, në përfundim të të cilit u shpall fitues z. Dritan Rreshka, me 120 vota, kundrejt 88 votave që mori Rovena Gashi, ndërsa 14 vota u shpallën të pavlefshme.

 

Llalla: Lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, prioritet

Në mbledhjen e djeshme, kryeprokurori Adriatik Llalla u ndal tek ecuria e punës së institucioni dhe tek problematikat e hasura. Sipas Llallës, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të jetë prioriteti kryesor i punës së prokurorëve. “Është shumë e nevojshme që hetimet të kryhen me seriozitet maksimal dhe duke respektuar afatet ligjore, për të vënë para përgjegjësisë ligjore këdo që kryen veprime të tilla. Rezultatet në këtë drejtim kanë qenë të dukshme, por ende larg pritshmërisë së opinionit publik i cili vuan përditë nga këto fenomene”, – u shpreh Llalla. Duke ndalur tek roli i Njësisë Hetimore të ngritur pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, kryeprokurori tha se do të vijojë puna edhe për hetimin e rasteve të korrupsionit në radhët e zyrtarëve të lartë, gjyqtarëve, prokurorëve e të zgjedhurve lokalë. Kryeprokurori Llalla tha se në të gjithë vendin do të nisë puna për inspektimin e punës së çdo prokurori, dhe vlerësimin e efikasitetit të punës së tyre. “Për të kuptuar realisht efikasitetin në punë të çdo punonjësi, Prokuroria e Përgjithshme ka përgatitur dhe do të shpërndajë një formular, në të cilën prokurorët dhe oficerët e Policisë Gjyqësore do të regjistrojnë çdo ditë veprimet që kryhen në kuadër të procedimeve penale. Formulari do të jetë objekt kontrolli dhe vlerësimi për çdo prokuror dhe oficer të policisë gjyqësore. Ky projekt i paraprin aplikimit të Sistemit të Menaxhimit të Rasteve që fillon në janar 2015”, – tha Llalla.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency