Enverizmi, rrezikshmëri për shoqërinë tonë

0
146

Nga Besim Ndregjoni

enverizmi     Mosveprimi dhe indiferentizmi ndaj  ideologjisë kriminale të komunizmit në këtë periudhë kohore postkomuniste ka nxjerrë në rend të ditës fenomenin e rrezikshëm dhe shumë të dëmshëm për shoqërinë, frymën e enverizmit dhe pushtimin e politikës shqiptare nga enveristet.  Enveri ka vdekur, por fryma e enverizmit po njeh rritje në një shoqëri të traumatizuar nga diktatura 45 vjeçare ku nuk u denua nga drejtësia. Mazhoranca  politike aktuale që po drejton vendin ka marrë revanshin politik, përkujtimin e 70 vjetorit të ashtuquajtur “çlirim” me glorifikimin e figurës së diktatorit. Në këtë mes të padëshirueshëm, dhe kaotik çdo i përndjekur politik, çdo intelektual, dhe shqiptar i ndershëm duhet të flase, të thotë të vërtetën ashtu siç ka ndodhur dhe pse kjo e vërtetë  është  tragjike, e dhimbshme. Ati i shenjtë Papa Francesku megjithëse kishte lexuar mbi krimet e komunizmit në Shqipëri, ai përpara dëshmive rrënqethëse të motrës Marie, dhe priftit Ernest Troshani u përlot përpara gjithë mediave të botës në mbrëmjen e 21 shtatorit në katedralen e Shën Palit në Tiranë. Pra, bota u njoh me tragjedinë enveriste të shqiptarëve. Njohja ndaj të vërtetës është “esenciale” e termit “çlirim” që po trumbetohet me të madhe  nga  enveristët në pushtet. Përballë kësaj ofensive dhe përbaltjes kombëtare të politikës “rilindëse” do të faktojmë terrorin që pësuan qytetet kryesore në Shqipëri me termin “çlirim“ 70-të vite ma parë nga komunistët që luftonin për pushtet e aspak për “çlirim”.  Si mund ta quajmë “çlirim të Shqipërisë” vitin 1944, kur forcat komuniste në çdo qytet që hynin  pas largimit të trupave gjermane, bënin terror  dhe masakra të padëgjuara ndonjëherë duke vrarë me qindra njerëz të pafajshëm. Këto të faktuar në arshivën e shtetit. Në qytetin e Gjirokastrës u ekzekutuan brenda një ore në oborrin e shkollës (gjimnazin e këtij qyteti) 12 qytetarë të ndershëm për të vetmën arsye se, ata ishin kundërshtarë të ideologjisë komuniste. Dhe mbas 70-të vitesh në këtë qytet, ministrat Arben Ahmetaj e Erjon Veliaj festojnë “çlirimin “ me shallë të kuq me drapër e çekan, simbole të enverizmit stalinist. Ministri i ekonomisë në fjalën e tij shkonte më larg duke e quajtur “sukses” të luftës “çlirimtare” se, Gjirokastra paska qënë pjesë e zonës së parë operative, pjesë e shkëputur nga fjalimet e diktatori Hoxha në kohën e sundimit të tijë. E gjithë ceremonia filloi dhe mbaroi jo vetëm me foton e diktatorit që i ekzaltonte ministrat e ”rilindjes“ por fryma  e enverizmit shoqëronte çdo detaj të ceremonisë qeveritare. Berati 2500 vjeçar do të përjetonte një tjetër “çlirim”,  komunistët do të nxirrnin  nga varri kockat  e ish Kryeministrit të Shqipërisë gjatë viteve 20, Iljas Vrionit dhe duke i mbajtur në duar si flakdame nga turmat e nxitura nga “çlirimtarët” partizane,  përshkruan rrugën kryesore  të qytetit me ulërima dhe thirrje për terror dhe në fund të procesionit makabër kockat e ish Kryeministrit të Shqipërisë u hodhën në lumin e Osumit.. Kryeparlamentari Meta, Ministri i Drejtësisë Naco e zëdhënësi i Ramës Balla do të duartrokitnin terrrorin e bandave të  Enverit dhe do ta quajnë ”çlirim” prishjen e varreve.

Ku për traditën dhe doket shqiptare varret janë të shejta e nuk preken. Ish Kryeministri Meta  n.q.s duhej të kishte ndërgjegje kombëtare  duhej të nderonte në këtë 70 vjetor ish Kryeminstrin Vrioni, të mbante një minut heshtje, e të hidhte në Osum një tufë lule dhe të denonte turmat që i prishen varrin. Ai bëri të kundërtën nderoi prishësit e varreve. A mund ta quajnë Tiransit “çlirim”  kur për një muaj rrjesht 17 tetor- 17nëndor 1944 u përballën me terrorin e kuq, dhe qindra  qytetarë të saj mereshin natën nga shtëpia dhe pushkatoheshin rrugëve të Tiranës, dhe faji i tyre ishte, se ishin shkolluar në perendim e i kishin  shërbyer Tiranës dhe shtetit shqiptarë ..  Dhe për 70 vite përbuzen viktimat e pafajshëm,intelektuale, e nderohen vrasësit e tyre.

E si mund ta quaj “çlirim” Shkodra kur forcat komuniste pushkatuan me dhjetra qytetarë të pafajshëm dhe në ndërtesat e kishave katolike hiqej flamuri shqiptar e vihej flamuri jugosllavë.

Shtator 2014, Tirana e hijeshuar me fotot e martirëve të vrarë pa faj, nga diktatura enveriste, por kjo pamje e dokumentin i martirëve të vrarë nga diktatori nuk do të i pëlqente, Kryetares së  komisionit të jashtëm të Parlamentit shqiptarë, Arta Dades e cila  në mikrofonin e Zërit të Amerikës nga Uashingtoni …do të deklaronte se komunistët, kanë bërë luftën dhe kanë të drejtë të mbajnë foton e komandantit  të tyre, ne nuk bëjmë si në diktaturë të u ndalojmë të drejtën, sikur komandanti i tyre nuk ishte diktatori, dhe vazhdoi, ne “rilindasit” e mbajmë shallin e kuq  me draper e çekan e yll, simbolin e veteranëve enveristë, se respektojmë luftën e tyre.. Të vrarët pa faj, nga ”veteranët e enverit” nuk ja vrasin ndërgjegjen drejtueses së komisionit të jashtëm. Hipokrizia nuk njeh kufi me trashgimtarët e enverizmit. Tani enveristët e rinj nuk flasin rusishtë si etrit e tyre, por janë anglishtfolës. Dy ditë para vizitës së Papa Franceskut në Tiranë,  intelektuali antifashistë e antikomunistë, ish i burgosuri politikë, shkrimtari, ikona e mbrotjes të drejtave dhe lirive të njeriut, Sami Repishti në një përshëndetje që botonte për ardhjen e Atit të shejtë në vendin tonë, pasqyronte historinë, kauzën dhe qëndresën e martireve të fesë, dhe e mbyllte shkrimin e tij me thënjet e një krimineli komunist Pandi Kristo: “ne vramë me faj e pa faj “Markat e Lleshrat” e veriut…dhe mire bamë…një pohim që të trondit sot mbas 70 vitesh…

Ne nuk mund të shërohemi nga rrjedhimet e murtajës komuniste për sa kohë do të heshtim për të vërtetën e krimit komunistë. Publikova vetëm katër “fakte” nga libri mijëra faqe i krimeve të komunizmit për vitin 1944.“çlirimet” e Gjirokastrës, Beratit, Tiranës, dhe Shkodrës për të njoh lexuesin me manifestimet monsturoze të diskriminimit që bahet me termin “çlirim”.

Eshtë detyrë e shenjtë për ne, që i mbijetuam terrorit enverist t’i dokumentojmë këto fakte si proces i së vërtetës ndaj një revanshi që po pushton jetën politike shoqërore në planin politik të “rilindjes” mazhorancë  drejtuese e vendit. Viti 1944 ka qënë viti i asgjesimit fizik të intelektualëve, klerikëve, të qytetarëve e nacionalistëve që luftonin kundra fashizmit e nazizmit, në të gjithë hapsirën shqiptare. Vit i luftës civile për marrje pushteti nga enveristët.

Kjo katastrofë përfshiu të gjithë shqiptarët nga jugu në veri. Ideologjia që e ushqeu këtë  katastrofë e ka  një emër, kjo ishte partia komuniste e drejtuar nga Enver Hoxha me këshilltarët  jugosllav anti shqiptarë Miladin Popovic e Dushan Mugosha. “Markat dhe Lleshrat” e veriut,  Lefat e Alushët e Shqipërisë mesme , dhe ballistët e jugut u vranë me urdhër të Enver Hoxhës, komandantit që “rilindja “sot mbas 70 vitesh e nderon me frymë e me veprim. Pak rëndësi ka për “rilindjen” trashgimtaren e xhelatëve ekzekutues “fakti” që kjo pjesë e popullsisë që u ekzekutu pa faj, përbante kolonën vertebrore të shoqërisë shqiptare, që kishte qënë organizatorja e pamvarsisë të kombit, dhe ngritjes së shtetit shqiptarë, dhe sot mbas 70 vitesh këta po rivriten. Ne shqiptarët që mbijetuam terrorit presim një përgjigje! Shoqëria shqiptare nuk tronditet vetëm  nga fotot e diktatorit, se fotoja e një vdekuri e te kalluri prej 28 vitesh nuk na shqetëson, ne, na shqetëson fryma e enverizmit dhe skalioni i enveristave në drejtimin e mazhorancës dhe politikës 24 vjeçare. Kjo është e frikshme e tronditse, ky  është shqetësim i shqiptarëve. Dënimi i ideologjisë enveriste sot, është imperative e kohës. Duke denuar enverizmin, ne fillojmë një proces shërimi për vendin tonë. Jo vetëm ata “veteranë” që janë  përgjegjës direkt për krimet  e kryeme ndaj nesh, por dhe klasa politike mbas 90-ës,  margjinalisht duhet të ndihet fajtor  sepse ka  heshtur. Sot klasa e të persekutuarve e ka përbuz hakmarrjen dhe kjo është fitore morale, por nuk mund  të lejojmë enverizmin, këtë  murtajë  që po i zen frymën  demokracisë duke na u çfaqur  me kostumin e të drejtave e lirive të njeriut në mbrotje të “xhelatëve”, sepse nuk vepron drejtësia. Çdo indiferencë  apo tolerancë  ndaj enverizmit është shkatërruese për sistemin ku është shoqëria jonë. Heshtja rivret viktimat!  Heshtja rivret lirinë!, Heshtja rivret të ardhmen!  Ne, nuk duhet të heshtim që mos të jemi përgjegjës përpara kombit e shoqërisë!

 Studjues i Krimeve të Komunizmit

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency