Mafia e re e Evropës

0
137

Sipas një studimi të ri, kriminaliteti i organizuar “realizon” shuma miliardëshe treshifrore në Evropë. Pjesa më e madhe e parave përfundojnë në ekonominë e ligjshme. E prekur është edhe Gjermania.

foto krimi Ndoshta jo pa shkak një universitet italian mori financimin për studimin: atdheu i mafias ka një përvojë të pasur me krimin e organizuar. Por strukturat mafioze sipas studimit të bashkëfinancuar nga BE, janë përhapur prej kohësh në gjithë Evropën. Londër, Paris, Madrid apo Berlin – janë këto pikat nevralgjike. Autori i studimit, profesor Michele Riccardi nga Universiteti Katolik i Zemrës së Shenjtë në Milano, vlerëson se kriminelët me piraterinë e produkteve, tregtinë e drogës apo kontrabandën e cigareve çdo vit fitojnë më shumë se 100 miliardë euro. Vetëm me produktet e imituara realizohen çdo vit 42 miliardë euro, pra gati gjysma e gjithë xhiros. Riccardi në intervistë me DW e cilëson piraterinë e produkteve një krim “të nënvlerësuar”.

Sebastian Fiedler, zv.kryetari i Ligës së Zyrtarëve gjermanë të Kriminalistikës, në intervistë me DW i cilëson shifrat madje “një vlerësim shumë konservator”. Vetëm për Gjermaninë OECD llogarit një xhiro prej 50 miliardë eurosh nga burime kriminale. Sepse sipas Fiedler, i gjithë sektori i kriminalitetit fiskal, për shembull problemi i mashtrimeve me taksën mbi vlerën e shtuar, mbetet jashtë studimit të universitetit në Milano.

 

 Pastrim intensiv i parave

Për autoritetet hetuese më e vështira është se të ardhurat nga krimi i organizuar derdhen menjëherë në ekonominë legale. “Krimineli kështu fsheh burimin e vërtetë të mallit të tij dhe i jep atij një petk të ligjshëm”, – thotë Fiedler. Një fushë tipike për këtë është biznesi i restoranteve pasi aty përdoren shumë paratë e thata, por edhe sektori i ndërtimit dhe para së gjithash ndërtimet publike. Riccardi e shpjegon kështu: “Ka subvencione, kemi prokurimin publik dhe grupe kriminale që mund të korruptojnë apo shantazhojnë politikanë apo që depërtojnë në fushën e politikës administrative”.

Por kriminelët shfrytëzojnë edhe fusha të reja si energjia e ripërtërishme pasi kontrolli i tyre është shpesh ende i dobët apo në ngritje e sipër, beson Riccardi: “Këtë kriminelët e shfrytëzojnë ose infiltrojnë në këto fusha”. Sebastian Fiedler tërheq vëmendjen se pastrimi i parave është një problem i madh edhe për ekonominë e ligjshme “pasi sjell deformime të rënda të konkurrencës”, një fenomen që shpesh nuk merr kujdesin e duhur. Për këtë arsye sipërmarrësit duhet të jenë të interesuar në sqarimin e praktikave të biznesit të konkurrencës kriminele.

 

 Duhet arritur tek pasura e keqbërësve

Studimi përshkruan qytete gjermane si Kölni, Duisburgu dhe Shtutgarti si qendra të mafies italiane, Berlinin si pikëtakimin e njerëzve të dyshimtë nga Rusia që bëjnë biznese të dyshimta me imobilje. A është i tepruar ky vlerësim? Në asnjë mënyrë, thotë Fiedler: “Këtë e konfirmoj në mënyrë absolute por kjo është vetëm një pjesë e vogël e problemeve që kemi”. Gjermania për fat të keq nuk është “vetëm vendi i qetësisë por edhe një hapësirë investimi për mafien italiane”. I pyetur për zgjidhje të mundshme, eksperti gjerman i kriminalistikës përmend para së gjithash një gjë: “Masat duhet të prekin pasurinë e keqbërësve”. Atje është nervi i kriminalitetit të organizuar, çdo kundërmasë duhet ta ketë atje pikënisjen. Por ai thotë se nuk sheh deri tani një strategji të përgjithshme të qeverisë gjermane.

Michele Riccardi mund të japë mësime nga përvoja italiane me mafien. I suksesshëm ka rezultuar para së gjithash “konfiskimi i sipërmarrjeve të kontrolluara nga kriminelët”, ky është instrumenti më i suksesshëm i policisë kundër mafies që prej 30 vjetësh. Këtë duhet ta përdoron edhe vende të tjera. Veç kësaj: një ndërgjegjësim më i madh tek policia dhe shoqëria civile, se kriminelët depërtojnë në ekonominë e ligjshme dhe prej atje mund të bëhen të pavarur. E vetëkuptueshme është në këtë temë se nevojitet një bashkëpunim më i madh ndërkombëtar. Në rastin e disa vendeve kjo nuk është e lehtë. Me raportin e tensionuar me Rusinë për shembull autoritetet e BE-së për momentin nuk mund të presin shumë bashkëpunim nga Moska. Sebastian Fiedler sheh megjithatë brenda BE një obligim për Komisionin. Kur ishte fjala për ndihma financiare për Qipron ajo u gjend para fenomenit “të papritur” që ishulli ishte një strukturë larje parash për rusët. “Komisioni duhet ta dijë menjëherë se si paraqiten vendet e veçanta në fushën e parandalimit të pastrimit të parave”.. Në këtë kontekst Evropa duhet të bëjë më shumë për të tharë oazet fiskale. Pastrimi i parave dhe oazet fiskale janë të lidhura shumë ngushtë. Michele Riccardi e sheh vlerën e studimit para së gjithash në evidentimin e degëve të ekonomisë veçanërisht të rrezikuara dhe të vatrave të nxehta gjeografike, në mënyrë që policia dhe vendet e veçanta të BE-së të mund t’i identifikojnë dhe vëzhgojnë më mirë këto pika.

 

Wilson: Putin, kërcënim për sigurinë e Evropës

Damon Wilson thotë se Samiti i NATO-s në Uells kishte për qëllim t’i jepte kredibilitet nenit 5 dhe të tregonte angazhimin e Aleancës ndaj vendeve anëtare. Por, ai thotë se samiti gjithashtu tregoi kufizimet e NATO-s për të ndihmuar vendet jo-anëtare si Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia.

“Pra, ne po hyjmë në një periudhë të rrezikshme, në të cilën pa dashje ne mund t’i hapim portën shtrirjes së ndikimit rus dhe krijimit të një paqartësie në këtë zonë. Ne duhet ta shmangim këtë sepse kjo mund të ketë ndikim në sigurinë e NATO-s”.

Zoti Wilson nuk mendon se Rusia do të sfidojë nenin 5 të NATO-s duke dërguar tanke në shtetet baltike në një të ardhme të afërt. Megjithatë, ai thotë se presidenti rus Vladimir Putin mund të zbatojë taktikat hibride që ka përdorur në Ukrainë kundër vendeve baltike për të dobësuar fuqinë e nenit 5 të NATO-s. Zoti Wilson thotë se duke përdorur taktika të ndryshme kërcënuese, Rusia do të përpiqet të frikësojë vendet anëtare të NATOS-së pranë kufirit të saj dhe të dëmtojë solidaritetin e aleatëve ndaj nenit 5.

“Prandaj, Kremlini po mbështet partitë e ekstremit të djathtë në Evropën Perëndimore të cilat kundërshtojnë BE-në dhe po mbështet projekte investimi në fushën e energjisë në Ballkan si Korridori i Jugut. Këto janë projekte politike dhe gjeopolitike të Rusisë që kanë për synim manipulimin e elitave politike të vendeve dhe dobësimin e aftësisë së vendimmarrjes brenda NATO-s dhe BE-së”.

Analisti Damon Wilson thotë se Presidenti rus Vladimir paraqet një kërcënim të madh për interesat e Shteteve të Bashkuara dhe aleancës perëndimore duke sfiduar vlerat dhe sigurinë e Evropës. Prandaj, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet të krijojnë një strategji gjithëpërfshirëse për të frenuar Putinin dhe për të avancuar interesat perëndimore, thotë nënpresidenti i Këshillit Atlantik.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency