ILDKPKI/ Masa administrative ndaj 10 zyrtarëve të niveleve të ndryshme

0
146

godina-e-ildkpSubjektet e gjobitur nuk kanë dorëzuar deklaratën e interesave private, rrezikojnë 1 milion lekë gjobë dhe kallëzim penal pranë organit të akuzës

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave bëri të ditur dje zyrtarisht se pas verifikimit për dorëzimin në afat të dokumentit zyrtar “Deklaratë e interesave private”, ka konstatuar shkelje për një dhjetë zyrtarë të niveleve të ndryshme drejtues të cilët pa shkaqe ligjore të arsyeshme nuk kanë dorëzuar në afat deklaratën e interesave private. Mes 10 zyrtarë të niveleve të ndryshme, ka prokurorë, inspektorë tatimesh, drejtorë të Entit të Banesave etj. Në këto kushte, ILDKPKI ka vendosur masën administrative “gjobë” për dhjetë subjektet deklarues të cilët nuk kanë dorëzuar deklaratën e interesave private, të cilët janë: Saliko Hajno, Bujar Çiçi, Sotiraq Stratobërdha, Thoma Janku, Luan Jonuzi, Qamil Korça, Hazbi Lika, Artur Mita, Edvin Brokaj, Irfan Hysolli.

Nëpërmjet njoftimit zyrtar, ILDKPKI bën të ditur se “në zbatim të nenit 40, pika 1 të ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, sipas të cilit, “Për mosdeklarim periodik apo me kërkesë, në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, zyrtari ose personi i lidhur me të, që mbart detyrim për deklarim, dënohet me gjobë nga 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë deri në 100.000 (njëqind mijë) lekë”, Inspektori i Përgjithshëm, përmes vendimit të posaçëm, vendosi masën administrative ‘gjobë’ për subjektet e lartpërmendur”. Në lidhje me masën administrative të zbatuar ndaj këtyre subjekteve, ILDKPKI ka njoftuar zyrtarët, subjekte deklarimi, si dhe institucionin epror.

Me këtë rast ILDKPKI “u rikujton të gjithë subjekteve deklarues ndaj të cilëve është marrë masë administrative ‘gjobë’, që në rast të refuzimit të dorëzimit të deklaratës së interesave private, subjekti konsumon elementë të veprës penale parashikuar në nenin 257/a, paragrafi i parë, i Kodit Penal, për të cilën ILDKPKI do të paraqesë kallëzim penal pranë organit të akuzës”.

 

 Subjektet deklarues, të cilët nuk kanë dorëzuar deklaratën e interesave private

Saliko Hajno, me detyrë Prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për mosdorëzim të “Deklaratës Pas Largimit nga Funksioni” për vitin 2014;

Bujar Çiçi, me detyrë Prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për mosdorëzim të “Deklaratës Para Fillimit të Detyrës” për vitin 2014;

Sotiraq Stratobërdha, me detyrë Kancelar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për mosdorëzim të “Deklaratës Para Fillimit të Detyrës” për vitin 2014;

Thoma Janku, me detyrë Drejtor Auditi pranë Prokurorisë së Përgjithshme, për mosdorëzim të “Deklaratës Pas Largimit nga Funksioni” për vitin 2014;

Luan Jonuzi, me detyrë Inspektor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtoria Rajonale Durrës, për mosdorëzim të “Deklaratës Pas Largimit nga Funksioni” për vitin 2014;

Qamil Korça, me detyrë Inspektor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtoria Rajonale Korçë, për mosdorëzim të “Deklaratës Pas Largimit nga Funksioni”për vitin 2014;

Hazbi Lika, me detyrë Drejtor pranë Drejtorisë Rajonale të Entit Kombëtar të Banesave Durrës, për mosdorëzim të “Deklaratës Para Fillimit të Detyrës” për vitin 2014;

Artur Mita, me detyrë Drejtor pranë Drejtorisë Rajonale të Entit Kombëtar të Banesave Elbasan, për mosdorëzim të “Deklaratës Para Fillimit të Detyrës” për vitin 2014;

Edvin Brokaj, me detyrë Drejtor pranë Drejtorisë Rajonale të Entit Kombëtar të Banesave Vlorë, për mosdorëzim të “Deklaratës Para Fillimit të Detyrës” për vitin 2014;

Irfan Hysolli, me detyrë Drejtor pranë Drejtorisë Rajonale të Entit Kombëtar të Banesave Tiranë, për mosdorëzim të “Deklaratës Para Fillimit të Detyrës” për vitin 2014;

 

Ditën e vizitës së Papës, hajdutët vjedhin ipeshkvinë

Ndërsa Papa vizitonte Shqipërinë, ditën e diel, hajdutët nuk bënin pushim, por përkundrazi kanë vjedhur një ipeshkvi. Pikërisht këtë vizitë kanë shfrytëzuar disa hajdutë, për të vjedhur sende me vlerë dhe para në Ipeshkvinë e Lezhës. Vjedhja është konstatuar në mbrëmje, ndërsa është bërë publike vetëm dje nga policia. Aktualisht nuk ka asnjë të ndaluar. Në njoftimin e policisë thuhet se janë vjedhur 1 aparaturë “Samsung”, 1 unazë ipeshkvore, 1 aparat celular dhe 500 euro, 1 kompjuter laptop “Apple”, 2 unaza floriri, 1 aparat celular dhe 50 000 lekë.

Duke parë që vëmendja e policisë të dielën e 21 shtatorit ishte vetëm në Tiranë, por edhe nga fakti që brenda Ipeshkvisë së Lezhës nuk kishte asnjë person, hajdutët kanë përfituar duke hyrë nga pjesa e pasme për të realizuar vjedhjen dhe më pas janë larguar. Nga ana e priftërinjve u bë menjëherë denoncimi i vjedhjes. Policia e Lezhës bën të ditur se po punohet intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

 

 Tutorja shqiptare mbante me forcë të mitura për prostitucion

 Kërkohej nga Interpoli i Maqedonisë, arrestohet nga polica e Greqisë

Policia greke ka arrestuar dje, në tentativën për të hyrë në Shqipëri, një shqiptare 53-vjeçare, e cila ishte në kërkim nga Interpoli i Maqedonisë. Gruaja, një tutore prostitucioni, mbante me forcë në një shtëpi disa vajza të mitura nga Shqipëria, të cilat i shfrytëzonte për prostitucion. Të miturat ishin mashtruar prej saj në vitin 2012, kohë kur ajo u kishte premtuar se do t’u gjente punë në klube nate jashtë vendit. Pasi emri i saj u rendit në listën e të kërkuarve nga Interpoli në Maqedoni, arrestimi i saj u bë i mundur vetëm dje nga policia greke, teksa ajo do të kalonte kufirin për të hyrë në Shqipëri.

Nga mediat greke mësohet se 53-vjeçarja shqiptare, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur, është arrestuar në Follorinë, ndërsa materialet e policisë i kanë kaluar Gjykatës së Apelit në Kozan për të dhënë më pas dënimin. Policia greke ka arrestuar dje edhe një shqiptar të arratisur nga burgjet në vitin 1997; ai ishte dënuar për përdhunim. Shqiptari u kap gjatë tentativës për të hyrë në Shqipëri dhe madje bëri edhe rezistencë gjatë arrestimit.

 

Itali/ Shqiptari vret me hu marokenin, dyshohet për arsye xhelozie

Ali Machkour, 36 vjeç, është rrahur për vdekje me një hu nga një shtetas shqiptar në qytetin e Barcellona Pozzo di Gotto të Sicilisë. Shqiptari akuzon marokenin se i ka djegur makinën, ndërsa policia dyshon se vrasja është kryer për arsye xhelozie. Arben Doga, 53 vjeç, i lindur në Tiranë, por me banim prej kohësh në Sicili, mëngjesin e 21 shtatorit ka rrahur me hu, derisa i ka shkaktuar dhe vdekjen, marokenin Ali Machkour. Doga, pasi mësoi se ishte identifikuar nga autoritetet italiane si autor i krimit u vetëdorëzua në komisariatin e qytetit të Barcellona Pozzo di Gotto.

Policia italiane, nga ana e saj, ka nisur menjëherë hetimet mbi rastin duke ngritur disa pista të mundshme mbi arsyen e vrasjes. Ndërsa vetë Doga ka deklaruar se ka kryer krimin në shenjë hakmarrjeje, pasi shtetasi maroken i kishte djegur më parë makinën që përdorte për punë, mbledhje skrapi, autoritetet japin dhe një version tjetër të historisë. Sipas këtyre të fundit ka dyshime të forta për një krim me motive xhelozie. Në fakt, marokeni 36-vjeçar shoqërohej me vajzën e adoptuar të ish-gruas së Dogës, ndërsa ky i fundit është denoncuar nga vetë vajza në fjalë për përndjekje dhe ngacmim.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency