Biznesi amerikan, “lumë” sugjerimesh e vërejtjesh për administratën fiskale

0
114

Ervin Kaduku

fasonettt_1 – Të rishikohet norma e tatimit mbi të ardhurat personale nga paga, në mënyrë që të ketë një trajtim të barabartë të të ardhurave personale

– Jo parapagesë gjobash: pagesa e detyrimit dhe e interesave të vendosur nga organet tatimore të kryhet vetëm pas dhënies së një vendimi të formës së prerë

Dhoma Amerikane ka përgatitur një listë shumë të gjatë kërkesash për qeverinë dhe ministrinë e Financave, të cilat kërkon që të gjejnë pasqyrimin e duhur në Paketën e re Fiskale për vitin 2015, që duhet të përgatitet, sipas burimeve qeveritare.

Sa më poshtë, vijon lista e hollësishme e sugjerimeve dhe kërkesave, që biznesi amerikan i pranishëm në Shqipëri, por edhe biznesmenët shqiptarë të inkuadruar në këtë grupim biznesi paraqesin, nisur nga të metat e konstatuara në vite në punën e administrative tatimore e doganore në vendin tonë.

 

Sugjerime dhe vërejtje nga biznesi i grupuar në Dhomën Amerikano-Shqiptare të Tregtisë

 

  1. Marrja e masave nga qeveria dhe administrata tatimore për uljen e evazionit fiskal dhe formalizimin e ekonomisë, jo vetëm nëpërmjet fushatave informuese, por edhe nxjerrjen dhe zbatimin e masave shtrënguese në përputhje me legjislacionin fiskal në fuqi. Në këtë kuadër, sugjerohet të gjendet një mënyrë për mbledhjen e kuponëve tatimorë nga konsumatorët, në mënyrë që më pas të njihen si shpenzime të zbritshme apo të ofrohen incentiva të tjerë fiskalë. Kjo do të ndihmojë formalizimin e ekonomisë dhe konkurrencën e ndershme. Është koha që bizneset informale të vihen përpara përgjegjësisë.

 

  1. Pagesa e detyrimit dhe e interesave të vendosur nga organet tatimore të kryhet vetëm pas dhënies së një vendimi të formës së prerë (nga drejtoria e apelimit apo gjykata), pasi në mjaft raste edhe vendosja e një garancie për ndjekjen e procedurës së apelimit rezulton e pamundur nga bizneset dhe nga ana tjetër mund të nxisë abuzimin e administratës tatimore për arkëtime detyrimesh tatimore në një afat të shkurtër. Në kushtet e funksionimit të rregullt të gjykatës administrative (me shkurtimin e kohës së nevojshme për çështjet gjyqësore administrative), është shumë më e lehtë marrja në konsideratë e kësaj kërkese.

 

  1. Rishikimi i normës së tatimit mbi të ardhurat personale nga paga në mënyrë që të kemi një trajtim të barabartë të të ardhurave personale, pavarësisht nëse ato janë të krijuara nga puna, aktiviteti i biznesit apo kapitali. Sugjerohet një zbutje e dallimeve mes këtyre llojeve të të ardhurave, në mënyrë që të ardhurat personale të tatohen në të njëjtat nivele, pavarësisht nga natyra e tyre. Për këtë qëllim, të ardhurave personale nga paga mund t’u njihen disa incentiva si shpenzime të zbritshme.

 

  1. Rishikim dhe ulje e normës së tatimit mbi fitimin.

 

  1. Për sa më sipër do të nxiste rritjen ekonomike nëpërmjet riinvestimit të të ardhurave më të larta “në duart” e bizneseve;

 

  1. Do të ulte shkallën e evazionit fiskal, e cila qartësisht dhe lehtësisht evidentohet në treg në shumë sektorë të ekonomisë;

 

  1. Do të rriste interesin për FDI-në, duke e barazuar ose sjellë në nivele të ngjashme me vendet e rajonit;

 

  1. Mosaplikimi i tatimit mbi fitimin i kompanive (rimbursimi i tatimit mbi fitimin) në rastin kur fitimet vjetore të tyre nuk shpërndahen në formë dividenti, por riinvestohen nga kompania.

 

  1. Kjo do të sillte rritjen e interesit nga biznesi për të

riinvestuar të ardhurat vjetore, duke rritur në mënyrë të drejtpërdrejtë investimet në ekonomi, vende të reja pune, ulje të informalitetit etj.

 

  1. Nuk do të kishte kosto të lartë në buxhetin e shtetit në raport me benefitet në periudhën afatmesme.

 

  1. Forma të ngjashme janë aplikuar me shumë sukses nga vendet e rajonit.

 

  1. Rritja e periudhës kohore për mbartjen fiskale të humbjeve nga 3 vjet që është aktualisht në 5 ose 7 vjet. Kjo gjë do të përmirësonte situatën, sidomos të atyre tatimpaguesve që kryejnë investime të konsiderueshme dhe është praktikë e njohur në botë dhe aplikuar me sukses edhe në vendet e rajonit.

 

  1. Nëse kërkesa e propozuar në pikën 2 nuk merret në konsideratë, sugjerohet që:

 

  1. të miratohet një Udhëzim, i cili do të përfshijë dhe detajojë elementet e garancisë.

 

  1. dhe garancia e vendosur nga ana e subjekteve të mos jetë vetëm bankare, por të njihet edhe garancia e lëshuar nga shoqëritë e sigurimit të licensuara në vend. Kjo do t’i lejonte biznesit përdorimin e likuiditeteve të nevojshme pa qenë nevoja e bllokimit në bankë.

 

  1. Sugjerojmë që Drejtoria e Apelimit Tatimor të bëhet një drejtori e veçantë brenda Ministrisë së Financave, me qëllim rritjen e pavarësisë së kësaj Drejtorie. Aktualisht, vetëm Drejtori i Drejtorisë është i varur nga Ministria e Financave, ndërkohë që inspektorët emërohen dhe largohen nga detyra me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.

 

  1. Struktura aktuale e Drejtorisë së Avokatit të Tatimpaguesve, siguron pjesërisht pavarësinë e autoritetit të këtij funksioni. Autoriteti i Avokatit të Tatimpaguesve është i varur organikisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (pjesë e organigramës së DPT-së). Një drejtori e Avokatit të Tatimpaguesve, e pavarur, vetëm nën varësinë e Ministrisë së Financave, do t’i japë autoritet më të plotë funksional, për mbajtjen e qëndrueshme të një pozicioni të paanshëm, gjatë punës së saj. Gjithashtu, sugjerojmë që të zgjerohen kompetencat e Avokatit të Tatimpaguesve. Konkretisht, sugjerojmë që pas marrjes së projekt raport kontrollit, observacionet e tatimpaguesit, që kanë lidhje me kërkesa procedurale t’i dërgohen njëkohësisht edhe Avokatit të Tatimpaguesve dhe ky i fundit të shprehet brenda një periudhe kohore të caktuar. Drejtoria Rajonale të marrë në konsideratë sugjerimet e Avokatit dhe nëse gjykon që kjo nuk është e mundur, të arsyetojë për rrëzimin e pretendimeve të tatimpaguesit dhe sugjerimeve të Avokatit të Tatimpaguesve.

Së dyti, procedurat e rikontrollit të autorizohen me pëlqimin e Avokatit të Tatimpaguesve. Aktualisht, këto procedura vendosen vetëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila nuk njofton tatimpaguesin dhe as arsyeton në lidhje me urdhërin për rikontroll dhe arsyet e rikontrollit.

Sugjerohet të ndryshohet dispozita mbi amortizimin e aktiveve afatgjata të biznesit, duke iu përshtatur zhvillimeve të reja ekonomike dhe teknologjike. Metoda aktuale (mbi vlerën e mbetur) nuk reflekton me realitetin ekonomik, duke sjellë një shtrembërim edhe në aspektin e raportimit financiar. Sugjerimi ynë do të ishte aplikimi i metodës lineare në bazë të vlerës historike (pa marrë parasysh amortizimin kontabël) në normat e mëposhtme:

 

–  Për ndërtesat 5%

–  Për linjat teknologjike dhe makineritë 10%

–  Për pajisje informatike 33.3%

–  Për të tjerat 20%

 

Ky ndryshim do të ndikonte në cilësinë e raportimit kontabël, duke e çliruar këtë të fundit nga ndikimet që ka legjislacioni tatimor mbi të. Po ashtu, normat e propozuara janë më afër realitetit teknologjik dhe do të ndikonin në rritjen e investimeve në aktive afatgjata.

 

  1. Sugjerohet që në Ligjin nr. 9975, datë 28/07/2008 “Për Taksat Kombëtare”, taksa për ambalazhet njëpërdorimshe të prodhuara me material të ricikluar nga mbetjet plastike të gjeneruara në vend, të jetë 1 (një) lekë/kg, një vlerë kjo simbolike dhe që mund të përdoret për efekt statistikor.

 

  1. Akciza [pulla fiskale pije dhe duhan të grirë (jo cigare)]. Do të sugjerohej që pulla fiskale të vendosej në magazinën doganore në Shqipëri, për arsyet e mëposhtme:

 

  1. Kosto e punës për vendosjen e pullave fiskale tek ne është më e ulët.

 

  1. Hapja e vendeve të reja të punës.

 

  1. Vendosja e pullës fiskale tek furnitori pengon eksportin, pasi pulla jonë fiskale nuk njihet jashtë vendit dhe produkti duhet zhveshur prej saj. Kjo na çon në humbjen e ekskluziviteteve për Ballkanin.

 

Aktualisht, vendosja e pullave fiskale për pijet dhe duhanin e grirë është e detyrueshme që të bëhet tek furnitori. Mirëpo, duke qenë se në Evropë dhe me gjerë nuk vendosen pulla fiskale për pijet dhe duhanin e grirë, furnitorët tanë nuk kanë pajisje për t’i vendosur ato. Pra, për ta është një proces jashtë serisë së proceseve normale të tyre. Vetë furnitorët gjejnë magazina doganore në vendet e tyre, apo Itali dhe bëjnë atje vendosjen e pullave fiskale me dorë. Kjo gjë rrit koston, pasi puna me dorë e punonjësve që merren me këtë proces kushton. Por gjithashtu, duke qenë se malli del nga paketimi, pasi pulloset copë për copë, ekziston mundësia e dëmtimit apo vjedhjes së mallit në këto pika tranzite.

 

  1. Mendojmë se data 5 e deklarimit të librave të Blerjeve dhe të Shitjeve është shumë e shkurtër dhe krijon vështirësi për shoqëritë. Kjo datë kaq e afërt nuk ka pasur ndonjë efekt në uljen e evazionit në lidhje me lëshimin e faturave fiktive të shitjes. Si rrjedhim, sugjerojmë që kjo datë të njehsohet me deklarimin e TVSH-së, pra edhe deklarimi i librave të Blerjeve dhe të Shitjeve të bëhet në të njëjtën datë me deklarimin e TVSH-së ose të bëhet pas 5 ditësh pune (jo në datën 5 të muajit), ose brenda datës 10, sepse është një kohë e pamjaftueshme në rastet kur fillimi i muajit koinçidon me fundjavën ose me festa zyrtare.

 

  1. Me qëllim përmirësimin e konkurueshmërisë së industrisë vendase si dhe rritjen e atraktivitetit të vendit për investimet e huaja direkte, sugjerohet anullimi i akcizës dhe taksës së karbonit mbi lëndët djegëse, në linjë me direktivat e BE-së (Direktiva e BE-së 2003/96/KE e datës 27 tetor 2003), e cila ristrukturon kuadrin ligjor të Komunitetit për taksimin e produkteve të energjisë dhe energjinë elektrike), në rastin kur ato nuk përdoren si lëndë djegëse për mjete motorike apo për ngrohje.

Nga ana tjetër, duke konsideruar kontributin e rëndësishëm të këtyre taksave në buxhetin publik, zgjidhje të tjera alternative mund të gjenden për të rivendosur konkurencën e drejtë pa impakt në financat e shtetit si psh. rritja e TVSH-së së aplikueshme për produktet e çimentos dhe/ose aplikimi i një takse tjetër ekuivalente në shitjen e produktit final (çimento), ose anullimi i akcizës ekuivalente dhe taksës së karbonit për sasitë e eksportuara nga prodhuesit vendas dhe aplikimi në import i një detyrimi doganor prej 2.5 – 3 euro/ton.

 

  1. Në fund të nenit 59, të projektligjit për Procedurën Tatimore, të shtohet paragrafi: “Ministria e Financave përcakton me udhëzim se cilat aktivitete do të përjashtohen nga detyrimi për të ndarë në vende të veçanta, të ndarë nga njeri – tjetri, shitjen me shumicë nga ajo me pakicë”.

 

  1. Arsyetimi i disa prej këtyre përjashtimeve qëndron në faktin se numri i artikujve që tregtojnë është me mijëra artikuj. Xhiroja që bën një pikë shitjeje është në bazë të gjithë kësaj shumëllojshmërie, por xhiroja për artikull është shumë e vogël. Nevoja e popullsisë për këto artikuj gjithashtu është e kufizuar se nuk janë mjete të konsumit të përditshëm. Për këtë arsye, një biznes i këtij lloji nuk mund të përballojë dy pika shitje të ndryshme, një pakice dhe një shumice, sepse fitimi i pritshëm nuk e justifikon shpenzimin. Gjithashtu, këto lloj aktivitetesh kërkojnë personel të specializuar në çdo pikë tregtimi. Fakti që shitoret e këtyre aktiviteteve në Tiranë janë jo më shumë se pak dhjetra, e nganjëherë edhe më pak se dhjetë, ndërsa shitoret e ushqimoreve, detersiveve, fruta-perimeve, veshjeve, etj. janë me mijëra, tregon ndryshimin e madh që këto biznese kanë me njëri – tjetrin.

 

  1. Një tregues tjetër për ne është mungesa e prodhimit në vend të këtyre mallrave. Kërkesa e kufizuar e tregut për artikull nuk justifikon ngritjen e industrisë prodhuese.

 

  1. Në këto biznese trajtohen edhe disa artikuj të veçantë, në sasira shumë të vogla, që nuk mund të tregtohen nga një pikë pakice, prandaj edhe një konsumator final është i detyruar t’i drejtohet atyre pak pikave shumice që e disponojnë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency