Standard.al

Takimi në Veneto/ Sipërmarrësit italianë interes për investim. Rama: Rimbursim automatik i TVSH, qera 1 euro

Gëzim Saliu

veneto“Miratuam ligjin që të ardhurat që shteti i merr nga tatimi mbi fitimi i kompanive i kthehen sipërmarrjeve që paraqesin projekte inovacioni apo investimesh që sjellin vende të reja pune”

Përmes një vizite dy ditore në rajonin e Venetos, Kryeministri Rama ftoi sipërmarrësit italianë të investojnë në Shqipëri, pasi sipas tij me paketën e masave të miratuar nga qeveria, lehtësimet janë të dukshme. Në bashkëbisedimin me 200 sipërmarrësit italianë, kreu i qeverisë foli mbi potencialet dhe avantazhet  që paraqet sot Shqipëria për investitorët e huaj në fusha të ndryshme si energjia, turizmi, bujqësia etj. “Ne kemi ngritur një strukturë lehtësuese shoqërimi për sipërmarrjet dhe sipërmarrësit që vijnë në Shqipëri për të shmangur të gjithë burokracitë. Kemi miratuar gjithashtu një kuadër ligjor, i cili lejon ofrimin e hapësirave me qera për një euro në vit, pra falas, për një periudhë 20- 30-40 vjeçare, varet nga lloji i investimit, lloji i strukturës që do të vendoset aty. Rimbursimi automatik i TVSH që për fat të keq ka qenë një nga problemet më të mëdha të së kaluarës është tashmë aktiv, që do të thotë se praktikisht nuk është vetëm rimbursimi automatik i TVSH në kohëzgjatje prej 60 ditësh, por bëhet në një mënyrë shumë transparente, duke mos pasur asnjë lloj problemi, krahasuar me problemet e mëparshme.”, bëri të ditur Rama.

 

Lehtësimet

Në takimin me sipërmarrësit italianë, kreu i qeverisë theksoi se  me paketën e masave të ndërmarra, të cilat do të lehtësojnë ndjeshëm, jo vetëm nisjen e një investimi në Shqipëri, por edhe ecurinë e tij përgjatë viteve. Sipas Ramës, kjo paketë dhe të tjera të ngjashme me të, për të cilat qeveria po punon në vazhdimësi, i kanë dhënë frytet e veta në një periudhë shumë të shkurtër kohe. “Kjo masë ka dhënë një rezultat të menjëhershëm në këtë sektor, në të cilin kemi patur një rritje të eksporteve me 30 % që në vitin tonë të parë. Pasi punën si qeveri e re kemi nisur në shtatorin e viti të kaluar, ndërsa paketën mbështetëse për sektorin e manifakturës e kemi vënë në zbatim në fillim të këtij viti. Pra, në më pak se 7 muaj verifikuam një rritje prej 30 %. Gjithashtu e vendosëm të gjithë sektorin e manifakturës në kategorinë e eksportuesve pa risk, gjë që  e bën kalimin burokratik në dogana shumë më të shpejtë.”, pohoi ai. Më tej, kryeministri theksoi se nisja e një biznesi nga investitorët e huaj në Shqipëri, do të gjejë gjithmonë mbështetjen e qeverisë shqiptare. Në këtë kontekst, Rama pohoi se kuadri i qartë ligjor do të shërbejë  si shtysë për zhvillimin e këtyre investimeve, duke nisur nga sistemi i taksave, kontributet shoqërore për të punësuarit, etj. “Kur dikush nis një biznes në sektorin e manifakturës në Shqipëri ne nuk i kërkojmë kontributet për vitin e parë. Për çdo vend të ri pune kompania nuk duhet të paguajë kontributet shoqërore. Kjo për faktin sepse ne e konsiderojmë këtë vit të parë edhe si një vit të rëndësishëm. Kështu që paguan shteti kontributet shoqërore. Kemi miratuar një ligj në të cilin kemi vendosur që të gjitha të ardhurat që shtetit i merr nga tatimi mbi fitimin i kompanive të manifakturës, i kthehen mbrapsht këtij sektori për të gjitha ato sipërmarrje që paraqesin projekte inovacioni dhe për projekte investimesh që sjellin vende të reja pune”, tha ai. Më tej, kreu i qeverisë i ftoi sipërmarrësit që të gjithë së bashku të rikthejnë në ditët e sotme, bashkëpunimin e suksesshëm shekullor mes Venecias dhe Shqipërisë. “500 vite më parë paraardhësit tanë kishin kuptuar gjithçka dhe bënin që në atë kohë vajtje-ardhje ndërmjet Venecias dhe Shqipërisë. Ndoshta është koha për ta kujtuar dhe për t’u kthyer 500 vite më parë, për të rinisur sepse kemi kaluar 500 vite dhe s’kemi kuptuar asgjë”, shtoi jo pa humor Kryeministri gjatë bisedës me sipërmarrësit italianë.

 

Me sipërmarrësit në SHBA/ Nishani: Bashkëpunoni për të na bërë të njohur përtë mirat tona

Bashkëpunimi me diasporën shqiptare, ka qenë në qendër të një takimi që Kreu i Shtetit shqiptar Bujar Nishani zhvilloi me rrjetin e profesionistëve dhe sipërmarrësve shqiptarë në SHBA. Gjatë një bashkëbisedimi të hapur lidhur me zhvillimet nё Shqipёri dhe perspektivёn e integrimit, Nishani theksoi domosdoshmërinë e kontributit të tyre për Shqipërinë dhe Kosovën. “ Shqipërisë iu dha statusi i vendit kandidat në BE disa muaj më parë dhe ajo është më afër se kurrë me BE-në. Pikërisht për arsyen se jemi në rrugën e një zhvillimi dinamik, me qëllime ambicioze, dhe duke u përballur, si çdo vend, me atë që e ardhmja parashikon për ne, ne kemi nevojë edhe për më shumë miq, më shumë lidhje, më shumë njohje, dhe më shumë mundësi. Prandaj, theksoj se kontributi më i mirë, më i vyer që mund t`i jepni Shqipërisë dhe gjithë botës shqiptare është të organizoheni, të gjeni mënyrën për të qenë sa më të integruar në shoqërinë ku jetoni dhe si të tillë e me një zë të fortë të mund të ndikoni aty ku keni mundësi për të bërë që të tjerët të na njohin, me ato që kemi më të mira dhe të mundësoni që interesat që na lidhin e bashkojnë të mbrohen e nxiten më së miri.”, tha ai. Më tej, kreu i shtetit shprehu mirënjohjen për komunitetin shqiptar në Amerikë, duke nënvizuar se suskesi i tyre në vendin ku jetojnë ka legjitimuar gjithmonë krenarinë e vendit mëmë.“ U deshën disa vite për të kuptuar një gjë të thjeshtë: mungesa e shqiptarëve në tribunat e nderit, në altarët e vlerësimit apo tribunat e shkëlqimit nuk kishte të bënte me ndonjë lloj pamundësie të qenies tonë.Kjo kishte të bënte me sistemin që nuk i jepte atyre një mundësi për të qenë të realizuar. Me suksesin tuaj, ju i keni dhënë vetes dhe familjes tuaj, por edhe Shqipërisë një krenari të ligjshme dhe ju meritoni mirënjohjen tonë”, u shpreh Presidenti i vendit.

 

 

 

Comments are closed.