Denoncimi/ Basha: Dëshmitari kyç për vrasjen e Lamajt u dekonspirua nga Rama

0
121

Gëzim Saliu

Basha per deshmitarin e Frrokut Kreu i PD-së: Rama të zbatojë vendimet e gjykatave, mea culpa për dhunën në Kuvend, si edhe të votojmë instrumentin, i cili do të nxjerrë jashtë Parlamentit të inkriminuarit

 Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi dje Kryeministrin Rama dhe ministrin e Brendshëm se kanë dekonspiruar dëshmitarin kyç në vrasjen e komisarit Dritan Lamaj, duke i bërë publik emrin për mediat dhe mbarë opinionin publik. Përmes një deklarate nga selia blu, kryedemokrati e cilësoi këtë ngjarje si një akt të pashembullt mafioz dhe skandal që kalon përmasat e çdo imagjinate. “Në media, në gazeta, në televizion, në rrjetet sociale, sot (dje) është publikuar emri, mbiemri dhe foto të identitetit të dëshmitarit të mbrojtur të drejtësisë. Ky kompromentim i menduar dhe i ekzekutuar me gjakftohtësi nga qeveria është skandal që kalon përmasat e çdo imagjinate. Edhe në shtetet më të dështuara të botës, edhe në regjimet më të dështuara të botës, dëshmitari i drejtësisë mbrohet. Rënia e dëshmitarit kyç në një proces gjyqësor për vrasjen e një komisari policie është në fakt rënia përfundimtare e shtetit, kapja e tij, dorëzimi i tij në këmbët e mafies së lidhur me politikën”, – tha Basha.

 

Deklarata

Sipas kreut të forcës më të madhe opozitare, Kryeministri dhe ministri i Brendshëm janë personat që kanë urdhëruar nxjerrjen në rrugë, të zbuluar dhe pa mbrojtje, të dëshmitarit të drejtësisë. “Edi Rama e ka urdhëruar këtë akt kriminal mafioz për llogari të aleancës së tij politike me mafian në Kuvend. I bëj thirrje sot Prokurorisë të dëshmojë kurajo dhe të hetojë këtë krim të paprecedent e të nxjerrë përgjegjësit para ligjit. I bëj thirrje vendeve mike, përfaqësuesve të tyre që ndjekin dhe kanë ndjekur prej kohësh me shqetësim thellimin e zullumit antidemokratik në Shqipëri, i bëj thirrje përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të vëzhgojnë nga afër këtë proces kriminal të rënies së shtetit dhe policisë në duart e mafias së lidhur drejtpërdrejt me pushtetin”, – u shpreh Basha. Në këtë kontekst, kreu i PD-së pohoi se dorëzimi nga kryeministri i dëshmitarit kyç të mbrojtur nga drejtësia, është dorëzimi i çdo garancie që ka dhe duhet të ofrojë një qeveri për rendin dhe sigurinë dhe qytetarët e këtij vendi.

 

Kuvendi

Në daljen publike për mediat, shefi i opozitës u pyet nëse do të pranonte ofertën e kreut të qeverisë për të bashkëpunuar me mazhorancën, të bërë publike në takimin me eurokomisionerin në largim Stefan Füle. Në përgjigje të pyetjes, Basha tha se skandali që u denoncua dje nga PD tregon realitetin në vend. Sipas tij kërkesat e PD-së janë të qarta, duke nisur me rikthimin e normalitetit politik në vend dhe parlamentarizmit. “Kërkohet një ndjesë publike për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të tjera të vendit, por në veçanti për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Dhe zbatimi i tyre i menjëhershëm pa debat, pa diskutim. Kërkohet një ndjesë publike për përgjegjësitë kryeministrore, për dhunën e organizuar, siç e pa çdo shqiptar në Kuvend nga ai, përmes strukturës së dhunës të sjellë aty nga ai kundër opozitës. Kërkojmë ngritjen e një instrumenti i cili do të nxjerrë jashtë Kuvendit të inkriminuarit, njerëzit e dënuar për trafiqe e vrasje, dhe që do të parandalojë futjen e tyre në Parlament në të ardhmen”, – u shpreh ai. Për kreun e PD-së kërkesat e opozitës janë të qarta dhe publike, e lidhur me këtë, theksoi ai, kryeministri ka 8 javë që nuk jep përgjigje. “Jemi ne që presim përgjigje nga ai. Dhe jo e kundërta”, – përfundoi komentin e tij, kryedemokrati Basha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency