Rishkrimi i historisë / Zbardhen 7 anëtarët e Komisionit, 2 të huaj. “Komunizimi” në duart e gjermanit Scheneke

0
158

fisher

Gëzim Saliu

Kreu i Komisionit do të jetë Paskal Milo e ndërsa anëtarë: Pëllumb Xhufi, Lorenc Bejko, Dritan Egro, Afrim Krasniqi dhe dy të huajt, Bernd Fischer dhe Michael Scheneke

Zbardhen emrat e anëtarëve të Komisionit të posaçëm të ngarkuar nga qeveria për të rishkruar historinë shqiptare, si edhe periudhat përkatëse që do të mbulojë secili prej anëtarëve të këtij organizmi. Në shtatë historianët që do të rishkruajnë historinë e sistemit parauniversitar, vihet re se dy prej tyre janë të huaj, si Bernd Fischer dhe Michael Scheneke. Ndërkaq, pesë anëtarët e tjerë do të jenë: Paskal Milo në rolin e kryetarit të Komisionit, Pëllumb Xhufi, Lorenc Bejko, Dritan Egro dhe Afrim Krasniqi.

Periudhat

Për të shtatë anëtarët e komisionit të posaçëm për rishkrimin e historisë është përcaktuar një periudhë e caktuar të cilën ato do të marrin përsipër me përfundimin e një teksti të ri nga ai aktuali. Kështu, kreu i Komisionit Paskal Milo do të rishohë historinë nga vitet 1912 deri në vitin 1939, ku veç Pavarësisë të vendit, kreu i PDS-së do të trajtojë edhe figurën e Mbretit Zog, për të cilën vetë ai ka pasur jo pak kundërshti, gjatë këtyre viteve. Ndërkaq, periudhën e Perandorisë së Bizantit, do ta trajtojë Pëllumb Xhufi e ndërsa periudha ilire do të jetë në dorën e Lorenc Bejkos. Nga ana tjetër, periudha e sundimit osman do të trajtohet nga Dritan Egro, kurse Afrim Krasniqi do të shkruajë historinë e pas vitit ‘89, që duket se do të jetë më shumë një shkrim në rrjedhë kronologjike e ngjarjeve. Ndërkaq, dy periudhat që kanë krijuar debat të madhe mes historianëve si edhe vetë politikës shqiptare i janë lënë në dorë dy personaliteteve të huaja. Kështu Bernd Fischer do të shkruajë historinë për periudhën e Luftës së Dytë Botërore, ku përfshihet edhe lufta e LANÇ për të cilët të majtët kanë kërkuar më shumë vlerësim për këtë pjesë, gjë e kundërshtuar nga pala tjetër e cila nuk nënvlerëson rolin e Luftës Nacionalçlirimtare, por nënvizon se pikërisht në kuadër të saj në vend erdhi regjimi më i egër komunist në të gjithë botën. Ndërkohë, gjermani Michael Scheneke pritet të ketë detyrën më të vështirë në këtë Komision, pasi do të rishkruajë historinë e komunizmit. Duke marrë shkas nga shfaqjet e shtuara këto kohët e fundit të portreteve dhe simboleve të komunizmit, të kundërshtuara fort nga e djathta, të përndjekurit polit dhe një pjesë e mirë e shoqërisë e nga ana tjetër kërkesa për rishikimin e figurës së Hoxhës e shprehur më parë nga kreu i Komisionit Milo. Ky i fundit u shpreh pak ditë më parë lidhur me këtë çështje, duke theksuar: “Enver Hoxha ka qenë një personalitet i historisë shqiptare. Nuk mund të fshihet nga kujtesa e shqiptarëve dhe as në kujtesën historike, emri i tij. Se si do të vlerësohet, kjo u takon njerëzve dhe historianëve, por ai nuk mund të zhbëhet me vullnet politik”. Po ashtu Milo ka shprehur edhe kundërshtitë e tij për disa pika të historisë së figurës së Mbretit Zog, ku për ironi të fatit ose jo, do të jetë pikërisht ai që do të rishkruajë këtë pjesë të historisë. “Fshihen gabimet e tij, krimet e tij e mbi të gjitha braktisja që ai u bëri shqiptarëve dhe atdheut të vet, aq më tepër kur ai duhet të ishte aty”, – u shpreh Milo. Ndaj deklaratave të kreut të PDS-së ka pasur reagime të shumta, si nga shoqëria civile ashtu edhe nga pala e së djathtës, e cila ka kundërshtuar me forcë tentativën e cilësuar si rehabilitim i figurës së diktatorit Ener Hoxha.

 

 

Pritet ndryshimi i ligjit

Tekstet e Komisionit të posaçëm do të përdoren vitin e ardhshëm

Në kohën kur Komisioni i posaçëm për rishkrimin e historisë së sistemit parauniversitar ka 9 muaj që është krijuar me vendim të Ministrisë së Arsimit dhe të Sporteve, ende nuk ka një rezultat të punës së tij. Kjo pasi komisioni ka filluar nga puna, por se nuk ka ndryshuar ligji për arsimin parauniversitar, gjë që bëri të pamundur përfshirjen e ndryshimeve këtë vit shkollor. Nisur nga kjo, do të pritet fillimisht amendimi i ligjit nga qeveria për ti hapur rrugën më pas i hartimit të teksteve të reja, ku me siguri përgjatë kësaj periudhe, por edhe më pas nuk do mungojnë debatet, për dy nga periudhat më të diskutuara në vend, atë të Luftës Nacionalçlirimtare dhe atë të regjimit komunist, duke mos lënë mënjanë edhe periudhën e mbretërisë.

 

70-vjetori i çlirimit në Gjirokastër u përkujtua përmes portretit të Enver Hoxhës

Me portretin e diktatorit Enver Hoxha dhe thirrjet lëvdues ndaj figurës së tij Gjirokastra përkujtoi pak ditë më parë 70-vjetorin e çlirimit të qytetit. Përfaqësuesit e të gjitha institucioneve shtetërore, nxënësit e shkollave, policia, ushtria dhe veteranët parakaluar në Sheshin e Çerçizit me flamuj në duar dhe me shamitë e kuqe, simbol i luftës antifashiste. Në krah të tribunës ku ishin dhe përfaqësues të qeverisë, ministri i Mirëqenies Sociale Erjon Veliaj, ministri i Çështjeve Vendore Bledi Çuçi dhe ministri Arben Ahmetaj, veteranët parakaluan duke mbajtur në dorë portretin e Enverit por dhe tabela ku shkruhej “Lavdi veprës së Enver Hoxhës”. Në nisje të parakalimit viheshin re fotot e shumta të portretit të ish-diktatorit dhe udhëheqësit të LANÇ Enver Hoxha, i cili ka lindur në Gjirokastër. Pak kohë më parë kjo gjë u përsërit edhe në festën e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve, ku ishin të shumtë ata të cilët në ceremoninë zyrtare, me portretin e diktatorit si edhe thirrjet lëvduese ndaj tij, krijuan kundërshti të mëdha ndaj qeverisë si edhe anëtarëve të mazhorancës, për tolerimin e një akti të tillë.

 

 

Kadare: Debati për rishkrimin e historisë nisi mbrapsht

Pak muaj më parë, shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare deklaroi se debati për rishkrimin e historisë në Shqipëri ka filluar mbrapsht. Në një intervistë për gazetën “Illyria” në New York, Kadare ka pohuar se në debat u hodhën ide monstruoze se ishte komunizmi shqiptar që ka himnizuar Skënderbeun dhe Rilindjen. “Debati për rishkrimin e historisë në Shqipëri filloi krejtësisht mbrapsht: jo me historinë e gabuar të rendit që sapo ra, por me Kastriotin, pushtimin turk dhe Rilindjen. E sikur të mos mjaftonte kjo, në debat u hodhën ide monstruoze se ishte komunizmi shqiptar që na paska himnizuar Skënderbeun dhe Rilindjen! Me një fjalë, gjithçka u trajtua kokëposhtë, duke përfunduar në një lavdërim djallëzor të tiranisë së përmbysur! S’po zgjatem me ndërhyrjen për ta quajtur robërinë osmane liri, që ka qenë poshtërimi publik më i madh ndaj kombit. Përpara kemi 70-vjetorin e çlirimit dhe me ç’po duket, kjo do të jetë një tjetër vjegë për përçarje dhe grindje të lodhshme. Rishkrimi i historisë së shekullit XX, është një proces në zhvillim për shumicën e vendeve të Evropës. Ndarja në “fitimtarë dhe të mundur” është më e ndërlikuar se ç’paraqitet. Pas ballinës së jashtme nuk mund të mbulohen krimet e mëvonshme, as tiranë të llojit të Stalinit, që u shpall ca kohë si njeriu që mposhti Hitlerin. Le të shpresojmë që të ketë një shqyrtim gjakftohtë, përtej interesave të krahëve të sotme të politikës, si për ngjarjet kryesore, si për tragjeditë, qoftë asaj të 4 shkurtit, qoftë asaj të Tivarit (Këtij Katyni të Shqipërisë) e kështu me radhë”, – u shpreh shkrimtari shqiptar me famë ndërkombëtare.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency