Largohen investitorët e huaj, pakësohet stoku i investimeve në Shqipëri

0
189

Ervin Kaduku

 industri–  Vitet e fundit flukset hyrëse të investimeve kanë qenë pozitive; rënia është shkaktuar nga tërheqja e një pjese të investitorëve të huaj apo nga tërheqja e pjesshme e kapitaleve të tyre

 Kriza ka tkurrur praninë e kapitalit të huaj në Shqipëri. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, gjatë 2013, për të dytin vit radhazi, stoku i investimeve të huaja në vendin tonë është pakësuar.

Ndonëse vitet e fundit flukset hyrëse të investimeve kanë qenë pozitive, rënia, me sa duket, është shkaktuar, nga tërheqja e një pjese të investitorëve të huaj apo nga tërheqja e pjesshme e kapitaleve të tyre. Kështu, në fund të vitit 2013, stoku i investimeve të huaja kishte vlerën e 2.85 miliardë eurove, në rënie me 12.5% krahasuar me vitin 2012. Në strukturën e kapitalit të huaj, duket qartë se më shumë nga kriza është prekur më shumë sektori prodhues, duke filluar nga industria nxjerrëse, një ndër aktivitetet më tërheqëse të investimeve në vitet e fundit.

Stoku i investimeve në këtë degë ka rënë në 732 milionë euro, afro 10% më pak krahasuar me vitin 2012. Në mënyrë akoma më drastike është prekur industria përpunuese, ku stoku i investimeve ka kaluar në vlera negative me 184 milionë euro, nga një balancë pozitive prej 388 milionë eurosh që kishte qënë në fund të vitit 2012. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, tërheqja e investimeve ka përfshirë industrinë e veshjeve dhe atë të përpunimit të metaleve. Në vlera negative të investimeve ka kaluar edhe sektori i energjisë elektrike, për një vlerë prej 33 milionë eurosh. Në rënie graduale vit pas viti është edhe stoku i investimeve në sektorin e tregtisë, që ka zbritur në vlerën e 117 milionë eurove, më pak se gjysma e shumës së vitit 2008.

Të vetmet aktivitete ekonomike që ka regjistruar rritje të gjendjes së investimeve janë degët e shërbimeve, që lidhen kryesisht me telekomunikacionet dhe me sektorin financiar. Investimet në degën e transport-komunikacioneve kanë prekur vlerën e 785 milionë eurove, në rritje me afro 80% që nga viti 2012. Stoku i investimeve në sektorin financiar ka arritur vlerën e 780 milionë eurove, në rritje me 3.5% krahasuar me vitin 2012. Ndërmjetësimi financiar është ndër të paktat degë të ekonomisë ku stoku i investimeve të huaja ka ardhur vazhdimisht në rritje gjatë gjashtë viteve të fundit.

 

Rritet shifra e afarizmit në industri

Në tremujorin e dytë 2014, shifra e afarizmit në volum në “Industri” (përfshi Industri Nxjerrëse dhe Përpunuese), është rritur 8,5% krahasuar me tremujorin e dytë 2013, referoi INSTAT. Në këtë rritje ndikon aktiviteti “Industri Nxjerrëse” me 20,4%. Referuar të njëjtës periudhë krahasimore, aktiviteti “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë” paraqitet me rritje 9,8%, ndërsa aktiviteti “Energji elektrike, gaz, avull dhe furnizim me ajër të kondicionuar” me rënie 9,7%.

Volumi i prodhimit industrial shënoi një rritje prej 4,3% në tremujorin e dytë 2014, ndërsa volumi i prodhimit të Energjisë elektrike shënoi një rënie me 38,0%, krahasuar me tremujorin e dytë 2013.

Numri i të punësuarve me pagesë në ndërmarrjet e aktivitetit “Industri” (Industri Nxjerrëse dhe Përpunuese) u rrit me 21,0%, krahasuar me tremujorin e dytë 2013, ndryshim i cili vjen kryesisht nga rritja e këtij treguesi në “Industri Përpunuese”. Për aktivitetet “Energji elektrike, gaz, avull dhe furnizim me ajër të kondicionuar” dhe “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë”, ky tregues paraqitet me rritje 8,8% dhe 6,1%. Niveli i fondit të pagave shënoi një rritje prej 18,5% në “Industri”, 24,3% në “Energji elektrike, gaz, avull dhe furnizim me ajër të kondicionuar” dhe 8,7% në “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë”.

Ndryshimi tremujor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum, në Industri, paraqitet me rritje 16,4%. Të dy degët përbërëse si “Industri Nxjerrëse” dhe “Përpunuese” kanë pasur rritje me 16,6% dhe 16,3%. Aktiviteti “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë” shënoi rritje në 8,5%, ndërsa aktiviteti “Energji elektrike, gaz, avull dhe furnizim me ajër të kondicionuar” shënoi rënie me 12,4%.

Gjatë tremujorit të dytë 2014, volumi i prodhimit industrial shënoi një rënie me 4,6% krahasuar me tremujorin paraardhës, Tr I – 2014, ndërsa volumi i prodhimit të energjisë u rrit me 8,7% referuar të njëjtës periudhë krahasimore.

Me një rritje prej 2,8% rezulton numri i të punësuarve me pagesë në ndërmarrjet e aktivitetit “Industri”, rritje e cila vjen kryesisht nga ndikimi i Industrisë Përpunuese. Ky tregues paraqitet me një rritje prej 0,6% në Energjinë elektrike, gazin dhe avullin dhe rritje prej 1,0% në aktivitetin e Grumbullimit dhe furnizimit me ujë. Fondi i pagave shënoi rritje në aktivitetet “Industri”, “Energji elektrike” dhe “Grumbullimi dhe furnizimi me ujë”, me 5,9%, 6,1% dhe 9,3%.

 

Ndërtimi nuk ndal rënien

Por aktiviteti i ndërtimit në këtë tremujor pasqyron rënie të këtij treguesi me 15,6%, krahasuar me të njetën periudhë të një viti më parë.

Në rritjen prej 7,4% të shifrës së afarizmit në volum, në “Shërbime”, në tremujorin e dytë 2014 krahasuar me tremujorin e dytë 2013, kanë ndikuar kryesisht aktivitetet: “Agjenci e udhëtimit” me 37,0%, “Informacioni dhe Komunikacioni” me 25,1%, “Hotele” me 20,5%, dhe “Tregti” me rritje prej 7,2%.

Ndryshimi tremujor i treguesit të shifrës së afarizmit në volum, në tremujorin e dytë 2014, paraqitet me rritje prej 12,8%, krahasuar me tremujorin e parë 2014. Rritja vjen kryesisht nga aktivitetet: “Ndërtim” me 20,5%,“Industri nxjerrëse” me 16,6%, “Industri Përpunuese” me 16,3%.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency