Gushti niveli më i lartë/ Rritet me shpejtësi deficiti tregtar

0
188

Ervin Kaduku

maune_kamion-610x330 –  Importet po rriten me shpejtësi, teksa eksportet po ngadalësohen. Gushti ka shënuar nivelin më të lartë të deficitit tregtar gjatë këtij viti

 Importet u rritën me 7.8% me bazë vjetore për tetëmujorin e parë të vitit, në 350.2 miliardë lekë, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT-i. Nga ana tjetër, me eksportet që po ngadalësohen, deficiti tregtar po përkeqësohet sërish pas një përmirësimi në 2013-n, duke u rritur me 8% në raport me tetëmujorin e parë të vitit të kaluar, për të arritur në 178 miliardë lekë (përqindja e mbulimit të importeve me eksporte zbriti në 48.9%, nga gati 50% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Importi

Pothuajse të gjitha grupmallrat kryesore shënuan rritje me bazë vjetore për periudhën janar-gusht. Importet e mineraleve, lëndëve djegëse, energjisë u zgjeruan me 6.3%, në rreth 60.6 miliardë lekë, kryesisht si rrjedhojë e blerjeve të energjisë jashtë vendit, por dhe shtimit të importeve të karburanteve.

Importet e tekstileve e këpucëve u zgjeruan me 19%, një reflektim direkt i rritjes prej 25.5% të eksporteve të këtij grupmalli gjatë tetë muajve të këtij viti.

Importet e materialeve të ndërtimit e metaleve u rritën me rreth 9.3% në rreth 44 miliardë lekë. Rritja është ngadalësuar për tetëmujorin, në raport me 11.3% që ishte zgjerimi për shtatë mujorin, duke reflektuar dhe tendencën ciklike të këtij grupi, që ishte rritur kryesisht si rrjedhojë e blerjeve të materialeve të ndërtimit nga Devolli Hydropower, kompania që po ndërton hidrocentralet në Jug të vendit dhe jo nga zgjerimi i qëndrueshëm i ndërtimit.

Importet e grupmallit ushqim, pije dhe duhan janë të vetmet që kanë shënuar tendencë negative për tetëmujorin, duke u tkurrur me 0.8% me bazë vjetore, në 60.3 miliardë lekë. Tkurrja e këtij grupi, më shumë se rënie të konsumit tregon për zëvendësim të importeve me produktet vendase, teksa INSTAT ka njoftuar se grupi “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, ka dhënë kontributin më të madh në tremujorin e dytë në indeksin e volumit të shitjeve (indeksi i volumit të shitjeve i këtij grupi është rritur 16,9% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2013).

 

Eksporti

Eksportet kanë ngadalësuar sërish ritmet e zgjerimit për periudhën janar-gusht 2014. Sipas statistikave të publikuara nga INSTAT, në fund të tetëmujorit 2014, eksportet arritën në rreth 171.5 miliardë lekë, duke u zgjeruar me 7% me bazë vjetore (nga 7.6% që ishte rritja për shtatëmujorin). Për gjashtëmujorin, rritja vjetore ishte 10.3%, ndërsa për katërmujorin, 11.2%.

Tekstilet dhe këpucët kanë vijuar të jenë motori i rritjes së eksportet në tetë muajt e parë të këtij viti, ndërsa grupi “minerale, lëndë djegëse, energji”, që kanë udhëhequr shitjet jashtë vendit në 2001-2013, gjithnjë e më shumë këtë vit po thellon ritmet e rënies.

Sipas statistikave, eksportet e “minerale, lëndë djegëse dhe energji” arritën në 61.95 miliardë lekë për periudhën janar-gusht, duke përshpejtuar ritmet e rënies dhe duke u tkurrur me 8% me bazë vjetore (për shtatëëmujorin rënia ishte 7%). Tkurrja e këtij grupi duket se ka ardhur nga energjia, si rrjedhojë e motit të thatë, si dhe frenimit të shitjeve të kromit. Edhe rënia e çmimeve të mineraleve në bursat ndërkombëtare ka ndikuar negativisht.

Ky grup po shfaq ecuri tepër negative këtë vit, ndryshe nga 2013-a, kur eksportet e lëndëve djegëse, mineraleve e energjisë u rritën me ritme dyshifrore, duke udhëhequr gjithë eksportet shqiptare. Pesha e këtij grupi në totalin e eksporteve ra nga 42% në gusht 2013, në 36% në korrik 2014.

 

Fasoni mban rekordin

Industria e tekstileve e këpucëve vijoi ecurinë e mirë, duke arritur në rreth 57.1 miliardë lekë në fund të gushtit, me rritje 25.5% me bazë vjetore. Tekstilet mbeten grupmalli i dytë më i eksportuar në vend, me 33% të totalit në fund të gushtit, nga 28% në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndonëse “mineralet, lëndët djegëse dhe energjia” vijojnë ende të ruajnë vendin e parë.

Tekstilet dhe këpucët janë grupmalli që po mbajnë peshën kryesore në performancën pozitive të eksporteve këtë vit (duke ndikuar në mbi 90% të rritjes për tetëmujorin).

 

 Mallrat “firmato” false, monopati i fundit i kontrabandistëve

Rreth 220 miliardë euro në të gjithë botën, 7 miliardë prej të cilave në Itali: kjo është shifra e tregut të mallrave të falsifikuara që rritet në linjë me tregtinë ndërkombëtare.

Për sa i përket Italisë, nga viti 2008 e deri në 2013-ën janë regjistruar 99 mijë e 748 sekuestrime mallrash, me një vlerë prej 3.789 milionë euro, vlera më e lartë në Bashkimin Evropian. Referuar raportit, rreth 66% e mallrave të konfiskuara vinin nga Kina.

Sektorët më të ekspozuar ndaj falsifikimit janë tekstilet, veshjeve, këpucëve, syzeve, produktet e kozmetikës dhe lodrat që përfaqësojnë 89.2% të vlerës së mallrave të konfiskuara në periudhën 2008-2013. Por kjo situatë ka dëmtuar ndjeshëm ndërmarrjen e vogla në Itali. Në sektorët e sipërpërmendur operojnë 64.322 ndërmarrje të vogla italiane me rreth 194 mijë të punësuar.

Por gjatë 5 viteve të fundit rreth 7 mijë njësi ose 9.9% janë mbyllur. Vetëm vitin e kaluar biznesi i vogël në këta sektorë është ulur me 2.1%. Sipas raportit, Kina kryeson renditjen e vendeve të origjinës së mallrave të falsifikuara. Më pas vijnë Turqia dhe Egjipti.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency