Komisioni hetimor për KLD-në/ Nishani: Ndërhyrje për të kontrolluar  politikisht sistemin e drejtësisë

0
131

Bujar Nishani Një ditë pas ngritjes së komisionit hetimor parlamentar për shkarkimin e dy anëtarë ve të KLD, Presidenti Bujar Nishani e ka quajtur këtë nismë të mazhorancës një akt për të kapur politikisht sistemin e drejtësisë. “Nuk ka asnjë shkak, asnjë parashikim për të ndërmarrë një hap të tillë. Unë nuk do të merrja kohën e çmuar të kësaj interviste për të renditur një angazhim dhe kontribut të rëndësishëm gjatë dy viteve të fundit nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por ajo që më shqetëson dhe të cilën ia adresoj opinionit publik, por edhe të gjithë partnerëve të Shqipërisë ka të bëjë me faktin që ky akt është një ndërhyrje e hapur, në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me ligjet e vendit, për të pasur një kontroll dhe ndikim politik mbi sistemin e drejtësisë dhe kjo më shqetëson jashtëzakonisht shumë”, – deklaroi Nishani në një intervistë televizive për “Zërin e Amerikës”. Duke folur për procedurat e nisura prej tij me hapjen e konkurrimeve online për emrin e guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë, Presidenti tha se ai do të zgjidhet nga Këshilli Drejtues dhe se ligji aktual parashikon qartë kompetencat se kush mund të zgjidhet në krye të BSH-së. “E ka zgjidhur qartësisht Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. E ka zgjidhur qartësisht ligji dhe natyrisht Guvernatori që zgjidhet është ‘ex officio’ anëtar i Këshillit Mbikëqyrës”, – theksoi Presidenti. Pyetjes se kohët e fundit në Shqipëri ka pasur disa ceremoni publike ku kanë marrë pjesë disa persona, të cilët, mesa duket, janë nostalgjikë të kohës së kaluar duke paraqitur disa simbole të ish-diktatorit, kreu i shtetit i quajti këto si provokacione që i bëhen shoqërisë shqiptare. Presidenti theksoi gjithashtu se Shqipëria, klasa politike, ka nevojë për ligjin e lustracionit. “Unë do ta gjykoja dhe vlerësoja si një provokim që i bëhet jo vetëm shoqërisë shqiptare, një provokim i rëndë që i bëhet të shkuarës në Shqipëri. Mund të them që, çështja në tërësi e prezantimit apo e risjelljes në vëmendje të publikut të diktaturës apo të figurave të diktaturës është një çështje, e cila kërkon një reagim serioz të shoqërisë shqiptare, të shoqërisë civile dhe të qytetarëve shqiptarë. Shqipëria ka nevojë vërtetë për të analizuar dhe për të shkuar drejt hetimit dhe dënimit real të krimeve të komunizmit. Shqipëria ka nevojë dhe veçanërisht politika shqiptare dhe aktorë të rëndësishëm të politikës shqiptare për një proces lustracioni dhe jam i bindur që të gjithë do të jemi shumë më mirë dhe natyrisht do t’i pritet rruga çdo lloj provokimi të kësaj force dhe modeli që tenton të sillet në mënyrë shumë provokuese dhe shumë të padrejtë në opinionin publik shqiptar por edhe në ndjenjat e atyre që kanë vuajtur drejtpërdrejtë persekutimin e komunizmit në Shqipëri”, – deklaroi kreu i shtetit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency