Vendimi i lirimit/ Apeli: Fullani bashkëpunoi me Prokurorinë, nuk iu shmang hetimeve

0
137

fullani ne gjyqZbardhet vendimi i Gjykatës së Apelit për ish-guvernatorin Adrian Fullani. Sipas Apelit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendimin e saj për masën e sigurisë me burg e ka bërë pa dijeninë e ish-guvernatorit

 Zbardhet vendimi i Gjykatës së Apelit për ish-guvernatorin Adrian Fullani. Sipas Apelit, ndryshimi i masës së sigurisë, duke e lënë në “Arrest shtëpie” është bërë pasi Adrian Fullani nuk paraqet asnjë rrezikshmëri shoqërore dhe se ai nuk i është shmangur hetimit. Duke argumentuar faktet e vendimit për arrestimin e Fullanit, Apeli ka bërë të ditur në vendimin e saj se masa e sigurisë me burg është bërë pa dijeninë e ish-guvernatorit.

“Ish-guvernatori nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore. Masa e sigurisë është marrë pa praninë e Fullanit dhe avokatit. Adrian Fullani nuk i është shmangur hetimit. Fullani nuk ka pasur mundësi të komentojë dokumentet e Prokurorisë”, – citohet në vendimin e Gjykatës së Apelit. Sipas vendimit të Apelit, Fullani, në detyrë guvernator, mbronte interesat e shtetit.

“Adrian Fullani ka bashkëpunuar me Prokurorinë. Nuk ekziston rreziku që Fullani të prishë provat”, – citohet në vendim.

Pas arrestimit të ish-guvernatorit Adrian Fullani më datën 5 shtator, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, për vjedhjen nga Thesari i Shtetit të 713 milionë lekëve, me një urdhër të Prokurorisë, u caktua masa “Arrest me burg” për të. Më pas, në datën 15 shtator, Gjykata e Apelit la të lirë Adrian Fullanin, nën masën e sigurisë “Arrest shtëpie”. Ndërkohë, vijojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes mbi akuzat ndaj ish-guvernatorit Fullani.

 

Argumentet e Gjykatës së Apelit

Gjykata e Apelit Tiranë, pasi shqyrtoi këtë çështje mbi ankimin si më lart, vlerëson e çmon se vendimi nr. 1909 regjistri themeltar datë 5.9.2014 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ligjëruar me vendimin e datës 7.9.2014, duhet ndryshuar dhe ndaj personit nën hetim Adrian Fullani të caktohet një masë tjetër sigurimit, ajo e “Arrestit në shtëpi”. Në këtë konkluzion përfundimtar, Gjykata e Apelit Tiranë arrin nisur nga sa më poshtë:

…Në analizë të provave të marra në gjykim dhe pretendimeve të palëve Gjykata e Apelit Tiranë çmon se kërkesa e prokurorisë për lënien në fuqi të masës së sigurimit “Arrest në burg” për të dyshuarin Adrian Fullani, nuk duhet pranuar…

…Në këtë kuadër, më datë 4.9.2014 nga organi i procedimit penal është urdhëruar regjistrimi si persona nën hetim edhe i shtetasve Adrian Fullani dhe Elivar Golemi, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Gjykata e Apelit Tiranë çmon se:

  1. Së pari, lidhur me caktimin e masës së sigurimit personal në mungesë, Gjykata e Apelit Tiranë çmon se caktimi i masës së sigurisë “Arrest në burg” nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, (duke u zhvilluar pa praninë e personit nën hetim Adrian Fullani apo të mbrojtësit të tij në seancë gjyqësore), nuk është vlerësuar e çmuar drejt nga ajo gjykatë. Ajo është mjaftuar vetëm me arsyet që i ka parashtruar prokurori pa verifikuar nëse ekzistojnë realisht nevojat e sigurimit dhe kushtet për të caktuar masën e kërkuar nga prokurori.

Gjykata e Apelit Tiranë çmon se në rastin konkret organi i akuzës nuk ka argumentuar para Gjykatës, nevojën e ngutshme të sigurimit të “Arrestit në burg”, pa praninë e personit nën hetim apo të mbrojtësit të tij. Gjykata e Apelit Tiranë çmon se kjo mënyrë (pa praninë e personit nën hetim) i përshtatet rasteve kur i dyshuari është apo paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore, ose ka të dhëna se personi në fjalë tenton të largohet jashtë vendit, ose provohet se personi në fjalë është thirrur dhe nuk është paraqitur qëllimisht para organit të hetimit, ose personi në fjalë është larguar apo ndodhet jashtë vendit ose nuk i dihet vendbanimi apo vendqëndrimi. Në të kundërt, në rastin konkret nuk rezultojnë asnjë nga këto rrethana të cilat mund të justifikonin marrjen e vendimit nga ana e Gjykatës, për caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” në mungesë të personit nën hetim apo të mbrojtësit të tij. Konkretisht nuk provohet se personi nën hetim është apo paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore, se është thirrur dhe nuk është paraqitur, apo se ka tentuar të largohet jashtë vendit…

  1. Së dyti, vendosja e masës së sigurimit kërkon si kusht bazë për krijimin e “dyshimit të arsyeshëm” ekzistencën e një ose më shume provave qe tregojnë se është kryer një vepër penale dhe se autori i saj mund të jetë personi ndaj të cilit kërkohet caktimi i masës së sigurimit, dhe që kjo masë nuk mund të vendoset mbi bazën e indiceve. Në pikën 1 të nenit 228 të Kodit të Procedurës Penale parashikohet se: “1. Askush nuk mund t’u nënshtrohet masave të sigurimit personal në qoftë se në ngarkim të tij nuk ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në prova”.

Gjykata e Apelit Tiranë bazuar në tërësinë e akteve të fashikullit hetimor, çmon se ndaj shtetasit Adrian Fullani ekzistojnë dyshime të arsyeshme se ai mund të jetë autor i veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodi Penal. Gjykata çmon se ekzistojnë elementë të arsyeshëm, por jo ezaurues, si dhe rrethana fakti të tilla të cilat i krijojnë dyshimin kësaj gjykate se personi nën hetim mund të jetë autori i kësaj vepre penale. Neni 248 i Kodit Penal, është një dispozite e bardhë, e cila duhet patjetër të shoqërohet apo të orientojë në një dispozitë tjetër të shkelur. Në veprën penale të shpërdorimit të detyrës të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, veprimi a mosveprimi kryhen me dashje duke qenë personi në krye të detyrës, apo duke shfrytëzuar vendin (postin) që ai mban dhe jep urdhra, ose kryen veprime te paligjshme, të cilat i sjellin pasoja interesave të shtetasve ose atyre shtetërore. Në këtë kuptim, subjekt i krimit të shpërdorimit të detyrës mund të jenë vetëm ata punonjës të ngarkuar me një funksion shtetëror Për këtë arsye, deri në këtë fazë, gjykata mjaftohet me faktin se ka ndodhur një vjedhje në institucionin e BSH-së dhe se personi nën hetim, duke qenë në postin më të lart drejtues të këtij institucioni, me veprimet apo mosveprimet e tij, mund të ketë ndikuar në këtë pasojë (vjedhjen e bankës) duke shpërdoruar detyrën, vepër penale për të cilën akuzohet, por që kjo mbetet për t’u provuar në gjykimin e themelit dhe jo në këtë gjykim.

  1. Së treti, lidhur me caktimin e masës së sigurimit, Gjykata e Apelit Tiranë mban parasysh kushtet e përgjithshme dhe kriteret e veçanta të parashikuara në nenet 228, 229 dhe 230 të Kodit të Procedurës Penale, përshtatshmërinë e saj në raport me shkallën e nevojës së sigurimit, me rëndësinë e faktit, rrezikshmërinë e veprës penale dhe te arrestuarit, si dhe marzhin e dënimit te parashikuar nga dispozita për të cilën akuzohet i arrestuari Adrian Fullani. I arrestuari nuk rezulton te ketë ndonjë shkak padënueshmërie ose përjashtimi nga përgjegjësia penale. Në pikën 1 dhe 2 të nenit 229 të Kodit të Procedurës Penale parashikohet se:

“1. Në caktimin e masave të sigurimit gjykata mban parasysh përshtatshmërinë e secilës prej tyre me shkallën e nevojave të sigurimit që duhen marrë në rastin konkret.

  1. Çdo masë duhet të jetë në raport me rëndësinë e faktit dhe me sanksionin që parashikohet për veprën penale konkrete. Mbahen parasysh edhe vazhdimësia, përsëritja, si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese të parashikuara nga Kodi Penal”.

Kriteret e parashikuara nga neni 229 i Kodit të Procedurës Penale, synojnë proporcionalitetin, përshtatshmërinë specifike të llojit të masës së sigurimit të caktuar me vetë nevojat e sigurimit për rastin konkret.

Në mbështetje të nenit 230 të Kodit të Procedurës Penale, Gjykata e Apelit Tiranë e çmon të papërshtatshëm vlerësimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin Adrian Fullani. Nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë nuk janë analizuar drejt dispozitat procedurale kur ka miratuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës “Arrest në burg”. Masa e sigurimit “Arrest në burg” është një nga masat më të rrepta të parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale dhe si e tillë duhet vendosur vetëm kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprës dhe të pandehurit (neni 230 i Kodit të Procedurës Penale).

Në rastin konkret masa e sigurimit “Arrest në burg” e kërkuar nga prokurori ndaj personit nën hetim Adrian Fullani – çmohet nga Gjykata e Apelit Tiranë – si e papërshtatshme për sa vijon:

  1. a) Nga provat e paraqitura rezulton që gjendja e rrezikut nuk është e pranishme në atë shkallë e rëndësi që të bëjë të zbatueshme masën e sigurimit “Arrest në burg” dhe se rrezikshmëria shoqërore e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” (nisur edhe nga lloji dhe masa e dënimit që parashikon kjo dispozite) objektivisht përligj caktimin e një mase sigurimi personal edhe më të butë nga ajo e “Arrestit me burg”.
  2. b) Në rastin në gjykim, nuk rezulton një rrezikshmëri e theksuar shoqërore e personit nën hetim Adrian Fullani, i cili në momentin e arrestimit mbante pozicionin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Për interpretimin “e rrezikshmërisë” së personit nën hetim është e nevojshme të përmendim disa elementë orientues për t’u mbajtur parasysh, si: a) Gjendja sociale; b) Profesioni; c) Arsimimi; d) Gjendja familjare; e) Gjendja gjyqësore. Interpretuar në harmoni të gjithë këto tregues e rrethanash objektive që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me personalitetin dhe individualitetin që paraqet individi arrihet në bindjen e brendshme juridike dhe konkluzionin se personi në hetim Adrian Fullani paraqet rrezikshmëri të pakët shoqërore – çka përligj përsëri marrjen e një mase sigurimi personal më të butë se ajo e “arrestit me burg”.
  3. c) Gjykata e Apelit çmon se ndaj personit nën hetim Adrian Fullani duhet të caktohet si mase sigurimi ajo e “arrestit në shtëpi” – nisur edhe nga koncepti ligjor se në këtë fazë të procedimit penal – masat e sigurimit personal nuk janë “dënime penale” por janë masa që lidhen me nevojat e sigurimit dhe jepen mbi disa kushte dhe kritere të përcaktuara saktësisht në titullin e V të Kodit të Procedurës Penale. Nëse personi nën hetim është ose jo autor i veprës penale kjo është një çështje që lidhet me “gjykimin e themelit” dhe me procesin e të provuarit; por nëse ndaj tij duhet caktuar një masë sigurimi personal (aq më tepër ajo e arrestit në burg) – atëherë – kjo është një çështje që lidhet me kushtet dhe kriteret e parashikuara në ligj dhe që janë të ndryshme nga ato të gjykimit të “çështjes së themelit” dhe të dënimit përkatës penal.
  4. d) Gjykata e Apelit Tiranë çmon se nevojat e sigurimit diktohen nga rreziku i ikjes se personit nën hetim ndaj te cilit caktohet masa e sigurimit, rreziku i ndikimit ne marrjen ose vërtetësinë e provave gjatë fazës se hetimit ose rreziku i vazhdimësisë së veprimtarisë kriminale. Po t’i referohemi praktikës së Gjykatës së Strasburgut ajo ka arritur në përfundimin se: Megjithëse nevoja për të nisur një proces penal kundër dikujt të dyshuar se ka kryer një vepër penale, ose nevoja për të parandaluar kryerjen e një vepre të tillë mund të japë justifikimin fillestar për t’i hequr lirinë personit të dyshuar, kjo nuk përbën një bazë të mjaftueshme për vazhdimin e mbajtjes në paraburgim pas kësaj faze. Vazhdimi i paraburgimit duhet t’i nënshtrohet hetimit të menjëhershëm gjyqësor që jo vetëm duhet të shqyrtojë së pari nëse është një masë e justifikuar, por edhe nëse ende është e përshtatshme për t’u vazhduar.

Gjykata ka njohur katër arsye, si të përshtatshme për të vazhduar masën e paraburgimit kur ende ekziston një dyshim i arsyeshëm që personi ka kryer një vepër penale. Ato janë:

  1. a) risku i largimit;
  2. b) risku i ndërhyrjes në procesin e drejtësisë;
  3. c) nevoja për të ndaluar krimin;
  4. d) nevoja për të ruajtur rendin publik.

Në rastin konkret për të dyshuarin Adrian Fullani nuk ka pasur asnjë provë apo indice që të vërtetonte rrezikun për t’u larguar. Ai rezulton të jetë një qytetar me personalitet të mirë, banues në Tiranë dhe me adresë banimi të saktë, si dhe një funksionar i lartë në institucionin më të lartë financiar në vend. Edhe vepra penale për të cilën ai akuzohet nuk parashikon një dënim të lartë, çka do të bënte të mendohej rreziku i largimit.

Sa i përket riskut të ndërhyrjes në procesin e drejtësisë, nuk ka asnjë provë që të provojë se i dyshuari Adrian Fullani të ketë kryer veprime, në mënyrë që të ndërhyjë në zbardhjen e çështjes. Në të kundërt, ai ka bashkëpunuar me organin e prokurorisë, i është përgjigjur pyetjeve të dërguara me shkresë, duke vënë në dispozicion të prokurorisë të gjithë dokumentacionin e kërkuar dhe nuk është larguar në asnjë moment…

Përfundimisht Gjykata e Apelit Tiranë vlerëson e çmon se ndaj personit nën hetim Adrian Fullani duhet të vendoset masa e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” – masë sigurimi kjo – që çmohet se duhet të shoqërohet me detyrimin e personit nën hetim Adrian Fullani, për të mos u larguar nga banesa e tij e ndodhur në adresën kompleksi “Green Park”, nr. 46, Tiranë, si dhe për të mos komunikuar me persona të tjerë me përjashtim të atyre që bashkëjetojnë me të – kritere të përcaktuara në nenin 237 i Kodit të Procedurës Penale.

Gjykata e Apelit Tiranë, nisur nga rrethanat si më lart, çmon gjithashtu se masa e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” si më sipër është e mjaftueshme dhe se ajo nuk pengon hetimin e plotë, të shpejtë dhe objektiv të çështjes.

Për këto arsye

Gjykata e Apelit Tiranë, duke u bazuar në nenin 249/6 të Kodit të Procedurës Penale,

Vendosi

Ndryshimin e vendimit nr. 1909 akti, datë 5.9.2014 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ligjëruar me vendimin e dt. 7. 9.2014 në këtë mënyrë:

Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” të parashikuar nga neni 237 të K. Pr. Penale për personin nën hetim Adrian Fullani.

Detyrimin e personit nën hetim Adrian Fullani të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në këtë adresë: kompleksi “Green Park”, nr. 46, Tiranë.

Detyrimin e personit nën hetim Adrian Fullani të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që bashkëjetojnë me të.

Ngarkohet Policia Gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi duke urdhëruar lirimin e tij nëse nuk mbahet për ndonjë vepër tjetër penale.

 

 Elivar Golemi refuzon sërish dëshminë për prokurorët/ Avokati: Prokurorët erdhën me duar në xhepa e pa prova

Dështon përsëri seanca e pyetjes së Elivar Golemit në qelitë e burgut të sigurisë së lartë 313 në Tiranë. Ish-Kryeinspektorja e Bankës së Shqipërisë nuk ka pranuar t’u përgjigjet pyetjeve të dy oficerëve e policisë Lazar Tuni dhe Elidon Hysenaj. Dy oficerët e çështjes, në prani të avokatit mbrojtës, kërkuan nga e dyshuara Golemi të japë shpjegime për shkeljet e evidentuara nga Prokuroria, por mësohet se ajo ka refuzuar të jap shpjegime. Mësohet se ish-inspektorja e Përgjithshme ka kërkuar materialin për të cilin ajo është person nën hetim dhe vetëm pasi të studiojë këtë material, atëherë do të rezervojë të drejtën për të folur.

Në përfundim, avokati mbrojtjes i Elivar Golemit, Fatos Shanaj, tha se shkak për këtë u bë fakti se “përfaqësuesit e organit të akuzës nuk paraqitën prova, siç kishte kërkuar mbrojtja dhe erdhën me duar në xhepa”.

Kjo është hera e dytë që Elivar Golemi refuzonte përgjigjet oficerëve të policisë gjyqësore, duke pretenduar e kërkuar që më parë të njihet me provat dhe akuzat e prokurorisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency