Johannes Hahn: Për Shqipërinë,  KE të ndjekë procesin sipas rekomandimeve tona

0
109

 Alba Kepi

Johannes Hahn Vetëm pas dy orë e gjysmë dëgjimi, më në fund dikush nga europarlamentarët pati interesimin ndaj ecurisë së statusit evropian të Shqipërisë, Johannes Hahn u shpreh: “Shqipëria do t’i nënshtrohet procesit të shqyrtimit e shpresoj që Këshilli i Evropës ta ndjekë këtë proces sipas rekomandimit tonë”

 Ndërsa në Tiranë komisioneri evropian Stefan Füle mbyllte orët e fundit të misionit të tij në Shqipëri, në Bruksel, komisionerët e rinj të caktuar nga Presidenti i sapozgjedhur i Komisionit, Jeane Claude Juncker, nisën audicionet e testimit pranë Parlamentit Evropian. Pak orë pasi Füle raportoi për raundin e katërt të dialogut me Shqipërinë, zëvendësi i tij i mundshëm për pesë vitet e ardhshme, austriaku Johannes Hahn, u mor në vlerësim në sallën “Jozef Antall” të Brukselit nga një komision i caktuar europarlamentar i çështjeve të jashtme.

Johannes Hahn, i propozuar nga Juncker si komisioneri Evropian për Zgjerimin e Politikën e Fqinjësisë së Mirë, për tre orë rresht iu nënshtrua 45 pyetjeve që Parlamenti Evropian ka përcaktuar për çdo komisioner të nominuar e në varësi të funksionit të tij të ardhshëm. Pavarësia e veprimit dhe e mendimit, kodi i sjelljes, motivimi, impenjimi, përgjegjësia, eksperienca, njohuria e përgatitja profesionale paraprinë diskutimet e mëpasshme për mënyrën e administrimit nga ana e tij të postit, për të cilin është propozuar, opinioni profesional për politikën e jashtme evropiane, për zgjerimin e fqinjësinë, kontributi e propozimet personale për këto qëllime, dialogu ndërinstitucional e strategjik me Komisionin, si dhe instrumentet politike e sistemet pozitive në garantimin e procesit të adezionit për vendet kandidate.

Maqedonia, Ukraina, Moldavia, Serbia, Kosova, Shqipëria, Turqia qenë prova e parë e pyetjeve ndaj Hahn nga ana e europarlamentarëve. “Qeveria serbe duhet të vazhdoj të reflektoj- u shpreh ai- e është në duart e vendeve kandidate, ecuria e shpejtë e negociatave. Fakti se qeveria Serbe nuk pranon sanksionet e BE ndaj Rusisë, është një çështje që duhet ta diskutojmë me të e në kohën e duhur”. Sa i takon Maqedonisë, nën interesimin këmbëngulës të europarlamentarëve grekë, austriaku Hahn deklaroi se rinisja e negociatave është një nga sfidat kryesore të punës së tij. “Dëshira për reformat në Maqedoni është reduktuar shumë e ky fakt më shqetëson”, – u shpreh ai. Komisioneri i ardhshëm kërkoi të theksonte se koha e pranimit të vendeve kandidate në Bashkimin Evropian do të varet nga përpjekjet e tyre për t’u reformuar. Nuk ka një zgjidhje të vlefshme për çdo situatë. Përparësi janë siguria e të drejtat e njeriut në vendet që na rrethojnë”. Ndërsa ndaj Turqisë pohoi se “e gjen të papranueshme që dikush të burgoset për kërkesat ndaj lirisë e shprehjes”, si dhe faktin se “me gjithë hapjen e kapitullit të ri të negociatave, janë të nevojshme aksione të besueshme e të dëshmueshme në kohë nga ana e qeverisë turke. Task-Forca e Drejtorisë së Përgjithshme të Politikës Rajonale dhe Urbane në Komisionin Evropian ka në akt projekte konkrete të zbatueshme si një mundësi e mirë bashkëpunimi mes komunitetit turk e atij qipriot”.

Vetëm pas dy orë e gjysmë dëgjimi, më në fund dikush nga europarlamentarët pati interesimin ndaj ecurisë së statusit evropian të Shqipërisë, Johannes Hahn u shpreh: “Shqipëria do t’i nënshtrohet procesit të shqyrtimit e shpresoj që Këshilli i Evropës ta ndjekë këtë proces sipas rekomandimit tonë”.

 Dëshira për një dialog të përhershëm me Parlamentit Evropian, për një situatë më të ekuilibruar mes Jugut e Lindjes, për t’u gjetur rizgjidhje problemeve në Ukrainë e Rusi, pa provokuar konflikte të reja, një Evropë e bashkuar pa kufij dhe e paqtë karakterizuan përgjigjet e tij, duke nënvizuar se ai nuk mund të parashikojë të ardhmen, por mund të garantojë impenjimin e tij pozitiv e të pandikueshëm në linjë të plotë me politikat e BE-së në zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë.

Audicioni i Johannes Hahn, i propozuar si komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë së Mirë u mbyll me një duartrokitje të ngrohtë që lë një premisë të mirë për miratimin e kandidaturës së tij nga Parlamenti Evropian.

Për një javë rresht deri më 7 tetor, 27 kandidatët për komisoner evropian do t’i nënshtrohen këtij testimi të vërtetë pyetje-përgjigje, përballë komisioneve europarlamentare kompetente të ngarkuara për të shprehur mendimin e tyre të favorshëm o kundër ndaj nominimit të tyre. Është një hap i domosdoshëm për secilin, mediatikisht i parashikuar se do të ketë dhe surpriza. Fakt për këtë është se ndaj disa kandidaturave të skuadrës së ekzekutivit të Junckerit mjaft grupe politike janë shprehur skeptike ndaj përgatitjes profesionale, e domosdoshme për pozicionet e ardhshme.

Audicioni i Johannes Hahn i caktuar në pozicionin e komisionerit Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë së Mirë në komisionin europarlamentar për çështjet e jashtme.

Cilat aspekte të aftësive tuaja e të eksperiencës personale kanë një rëndësi të veçantë në zgjedhjen tuaj si komisioner në promovimin e interesit të përgjithshëm evropian e veçanërisht në sektorin ku do të jeni përgjegjës? Kush është motivi që ju nxit? Në ç’mënyrë do të kontribuoni në zhvillimin e programit strategjik të komisionit?

Çfarë garancish të pavarura mund të përcillni në Parlamentin Evropian e në ç’mënyrë siguroni se asgjë nga aktiviteti juaj i mëparshëm, i tashëm o i ardhshëm mund të krijojë dyshime në kryerjen e detyrimeve tuaja brenda Komisionit?

Vendimet që kam marrë e influenca politike që kam ushtruar gjatë pesë viteve që kam qenë komisioner dëshmojnë impenjimin tim në favor të interesit evropian dhe pavarësinë time.

Në fushën e pozicionit tim aktual kam nisur e mbikëqyrur një reformë substanciale në politikën rajonale. Kam ndihmuar rajonet evropiane për të përballuar krizën në një periudhë të rënies drastike të investimeve publike në çdo anë të Evropës. Në udhëheqjen time e duke punuar në bashkëpunim me Parlamentin Evropian, Komisioni ka treguar konkretisht (në riprogramimin dhe uljen e nivelit të bashkëfinancimit) se institucionet evropiane mund të veprojnë në mënyrë fleksibile e në të mirë të qytetarëve evropianë. Bashkëpunimi me Parlamentin Evropian e shtetet anëtare bënë që kjo politikë të jetë instrumenti kryesor investues i Evropës, duke realizuar gjerësisht objektivat e Evropës 2020.

Qe një proces gjithëpërfshirës që bashkoi shoqërinë civile, sipërmarrjen, partnerët social e përfaqësuesit politik të të gjitha niveleve. Puna jonë u bazua në principet e reformat strukturore e në qeverisjen e mirë, kushte të domosdoshme në arritjen e objektivave të përbashkëta evropiane.

Për mua është e qartë lidhja mes pozicionit tim aktual e përgjegjësisë sime të ardhshme si komisioner Evropian për Zgjerimin e Politikën e Fqinjësisë së Mirë. Promovimi i zhvillimi ekonomik e integrimit me anë të projekteve konkrete e investimeve strategjike, përbën një nga aspektet kryesore të përvojës që do të vë në shërbim të rolit tim të ri.

Gjatë mandatit tim kam inauguruar një formë të re bashkëpunimi rajonal në kuadër të strategjive makrorajonale, ku bëjnë pjesë vendet e Ballkanin Perëndimor e disa vende fqinje të lindjes.

Motivi që më shtyn është përdorimi i fuqisë transformuese të Bashkëpunimit Evropian e instrumenteve të tij të ndryshme për të përmirësuar kushtet e jetesës, perspektivat e prosperitetin e qytetarëve. Bashkimi Evropian është themeluar për të promovuar paqen me anë të një integrimi sa më të madh. Nëse do të konfirmohem si komisioner Evropian për Zgjerimin e politikën e Fqinjësisë së mirë, ky do të jetë dhe misioni im kundrejt partnerëve përtej kufijve të BE.

Gjatë karrierës time profesionale e politike, kam reaguar gjithmonë në kontekstin më të gjerë të Evropës e të Bashkimit Evropian. Që në fillimet e karrierës time politike kam mbështetur idenë e një Evrope të bashkuar e pa kufij.

Politika rajonale më ka çuar të punoj e të kem kontakte me të gjithë sektorët e aktivitetit të Komisionit (nga energjia te transporti, nga politika sociale te politika makroekonomike). Kjo eksperiencë pa dyshim do të më jetë mjaft e dobishme në një Komision që mbështetet tek puna në grup e aftësia për të promovuar një refleksion të përbashkët në realizmin e prioriteteve evropiane mes objektivave të tij kryesore e në mënyrë të veçantë në sektorin e politikës së fqinjësisë së mirë e negociatave për zgjerim,e ku është e domosdoshme koordinimi i instrumenteve e politikave tona për të arritur ndikimin maksimal.

Si anëtar i Komisionit evropian, synoj pa dyshim në kryerjen e funksioneve të mia totalisht i pavarur, ashtu siç kam bërë gjatë pesë viteve të shkuara, me objektivin unik të promovimit të interesit të përbashkët evropian. Do të vazhdoj të evitoj të gjitha situatat që mund të kompromentojnë pavarësinë time dhe paanshmërinë.

Jam plotësisht i vetëdijshëm për detyrimet që më takojnë sipas normave të Traktatit e ritheksoj përkushtimin tim për të respektuar normat etike rigoroze të parashikuara nga kodi i sjelljes së komisionerëve. Deklarata ime e interesave është e hapur për publikun e do të përditësohet në rast ndryshimesh.

Në mënyrë që të garantohet një kontroll i duhur parlamentar, a mund të impenjoheni për të përcjellë një fluks më të mirë informacioni (tipologjia, frekuenca, përmbajtja) përmes delegacioneve të BE ndaj vendeve të interesuara për zgjerimin e në vendet fqinje (përfshirë marrëdhëniet politike)?

Çfarë aksionesh do të ndërmerrni për të garantuar që komisioni të marrë në mënyrë sistematike e proaktive informacionet konkrete ndaj të gjitha fazave të negociatave, nënshkrimi e zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare? Si do ta ndihmoni komisionin në monitorimin e zbatimin e marrëveshjeve të tilla?

Pajtohem plotësisht me faktin se puna juaj duhet bazuar në fakte konkrete, vlerësime e raporte të siguruar nga Komisioni evropian e nga delegacionet e BE. Unë do të mbaj një dialog të vazhdueshëm me Parlamentin Evropian për të informuar mbi zhvillimet me vendet fqinje në fazën e para pranimit, e mbi marrëdhëniet tona me këto vende, përfshirë përgatitjet e zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Me bashkëpunëtorët e mi do të bëj të mundur që të gjitha kërkesat, komunikimet, dokumentacionet e kërkuar nga anëtarët e Parlamentit Evropian do të marrin përgjigje të plota e në kohë. Do të udhëzoj stafin tim të përcjellë raportimin e delegacioneve të BE në lidhje me procesimin e pranimit e do të reflektoj për të gjetur mënyrën më të mirë në garantimin e fluksit të rregullt të informacionit në përputhje me praktikën e stabilizuar. Për sa u përket marrëveshjeve ndërkombëtare e negociatave, do të përpiqem që parlamenti të jetë gjithmonë i informuar në të gjitha fazat,në mënyrë që të mund të japin rekomandimet përkatëse e që ndaj të cilave do të marr në konsideratë.

A besoni se kuadri politik aktual që mban nën një çati të vetme 16 vende nga Maroku në Ukrainë, është ende i rëndësishëm duke marrë parasysh perspektivat e ndryshme të secilit vend në drejtim të stabilitetit politik, sigurisë, kapacitetit e angazhimeve për t’u reformuar? Çfarë hapash konkrete do të prezantoni për të përmirësuar politikën e fqinjësisë e mënyrën e rrugëzgjidhjes së tyre në Parlamentin Evropian?

Që kur është krijuar dhjetë vjet më parë, politika evropiane e fqinjësisë, vendet përreth kanë qenë teatër i ndryshimeve të thella. Dhe pse ka pësuar ndryshim më vitin 2011 për shkak të pranverës arabe, paqëndrueshmëria që mbretëron në të gjithë fqinjët, por veçanërisht në Ukrainë, Siri, Libi, thekson nevojën për ndryshime të mëtejshme. Presidenti i zgjedhur Juncker më ka kërkuar vlerësimin e situatës e formulimin e një propozimi ndaj linjës që duhet ndjekur përgjatë vitit të parë të mandatit, një detyrë që e konsideroj thelbësor e urgjente.

Nëse do të konfirmohem si komisioner evropian në pozicionin e propozuar, prioriteti im do të jetë një politikë e fqinjësisë sa më e përshtatshme me qëllimin e kontributit sa më të madh në mbrojtje të sigurisë e vlerave të Evropës. Është e qartë se për të arritur këtë rezultat duhet marrë parasysh situata e specifikat e nevojshme të fqinjëve tanë.

Politika e fqinjësisë duhet të jetë më fleksibile. Fqinjët tanë janë kaq të ndryshëm sa nuk mund të aplikohet ndaj të gjithëve i njëjti impostim. Kjo politikë duhet zbatuar jo vend në nivel vendi, por sektor për sektor deri sa të jetë i mundur përdorimi i instrumenteve të nevojshme për të përballuar çështjet themelore si energjia, shkëmbimi i lirë e migrimi, me vëmendjen e veçantë ndaj qeverisjes së mirë…

Çfarë aksionesh synoni të ndërmerrni për të ruajtur procesin e zgjerimit e garantuar që vendet respektive të fokusohen në përgatitjet e tyre për anëtarësim?

Perspektiva e pranimit në BE është një faktor i rëndësishëm i konsolidimit e promovimit të reformave, që duhet ta përdorim me mençuri. Në të njëjtën kohë do të synoj të pranohen në BE vetëm vendet që do të jenë vërtetë gati. Cilësia duhet të mbizotëroj shpejtësinë. E mbi të gjitha qytetarët evropianë duhet të “tresin” 13 pranimet gjatë dhjetë viteve të fundit e nuk do të ketë zgjerime të mëtejshëm në BE për pesë vitet e ardhshme.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency