Dialogu Shqipëri-BE/ Zbardhen 10 pikat e  raportit, Rama – opozitës:  I hapur për çdo kërkesë

0
104

Florenc Drizari

fyle bregu rama “Ne jemi të hapur për çdo kërkesë, mjaft që të mos na kërkojnë që të mos  marrim vendime kur ata s’janë dakord me ne, sepse këtë s’e bëjmë dot”

 Kryeministri Rama ftoi opozitën që të rikthehet të enjten në Kuvend, duke siguruar se qeveria do të respektojë çdo rregull që ka të bëjë me garantimin e të drejtave të saj. Pas takimit të katërt të Dialogut të Nivelit të Lartë të zhvilluar me eurokomisionerin Stefan Fyle, Rama premtoi se në seancën e ardhshme plenare mazhoranca është e gatshme të votojë kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, kërkesa që kanë mbetur pezull në sirtarët e Parlamentit prej disa muajsh.

“Ne jemi të hapur për çdo kërkesë, mjaft që të mos na kërkojnë që të mos marrim vendime kur ata s’janë dakord me ne, sepse këtë s’e bëjmë dot, sepse kontratën qeverisëse ne e kemi me shqiptarët. Sot dëgjuam kërkesën lidhur me komisionet hetimore. Që ditën e enjte jemi të gatshëm të votojmë çdo kërkesë për komision hetimor të Partisë Demokratike. Të enjten”, – deklaroi Kryeministri Edi Rama. Duke iu referuar konfliktit mes deputetit demokrat Gent Strazimiri dhe dy deputetëve socialistë, Ndoka dhe Ndreu, Rama tha se forca politike që ai drejton prej kohësh e ka dënuar incidentin, ndërsa theksoi se dy deputetët e PS-së tashmë do të përballen me drejtësinë pa mbështetje politike.

“Opozita e braktisi Parlamentin me pretekstin se u dhunua fizikisht, pasi dy deputetë të shumicës u përplasën fizikisht me deputetët e pakicës. Si asnjëherë më parë, – dhe këtu të gjithë jemi dëshmitarë, – jo vetëm që ne e dënuam moralisht aktin e dy deputetëve tanë, por ai u ndëshkua dhe administrativisht nga Kryesia e Kuvendit. Sot, gjëja e pandodhur ndonjëherë në historinë e një Parlamentit, ku ç’nuk ka ndodhur, ata janë në akuzë penale nga Prokuroria dhe do të dalin në gjyq. Në gjyq do të mbrojnë veten. Ndërkohë që, ne e kemi inkurajuar drejtësinë të bëjë drejtësi. Jemi distancuar e distancohemi hapur ndaj çdo veprimi që bie ndesh me etikën e bashkëjetesës në Kuvendin e Shqipërisë dhe në jetën politike shqiptare”, – deklaroi kreu i qeverisë.

Pas takimit me Fylen, Rama tha se pjesë e diskutimeve ishte edhe reforma në drejtësi. Ai nënvizoi se qeveria është e gatshme ta mirëpresë opozitën në këtë tryezë. Kryeministri tha se ministri i Drejtësisë dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve kishin bërë gati draftin për Konferencën Kombëtare për Reformën në Drejtësi, por pas njoftimit për një nismë të Presidentit, përfaqësuesit e qeverisë iu drejtuan kreut të shtetit për të qenë në pritje të ditës së diskutimeve të caktuar prej tij.

Gjatë deklaratës së tij, Kryeministri Rama deklaroi se Takimi i Nivelit të Lartë BE-Shqipëri, u shfrytëzua edhe për t’u takuar me opozitën. Në këtë takim mësohet të ketë pasur debate mes kreut të qeverisë dhe përfaqësuesve të qeverisë, ndërsa në tërësi palët dhanë mbështetjen e tyre për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Në deklaratën e tij, Rama falënderoi kontributin e komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle, paçka se në kohëra të ndryshme tha ai, opozita dhe qeveria nuk kanë qenë dakord me qëndrimet e zyrtarit të lartë të BE-së.

 

 10 konkluzionet e takimit në Niverlit të Lartë BE – Shqipëri

Pas takimit të katërt të Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE, u publikuan 10 konkluzionet e raportit që theksojnë hapat që duhet të ndjekë Shqipëria në rrugën e saj të integrimit europian. Në raport thuhet se Shqipëria duhet të vazhdojë me plotësimin e rekomandimeve, ndërsa theksi vendoset në dialogun politik qeveri-opozitë në Kuvend, në mënyrë që të realizohen reformat.

 

Konkluzionet

1) Kryeministri Edi Rama dhe Komisioneri Štefan Füle kryesuan takimin e katërt të Dialogut të Nivelit të Lartë mbi prioritetet kryesore midis Shqipërisë dhe vendeve të BE më 29 shtator 2014. Seanca plenare përfshiu pjesëmarrjen e Ministrave të Qeverisë, si dhe të opozitës, përmes kryetarit të Komisionit parlamentar për Integrimin Evropian.

2) Shqipëria duhet të duhet të intensifikojë përpjekjet e saj për reforma, të cilat do të jenë subjekt i një analizë edhe më të detajuar nga BE-ja. Komisioneri Füle gjithashtu theksoi rëndësinë e gjithëpërfshirjes në procesin e reformave, si një element thelbësor për të garantuar qëndrueshmërinë e reformave. Në këtë kuadër ai u kërkoi palëve qeverisë dhe opozitës për të ndërmarrë hapa për të rivendosur dialogun politik në parlament. Komisioneri shprehu pakënaqësi rreth faktit se takimi i Komisionit Parlamentar të Integrimit Europian për t’i paraprirë raundit të katërt të Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE nuk u realizua për shkak të qëndrimit të opozitës…

3) U ra dakord se është thelbësore që Shqipëria të vazhdojë dorëzimin e rezultateve sipas prioriteteve kyçe që janë identifikuar për hapjen e negociatave për anëtarësim. Komisioneri Fule rikujtoi rëndësinë e forcimit të pavarësisë, llogaridhënies dhe efikasitetit të gjyqësorit përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe nën drejtimin e Komisionit të Venecias. Komisioneri mirëpriti marrëveshjen mes Presidentit të Republikës dhe Ministrit të Drejtësisë për të organizuar një konferencë të përbashkët kombëtare mbi reformën gjyqësore në tetor.

4) …Përfundimi i grupeve të punës duhet të sigurojë bazën për strukturimin dhe monitorimin e reformave të nënvizuara në udhërrëfyes. U ra dakord gjithashtu se kalendari takimeve të grupeve të punës duhet të jetë fleksibël. Do të ketë dy deri në tre mbledhje në vit, të mirëkoordinuara me kalendarin e takimeve të Dialogut të Nivelit të Lartë.

5) Në bazë të diskutimeve dhe konkluzioneve të grupeve të punës dhe në përputhje me udhërrëfyesit, përfaqësuesit e Shqipërisë dhanë një përditësim të shkurtër për veprimet e planifikuara për adresimin e pesë prioriteteve kyçe. Komisioneri theksoi rëndësinë e zbatimit të veprimeve të identifikuara nga grupet e punës dhe inkurajoi punën e mëtejshme në përputhje me masat e përcaktuara në udhërrëfyes.

6) Pjesëmarrësit e takimit të Dialogut të Nivelit të Lartë përshëndetën raundin e parë të misionit të shqyrtimit të institucioneve të pavarura, që ka ndodhur në fillim të shtatorit. Në këtë kontekst Komisioneri Füle theksoi se duhen bërë përpjekje të mëtejshme për të përforcuar pavarësinë, de-politizimin dhe efikasitetin e këtyre institucioneve duke ndjekur rekomandimet e misionit të shqyrtimeve.

7) Kryeministri Rama shprehu shpresën se vendimi për të kaluar në hapin tjetër – hapjen e negociatave – do të bëhet nëpërmjet një procesi të besueshëm dhe të parashikueshëm, në bazë të përmbushjes së pesë prioriteteve kyçe.

8) Komisioneri Füle theksoi se Komisioni është i gatshëm të vazhdojë të mbështesën përpjekjet e Shqipërisë në ecurinë e reformave me ekspertizë dhe mbështetje financiare.

9) Pala shqiptare konfirmoi angazhimin e saj për një dialog konstruktiv dhe të qëndrueshëm politik midis qeverisë dhe opozitës, e cila është jetike për qëndrueshmërinë e procesit të reformave. Për më tepër, qeveria bëri një përditësim të situatës për krijimin e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian dhe u angazhua për të bërë atë funksional sa më shpejt që të jetë e mundur përmes një angazhimi konstruktiv me të gjitha palët e interesuara.

10) U ra dakord që të vazhdojnë përgatitjet për takimin e ardhshëm të Dialogut të Nivelit të Lartë dhe Shqipëria do të përgatisë raporte mbi zbatimin e Udhërrëfyesit miratuar më 28 maj. Komisioneri Füle theksoi nevojën që Shqipëria të mbetet e përqendruar në procesin e reformave dhe të vazhdojë të tregojë me rezultate përmbushjen e pesë prioriteteteve kyçe.

 

“Sherri në Kuvend”, Bregu zbardh Takimin e Nivelit të Lartë

 Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, pas takimit të djeshëm të Dialogut të Nivelit të Lartë BE-Shqipëri, zbardhi disa nga pikat e diskutimeve, duke thënë se fokusi i dialogut u përqendrua tek incidentet e ndodhura në Kuvend, si dhe tek cenimi i të drejtave të opozitës parlamentare. “Procesi i integrimit është procesi më madhor për shqiptarët dhe ne nuk do të bllokojmë asnjë reformë në këtë proces. Kemi qenë sot të pranishëm pavarësisht se nuk jemi në parlament. Ne ishim në Parlament. Kemi qenë pjesë aktive e Parlamentit. Në momentin kur nuk janë të drejtat të cilat opozita ose për të cilat opozita qëndron në Parlament, kjo është një pyetje që duhet t’ia drejtoni qeverisë dhe mazhorancës”, – tha Bregu. Në këtë takim mësohet se ka pasur shkëmbime replikash mes përfaqësuesve të opozitës, deputetit Arben Ristani dhe Kryeministrit Rama, ku i pranishëm ka qenë edhe komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle.

Pavarësisht rezervimit për deklaratat antibojkot të Fyles, drejtuesit e opozitës duket se nuk i ka kënaqur edhe aq ky mesazh i tij në Tiranë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency