Standard.al

Superliga Shqiptare Tirana humbet në Laç, Vllaznia triumfon ndaj Apolonisë

Images

24 herë kampionët e Superligës kanë humbur përballë laçianeve të Cungut që ishin më kërkues në drejtim të golit

 

Shkodranët surprizojnë përsëri, duke fituar edhe ndaj Apolonisë së Fierit

 

Ndeshjet e Superligës kanë rezervuar surpriza këtë javë. Bardheblutë e Tiranës kanë humbur ndaj Laçit, duke lëshuar pikë të rëndësishme në luftë për kreun e tabelës. Ndërsa Vllaznia tregon që është e konsoliduar dhe arrin të marrë trepikëshin e radhës ndaj fierakëve të Apolonisë që pas fitores ndaj Partizanit, nuk ka arritur të shfaqë më grintë. Bardheblutë e Maganit nuk duket se janë në gjendje të mirë. Kjo pasi mungesa e tifozëve ka ndikuar në performancën e skuadrës. Një ekip me shumë emra cilësorë por që nuk arrin të lidhet dhe lë hapësira në mbrojtje. Tri pikë më se të merituara për të besuarit e Armando Cungut, që e detyruan Stivi Frashrin ta nxjerrë dy herë topin nga porta e tij. Laçi i shfaq qartë ambiciet që në minutën e dytë me Xhejmsin, që pasi depërton në zonën e Tiranës shkarkon ta djathtën, por topi përfundon paksa mbi tra. Vendaset ushtrojnë presion të vazhdueshëm në gjysmëfushën e kryeqytetasve, duke iu afruar sërish golit në minutën e 19-të me Valdano Nimanin, që nuk arrin ta përmbyllë me gol aksionin perfekt të kurbinasve të nisur që nga mesfusha. Xhejms mbetet gjithmonë rrezik potencial për mbrojtjen mike, që është me fat në të 25-ën, teksa goditja e nigerianit nuk gjen kuadratin. Bardheblutë gjithsesi nuk mund të bënin asgjë në të 30-ën, teksa kombinimi mes Xhejms e Cetkovic, u shpërblye me finalizimin e saktë të sulmuesit malazez. Bardheblutë tentojnë të reagojnë, por janë sërish kurbinasit që mund ta ndëshkonin përsëri Tiranën në të 36-ën me Nimanin, që nuk arrin të koordinohet si duhet pas asistit të marrë nga Xhejms. Reagimi i bardhebluvë në fund të pjesës së parë është i vaktë, aq sa portieri Vujadinovic nuk u vu në asnjë moment në provë nga sulmuesit e Tiranës. Tirana e nis me tjetër fytyrë pjesën e dytë, madje i afrohet barazimit të 48-ën me Ndikumanën, që nuk arrin të devijojë drejt portës harkimin e Takut. Ndërsa në minutën e 55-të një krosim i Bulkut për pak përfundon në rrjetë. Laçi kundërpërgjigjet në të 58-ën me Buljan, që i pozicionuar mirë në shtyllën e dytë godet traversën. Goli knock out për kurbinasit vjen në minutën e 76-të dhe mban firmën e Valdano Nimanit, që në këtë rast ka edhe ndihmën e portierit Frashri. Në minutat e mbetura Tirana e ka të pamundur për të ndryshuar fatet e takimit, duke pësuar humbjen e parë në kampionat përballë një skuadre dha shpirtin në fushë për të marrë fitoren.

Vllaznia-Apolonia

Ndërsa në Shkodër kemi një pamje tjetër. Vllaznia, edhe pse pa tifozë, arriti ta tregonte veten, duke marrë një sukses të rëndësishëm përballë Apolonisë. Ndriçim Shtubina ishte heroi i Vllaznisë, pasi arriti të shënonte duke zhbllokuar rezultatin. Në një stadium të zbrazët, për shkak të pezullimit 10-javor nga Disiplina, kuqeblutë i janë falur kapitenit të tyre ndaj Apolonisë. Fillimisht, nga pika e bardhë në minutën e 30-të dhe më tej nga një aksion koral në minutën e 35-të, Shtubina i ka shkaktuar humbjen e radhës në transfertë skuadrës së Demirajt. Me këtë fitore shkodranët kaluan fierakët në klasifikim. Të premten u luajtën dy ndeshjet hapëse të kësaj jave. Partizani rikthehej para tifozëve të vet më i karikuar se kurrë, pas dy fitoreve radhazi me kampionët dhe nënkampionët e vendit në fuqi. Ballafaqimi dhe triumfi 2-0 ndaj durrsakëve të Hasan Likës ishte një tjetër rast për ta dëshmuar veten, për t’i shtuar edhe tri pikë të tjera në llogarinë e vet. Skënderbeu-Kukësi ishte supersfida e kësaj jave. Kampionët dhe nënkampionët u përplasën në stadiumin e Korçës për të parën herë në këtë kampionat, teksa vendasit u treguan edhe një herë të fortin verilindorëve.

 

 

 

 

Konte i hap dyert Balotelit

Tekniku i Italisë, Antonio Konte, ka siguruar se Mario Baloteli mund të rikthehet në ekipin e Italisë, nëse sillet si “profesionist”. Trajneri i të kaltërve është shprehur për “Corriere dello Sport”, ku mes tjerash ka komentuar edhe rastin e Balotelit, i cili nuk u përfshi në dy ndeshjet e para të Kontes në detyrë. “Unë nuk kam paragjykime kundër Marios. Nuk e përjashtoj askënd, por kërkoj nga lojtarët e mi të veprojnë si profesionistë. Nëse ata nuk janë të fokusuar, nëse ju shqetësoheni duke menduar vetëm për veten dhe në thelb qëndroni kot në fushë, atëherë kjo nuk është mjaft e mirë për mua”, – ka deklaruar ish-trajneri i Juventusit.

 

 

Silva: Do ta ndalojmë Kostën

Mesfushori spanjoll është shprehur se skuadra e tij do të arrijë që të ndalojë shokun e tij të kombëtares Diego Kosta. Skuadra e Sitit do të përballet me blutë në “Etihad Stadium” ditën e sotme. “Diego ka një ndikim të madh. Nuk është lehtë të adaptohesh, por ai është e qartë se e ka bërë këtë shumë shpejt. Ai ka shënuar shtatë herë deri më tani, dhe ky rekord flet vetë. Kjo është shumë e rëndësishme për Çelsin, por jo edhe për ne. Por ne kemi një mbrojtje të mirë dhe besoj se mund ta ndalojmë atë”, – ka thënë Silva.

 

Comments are closed.