Gramsh, Fushë-Krujë, Lezhë / Tre aksidente, 4 të vdekur 3 të plagosur

0
132

aksident_rrugor

Tre aksidente të ndodhura dje në segmentet rrugore kanë përfunduar me katër të vdekur dhe tre të plagosur. Aksidenti i parë rrugor dhe më i rëndi ndodhi në segmentin rrugor Gramsh-Kodovjat. Ky aksident u ka marrë jetën tre personave dhe një tjetër ka mbetur i plagosur. Ngjarja tragjike është regjistruar rreth orës 07:00 të mëngjesit të së shtunës në afërsi të fshatit Bërsnik, kur drejtuesi i një mjeti fuoristradë, me targa A 037 FH, në të cilën udhëtonin 4 persona, ka humbur kontrollin dhe makina ka përfunduar në një terren të thepisur në anë të rrugës. Nga aksidenti ka humbur jetën Aleksandra Taragjini, 47 vjeçe, me profesion mësuese, Myzafer Cingërrima, 51 vjeç, kryeplaku i fshatit, dhe një djali të ri, Artur Ibro, 25 vjeç. Gjithashtu ka mbetur i plagosur Mehmet Taragjini 52 vjeç, bashkëshorti i mësueses që humbi jetën në këtë aksident. Ai është shoqëruar menjëherë në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe nisi punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve që çuan në aksidentin tragjik.

Ndërkohë, një person është plagosur në një aksident tjetër automobilistik ditën e djeshme në Fushë Krujë. Ngjarja ka ndodhur në vendin e njohur si Ura e Gjolës. Burime nga policia bëjnë me dije se një fugon ka përplasur një motoçikletë dhe për pasojë ka mbetur i plagosur rëndë drejtuesi i motoçikletës. Të njëjtat burime sqarojnë se i plagosuri, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, është nisur menjëherë drejt Spitalit Ushtarak ndërsa kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.

Aksidenti i tretë ndodhi rreth orës 18:50 të ditës së djeshme, gjatë të cilit një foshnjë 11-muajshe humbi jetën dhe një grua mbeti e plagosur. Ky aksident ndodhi në aksin Lezhë-Shkodër, në fshatin Made dhe konfirmohet nga burimet pranë Spitalit të Lezhës. Makina me të cilën po udhëtonin gruaja dhe fëmija ka dalë nga rruga për shkaqe që ende nuk dihen.

 

 

Shkodër

Tritol një lokali në Vaun e Dejës

Një shpërthim eksplozivi është shënuar në mjediset e një lokali në Shkodër. Në orët e natës së lënë pas në tarracën e lokalit të ndodhur në zonën e Vaut të Dejës, në pronësi të 52-vjeçarit Z. N., ka shpërthyer një sasi prej 20 gramë lëndë eksplozive, e dyshuar si tritol. Nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar në njerëz, ndërsa janë shënuar dëme të shumta materiale. Uniformat blu po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve të vendosjes së lëndës plasëse, si dhe për të zbuluar konflikte të mundshme të të zotit të lokalit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency