Kuvendi Kombëtar/ Detajet e 8 orë punimesh, sot votohen ndryshimet në statut. Fjalim i Bashës dhe i 53 kryetarëve  

0

Gëzim Saliu

Loading...

basha ne 23 vjetorDy ditë punime të Kuvendit që nisin më 10:00 paradite e përfundojnë me 18:00 të pasdites. Votojnë 7500 delegatë në 300 kuti votimi. Nesër votohet Këshilli Kombëtar

Partia Demokratike do të zhvillojë për dy ditë me radhë punimet maratonë të Kuvendit Kombëtar, i cili përbën ngjarjen më të madhe për të ardhmen e kësaj force politike, pas zgjedhjeve të 23 qershorit. I mbledhur pas 5 vitesh, Kuvendi shënon fazën përfundimtare të procesit të riorganizimit të PD-së, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, e cilësoi dje mbledhjen e forumit më të lartë të forcës që drejton si Kuvendin e bashkimit dhe nisjes së re. “Nesër (sot) mblidhet në Tiranë Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, më i madhi në historinë tonë. Mbi 7500 delegatë që përfaqësojnë vullnetin e 101 mijë anëtarëve të Partisë Demokratike do të marrin pjesë në Kuvendin e Bashkimit, Ripërtëritjes dhe Nisjes tonë të re. Në emër të Partisë Demokratike u uroj delegatëve dhe të ftuarve mirëseardhjen dhe Kuvendit tonë Kombëtar punime të mbara!”, – u shpreh kryedemokrati në rrjetin social “FB”.

 

Detajet

Në Pallatin e Kongreseve, Kuvendi Kombëtar do t’i nisë punimet rreth orës 10:00 të paradites së sotme për t’i mbyllur në 18:00 e pasdites, orar i cili do të ndiqet edhe për mbledhjen e ditës së nesërme. Në punimet e sotme është parashikuar që Kuvendi të nisë me fjalimin e kryetarit të Partive Popullore Evropiane, Joseph Daul, dhe pas tij, Kuvendit do t’i drejtohet kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili pritet të mbajë një fjalim të gjatë, ku do të përmbledhë situatën e PD-së në këtë vit të parë në opozitë. Po ashtu fjalim në Kuvend do të mbajnë edhe 53 krerët e rinj të zgjedhur përmes parimit “një anëtar një votë”. Pjesë e axhendës së punimeve të sotme, të cilat do të zgjasin për 8 orë, do të jetë votimi për ndryshimet në statutin e PD-së, që përbën edhe “kushtetutën” e kësaj force politike. Ndryshimet që ka pësuar ky statut përmes grupit të punës do të votohen nga 7500 delegatë në 300 kuti votimi, ku këto të fundit do të jenë të vendosur në pjesën e bodrumit të Pallatit të Kongreseve e ndërsa 10 komisione do verifikojnë procedure. Pjesë e ndryshimeve të statutit janë sanksionimi i parimit “një anëtar një votë”, i përdorur për herë të parë në zgjedhjen e kreut të PD-së Basha, kufizimi mandatit jo më shumë se dy herë, për kryetaret e seksioneve si edhe për organizimin dhe funksionimin e kryesisë së partisë. Ndërkaq në ditën e dytë të punimeve është parashikuar votimi për Këshillin Kombëtar, i cili përbën edhe një ndër risitë e këtij Kuvendi, duke marrë parasysh se numri i anëtarëve të tij do të jetë rreth 150, ndërkohë që deputetët do të jenë pjesë e tij automatikisht. Ndërkaq emrat që pritet të përbëjnë strukturën e re drejtuese të PD-së mbeten ende mister, pasi kryetari i Partisë Demokratike nuk ka pranuar t’i përmendë ato për të mos ndikuar procesin e votimit gjatë zhvillimit të Kuvendit Kombëtar. Nga ana tjetër vështirësitë kryesore janë hasur në aspektin e organizimit të forumit të lartë të forcës më të madhe opozitare, duke marrë parasysh faktin se marrin pjesë 7500 delegatë. Lidhur me këtë burime pranë PD-së bënë të ditur se një pjesë do të jenë brenda sallës së Pallatit të Kongreseve e një pjese në holl. Po ashtu theksohet se gjatë punimeve të Kuvendit, do të ketë hyrje-dalje të shumta nga ana e delegatëve, pasi thuajse gjatë gjithë kohës do të votohet, gjë kjo që mundëson zhvillimin e punimeve edhe me një numër kaq të lartë delegatësh.

 

 Itali/ Rama: Investitorët dhe sipërmarrësit, të interesuar për Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së djeshme në shtetin italian, garantoi sipërmarrësit për mbështetje nga ana e qeverisë në investimet e tyre. Në një postim në rrjetin social “Facebook” Rama informoi për zhvillimin e konferencës, duke thënë se sipërmarrësit italianë janë të interesuar për Shqipërinë. Në takimin me Kryeministrin Rama thuhet se kanë marrë pjesë 200 sipërmarrës të rajonit të Venetos, me të cilët është zhvilluar një bashkëbisedim prej dy orësh. “Në nisje të bashkëbisedimit me rreth 200 sipërmarrës të rajonit të Venetos për Shqipërinë, potencialet dhe avantazhet”, – shkruante Kryeministri në një tjetër status. Më herët Kryeministri shqiptar u ka bërë thirrje investitorëve italianë që të vijnë e të investojnë në Shqipëri, vend i cili, ka thënë Rama, garanton një klimë të favorshme për të bërë biznes.

 

 Denoncimi/ PD: Afera CEZ do sjellë kosto ekonomike dhe rritje të çmimit të energjisë

Partia Demokratike denoncoi edhe një herë atë që ajo e quan “Afera CEZ”, ku sipas selisë blu, marrëveshja mes qeverisë dhe kompanisë çeke ka kosto të lartë për ekonominë e vendit, gjë që do të sjellë edhe rritjen e çmimit të energjisë. Pasi Operatori i Sistemit të Transmetimit i kërkoi zyrtarisht Entit Rregullator të Energjisë rritjen me 10% të çmimit të energjisë elektrike, demokratët akuzuan Qeverinë se kjo vjen si pasojë e aferës së tyre me kompaninë CEZ. “E vërteta është se shqiptarët e kanë paguar një herë këtë rritje çmimi, dhe nuk duhet të paguajnë përsëri. Rritja e çmimit do të varfërojë më tej jo vetëm buxhetet e pakta familjare, por do të ulë aftësinë blerëse, do të shtrenjtojë koston e punës, e për rrjedhojë do të dëmtojë ekonominë shqiptare, tashmë e “zënë prej fyti” prej rritjes së vazhdueshme e taksave dhe frymës së pesimizmit që ka kaptuar gjithkënd”, – tha Bozdo. Në këtë kontekst, ai theksoi se 500 milionë eurove borxhe që iu falën kompanisë CEZ dhe dëmit prej 3 miliardë dollarësh që çekët i shkaktuan ekonomisë shqiptare i bashkohen edhe 95 milionë euro të tjera që Qeveria do t’i paguajë CEZ. “Mazhoranca fshehu me qëllim raportet ndërkombëtare të kompanive të specializuara, të cilat ishin prova themelore e aferës CEZ. Shqiptarët nuk u njoftuan mbi çfarë faktonin këto raporte, ndërsa Kryeministri dhe ministrat e tij vazhdojnë të sillen sikur këto raporte nuk ekzistojnë. Mazhoranca u soll sikur të ishte avokate e CEZ dhe jo gardiane e interesit të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, – tha ai.

 

 

 

Loading...