Nga 1 janari/ Vendimi, FMN: Sa do të rriten taksat më 2015

0
139

Ervin Kaduku

–  Qeveria për këtë vit nuk do të shlyejë më detyrime të vjetra, duke lënë këtë proces për ta mbyllur vitin e ardhshëm, por vetëm nëse nuk shtohen shumë borxhe të reja

rritja e taksaveAjo që qytetarët shqiptarë kishin më shumë frikë, duket se do të ndodhë: qeveria “Rama” nuk mund t’i shmanget taksimit më të rëndë të popullatës nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Qeveria ndodhet përballë tre mundësive për të ulur borxhin vitin e ardhshëm, angazhim i marrë para Fondit Monetar Ndërkombëtar. Rritjen e të ardhurave nga administrimi, uljen e shpenzimeve ose rritjen e taksave. Ndërkohë që shpenzimet buxhetore janë ulur në një minimum historik dhe ulja e tyre e mëtejshme në një vit elektoral për pushtetin vendor do të ishte katastrofike për mazhorancën dhe, nga ana tjetër, do të ishte shumë e vështirë rritja e të ardhurave fiskale, alternativa më e mundshme që të ndodhë është ajo e rritjes së barrës së taksave.

Në një intervistë televizive dje, përfaqësuesi i FMN-së në Shqipëri Rajnke deklaroi se negociatat për buxhetin 2015 ende nuk janë mbyllur dhe vendimi që do të merret për të ulur borxhin i takon qeverisë.

“Programi i FMN-së ka si spirancë profilin e borxhit. Ka objektiva specifike për uljen e borxhit. Mënyra se si mund të arrihet aty është nëpërmjet përmirësimit të administrimit tatimor dhe këtu ka përmirësim, por kjo nuk është e mjaftueshme. Ka forma të tjera si ndryshimi i nivelit të taksave apo kontrollet e shpenzimeve. Propozimet në tavolinë për kombinimin e masave sillen nga qeveria. Është vendim politik i qeverisë nëse do të vendosë të shpenzojë më pak dhe të taksojë më pak apo të shpenzojë më shumë dhe të taksojë më shumë. Ne nuk i udhëheqim bisedimet për këtë. Ne këshillojmë dhe kontrollojmë nëse masat e propozuara janë efiçente dhe a bazohen në praktikat më të mira ndërkombëtare”, – u shpreh përfaqësuesi i FMN-së.

Ai shpjegoi se është rënë dakord me qeverinë që investimet të mos preken, çka lë të hapur mundësinë e rritjes së taksave. “Ajo që ne biem dakord me qeverinë është nevoja për të rritur investimet publike, pasi kjo krijon infrastrukturën dhe zhvillon ekonominë. ajo që ne i kemi thënë qeveris është që të ketë një prioritet në shpenzimet e saj, prandaj reforma në sektorin e energjisë është kaq e rëndësishme. Subvencionet për energjinë që vidhet dhe nuk paguhet janë barrë e madhe për buxhetin dhe duhet ndaluar kjo rrjedhë e madhe e parave që mund të ndihmonin potencialin e rritjes ekonomike”.

FMN rekomandon reformë urgjente në sektorin energjetik ku përfshihet edhe ndërhyrje tek struktura e çmimit.

Qytetarët pritet të paguajnë më shumë taksa për pagat që marrin nga fillimi i vitit që vjen. Ministria e Financave, e këshilluar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, pritet t’i propozojë Qeverisë dhe Kuvendit, ndryshime në mënyrën e këtij taksimi. Burime nga ky dikaster bëjnë të ditur se bisedimet me FMN nuk kanë përfunduar ende dhe nuk është e qartë nëse do të ketë ndryshim skeme, apo rritje të nivelit të kësaj takse. Me ndryshimin e qeverisjes, një vit më parë u ndryshua dhe mënyra e përllogaritjes së kësaj takse. Kështu, tatimi mbi të ardhurat personale të pagës së të punësuarve, kaloi nga tatimi i sheshtë 10 për qind, në tatim progresiv. Ky ndryshim u bë në përputhje me logjikën e qeverisjes aktuale, që ata, të cilët marrin të ardhura më të larta nga puna e tyre, të paguajnë më tepër.

Po kështu, në rast se kërkon të mos i shpëtojë nga dora mundësia e një kësti të tretë të huasë nga FMN, qeveria “Rama” duhet të miratojë edhe një rritje të akcizës. Që mund të jetë vetëm një nga ndryshimet fiskale, që do të pasqyrohen në pakekën përkatëse për vitin e ardhshëm. Administrata doganore, që është e ngarkuar sipas ligjit me grumbullimin e akcizës, ka shënuar shifra jo vetëm më të ulëta se plani për 2014-ën, por ato kanë qenë shumë pak më të larta se shifrat e vitit të kaluar.

 

Politika “antiborxh”

Deputeti demokrat Sherefedin Shehu deklaroi dje se impakti i shlyerjes së borxheve në ekonominë kombëtarë ka qenë i papërfillshëm dhe përshpejtimi i lehtë i rritjes ekonomike ka ardhur për të tjerë faktorë. “Kjo rritje ishte parashikuar e tillë për të qenë me e madhe se sa e vitit të kaluar dhe mendoj që edhe ambienti, qoftë i brendshëm, qoftë i jashtëm, favorizonte një rritje më të madhe ekonomike”, tha Shehu.

Deputeti Shehu liston një sërë arsyesh për të argumentuar se pse sipas tij, shlyerja e borxheve nuk dha efekt, ku më kryesorja lidhet sërish me vetë shpenzimet e buxhetit.

“Kjo politikë nuk është shoqëruar me stimuj fiskalë, sepse kemi rënie të investimeve dhe në muajin gusht ne kemi 24 miliardë lekë më pak investime, krahasuar me një vit më parë”, tha Shehu.

Ndërsa nënkryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Anastas Angjeli, mendon se shlyerja e borxheve të prapambetura çliroi biznesin duke përshpejtuar rritjen e ekonomisë. “Shumë kompanive, sidomos atyre që kanë patur aktivitet të drejtpërdrejtë në ekonomi, me shlyerjen e detyrimet, duket se një pjesë e tyre janë rikthyer aktivitetit ekonomik. Kjo dëshmohet edhe nga rezultatet në përgjithësi të ritmeve të rritjes ekonomi, ku parashikimet duket se do të na çojnë në fund të vitit në një rritje ekonomike, rreth 2 për qind”, tha Angjeli.

Në tetë muajt e parë, Qeveria pagoi rreth 260 milionë dollarë borxhe të vjetra ndaj biznesi. Sipas Angjelit, kjo ka patur efekte duke përmirësuar edhe financat publike. “Një pjesë e këtyre detyrimeve duke u shlyer për kompanitë, kanë shlyer edhe detyrimet fiskale që kanë patur dhe këto kanë qenë shuma të konsiderueshme që i janë kthyer buxhetit në formën e të ardhurave, për t’u investuar, sipas programit të Qeverisë”, tha Angjeli.

Problemi është se me sa duket, qeveria për këtë vit nuk do të shlyejë më detyrime të vjetra, duke lënë këtë proces për ta mbyllur vitin e ardhshëm. Por, vetëm në se nuk shtohen shumë borxhe të reja…

 

Sqarim

Në artikullin e ditës së djeshme të gazetës “Standard”, me nëntitull: “Emri i Samir Manes krijon përplasje për buxhetin e rishikuar të vitit 2014. Biznesmeni i TEG-ut fshihet pas kontratave qe ka realizuar me qeverinë e mëparshme, të cilat janë kritikuar edhe nga ndërkombëtarët

Ngjyrosja e karburantit: a e ka shmangur abuzimin për qytetarët?” – sqarojmë se përmendja e emrit të biznesmenit Samir Mane nuk ka lidhje me kontratën e ngjyrosjes së karburanteve. Zyra e shtypit pranë grupit “BALFIN” të këtij biznesmeni, ka kontaktuar me gazetën, duke u shprehur se informacioni në fjalë nuk është i saktë dhe se z. Mane nuk ka lidhje me një aktivitet të tillë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency