Guvernatori i ri/ Nisin aplikimet. Nishani: Mirëpres kandidaturat e shtetasve shqiptarë dhe nga diaspora

0
96

nishani1Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka njoftuar fillimin e procedurave për emërimin e Guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë, pas shkarkimit të Ardian Fullanit dje nga Kuvendi. Me këtë rast, Presidenti i kërkon shtetasve shqiptarë edhe nga diaspora, të dërgojnë kandidaturat e tyre, duke i garantuar se kandidimi do të mbetet konfidencial. Në një deklaratë për mediat,  Florian Nuri, drejtori i Kabinetit të Presidentit tha se  kandidatët do të kenë afat deri më 5 tetor për të dërguar kërkesat në faqen zyrtare të Presidencës. Ndryshe nga sa ka deklaruar Kryeministri  Edi Rama se kreu i Bankës qendrore duhet të jetë një personalitet i huaj, Nishani i ka bërë ftesë për këtë post shtetasve shqiptarë, përfshi këtu edhe atyre nga diaspora. “Institucioni i Presidentit të Republikës, pas vendimit të djeshëm të shkarkimit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, bazuar në nenin 161, pika 2 të Kushtetutës, njofton fillimin e procedurës së emërimit të Guvernatorit të ri. Për këtë qëllim, Presidenti i Republikës fton të gjithë shtetasit shqiptarë dhe shqiptare si dhe ata nga diaspora të shprehin interesin e tyre pranë Institucionit të Presidentit të Republikës. Kandidaturat duhet të plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në Ligjin nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Me këtë rast, Institucioni i Presidentit të Republikës garanton çdo të interesuar se aplikimi i tij ose i saj do të mbetet konfidencial. Çdo i interesuar mund të aplikojë dhe kontaktojë në adresën aplikime@president.al. Shprehja e interesit nga çdo i interesuar duhet të shoqërohet me dokumentacion të skanuar në përputhje me Ligjin Nr. 8269, dt. 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Aplikimet për shprehjen e interesit për detyrën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, në adresën e-mail të sipërpërmendur, do të vijojnë deri më datë 5 tetor 2014″, tha Nuri.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency