Vendimi/ FSHF i jep dritën jeshile Kategorisë së Parë dhe të Dytë

0
134

Komiteti Ekzekutiv ka njoftuar se më në fund Kategoria e Parë dhe ajo e Dytë do mund të nisin aktivitetet e tyre

fshf Duket se futbolli shqiptar tashmë do të ketë një panoramë të plotë. Kjo, pasi përveç Superiores, do të nisin edhe kategoritë e tjera të ulëta. Pas disa rregullimeve të bëra nga Komiteti Ekzekutiv, mund të nisin të dyja kategoritë ku skuadrat që bëjnë pjesë duhet të përmbushin disa kushte. Vendimi u mor këtë të hënë në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FSHF, siç njoftohet nëpërmjet një komunikate në faqen zyrtare të institucionit shqiptar të futbollit. Pas shtyrjes fillestare të kampionateve, për shkak të problematikës në lidhje me detyrimet financiare të klubeve si dhe garantimin e sigurisë nga ana e Policisë së Shtetit, Federata Shqiptare e Futbollit ka përcaktuar afatin e nisjes së fushatës futbollistike. Një nisje duke vendosur edhe disa detyrime e njëkohësisht duke krijuar lehtësira për skuadrat protagoniste të Kategorisë së Parë dhe asaj të Dytë. Kështu, ekipet që nuk kanë shlyer detyrimet financiare brenda kësaj jave, duhet të derdhin në arkat e FSHF 50% të detyrimeve që kanë për edicionin 2014-2015, ndërsa për pjesën e mbetur të detyrimeve do të bëjnë një aktmarrëveshje me Federatën për t’i likuiduar deri në 31 dhjetor të 2014-ës. Nëse brenda javës klubet pjesëmarrëse nuk plotësojnë kushtin e pagesës së 50% të shumës që detyrohen, atëherë klubet debitore do të humbasin ndeshjen në tavolinë. Gjithashtu, për sa i përket infrastrukturës, të gjitha klubet duhet të dorëzojnë brenda kësaj jave në Federatën Shqiptare të Futbollit garancinë e policisë për të marrë përsipër mbarëvajtjen e të gjithë aktivitetit dhe në rast se nuk arrijnë diçka të tillë, duhet të arrijnë marrëveshje me një nga stadiumet e tjera të miratuara nga Policia e Shtetit për garantimin e sigurisë.

 

Vendimet e Komitetit Ekzekutiv:

U miratuan çmimet e biletave për ndeshjen Shqipëri – Danimarkë, që do të zhvillohet në “Elbasan Arena” të qytetit të Elbasanit, më 11 tetor.

Kategoria e Parë dhe Kategoria e Dytë do të fillojnë aktivitetin në këtë fundjavë. Ekipet që nuk kanë shlyer detyrimet financiare, brenda javës duhet të derdhin në FSHF 50% të detyrimeve që kanë për edicionin 2014-2015.

Për pjesën e mbetur të detyrimeve do të bëjnë një aktmarrëveshje me FSHF për t’i likuiduar më 31 dhjetor 2014.

Nëse brenda javës klubet pjesëmarrëse nuk likuidojnë 50% të detyrimeve, klubet debitore humbin ndeshjen në tavolinë.

Sa i takon infrastrukturës, të gjitha klubet duhet të sjellin brenda javës në FSHF garancinë e policisë për të marrë përsipër mbarëvajtjen e të gjithë aktivitetit. Në të kundërt, duhet të sjellin marrëveshje me një nga stadiumet e tjera, të miratuara nga Policia e Shtetit.

 

 Fabregas, i mërzitur me tifozët e Arsenalit

Çesk Fabregas u përgjigjet tifozëve të Arsenalit, të cilët e kanë kritikuar pse spanjolli veshi fanellën e Çelsit. Ish-futbollisti i Barcelonës gjatë kësaj vere iu bashka skuadrës së Hoze Murinjos, duke “harruar” Arsenalin e tij të dikurshëm. “Unë nuk mund t’i kuptoj se disa njerëz në Arsenal janë të trishtuar, disa të zhgënjyer e disa edhe të zemëruar”, – ka thënë Fabregas. “Ndryshimet vijnë dhe janë pjesë e lojës. Arsenali nuk ishte një opsion për mua”, – tha ai. Fabregas ka shtuar se ndihet mirë tek Çelsi dhe më këtë skuadër synon të fitojë trofe.

 

 Maxarri: Ikardi dhe Osvaldo më zhgënjyen

Interi mori barazimin e dytë në kampionat që, edhe sipas teknikut Maxarri, ishte një rezultat i pranueshëm, duke pasur parasysh se zikaltrit edhe mund ta kishin humbur takimin. “Është një barazim që duhet ta pranojmë. Rrezikuam të dilnim pa pikë. Golin që mund të na kishte dhënë fitoren, e realizuam, por në fund rezultati ishte i drejtë, tani të shohim përpara. Vidiç? Për mua është një kampion, bëri një gabim që i ndodh një herë në 100 vjet. Kovaçiç? Po shënon dhe po rritet”. Dyshja e sulmit, Ikardi-Osvaldo, nuk zhvilluan një ndeshje për t’u mbajtur mend dhe formën e tyre nën mesataren e pranon edhe Maxarri. “Më kanë zhgënjyer pak. Nuk shkëlqyen si zakonisht. Megjithatë, duhet ta pranojmë se jo gjithmonë mund të jenë në formën maksimale. Duhet të përmirësohemi në procesin e rritjes, por po krijojmë një mentalitet të lojës në grup”. Pas tri javëve të para të Serisë A, Interi mban vendin e 5-të në renditje në kuotën e 5 pikëve me 1 fitore dhe 2 barazime.

 

 Guardiola: Lojtarët po kthehen në robotë

Tekniku i Bajernit të Mynihut, Pep Guardiola, ka dalë në mbrojtje të lojtarëve, duke u shprehur se ata kanë një presion shumë të madh dhe nuk mund të presin që të jenë çdo ndeshje në formë. “Unë mendoj se ne po i vrasim futbollistët, po kërkojmë shumë prej tyre, por ata nuk janë robotë dhe kanë nevojë edhe për pushim. Kjo gjë është më se e vërtetë dhe nuk po i ndodh vetëm Bajernit, por edhe Leverkusenit e Dortmundit. Është e pamundur të luash çdo tri ditë dhe të hedhësh në fushë të njëjtët futbollistë”. Në sfidën me Paderbornin, Bajerni do të vuajë sërish mungesën e francezit Frank Riberi, ndërkohë që Arjen Roben, edhe pse është grumbulluar nga Guardiola për këtë përballje, aktivizimi i tij vazhdon të mbetet në dyshim.

 

 Marota: Juventusi dhe Roma, favoritet kryesore

Drejtuesi sportiv i “Zonjës së Vjetër”, Marota, është shprehur për rivalitetin në kampionat, duke deklaruar se sfida do të jetë midis Romës dhe Juventusit. “Rivaliteti për titullin kampion duket se do të jetë një garë dyshe mes Juventusit dhe Romës. Këtë perceptim ka edhe drejtuesi i lartë bardhezi. “Fillimi i kampionatit na sugjeron që do të jetë një rivalitet kokë më kokë Juventus-Roma. Fakti që të dyja skuadrat kanë grumbulluar pikë të plota në tri ndeshjet e para, do të thotë se janë favoritet kryesore për titull është shprehur drejtuesi bardhezi.

 

 Nejmar dhe Rakitiç mungojnë kundër Malagës

Barcelona pritet të mos i ketë në dispozicion dy lojtarët Nejmar dhe Ivan Rakitiç në ndeshjen e mesjavës ndaj Malagës. Braziliani e ka dëmtuar nyjën në ndeshjen ndaj Levantes, ndërsa kroati e ka lënduar këmbën e majtë. Të dy lojtarët shënuan në ndeshjen të cilën “blaugranët” e fituan me rezultat 5-0, mirëpo të hënën u janë nënshtruar trajtime fizioterapeutike. Mjekët do të vazhdojnë të monitorojnë dy futbollistët për të shikuar nëse do të mund të luajnë në ndeshjen e të mërkurës në “La Rosaleda”. Barça është në krye të La Ligas me 12 pikë pas katër javësh.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency