Debati/ Rishikimi i historisë, Agron Tufa: Palë të treta të na shkruajnë historinë, si Bernd Fischer-zgjatim i sistemit të vjetër

0
259

Violeta Murati 

agron tufa Një dëshmi e periudhës më të rëndësishme në historinë tonë nga vitet ’45-’48 është konsideruar libri historik “Sundimi pa pushtim. Shqipëria 1945-1948”, me autor Luan Doden, botim i Institutit të Studimeve të Evropës Juglindore. Autori rreth të 80-ave, jeton në Bruksel, ndërsa botimi i librit në Tiranë është vlerësuar si një punim shkencor që ballafaqon fakte e dokumente. Duke qenë në kaos e në debate shpeshherë të ashpra, kryesisht politike, periudha e vendosjes së regjimit komunist e sidomos fillimi, vitet ’45-’48 vazhdojnë të shqetësojnë të gjitha palët. Rishkrimi i historisë – mbetet themeli

 Një dëshmi e periudhës më të rëndësishme në historinë tonë nga vitet ’45-’48 është konsideruar libri historik “Sundimi pa pushtim. Shqipëria 1945-1948”, me autor Luan Doden, botim i Institutit të Studimeve të Evropës Juglindore.

Në takim modest kaloi paraqitja, por në kontekstin se është momenti i duhur për të lëshuar dritë e për të ridiskutuar historinë kur në këto kohë po ringjallet enverizmi. Autori rreth të 80-tave jeton në Bruksel, ndërsa botimi i librit në Tiranë është vlerësuar si një punim shkencor që ballafaqon fakte e dokumente. Duke qenë në kaos e në debate shpeshherë të ashpra, kryesisht politike, periudha e vendosjes së regjimit komunist e sidomos fillimi, vitet ’45-’48 vazhdojnë të shqetësojnë gjitha palët. Enveristët kanë një zgjim të beftë e antikomunistët mbeten në përpjekjen për t’u dëgjuar në njohjen e të vërtetës.

Ka ngjarje të mbuluara me mistere e shpesh me plot kundërthënie, por në fund të ditës shqiptarët mbajnë mend versione ngjarjesh të servirura për 45 vite nga regjimi komunist. Në këto rrafshe bindjesh politike, Dode, një studiues skrupuloz, i panjohur për qarqet e historianëve, sjell në Tiranë një libër voluminoz prej 400 faqesh, me një densitet njoftimesh të reja për studime e publikime të përditshme, për të përmbushur e ndoshta duke iu afruar shterimit të periudhës më të errët, por edhe vendimtare. Në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria, nën regjimin komunist, ishte para rrezikut të përfshirjes nga aleatja e atyre viteve, nga ish-Jugosllavia, ku ishin po ashtu në fuqi komunistët.

“Autori shkon në thelbin e konfliktit. Ky libër prej 400 faqe është vlerë e jashtëzakonshme, sepse i jep përgjigje me fakte e argumente dilemës mbi raportet historike nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e deri në vitin 1948, raporte të cilat lidhen me diskursin e sotëm lidhur me Luftën e qëllimet e saj, lidhur me marrëdhëniet e shtetit shqiptar me Jugosllavinë e Titos etj. Në libër janë përdorur mbi 2000 referenca, të cilat e bëjnë atë të të bindë dhe me dogmatikun në vërtetësinë e zhvillimeve historike të periudhës në fjalë”, – tha studiuesi e historiani Enver Bytyçi.

Sipas tij, historia shtrihet në një diskutim të gjerë në raportet mes politikës së Tiranës, Moskës dhe Beogradit. “Referuar dokumenteve e vërteta nuk mund të zhbëhet, asnjë vepër kriminale nuk mund të kalojë pa u identifikuar qoftë dhe ky edhe një historian sado i politizuar”.

Ndonëse libri është voluminoz periudha historike e përfshirë në punim që merret me historinë e Shqipërisë ka një hark të shkurtër kohor, gjatë të cilit zhvillimet në vend pothuajse në të gjitha fushat kanë qenë të gërshetuara me marrëdhënien e saj me Jugosllavinë. Dode shprehet se për studimin e atyre lidhjeve mund të konsiderohen të mjaftueshme dokumentet arkivore të botuara, të vendit e të huaja. Ndërsa për nyjën që i mbante ato- për Moskën, – këto kohët e fundit janë botuar të dhëna të cilat, megjithëse ende të pakta, mund të konsiderohen të pranueshme për nxjerrjen e përfundimeve kryesore.

“Boshllëku ndihet mirë në dokumentacionin lidhur me marrëdhëniet me Perëndimin; por gjatë kësaj periudhe kohore realisht këto marrëdhënie nuk patën peshë të konsiderueshme, në radhë të parë për arsye të fatit që komunistët i kishin paracaktuar Shqipërisë drejt Lindjes”. Dode vë në dukje se për gjendjen e Shqipërisë së kohës, autorë të ndryshëm që e kanë parë problemin disi të anuar nga pikëpamja ndërkombëtare kanë dhënë mendime të ndryshme. Për shembull në studimin kritik Jugoslav Communizms…, të përgatitur për Senatin amerikan, Shqipëria klasifikohej si “Sateliti i një sateliti”. Autori sjell raste se edhe të tjerë shkruajnë shkurt “Satelit i Jugosllavëve”. Studiuesit që i janë afruar më mirë gjendjes, e cilësojnë “në radhë të parë një protektorat i Jugosllavisë se sa i Bashkimit Sovjetik”, “periudha e sundimit jugosllav”, “një aneks i Jugosllavisë” etj. Autori si duket i ka mbetur referencës, për të pasur afrim të mëtejshëm përmes dokumenteve, edhe pse sipas tij pas dështimit komunist, autorë shqiptarë e kanë cilësuar gjendjen “një sundim jugosllav pa pushtim”, apo “Shqipëria komuniste nën ndikimin jugosllav” etj.

“Nga deklaratat e shumta euforike për këtë gjendje, kreu i pushtetit në Shqipërinë e kohës, Enver Hoxha, që shërbeu si fasada shqiptare e sundimit jugosllav në vend, në maj të vitit 1947, shkruante: “Ata që s’ia duan të mirën popullit tonë shpifin gjëra të paqena dhe vjellin vrer duke thënë se “Shqipëria e vogël e humbi indipendencën dhe pavarësinë e saj duke u lidhur kaq ngushtë me popujt e Jugosllavisë”. Pas prishjes me Titon, për t’u justifikuar, këtë hark kohor komunistët e quajtën “koha e Koçi Xoxes”“, citojmë Doden.

Për studiuesin këto nuk mbeten vlerësime përfundimtare por konsiderata për argumente për të hedhur më tej dritë me plotësim informacionesh.

Këtu hyn edhe trajtesa e konfliktit historik Stalin-Tito, që çau bllokun komunist, që sipas autorit ishte një deus ex machina për Shqipërinë. “Stalinit iu desh ta pezullonte bashkimin e saj me Jugosllavinë, një bashkim i cili më pas, për kohën që jetoi, mbeti pa e realizuar për shkak se nuk e mposhti dot Titon”. Hulumtuesit thotë Dode, mendojnë se rasti i Titos i shërbeu Stalinit për të hequr dorë nga mendimi për federata shtetesh sllave; ishte në mirë për t’i mbajtur satelitë të veçuar. Por, argumenton më tej, se nuk ishte kështu për Shqipërinë për faktin e popullsisë së saj të mirëfilltë jo sllave dhe për pozicionin gjeografik të satelitit më të vogël e të izoluar.

Shkrimtari, Agron Tufa – drejtor i Institutit të Studimeve për Krimet Komuniste, tërhoqi vëmendjen në korrektesën e ligjërimit akademik të Dodes, në detajet e informacionit dhe shfrytëzimit të një rrjeti të gjerë të dhënash për didaktikën se çfarë ishte partia komuniste, si u raportua nga akti i themelimit të saj, bashkë me kontekstet ballkanike.

Ndonëse flitet për fakte të njohura, sipas Tufës diferenca është krijimi i një bashkërenditje të tyre, stili monografik për të mos lanë asnjë të çarë në argumentin historik.

“Ky botim është modeli si është instrumentalizuar lufta me interesat personale, kombëtare dhe me ato ndërkombëtare që sot televizionet kanë ngritur formatin e opinionit si fast food-e”.

Çfarë shihet në procesin e sotëm për rishkrimit të historisë, Tufa e drejton vëmendjen në komercialitetin që kanë fituar sot opinionet duke lënë në hije rolin e atyre që duhet të flasin, shkruajnë dhe artikulojnë të vërtetat. Historia e servirur, ajo e gënjeshtërt që ngriti sistemi i diktaturës duhet bërë çmos të shembet, sipas shkrimtarit duke ndalur në modelin që paraqet botimi i Dodes, si një libër me vlera shkencore, ku dokumenti është “tel me gjemba” që të çon në shënimet e fundit të librit, që hedhin poshtë “maskat e trashëgimisë komuniste”!

Tufa e sqaron këtë pjesë me vëmendjen e këtyre 25 viteve sa larg është brezi i ri nga njohja e së vërtetës në histori, me ç’rast është koha të rizgjohen. Këtu replika lidhej edhe me faktet e fundit në debatet për rishkrimin e historisë, që janë propozuar emra historianësh të huaj, për rastin Tufa shprehet: “Po thërriten palë të treta për të shkruar historinë tonë, si Bernd Fischer që është një zgjatim i komunizmit…Ja ku i kemi librat në shërbim të të vërtetës (fjala për botimin e Dodes)”.

Një nga studiuesit që i ka kushtuar ngjarjeve nën komunizëm përmes botimeve periodike, Uran Butka duke mbajtur idenë e trajtesës së Shqipërisë në vitet ’45-’48 si satelit të ish Jugosllavisë, nën dominimin e tyre të plotë, thotë se kjo periudhë caktoi fatin politik të mëvonshëm të Shqipërisë. Por sugjeron se autori nuk ka prekur sa duhet disa nyje kruciale të sistemit diktatorial, si luftën e klasave apo sigurimin e shtetit, apo internimin – megjithëse është thënë shumë, sipas tij pak është prekur prej studiuesve.

Mund të jetë nga botimet e rralla që merren me një hark kohor aq të shkurtër, që në fakt mbërrin në përfundime të justifikueshme për një trajtesë aq të gjatë duke pasur parasysh rëndësinë e saj, nga pikëpamja e konsolidimit të komunizmit në Shqipëri. “Ky hark i shkurtër kohor çoi në konsolidimin e bashkëpunimit të jashtëzakonshëm Shqipëri-Jugosllavi, partia shtet iu nënshtrua totalisht qysh në fillim me krijimin e partisë”. Me këtë bindje autori shënon se ky është fillimi që lidh gjithë tekstin.

“Po të mos ishte “zënia” Tito-Stalin, gjithë do ishim partizanë të Jugosllavisë, – vëren së fundi Dode, – kjo grindje na shpëtoi”.

 

 Paradoksi i shpëtimit

                Luan Dode

Më 28 qershor 1948 plasi publikisht mosmarrëveshja të cilës në histori i ka mbetur emri si konflikti Stalin-Tito. Padroni i madh në Kremlin i shkëshëroi Titon me mallkime për “pikëpamje e praktika antimarksiste” të cilat u miratuan nga Byroja Informative me rezolutën “mbi gjendjen në Partinë Komuniste Jugosllave”. Rezoluta u botua në Shqipëri më 30 qershor 1948. Në atë Rezolutë nuk figuronte ndonjë akuzë për qëndrimet e udhëheqjes jugosllave ndaj Shqipërisë. Po ashtu, në një deklaratë të gjatë të KQ të PK të Bashkimit Sovjetik, të botuar më 9 shtator në gazetën “Pravda” të Moskës. Pra, ishte e qartë: Nuk duhej prekur patronazhi i Jugosllavisë mbi Shqipërinë,sepse, sipas Stalinit, Titoja me shokë nuk do të mund të mbaheshin gjatë.

Sidoqoftë konflikti historik Stalin-Tito u kthye në një paradoks shpëtimi për Shqipërinë. Më 1 korrik Komiteti Qendror i PKSH-së lëshoi një “komunikate” solidarizimi me Informabyronë. Pas sharjeve – “tradhtarë të poshtër” – dhe pas pretendimeve se “KQ i PKSH-së, ka qenë vazhdimisht në konflikt me KQ të PKJ-së” një nga akuzat e palës shqiptare ishte se udhëheqësit e PKJ-së përpiqeshin “ta shndërronin Shqipërinë në një koloni të tyre”. Kosova e Metohija përmenden si trevat e tjera, si Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, ku UNCSH kishte “derdhur gjakun pa kursyer për çlirimin e popujve të Jugosllavisë”. Drejtuesit komunistë të Tiranës, duke e trajtuar problemin sikur një pjesë e konfliktit Stalin-Tito kishte të bënte me ta, përgjëroheshin, për një “mirënjohje për jetë dhe brez pas brezi Partisë së lavdishme Bolshevike të Lenin-Stalinit dhe shokut të dashur dhe të adhuruar, mësuesit tonë të lavdishëm, Stalin dhe shokut të dashur dhe të adhuruar, mësuesit tonë të lavdishëm, Stalin, që shpëtuan përsëri popullin tonë dhe Partinë tonë”. Në deklaratë vihet re se udhëheqja komuniste shqiptare nuk revoltohej kundër Jugosllavisë, por kundër Titos”.

Po atë ditë, me anë të një note, qeveria shqiptare denoncoi si të paqena, të gjitha marrëveshjet e protokollet e lidhura me Jugosllavinë. Sipas shembullit të Bashkimit Sovjetik, ashtu si vepruan të gjithë satelitët, qeveria shqiptare nuk e preku Traktin e Miqësisë dhe të Ndihmës reciproke.

Në fund të shtatorit 1949 , Bashkimi Sovjetik e denoncoi Traktatin e Miqësisë e Ndihmës reciproke që kishte lidhur me Jugosllavinë në prill të 1945-s. Të njëjtën gjë bënë brenda javës në rresht Polonia, Hungaria, Bullgaria e Çekosllovakia. Shqipëria nuk lëvizi. Sipas Uolfit, mosdenoncimi i traktatit nga ana e Shqipërisë përfshinte një dinakëri, një komplot kundër Jugosllavisë nga ana e Bashkimit Sovjetik. Atë traktat e denoncoi Jugosllavia, në nëntor 1949.

Fragment nga libri

 

Financimi/ Butrinti, pjesë e rrjetit të siteve të UNESCO-s në Adriatik

Parashikohet që nga fondi i përgjithshëm prej 257 mijë eurosh, i financuar nga Bashkimi Evropian për të 12 partnerët, 61 mijë euro të shpenzohen për projektin e restaurimit të kështjellës së ndërtuar prej Ali Pashë Tepelenës.

Në kuadrin e ndihmës evropiane të paraaderimit IPA, nëpërmjet përfshirjes në projektin EX.PO.AUS., Parku Arkeologjik i Butrintit është bërë pjesë e rrjetit të 12 siteve të UNESCO-s, që shtrihen në shtatë vende që lagen nga deti Adriatik. Lajmi është bërë i ditur në kuadrin e ditëve kombëtare të trashëgimisë kulturore nga Gjergji Mano, drejtor i Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Arkeologjik të Butrintit gjatë një takimi me përfaqësues të medias në Butrint. Sipas tij, projekti “Rritja e potencialeve të siteve të UNESCO-s në Adriatik” synon të krijojë dhe të eksperimentojë strategji të reja dhe afatgjata që synojnë menaxhimin dhe vlerësimin e siteve të UNESCO-s në Adriatik, në përpjekje për të trajtuar idetë, mjetet dhe veprimet e reja për të menaxhuar në një mënyrë më të mirë këto vende dhe për të arritur një vlerësim të qëndrueshëm ekonomik të tyre, për më tepër nga pikëpamja ekologjike, e efikasitetit dhe e energjisë së rinovueshme”.

Në këtë rrjet të gjerë sitesh arkeologjike dhe monumente të trashëgimisë kulturore botërore që janë marrë apo janë në proces të marrjes nën mbrojtje nga UNESCO, janë përfshirë 12 partnerë: Rajoni i Istrias, Bashkia Split, Bashkia Ferrara, Bashkia e Ravenna-s, Muzeu i Arteve, Bashkia Alberobello, Fondacioni Aquileia, Universiteti i Primorska, Qendra për Kërkime Shkencore, Qendra për Konservim dhe Arkeologji Mal i Zi, Komisioni për Ruajtjen e Monumenteve Kombëtare Bosnjë, Bashkia Korfuz dhe Zyra e Administrimit dhe Koordinimit Butrint. Disa nga sitet dhe nga monumentet e përfshira në rrjet janë: Mullinjtë e Ujit përgjatë lumit Neretva të Bosnjë-Hercegovinës, qyteti monument i Dubrovnikut, qyteti antik i Porecit, monumentet e ishullit të Korfuzit dhe Parku i Butrintit në hyrje të Detit Adriatik, sitet antike me tradita prehistorike italiane të Aquileias, Alberibello, Ravena dhe Ferrara, qyteti me peizazh, natyrë dhe histori i Kotorit në Mal të Zi, qyteti antik Piran në Slloveni kandidat për t’u marrë në mbrojtje nga UNESCO. Parashikohet që nga fondi i përgjithshëm prej 257 mijë eurosh, i financuar nga Bashkimi Evropian për të 12 partnerët, 61 mijë euro të shpenzohen për projektin e restaurimit të kështjellës së ndërtuar prej Ali Pashë Tepelenës që ndodhet në grykëderdhje të kanalit të Vivarit, përballë ishullit të Korfuzit në skajin më jugor të vijës bregdetare të Shqipërisë

 

 Premiera të shtunën/ “Hamletmakina”, Çapaliku: Gjej historinë tonë të zgjatur në të tashmen

Dramaturgu Stefan Çapaliku të shtunën mban premierën e veprës “Hamletmakina” si regjisor, në skenën e teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në kuadër të edicionit të tetë të Tetorit gjerman. Teksti i shkruar në vitin 1977 nga dramaturgu gjerman Heiner Müller i titulluar “Hamletmakina” është një lloj mohimi i formës tradicionale të dramës, duke qenë se nuk ka as karaktere dhe as veprim. Bëhet fjalë më shumë për fragmente të ndryshme proze të renditura njëra pas tjetrës.

E veçanta në këtë tekst qëndron në faktin se ai hedh poshtë formën tradicionale të dramës: Kështu për shembull ai merr skena kyçe dhe personazhe nga “Hamleti” i Shekspirit, por duke hequr dorë thuajse plotësisht nga fabula dhe dialogët. Shumë më tepër këtu kemi të bëjmë me pesë fragmente të njëpasnjëshme proze, të cilët ndryshojnë nga njëri-tjetri edhe për nga forma.

Pjesa trajton motivin qendror të pozicionit të intelektualit në shoqërinë socialiste.

Me këtë pjesë Stefan Çapaliku dëshiron t’i referohet të kaluarës komuniste të Shqipërisë dhe

të trajtojë më hollësisht faza të caktuara të saj. Kështu ai shprehet: “Kam zgjedhur

“Hamletmakinën”, sepse në të gjej historinë tonë të zgjatur në të tashmen. “Hamletmakina” na ka hije”. Koncepti i tij regjisorial bazohet jo vetëm në lojën e aktorëve, por edhe në përfshirjen e elementëve koreografikë dhe efekteve multimediale.

Dramaturgu i njohur i teatrit dhe njëkohësisht profesori i Universitetit të Arteve Stefan Çapaliku, në bashkëpunim me Qendrën e Gjermanishtes, e sjell për herë të parë në Shqipëri “Hamletmakinën”. Përmes kësaj pjese ai synon të krijojë referenca me historinë e vonë të Shqipërisë, të tematizojë faza të caktuara historike si dhe të thyejë klishe të mentalitetit.

Stafi janë: aktorët Alfred Bualoti, Eva Alikaj, koreografia: Gjergj Prevazi; skenografia Sadik Spahija; muzika: Hajg Zacharian. Pjesa do të rivihet në skenë në datat 5 dhe 6 tetor.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency