Standard.al

Historia e ndërtimit të stadiumit “Qemal Stafa”

Si u shemb në derbin Tirana – Partizani në vitet ‘60 dhe historia e ndërtimit të tij

stadiumi qemal stafa Futbolldashësi shqiptar në historinë e tij gjithmonë ka arritur ta projektojë futbollin e vendit tonë me vetëm një stadium. Bëhet fjalë për gjigantin tonë “Qemal Stafa”. As “Santiago Bernabeu”, as “Kamp Nou”, as San Siro, shumë më i vogël, por që ka një domethënie shumë të madhe për ne. Italianët, kur nisën ta ndërtonin, ndoshta nuk e menduan kurrë se në atë kantier në cep të Tiranës po ngjiznin simbolin e sportit shqiptar. Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”, arena historike e futbollit tonë, pas pothuajse 70 vitesh nga dita kur u vu guri i parë, mbetet ende një pikë referimi për lojtarin dhe tifozin. Mijëra takime janë zhvilluar aty që nga dita kur u çel, më 7 tetor të 1946, në ndeshjen e parë në një aktivitet zyrtar për kuqezinjtë. Nga fusha e “Qemal Stafës” kanë dalë të zhgënjyer shumë ekipe me emër si Gjermania Perëndimore e Helmut Shënit, nënkampione e botës më 1966 apo Greqia e Oto Rehagelit, kampione e Evropës e saposhpallur në vitin 2004. Stadiumi ynë kombëtar padyshim ka historinë e tij në vite, e cila e ka shndërruar në një monument të pazëvendësueshëm dhe dëshmitar të futbollit shqiptar.

 

Projekti italian

Në një artikull të datës 3 tetor të vitit 1936 të gazetës “Sporti shqiptar”, sekretari i atëhershëm i Federatës së Futbollit, Luigj Shala, e quante si të domosdoshëm ndërtimin në Tiranë të një stadiumi kombëtar. Ngritja e këtij objekti të rëndësishëm do të ndikonte në zhvillimin e sportit të futbollit në vendin tonë, duke u kthyer edhe në “shtëpinë”e përfaqësueses së sapokrijuar. Shqipëria asokohe qe një vend i varfër dhe një vepër e tillë kërkonte një investim kolosal, po të kesh parasysh se vetëm një fushë e thjeshtë futbolli me një tribunë të vogël dërrase kushtonte disa mijëra dollarë. Ndër më të mirat ishin fusha e Shallvares në Tiranë, terreni i Korçës, Ara e Mushketës në Durrës, fusha e Namazgjasë në Elbasan apo Baçja e Teqesë në Gjirokastër. Projekti dhe ëndrra për të pasur një stadium do të shtyhej për më vonë, pikërisht pas pushtimit nga Italia, më 7 prill 1939. I shtyrë nga dëshira për të ringjallur perandorinë e dikurshme romake, Benito Musolini kërkonte që në tokat e pushtuara të përhapte frymën fashiste si shenjë të përparimit. Në planet e Duçes ishte ngritja e veprave të ndryshme, fillimisht në qendrat e mëdha të banimit, dhe Shqipëria nuk bënte përjashtim. Kryeqyteti i vendit ishte pika nevralgjike e projekteve të italianëve ku vëmendja iu kushtua bulevardit kryesor. Kompleksi, i cili e ndante Tiranën përgjysmë, përveç ndërtesave të shumta që do ti jepnin pamjen e një metropoli kishte edhe një stadium. Krijuesi i tij qe arkitekti i ri nga Firence, Xherardo Bozio, i cili projektoi edhe një stadium olimpik me një kapacitet prej 15 mijë vendesh, më se i mjaftueshëm për Tiranën që në fundin e viteve 30 numëronte më pak se 60 mijë banorë. Arena e re moderne e kryeqendrës shqiptare plotësonte të gjitha kushtet e përcaktuara nga Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Guri i themelit Puna për ngritjen e kësaj vepre me vlerë disa milionë lira nisi disa muaj pas pushtimit nga Italia. Veprat që financoheshin nga Roma kishin një rëndësi të madhe dhe për të tërhequr më shumë vëmendjen disa prej tyre u inauguruan nga krahu i djathtë i Benito Musolinit, ministri i jashtëm, Galeaco Çano. Ai vuri gurin e parë në stadiumin e parë shqiptar gjatë vizitës së tij në Tiranë, në gushtin e vitit 1939. Arena e re sportit në Tiranë do të kishte formë eliptike, diametri më i madh i të cilit do të ishte 274 metra, ndërsa më i vogli 142. Stadiumi do të rrethohej i gjithi me një mur të dekoruar me mermer dhe hyrja qendrore do të ishte madhështore. Tribunat do të përbëheshin nga 10 shkallë dhe një prej tyre do të ishte e mbuluar, ndërsa në të mund të zhvilloheshin, përveç ndeshjeve të futbollit, edhe gara atletike.

 

Përfundimi i stadiumit

Ndërtimi i tij vazhdoi për 3 vjet dhe u ndërpre në gushtin e vitit 1943, pak ditë pas kapitullimit të Italisë fashiste. Punimet mbetën të ndaluara, pasi në kohën e pushtimit gjerman nuk u vu asnjë tullë dhe fusha e stadiumit u përdor si vendparkim mjetesh të rënda ushtarake. Pas çlirimit të vendit, rinisi puna për të kthyer funksional stadiumin dhe për fat pjesa më e madhe tij, përfshi kanalet e kullimit, qe përfunduar nga italianët. Këto punime janë të paprekura edhe sot. Komunistët e ardhur në pushtet kërkuan me ngulm përfundimin e punimeve, pasi në të do të zhvilloheshin Lojërat e para Ballkanike të pasluftës, më 1946. Qeveria shqiptare angazhoi 400 punëtorë, të ndihmuar nga 150 vullnetarë të përditshëm, duke investuar, sipas të dhënave të shtypit të kohës, rreth 300 mijë franga shqiptare për përfundimin e punimeve në stadium. Në përfundim, përveç fushës dhe pistës së atletikës, kishte edhe 22 dhoma dhe 6 korridore. Tirana më në fund kishte një stadium të parametrave ndërkombëtarë, i cili mori emrin e heroit të luftës, “Qemal Stafa”. Aty përfaqësuesja shqiptare e futbollit u shpall kampione e Ballkanit për të vetmen herë në historinë e saj, duke pasur edhe një debutim mbresëlënës pasi edhe publiku mbushi shkallët në javën kur u mbajt turneu i rëndësishëm. Stadiumi u kthye shumë shpejt në një pikë referimi, duke pritur thuajse të gjitha aktivitetet sportive përfshi edhe garat e para të peshëngritjes dhe mundjes. Arena e sportit shqiptar pati këtë formë për vite me radhë, përveç shkallëve portative të tribunës përkarshi, të cilat u shembën gjatë derbit Tirana-Partizani, duke u zëvendësuar me ato prej betoni, në mesin e viteve ‘60.

 

Shtimi i kapacitetit

Kryeqendra e Shqipërisë, megjithëse u pajis me një stadium të dytë në vitin 1959, stadiumi “Dinamo” (sot “Selman Stërmasi”), nuk mund të plotësonte kërkesat e tifozëve për vende, pasi vetëm klube të mëdha kishte tre të tillë. Rritja e popullsisë së kryeqytetit shtyu qeverinë e Enver Hoxhës të mendonte për zgjerimin e të vetmit stadium kombëtar në vend dhe shkak u bë përkujtimi 30-vjetorit të çlirimit, i cili u festua në mënyrë madhështore në Spartakiadën e Tretë Kombëtare. Tribuna përkarshi u shtua me 20 shkallë të tjera, duke e çuar kapacitetin e këtij impianti në 35 mijë vende. Punimet, të cilat nisën në ditët e para të shtatorit të 1973, përfunduan pas një viti. Kostoja e tyre ishte 2.8 milionë lekë dhe për herë të parë në të u vu një tabelë elektronike, e cila u ble në Hungari dhe është ende pjesë e impiantit. Poshtë tribunës së re u ndërtua një hotel me 100 vende fjetje për sportistët, ku përfshiheshin edhe palestra dhe një restorant. Një nga projektet e diskutuara të zgjerimit parashikonte që stadiumi të kishte një pamje më të bukur, ku shtesa do të zbriste gradualisht deri në mesin e shkallëve pas portave, një plan i cili nuk u realizua.

 

Periudha post-komuniste

Me rënien e sistemit komunist, pati ndryshime të tjera, të cilat modernizuan dhe shtuan komoditetin në stadium, duke filluar me pajisjen e tij me stola, të cilat e ulën kapacitetin e tij në rreth 17 mijë, modernizimin e sistemit të vaditjes së fushës ndërsa në shtator të vitit 1996 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” u vendos për herë të parë një sistem ndriçimi. Projektorët, të cilët u vendosën nga inxhinierë suedezë, kishin një fuqi ndriçuese 1200 luks dhe ishin të shpërndarë në katër kulla, qenë një dhuratë e UEFA-s për Federatën Shqiptare të Futbollit. Pista e tartanit, e vendosur disa vjet më parë më parë, i dha një pamje më të këndshme impiantit, i cili gjithsesi nuk mund të presë gara atletike të rëndësishme, pasi ka vetëm gjashtë korsi. Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” edhe sot, pas gati 70 vjetësh, ka mbajtur peshën më të madhe të ndeshjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, ku luajnë kuqezinjtë dhe klubet e kryeqytetit, duke mbetur ende një pikë e rëndësishme e futbollit shqiptar, ndërsa tashmë do të zëvendësohet nga Elbasan Arena.

 

Comments are closed.