Vjedhja e BSH/ Apeli nuk kthen në qeli, lë në fuqi vendimin për dy inventarizuesit

0
130

gjykata e apelit trGjykata e Apelit nuk pranoi dje rikthimin në burg të Medi Mollës dhe Emiljano Lamçes. Me këtë vendim të saj, Gjykata e Apelit, ka rrëzuar kërkesën e prokurorisë për kthimin në burg të dy inventarizuesve të Bankës së Shqipërisë. Gjykata la në fuqi vendimin e shkallës së parë, ku ndaj të dyshuarit Molla është caktuar masa e sigurisë “Arrest shtëpie” ndërsa Lamçe atë të “Detyrimit për paraqitjeje”.

Përveç fakteve për të lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për Lamçen ka pasur dhe një arsye tjetër. Prej muajsh ai kishte planifikuar të martohej këtë fundjavë dhe për këtë fakt ai dhe avokati i tij, kanë kërkuar që masa detyrim paraqitje të lihet në fuqi. Pas dëgjimit të palëve Gjykata vendosi të lërë të lirë Emiljano Lamçen,me kushtin që të shkojë një herë në javë në prokurori, ndërsa më e rëndësishme për të do jetë pjesëmarrja në banketin e dasmës së tij.

Edhe për hidraulikun e Bankës së Shqipërisë Apeli vendosi ta lërë në arrest shtëpie, ashtu siç kishte vendosur Gjykata e Shkallës së Parë. Mehdi Molla i ka kushtuar këtij profesioni 46 vite të jetës së tij dhe ka 25 vjet që ishte pjesë e bankës. Hidrauliku 64-vjeçar, deklaroi në seancë që ka punuar gjithmonë me ndershmëri në bankën qendrore dhe për gjithë vitet e tij të nuk ka marrë asnjë vërejtje.

Sipas vendimit, të djeshëm të Gjykatës së Apelit, mësohet se nuk ka ndryshuar ndonjë rrethana rënduese që dy të dyshuarit për “Shpërdorim të detyrës” të kthehen në qeli.

Edhe avokatët kërkuan një masë më të butë për klientët e tyre. Mbroja kishte kërkuar nga Apeli ndryshimin e masës në “Detyrim paraqitjeje”.

Dy inventarizuesit e parave në thesarin e Bankës qendrore akuzohen për “Shpërdorim detyre”. Më datën 15 shtator, Gjykata e Apelit vendosi masën e “Arrest shtëpie” për ish-guvernatorin Ardian Fullanin, ndërsa për Elivar Golemin, ish-kryeinspektoren “Arrest me burg”.

Për vjedhjen e 713 milionë lekëve nga Banka e Shqipërisë, prokuroria ka ngritur akuza ndaj 19 personave, të cilëve po i verifikohen pasuritë.

 

Mat/ Vranë dhe groposën të riun për nder, Gjykata, 57 vite burg për tre të akuzuarit

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat shpalli fajtorë dhe dënoi shtetasit Përparim Boja me 25 vite burg, Luis (Astrit) Boja me 17 vjet burg dhe Fatjon Cani me 15 vjet burg, të akuzuar për “vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim. Sipas Prokurorisë së Matit, këta shtetas akuzohen se kanë vrarë dhe më pas kanë mbuluar me zhavorr shtetasin Fatjon Barmeta. Ngjarja ka ndodhur në 22 nëntor 2012 në Klos të rrethit Mat.

Nga hetimi i prokurorisë ka rezultuar se vëllezërit Boja dhe miku i tyre, Cani kanë goditur për vdekje me sende të forta viktimën, pasi dyshonin se ai kishte sjellje ngacmuese ndaj bashkëshortes së Përparim Bojës. Fatjon Barmeta ishte masakruar, lidhur me tela dhe ishte hedhur në një gropë, ku për nxjerrjen e tij policia është orvatur rreth dy orë.

Në konkluzionet përfundimtare, Prokuroria e Matit kërkoi burgim të përjetshëm për shtetasit Përparim Boja dhe Fatjon Cani, si edhe 25 vjet për shtetasin Luis (Astrit) Boja.

 

 Bajram Curri/ Aksidentohen dy turistë polakë, kërkohet ndërhyrja e helikopterit

Dy turistë polakë janë aksidentuar pasditen e djeshme në një zonë malore të Bajram Currit. Mësohet se dy turistët kishin shkuar në një zonë të thellë malore të fshatit Curraj të Epërm për të eksploruar zonën, por janë përfshirë në një aksident, shkaqet e të cilit nuk bëhen ende të ditura. Nga vendngjarja raportohet se njëri prej turistëve ka marrë plagë në kokë, ndërsa kërkohet ndërhyrja e një helikopteri për të bërë transportimin e tyre drejt spitalit.

Lajmi për aksidentimin e tyre u bë i ditur nga ambasada polake në Tiranë, e cila njoftoi fillimisht policinë dhe Ministrinë e Brendshme.

 

 Autori dyshohet të jetë shqiptar

 Dy të vrarë në Milano, mes tyre një shqiptar

Dy persona kanë mbetur të vdekur dhe një i tretë i plagosur rëndë gjatë natës së lënë pas, si pasojë e disa të shtënave në Milano të Italisë, në zonën e Bruxanos. Viktimat janë një 36-vjeçar, emigrant shqiptar dhe një tjetër i moshës 37-vjeçare nga Egjipti. Nga të dhënat e para të policisë, dyshohet se bëhet fjalë për larje hesapesh. Alarmi për ngjarjen e rëndë u dha nga banorët e zonës të cilët dëgjuan dhjetëra të shtëna në lagje. Autori i dyshuar i vrasjes arriti të largohej me një makinë tip “Opel”, ndërsa u ndalua pak më vonë nga policia. Policia tha se i arrestuari është shtetas shqiptar. Dy viktimat dhe i plagosuri të vënë në shënjestër nga vrasësi, dyshohet se njiheshin mes tyre, ndërsa mendohet se kishin lënë një takim me vrasësin.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency