Përgjimet e deputetëve/ Kreu i SHISH-it: Kemi  zbatuar ligjin, siguria kombëtare në rrezik nga xhihadizmi

0
109

Florenc Drizari

“Kohë të vështira për sigurinë kombëtare dhe atë globale, e cila  rrezikohet nga forcat e errëta të xhihadizmit ndërkombëtar”

Visho-Lika Pas akuzave publike në media se SHISH ka përgjuar disa nga zyrtarët e lartë në vend, ka reaguar edhe kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, duke theksuar se institucioni që ai drejton ka zbatuar vetëm ligjin. Duke thënë se ditët e fundit Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) edhe një herë tjetër është vënë në shënjestër për mënyrën e funksionimit, kreu i këtij institucioni thekson se SHISH nuk e ka në natyrën e punës së tij të bëjë publike veprimtarinë e vet dhe garanton se ka vepruar në përputhje të plotë me ligjet dhe aktet normative që rregullojnë këtë veprimtari. Me anë të një deklarate për mediat, Visho Ajazi Lika, edhe pse nuk përmend ngjarje individë të caktuar, i quan tërësisht dezinformuese e denigruese informimet se qenkan përgjuar nga SHISH, në mënyrë të paligjshme, persona publikë të profileve të ndryshëm apo ndonjë qytetar tjetër. Pak ditë më parë në drejtim të tij pati aludime edhe nga deputetë të mazhorancës se institucioni i SHISH-it, duhet të japë shpjegime para Kuvendit lidhur me shqetësimet e publikuara për përgjimin e mundshëm të disa prej zyrtarëve të lartë të shtetit.

 

Visho Ajazi Lika

“Është shumë e qartë se ata persona që servirin këto lloj informacionesh në media dhe për fat të keq edhe botohen pa marrë asnjë masë verifikuese, kanë qëllimin e mbrapsht ta denigrojë këtë agjenci të rëndësishme të sigurisë kombëtare, ta pengojë dhe shkurajojë në punën e saj aq të dobishme dhe të vështirë. Ju sigurojmë se kemi kaluar situata shumë më të vështira se sa situatën e stisur me këto të pavërteta, por ne thjesht i kemi injoruar të gjitha ato përpjekje të cilat kanë pasur si qëllim përbaltjen e veprimtarisë sonë. Përmes këtij komunikimi, e sigurojmë publikun shqiptar se veprimtaria e SHISH, në funksion të rritjes së sigurisë kombëtare, në këta dy vjet, është vlerësuar mjaft pozitivisht si nga institucione të shtetit shqiptar, ashtu edhe nga shërbime partnere strategjike”, – deklaron Visho Lika.

Në deklaratën e shpërndarë në faqen zyrtare të Shërbimit Informativ Shtetëror, evidentohet si rrezik kombëtar dhe global kërcënimi që vjen nga xhihadizmi.

“Duke qenë të ndërgjegjshëm se ka shumë për të bërë në drejtim të rritjes së profesionalizmit në SHISH, ne po punojmë me vetëmohim dhe jemi në krye të punëve tona për t’i shërbyer vendit në këto kohë të vështira për sigurinë kombëtare dhe asaj globale, e cila rrezikohet nga forcat e errëta të xhihadizmit ndërkombëtar, ku Shqipëria, dhe SHISH në veçanti, janë të angazhuara në vijën e parë të kësaj lufte”, – deklaron Visho Ajazi Lika.

Kreu i Shërbimit Informativ thekson se për veprimtarinë e institucionit që ai drejton është vlerësuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë, duke evidentuar këtu edhe një falënderim të veçantë nga Papa Françeskun për mbarëvajtjen e vizitës së tij në Tiranë pak ditë më parë.

Reagimi i kreut të SHISH vjen në kuadër të disa publikimeve në media se ky institucion ka përgjuar krerët e politikës shqiptare si dhe të disa deklaratave publike të deputetëve të majtë për të bërë transparencën e plotë të këtij institucioni në raport me Kuvendin e Shqipërisë. Për këtë çështje dy ditë më parë deputeti i PS-së Xhemal Qefalia tha se grupi i kontrollit në SHISH nuk ka si qëllim një gjueti shtrigash, por përmirësimin e punës në këtë shërbim.

 

Qefalia: S’kemi qellim shkarkimin e kreut të SHISH-it

Anëtari i komisionit për grupin e kontrollit në SHISH, Xhemal Qefalia, ka thënë se ky kontroll synon evidentimin e problemeve në atë institucion me qëllim përmirësimin e performancës dhe jo shkarkimin e kreut të këtij institucioni. “Asgjë nuk është e vërtetë, ne e kemi deklaruar, madje edhe nga kryetari i Komisionit të Sigurisë, është bërë prezent edhe para mediave. Para disa kohësh ne kemi lexuar raportin, që grupi i kontrollit ka kryer detyrat e saj në mbikëqyrjen e veprimtarisë së Shërbimit Informativ dhe për aq kohë sa nuk kemi një vendim tjetër të ndërmarrë nga Komisioni, asgjë nuk është e vërtetë. Ne nuk jemi për gjueti shtrigash, për të krijuar një komision, për të kontrolluar dhe për të shkarkuar Kryetarin e Shërbimit Informativ”, – tha deputeti socialist dy ditë më parë. Ndërkohë në lidhje më debatin se Shërbimi Informativ, që ka përgjuar krerët e lartë të shtetit, Qefalia, duke refuzuar të përgjigjej, la të hapur mundësinë se diçka e tillë ka ndodhur. “Unë nuk jam këtu për të konfirmuar lajmet që kanë dalë nëpër media”, – theksoi ai, duke folur më tej edhe për ecurinë e Komisionit të Sigurisë.

 

Klosi: SHISH ka humbur besimin, të hapen letrat

Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, është përpjekur sot të qetësojë politikanët që kanë pasur këto ditë ankthin se mund të jenë përgjuar. Kreu i SHISH i ka cilësuar të pavërteta deklarimet mediatike, duke dhënë garanci se nuk është kryer asnjë përgjim ilegal.

Ish-kreun i Shërbimit Informativ, Fatos Klosi, komenton deklaratën e kreut të SHISH-it Visho Ajazi Lika, duke kërkuar hapjen e atyre dosjeve që nuk përbëjnë “ndonjë dëm të madh” siç e quan ai, por që rikthejnë besueshmërinë e këtij institucioni përballë publikut dhe autoriteteve.

“Kjo do të ishte absurde. Prandaj them ka ardhur koha që të hapen kartat. Nuk shof ndonjë sekret apo ndonjë dëm të madh që i bëhet, është shumë më e rëndësishme dhe duhet të sqarohet nëse shërbimi është në binarët ligjor dhe kushtetues që duhet të jetë, – ky që është në drejtim të tij, këtë që tha e tha të vërtetë apo jo, – sesa të rrimë të fshihemi prapa gishtit tonë, të mos dalë kjo apo ajo gjë. Kjo është shumë më e rëndë”. Në një intervistë në RTV “Ora News”, Fatos Klosin tha se institucion e ka humbur tashmë besimin e publikut. “Ky shërbim nuk i duhet kujt në qoftë se bën përgjime të tilla. Të gjitha sekretet janë fare pa vlerë para një situate të tillë. Kur kemi një shërbim që paguhet nga taksapaguesit shqiptarë dhe ky përgjon politikanët për hesape të disa politikanëve të tjerë”, – u shpreh Klosi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency