Standard.al

Dialogu i Nivelit të Lartë/ Fyle sot në Tiranë, merr pjesë dhe opozita . Reforma në drejtësi pikë kyçe

rama-fyle_breguDitën e sotme mbahet tryeza e 4 e Dialogut të Nivelit të Lartë KE-Shqipëri, e cila do të jetë e e bashkëdrejtuar nga eurokomisioneri Stefan Fule. Përpara takimit Partia Demkratike ka bërë të qartë se, jo vetëm nuk do të mungojë në dialogun zyrtar mes Tiranës dhe Brukselit, por do t’i kërkojë Komisionit Europian të mbajë qëndrime për situatën politike në Shqipëri.  Kryetarja demokrate e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, do të jetë prezente në takimin me Komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fule, dhe kryeministrin Edi Rama së bashku me deputetët Eduard Halimi dhe Arben Ristani. Duke bërë të ditur reforma në drejtësi do të jetë fjala kyç në këtë takim, që për Stefan Fulen do të jetë i fundit që kryen në Tiranë si Komisiner për Zgjerimin , Bregu theksoi se do të kërkohet gjithëpërfshirje reale në këtë proces. “Ju e dini qëndrimin e PD për reformën në drejtësi, kërkojmë që të jetë një reformë tërësore gjithëpërfshirëse, dhe një reformë ku kontributi të jetë real, pra jo vetëm nga ajo ide, e cila reformat i ndan vetëm në propagandën e qeverisë duke deklaruar gjithëpërfshirje tërësi dhe pastaj duke sjellë ligje si ato që kanë ndodhur në seancën e fundit parlamentare të korrikut”, tha Bregu.Ndërkaq deputetja demokrat bëri të ditur se opozita do të flasë edhe për arsyet përse ajo është jashtë Parlamentit. “Edhe për ne, Parlamenti është vendi dhe institucioni ku debati politik duhet të zhvillohet. Por, arsyet për të cilat ne jemi jashtë tij, dhe ju tashmë i dini, janë arsye që i kemi bërë me dije dhe nuk do të jenë aspak risi as nesër (sot) dhe as për Komisionerin Fule. Besoj se është koha për të kthyer një vëmendje të madhe dhe për të dëgjuar të gjitha palët, për të mbajtur një vesh hapur se në një vend, ku fatkeqësisht pushteti ka dalë mbi shtetin, nuk mund të jetë një proces i vërtet as procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, u shpreh ajo.  Të drejtat e njeriut, gjyqësori, korrupsioni, krimi i organizuar dhe reforma e administratës publike janë 5 prioritetet kyçe që qëndrojnë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit dhe që procesi i reformave të jetë gjithëpërfshirës e i qëndrueshëm, kërkohet dialog politik konstruktiv mes palëve.

Comments are closed.