Shpëtoni Komanin!

0

Fatime Hysa

Loading...

Komani “Ata zakonisht më pyesin dhe mua më vjen kaq turp”… Kjo ishte një copëz nga biseda që kam zhvilluar në mes të gushtit me një mikun tim elbasanas, i cili merret me turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë. Mendova… të kesh turp nga vendi yt është njëkohësisht një turp më vete. Në të vërtetë, Edi (miku im) nuk kishte faj, liqeni i Komanit është bërë për pikën e zezë. Askush nuk thotë asgjë dhe nuk merr një përgjegjësi, pasi përgjegjësinë ia kalojnë palës tjetër ashtu sikur Komani është jetim. Shqipërisë i rrofshin ndërrimet e pushteteve, pasi si përfundim çdo gjë duket si në vendnumëro. Frika e pushimit nga puna i ka kyçur gojën çdo punonjësi bashkie. Më kot (megjithëse s’dua ta besoj) unë kërkoj të nxjerr në dritë se përse nuk pastrohet liqeni i Komanit dhe kush e katandisi kështu.

Në përpjekje për të folur me dikë, me dikë që e sheh situatën çdo ditë, arrij të flas me një punonjës të hidrocentralit të këtij liqeni. Ai nuk dëshiron të identifikohet, na thotë: “Shiko moj motër, nuk është faji ynë. Tonelata plehrash vijnë çdo ditë në liqen nga lumenjtë që derdhen në të. Nuk ka si të ndodhe ndryshe, këtu është bërë si kazan plehrash. Tani të bësh një udhëtim me anije në liqen nuk është si më parë. Tani qelbet erë dhe të vjen turp që bukuria e natyrës është katandisur kështu”. Ai punonjës nuk kishte faj, vërtet udhëtimi përrallor në këtë liqen është kthyer në një keqardhje të përtejme.

Flitet për një ndarje të re administrative, me të cilën opozita nuk është dakord, por qeveria e mbështet fuqishëm dhe… mbase kjo është arsyeja që liqeni ka mbetur jetim?! Gjithashtu, mos ndoshta emërimet e reja politike kanë kthyer liqenin në një vend që gjithkush i papërgjegjshëm mund të hedhë aty ç’të dojë. Po kështu, punonjësi i hidrocentralit vijon: “Sa u ndërrua pushteti, këtu u ndërrua drejtori. Me të parin ishim rehat, por ky i dyti na e ka mbledhur. Çdo ditë në punë si Çeçoja. Këtu puna ecën për mrekulli, vetëm se drejtori na do çdo ditë në punë”. Me këtë rrëfim të tij mendja më shkon diku tjetër, aty ku pushteti lokal thekson se mungesa e forcës monetare e ka lënë liqenin në këtë pikë halli. Çdo gjë mbetet e vagullt ose më mirë e ngrohur për të dytën herë, për sa i përket një përgjigjeje rreth këtij shqetësimi.

 

Ku ndodhet liqeni i Komanit?

Liqeni i Komanit ndodhet 30 km larg qytetit të Shkodrës, është formuar nga ujëmbledhësi i lumit Drin, ku është ngritur hidrocentrali i Komanit me 600 mijë km/orë. Liqeni ka sipërfaqe 12 km2, gjatësi 34.5 km dhe gjerësi 50-60 m. Rreth liqenit lartësohen male të pyllëzuara me lartësi 1000-1200 m mbi nivelin e detit. Ky rajon, veç vlerës turistike, ruan edhe vlera historike. Aty pranë ndodhet fshati Koman, ku është zbuluar një varrezë e shekullit 6-8 p.e.r., e cila lidhet me kulturën e shoqërisë së hershme shqiptare. Mungesa e një organizimi, qoftë prej autoriteteve lokale, qoftë prej agjencive turistike, e ka lënë krejtësisht në hije shfrytëzimin turistik të kësaj zone me potenciale të fuqishme, që po të shfrytëzoheshin edhe në mënyrë të pjesshme, do të ndikonin drejtpërdrejt në të ardhurat ekonomike të të gjithë zonës.

 

Si cilësohej liqeni i Komanit një vit më parë?

Pothuajse një vit më parë prestigjiozja “Huffington Post” e cilësoi liqenin e Komanit si një pikë e rëndësishme për të vizituar Shqipërinë gjatë 2013-ës, por në fakt një vit më vonë pamjet që shfaq liqeni lënë për të dëshiruar. Gazeta amerikane “Huffington Post” me një shkrim të Leyla Giray-t, e rendiste Shqipërinë në krye të listës së destinacioneve turistike për vitin 2013. Sipas Leyla Giray-t, 10 arsyet pse duhet vizituar Shqipëria gjatë 2013-ës janë siguria, natyra, turizmi kulturor, diversiteti, moti, çmime, që sipas saj janë 30 deri në 40 për qind më të lira se në vendet fqinje. Ndërsa ndër vendet ekzotike të Shqipërisë që duhen vizituar janë Butrinti, Berati, Gjirokastra, Kishat e Voskopojës, liqeni i Komanit, bukuritë përrallore të Alpeve si dhe brigjet e detit Adriatik dhe atij Jonian.

 

Kush i “solli” mbeturinat në Koman?

Çështja e ndotjes së liqenit ishte dhe vazhdon të jetë një problematikë serioze. Burime konfidenciale thonë se mbeturinat erdhën nga Prizreni, pasi ato ishin mbetje spitalore të hedhura pa kriter në vendin e gabuar. Përveç shkatërrimit estetik të liqenit, këto mbeturina janë cilësuar si mbeturina me rrezikshmëri të lartë edhe për gjallesat që jetojnë në liqen.

 

A e dëmtojnë mbeturinat hidrocentralin?

Përgjigja e kësaj pyetje ishte, JO! D. A., punonjsë në hidrocentralin e Komanit, tha: “Mbeturinat nuk shkaktojnë asnjë problem në punën e hidrocentralit. Digat janë të mëdha dhe nuk ka asnjë shans që plehrat të bllokojnë digën, duke penguar qarkullimin e ujit. Ne jemi shumë të varur nga Fierza; nëse vjen shumë ujë që atje, atëherë për ne është gjithçka në rregull. Megjithëse mbeturinat janë shumë larg hidrocentralit, ka shumë mundësi të vijnë këtu se pjesën e madhe pastroi qeveria”.

Ndonëse Forcat e Komandës së Mbrojtjes Rajonale të Kukësit vijuan operacionin e pastrimit, me sa duket, ata nuk arritën të pastronin gjithçka. Operacioni i tyre la pas edhe disa mbeturina të tjera, të cilat duket se janë harruar. Nga prefekti i Qarkut u fol se liqeni i Fierzës do të blinte një anije vetëpastrimi, por lidhur me këtë nismë Ministria e Mjedisit që prej korrikut vijon të jetë në heshtje.

 

Ja çfarë ofron zona përveç plehrave

Një shëtitje në pjesën veriore të Shqipërisë është një çlodhje deri në delir. Liqenet e Fierzës dhe të Komanit përdoren rëndom edhe për transport udhëtarësh me traget, por nëse ky udhëtim shfrytëzohet për turizëm, ai kthehet në një shëtitje të paharruar. Ju do të mbeteni pa fjalë nga natyra e mrekullueshme, shpatet e veshura me gjelbërim, thyerjet që krijon uji kur futet nëpër shkëmbinjtë që dikur ishin shpate luginash e sot janë kthyer në fjorde mahnitëse. Një person që kalon në këtë zonë për herë të parë, do të mahnitët prej saj, pasi ndoshta për një banor të zonës kjo mund të jetë një pamje e rëndomtë, si ajo që sheh çdo ditë. Liqeni i Komanit, i cili ndodhet 30 km larg qytetit të Shkodrës, është formuar nga ujëmbledhësi i lumit Drin, ku është ngritur hidrocentrali i Komanit me 600 mijë kw/orë. Liqeni ka sipërfaqe 12 km2, gjatësi 34.5 km dhe gjerësi 50-60 m. Rreth liqenit lartësohen male të pyllëzuara me lartësi 1000-1200 m mbi nivelin e detit. Ky rajon, veç vlerës turistike, ruan edhe vlera historike. Aty pranë ndodhet fshati Koman, ku është zbuluar një varrezë e shekullit 6-8 p.e.r., e cila lidhet me kulturën e shoqërisë së hershme shqiptare. Kjo zonë nuk është ekspozuar aq sa duhet, qoftë kjo nga ana e autoriteteve lokale apo edhe nga ana e agjencive turistike. Këto të fundit, së fundmi po përpiqen të kontribuojnë në ekspozimin e natyrës shqiptare, e cila në fakt ka shumë për të eksploruar. Natyra e mrekullueshme do t’ju lërë mbresa të thella e ju do të doni që udhëtimi juaj të mos mbarojë kurrë.

Loading...