Sulmohet për herë të tretë/ Familja Kovaçi kërcënohet të largohet nga vila, gruaja i qëllon me armë

0
199

Sonila Mesareja

vila e familjes KovaciPolicia në vendngjarje, gruaja dëshmon: Katër persona na kërcënuan me jetë nëse nuk braktisim sa më parë vilën, pata frikë dhe qëllova

Për familjen Kovaçi, e cila banon vetëm disa metra larg “Pallatit me Shigjeta” nuk të sosur problemet. Katër ditë pas atentatit të banorit të kësaj shtëpie, njëkohësisht edhe rojë i ndërtesës, si dhe disa muaj pas shpërthimit të tritolit në oborr, mëngjesin e djeshëm familja ka përjetuar ankthin e radhës. Katër persona kanë shkuar poshtë vilës 3-katëshe dhe kanë nisur kërcënimet me vrasje në adresë të kësaj familjeje, duke detyruar 50-vjeçaren që ndodhej në banesë të dilte me një çifte dhe të qëllonte në drejtim të tyre, duke vënë në alarm kështu policinë për rrezikun që po i kanosej. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, ka marrë dëshminë e gruas, ka sekuestruar armën që ajo dispononte me leje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e katër personave që kërcënuan sërish familjen Kovaçi, të ardhur në Burreli dhe të vendosur në këtë banesë që funksionon paraditeve si shtëpi për strehimin e jetimëve dhe mbrëmjeve si banesë për të jetuar.

 

Ngjarja

Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, përkatësisht në 03:30, është kërcënuar sërish familja Kovaçi që jeton në qendrën Jetimore “Zemër Nëne” në zonën e Tiranës së Re, pranë “Pallatit me shigjeta”. Nga të dhënat e para hetimore mësohet se 4 persona kanë shkuar në orët e para të mëngjesit, rreth orës 03:30 tek godina në fjalë duke i kërcënuar familjarët se nëse nuk shpërngulen do t’i hedhin në erë dhe do t’i vrasin. Pasi kanë dëgjuar kërcënimet e katër personave, e zonja e shtëpisë, një grua rreth të 50-ve ka dalë në sheshpushimin e verandës dhe ka gjuajtur disa herë me Shotgan në drejtim të tyre. Në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e policisë, por pa arritur dot të identifikojnë katër kërcënuesit. Grupi hetimor i ngritur për ngjarjen ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, ka sekuestruar gëzhojat dhe ka marrë dëshmitë e personave që banojnë në këtë ndërtesë.

 

Motivi

Shkak i mosmarrëveshjes mësohet të jetë një konflikt pronësie që zgjat prej vitesh në gjykatë. Ky është kërcënimi i tretë që i rrezikoi jetën pronarëve të kësaj ndërtesë. Në prill të 2014 i vendosën një sasi tritoli në pragun e shtëpisë. Më 24 shtator pranë kësaj godine iu bë atentat Fatmir Kovaçit, ose (Kurti) i njohur ndryshe, i cili banon por punonte edhe si roje natën në vilën 3-katëshe që tanimë është kthyer në objekt sherri.

 

Reagimi  

Në denoncimin e saj në polici gruaja ka treguar se kanë qenë 4 persona që kanë përsëritur fjalën vrasje disa herë dhe si reagim është detyruar të marrë një armë zjarri dhe ka qëlluar drejt tyre, duke i detyruar të largohen. Familja Kovaçi është shprehur se ndihet e frikësuar dhe e pambrojtur nga policia, nisur nga 3 sulmet në një kohë shumë të shkurtër. Gruaja është shprehur se për frikën që ndien u është drejtuar edhe trupës diplomatike në Shqipëri, duke shprehur shqetësimin e vazhdueshëm të sulmeve ndaj ndërtesës në pronësi të tyre dhe presioneve për ta braktisur me çdo kusht atë, qoftë edhe duke marrë jetë njerëzish. Gruaja ka deklaruar se pas atentatit të Fatmirit, janë detyruar si shoqatë të largojnë fëmijët jetimë që strehonin në vilë.

 

Precedentët

Pesë ditë më parë, më 24 shtator, rreth orës 20:30 u plagos me armë zjarri, anëtari i kësaj familje dhe njëkohësisht roja i kësaj jetimoreje, 28-vjeçari Fatmir Kovaçi. I riu është qëlluar nga një person gjashtë herë me armë zjarri, por për fat të mirë ka mundur t’i shpëtojë vdekjes, ndërsa autori mundi të largohej rrugicave të lagjes duke i shpëtuar policisë. Kamerat e ndërtesës kanë filmuar momentin e atentatit ndaj Kovaçit. Sipas policisë, i riu mori dy plumba nga 6-të herë që e ka qëlluar atentatori në momentin që po ikte në vendin e punës, tek kryqëzimi i Unazës së Re me Rrugën e Kavajës. Kamerat e sigurisë të vendosura tek ndërtesa, filmuan gjithë ngjarjen dhe autorin e atentatit i cili pasi ka qëlluar 6 herë me pistoletë ndaj 28-vjeçarit iku me vrap duke u fshehur nëpër lagje. Ndërkohë që në muajin prill të këtij viti, sërish në orët e para të mëngjesit, kësaj ndërtese ju vu tritol, por që për fat të mirë nuk pati dëme në njerëz.

 

Shkodër/ Plagosi me thikë 19-vjeçarin, arrestohet Ndue Hasani

Policia e Shtetit ka prangosur një 29-vjeçar pasi plagosi me thikë një të ri tjetër në lagjen Rus të Shkodrës, në afërsi të ish-Degës Ushtarake. Sipas burimeve policore, 19-vjeçari Viktor Gremusha ka mbetur i plagosur pas një debati me Nude Hasanin, me banim në Shkodër. Ky i fundit në gjaknxehtësi e sipër ka goditur me thikë Gremushën duke plagosur rëndë këtë të fundit. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në lagjen Rus, pranë tregut të qytetit dhe motivi i plagosjes ka qenë për shkak të një konflikti banal. Po sipas të njëjtave burime, ka qenë një debat i vjetër mes dy të rinjve që ka çuar në konfliktin në fjalë mes 19-vjeçarit Gremusha nga fshati Bardhaj dhe 29-vjeçarit Ndue Hasani nga Shkodra. Debati mes dy të rinjve ka degjeneruar deri në konfrontimin fizik, e më pas në përdorimin e armës së ftohtë thikë. Fatmirësisht 19-vjeçari Gërmusha, i cili u godit disa herë me thikë nga Hasani, është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës nga dëshmitarë në vendngjarje dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Kjo pasi plaga e marrë nuk i ka prekur organet jetike. Ndërkohë pak minuta pas plagosjes, policia identifikoi autorin 29-vjeçarin Ndue Hasani. Ky i fundit u largua  nga vendi i ngjarjes dhe policia e ka kapur pas disa orësh.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency