Dosja/ Mashtruan me skemën e TVSH-së në vlerën 26 milionë euro, dërgohen në gjyq 14 persona

0
172

Sonila Mesareja

prokuroria e pergjithshmeProkuroria: Të pandehurit dhe kompanitë fantazma të ngritura prej tyre, pjesë e një skeme gjigande mashtruese. Ata janë marrë me shit-blerjen dhe përpunimin e skrapit. 60 shtetas dhe persona juridikë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi

Kishin ngritur një skemë mjaft përfituese mashtrimi, duke i zhvatur shtetit shumën prej 26 milionë eurosh përmes kompanive fantazma të ngritura si individë apo në ortakëri. Prokuroria ka provuar akuzat pas një hetimi disa mujor dhe ka dërguar dosjen ne 14 të pandehur për gjykim në Gjykatën e Tiranës. Burime zyrtare pranë akuzës së kryeqytetit bëjnë me dije se kanë dërguar për gjykim 14 persona, si edhe 9 kompani private të administruara nga këta shtetas, të akuzuar për përfshirjen në një skemë mashtruese të rimbursimit me TVSH-në (Tatimin mbi Vlerën e Shtuar). Këta shtetas dhe kompani janë pjesë e parë e një skeme gjigande mashtruese, e cila i ka sjellë shtetit një dëm prej rreth 26 milionë euro. Ata janë marrë me shit-blerjen dhe përpunimin e skrapit. Prokuroria e Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, ka arritur ta zbulojnë plotësisht këtë skemë dhe ndërkohë po përfundon hetimi edhe për pjesën tjetër të të akuzuarve, të cilët, së bashku me të akuzuarit e mësipërm, arrijnë në një total prej rreth 60 shtetasish dhe persona juridikë. Të gjithë këta shtetas dhe persona juridike akuzohen për veprat penale të “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186 i K. Penal, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga neni 190 i K. Penal dhe “Mashtrimi”, parashikuar nga neni 143/2 i K. Penal.

 

Hetimi

Hetimi ka nisur bazuar në materialin e referuar nga Drejtoria e Hetimit Tatimor dhe është regjistruar procedim penal për veprat penale të “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186 i K. Penal, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga neni 190 i K. Penal dhe “Mashtrimi”, parashikuar nga neni 143/2 i K. Penal. Nga hetimet e deritanishme rezulton se subjektet tregtare, të konsideruara të Nivelit II, sasitë e Skrapit i sigurojnë duke e blerë nga shtetas të ndryshëm, nga fitimi i tenderëve të ndryshëm për blerje hekuri për SKRAP (kryesisht nga demontimi i ish fabrikave te ndryshme), apo nga subjekte të tjerë, të cilët janë të regjistruar ne QKR dhe ne Sistemin Informatik të Tatimeve, me aktivitet grumbullim e shitje Skrapi. Por, në fakt shumica e subjekteve, të konsideruara të Nivelit III , janë të regjistruar si ne QKR ashtu edhe ne tatime në mënyrë fiktive, vetëm për të tërhequr blloqet me fatura TVSH-je në Drejtoritë Rajonale të Tatimeve, dhe përdorimin e këtyre blloqeve, duke lëshuar fatura shitje me TVSH fiktive, për shitje SKRAPI, për subjektet e Nivelit II. Pra, fiktiviteti i faturës qëndron në faktin se është bërë vetëm lëshim i faturës tatimore të shitjes, për efekt të kreditimit te TVSH-së, nga subjektet e nivelit të dytë, pa dërguar në fakt mallin (skrapin).

 

Skema mashtruese

Nisur nga këqyrjet e vendeve të ushtrimit të aktivitetit, deklarimet e shtetasve dhe deklarimet në sistemin informatik të tatimeve, etj, rezulton se shumica e subjekteve të nivelit të III, janë krijuar nga vetë administratorët e subjekteve të nivelit të II, kjo duke shfrytëzuar njohjet e tyre me persona me gjendje të rëndë ekonomike, persona të panjohur në shoqëri, apo persona që nuk kanë fare dijeni mbi legjislacionin tatimor dhe pasojat që sjellin këto krijime Niptesh, të cilëve, kundrejt pagesave në shuma të vogla ju kanë marrë dokumentacionin personal si pasaportë, kartë identiteti etj, dhe me këtë dokumentacion kanë bërë regjistrimet e subjekteve në QKR e për rrjedhojë dhe në Tatime, dhe më pas kanë tërhequr në Drejtoritë Rajonale të Tatimeve edhe blloqet me faturat e TVSH-së. Këto subjekte të Nivelit të III, kanë lëshuar fatura tatimore shitje për subjektet e nivelit të II në sasinë që ju nevojiteshin këtyre subjekteve të nivelit të II, në shumicën e rasteve nuk i kanë deklaruar këto fatura në shitje, në disa raste i kanë bërë deklarimet në shitje por nuk kanë blerje, por në SIT rezultojnë FDP e TVSH sikur kanë blerje, pra kryejnë me dashje mashtrimin duke bërë deklarim fiktiv. Nga verifikimi në SIT (sistemi i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve) rezulton se subjektet e nivelit të II i kanë deklaruar të gjitha këto fatura në blerje, duke bërë të mundur kreditimin e TVSH-së për çdo faturë në blerje. Si pasojë, nga mosdeklarimi në shitje nga subjektet e nivelit të III i faturave tatimore të Shitjes, nuk bëhet derdhja e TVSH-së dalë nga këto fatura në organet shtetërore, pasi janë fatura të padeklaruara, ndërkohë që nga deklarimi i tyre nga subjektet blerëse (siç i përshkruam subjekte të nivelit të II) u jep të drejtën atyre që të kërkojnë kreditimin e shumave te TVSH-së të dala nga këto fatura, kreditim që është bërë faktikisht. Nga funksionimi i kësaj skeme për një periudhe të gjatë kohe rezulton se ajo i ka sjellë dëme të konsiderueshme shtetit, një dëm që nga vlerësimet e administratës tatimore që arrin rreth 26 milion euro.

 

Provat

Fakti se subjektet e mësipërme janë përfshirë në këtë skemë provohet nga grupi hetimor përmes disa provave të rëndësishme.  Së pari, këto subjekte nuk kanë qendër te ushtrimit te aktivitetit. Në QKR këto subjekte kane deklaruar adresa të ushtrimit te aktivitetit, banesa, hyrje pallatesh apo vende të tjera, të dokumentuara me anë të këqyrjeve nga rezulton se është e pamundur të bëhet grumbullim skrapi ne këto objekte. Së dyti, këto subjekte, me fuqinë punëtore të deklaruar në administratën tatimore e kanë të pamundur të grumbullojnë sasira të tilla skrapi, për të cilat kanë lëshuar faturat e shitjes me TVSH, pasi kanë vetëm një punonjës që është administratori, fakt i provuar nga dokumentet e marra pranë ISSH dhe Drejtorisë Rajonale Tatimore. Së treti, me mjetet që këto subjekte kanë deklaruar në faturat tatimore se është bërë transportimi i skrapit është e pamundur që të bëjnë grumbullimin dhe shitjen e sasirave te skrapit për të cilat kanë lëshuar faturat tatimore të shitjes, ku në shumicën e rasteve nuk kanë deklaruar asnjë lloj mjeti transporti mallrash, ndërsa nga verifikimi i targave te mjeteve te vendosura ne fatura rezulton qe një pjese e këtyre targave nuk ekzistojnë, ndërsa një pjese tjetër dalin autovetura me të cilat nuk mund të bëhen transportime në sasira të tilla të SKRAPIT që përshkruhen në fatura, fakte që provohen nga konfirmimet e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Së katërti, nga deklarimet e administratorëve të këtyre subjekteve, rezulton se nuk kanë kryer asnjëherë aktivitet ekonomik për grumbullim e shitje skrapi, por vetëm kanë dhënë dokumentet për t’u regjistruar ne QKR apo dhe tatime, apo qe janë regjistruar dhe vetë, vetëm për të marrë faturat, por qe nuk kane kryer veprimtari grumbullimi apo shitje skrapi. Këto veprime janë kryer kundrejt pagesave qe u kanë bërë administratoret e subjekteve blerëse apo personave te tjerë te jashtëm.

 

Organizatorët

Në lidhje me krijimin dhe veprimtarinë fiktive të subjekteve që paraqiten shitëse rezulton se organizatorë për vënien në funksionim të këtyre subjekteve janë të pandehurit Agim Xhika, Josif Kadriaj dhe Maltin Frederik Lleshi. I pandehuri Agim Xhika dispononte një zyrë me qera në zonën e “Ali Demit”, Tiranë, ku janë kryer më të shumtat e veprimeve për disa nga subjektet e përfshira në skemë. Sipas deklarimeve të disa prej të bashkëtëpandehurve, nëpërmjet kartës se identitetit bëhej regjistrimi i subjekteve ne QKR, me adresa dhe numra fiktivë dhe me pas kanë shkuar së bashku me të pandehurit e mësipërm për të tërhequr blloqe faturash në Drejtoritë Rajonale Tatimore. Më pas këto blloqe janë firmosur bosh nga të pandehurit, Kadri Rama, Pashako Muho, Ramiz Veizaj etj, dhe u janë dhënë të pandehurve Agim Xhika, Josif Kadriaj dhe Maltin Lleshit, pa ditur se për çfarë do përdoreshin faturat tatimore të firmosura. Faza përfundimtare e këtyre veprimeve ishte kur këta të pandehur si administratorë të subjekteve fiktive, kanë firmosur në degë të ndryshme të bankave të nivelit te dyte, për xhirimin e shumave të konsiderueshme të parave sipas faturave përkatëse nga subjektet në emër të tyre për tek subjektet blerëse. Në fakt, këto subjekte nuk kanë kryer aktivitet dhe vetëm kanë përfituar nga përfshirja në këtë skemë vlera vetëm nga pagesat që u janë bërë nga subjektet blerëse sipas përqindjeve të TVSH-së së faturuar. Kjo ka bërë që të mos derdhet kjo TVSH në Buxhet, por të Kreditohet nga subjektet blerëse. Për ketë administrata tatimore e konkretisht Drejtoritë e Kontrollit Tatimor pranë DRT, Tirane dhe Elbasan, duke parë këtë mashtrim, duke parë se ky detyrim nuk është përvetësuar nga subjektet shitëse, të cilët dhe nuk kanë mundësinë e pagimit të këtij detyrimi të pa përfituar, pasi nuk kanëe zhvilluar realisht aktivitet kane vendosur që të mos njohin kreditimin e TVSH-së në subjektet përfituese blerëse, dhe rrjedhimisht detyrimet tatimore dhe njoftim vlerësimet përkatëse, për sa i përket këtij aktiviteti te dalin për këto subjekte. Nisur nga rrethanat e faktit, rezulton se të pandehurit Agim Xhika, Josif Kadriaj, Maltin Lleshi, Kadri Rama, Ramiz Veizaj, Juxhin Zeqaj, Perparim Zeqaj, Avni Hoxha, Robert Hoxha, Gjergji Lami, Ilir Allmeta, Flamur Gjinaj, Durim Musa, Krenar Mukaj, nëpërmjet deklarimit të faturave te TVSH-së fiktive të shitjes dhe blerjes së mallit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin është arritur funksionimi i një skeme mashtrimi lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), me qëllim fitimin material, nëpërmjet mospagimit, apo përfitimit të kreditimit ose rimbursimit të tatimit mbi vlerën e shtuar. Në këtë kuadër ka rezultuar se personat juridik përkatës të cilët kanë deklaruar fatura të tilla por kanë ushtruar dhe aktivitet të rregullt si, “Musa” sh. p. k, “Gold Plus” sh. p. k, “Alsima” sh. p. k, “Ajsi” sh. p. k , “Aleksi & Ajsi” sh. p. k, “Prokat” sh. p. k, “Silealb” sh. p. k, “Hoxha” sh. p. k, “Xhois Grup” sh. p. k, kanë përgjegjësi për veprën penale të kryer në emër ose në dobi të tyre, nga organet dhe përfaqësuesi i tij dhe konkretisht, për veprën penale të “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” kryer në bashkëpunim, me shumë se një herë dhe me pasoja të rënda për shtetin, parashikuar nga neni 190/2 i K. Penal, duke qenë se në emër të tyre janë deklaruar fatura me TVSH fiktive të blerjes dhe shitjes së mallit nga subjekte të tjera.

 

Personat nën hetim

  1. Agim Xhika, hetuar me masën arrest në burg
  2. Josif Kadriaj, hetuar me arrest në burg
  3. Maltin Lleshi, hetuar me arrest në burg
  4. Ramiz Veizaj, hetuar me arrest në burg (më pas, gjykata vendosi arrest në shtëpi)
  5. Kadri Rama, hetuar me arrest në burg (më pas, gjykata vendosi arrest në shtëpi)
  6. Avni Hoxha, hetuar me arrest në burg (më pas, gjykata vendosi arrest në shtëpi)
  7. Robert Hoxha, hetuar me arrest në burg (më pas, gjykata vendosi arrest në shtëpi)
  8. Gjergji Lami, hetuar me arrest në burg (më pas, gjykata vendosi detyrim paraqitje)
  9. Ilir Allmeta, hetuar me arrest në burg (më pas, gjykata vendosi arrest në shtëpi)
  10. Flamur Gjinaj, hetuar me arrest në burg (më pas, gjykata vendosi arrest në shtëpi)
  11. Juxhin Zeqaj, hetuar me arrest në burg (më pas, gjykata vendosi arrest në shtëpi)
  12. Përparim Zeqaj, hetuar me arrest në burg (më pas, arrest në shtëpi)
  13. Durim Musa, hetuar me arrest në burg (në mungesë)
  14. Krenar Mukaj, hetuar me arrest në burg në mungesë, më pas detyrim paraqitje

 

Persona juridikë (Shoqëri tregtare) nën hetim

  1. “ALEKSI & AJSI” sh.p.k,
  2. “AJSI” sh.p.k
  3. “ALSIMA” sh.p.k
  4. “HOXHA” sh. p. k
  5. “XHOIS- GRUP” sh.p.k
  6. “PROKAT” sh.p.k
  7. “SILEALB” sh.p.k
  8. “MUSA” sh. p. k
  9. “GOLD PLUS” sh.p.k,

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency